Roland BEQIRAJ Poeti dhe qyteti Në vend të pasthënies - TopicsExpress



          

Roland BEQIRAJ Poeti dhe qyteti Në vend të pasthënies për vëllimin HESHTJA E TOKES 1. Poeti me qytetin e tij krijon disa marrëdhënie sui generis, që për gjithkënd mund të duken të koklavitura. Dhe në të vërtetë të tilla janë. Poeti e do njeriun, do qytetin e tij, madje edhe peizazhin, sado i ashpër qoftë ai. Poeti do shoqërinë e lirë dhe të vërtetën për ta fituar atë. Pikërisht për këto të vërteta, bie në kontradiktë me pushtetarin, klerikun, shoqërinë e të fuqishmëve. Hakmarrja e tyre ka rënë gjithmonë mbi poetin, vetëm e vetëm për t’ia bërë jetën të mërzitshme që ta largojnë njëherë e përgjithmonë nga qyteti. Kjo kontradiktë duket sikur ka lindur me vetë poetin. Eskilit, pikërisht në atë periudhë që nga historianët dhe filozofët vendi i tij ( Greqia antike), është cilësuar djepin e demokracisë, u detyrua të largohej nga Athina, ndërsa Ovidi u dëbua nga Roma. Gjithashtu edhe Dante u dëbua nga Firencia e tij e dashur, për të jetuar ferrin në Ravena ku edhe vdiq. Dhe historia e kryqëzimit të poetëve vazhdon pa u ndalur;nga Moska janë larguar Pushkini dhe Lermontovi, ndërsa Ana Ahmatovës ia bënë jetën ferr në Shën Petërburg. Dhe fati i keq e ka ndjekur pas poetin... Në vendin tonë ky fat ka qenë edhe më i keq; në qytetet e tyre janë pushkatuar Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, në Kukës është varur Isuf Nelaj, kurse pas disa ridënimesh, regjimi derdhi breshëri plumbash mbi poeti Trifon Xhagjika. Ndërsa fati i poetit vazhdon të jetë peng i rrafshit që ai shkel çdo ditë dhe vragat shpirtin e tij trazohen për të mos u mbyllur asnjëherë sa ka jetë. Por cilët janë armiqtë e poetëve, do të pyesë dikush. Unë në mënyrë të prerë do tu them; ata që njëkohësisht janë dhe armiqtë tuaj. A nuk janë armiqtë tuaj ata që ju pengojnë për të qenë të lumtur, ata që nuk u lejojnë të gëzoni të drejtat e falura që në lindje, të shfrytëzoni të mirat e tokës tuaj. A nuk janë të këqijtë ata që ju errësojnë rrugën për ti fituar ato që ju janë mohuar? Disa njerëz e dinë shumë mirë atë që duan, por u mungon përfytyrimi dhe fantazia për të prekur ndjenjat dhe telat e zemrës së milionave që kanë fatin e njëjtë, mungesën e lumturisë. A mund ta thotë dikush të vërtetën ashtu siç mund ta thotë një poet në muzën e tij ... ?! Fjala e tyre krahas entuziazmit dhe kënaqësisë që u dhuron bashkësisë së qytetarëve, njëkohësisht ngjall edhe indinjatën e atyre që janë direkt të prekur nga vargu dhe fjala e poetit, atyre që për një arsye apo tjetër, janë në pushtet. Poeti “dënohet” dhe si një i nëmur mënjanohet duke qëndruar në këtë pozitë me pushtetin deri në vdekje. Më e çuditshmja, madje e pafytyra, ndodh më pas; të gjithë pushtetarët, bashkëkohës ose jo, lëvdojnë artin e poetit të vdekur, madje e shpallin edhe “Nderi Qytetit”. 2. Diktaturat e deformojnë jetën e një populli, jetën e një qyteti apo të një familjeje. Dhe kalendari i atyre viteve të jetuara nën diktaturë nuk mund të kthehet mbrapa, pavarësisht plagëve që ka lënë tek shpirtrat njerëzorë. Fillimi i dhjetëvjeçarit të ri solli një erë të re, së bashku me të edhe shpresa të reja. Por siç ndodh gjithmonë në kësi gjërash, bashkë me ndryshimet e mëdha, të tilla janë edhe zhgënjimet, pasi në të gjitha kohët do të ketë vend për plagët në shpirt. Shumë ndryshime kanë ndodhur edhe në mënyrën e perceptimit të gjërave. Jashtë këtij korpusi jetësor nuk ka mbetur as poeti. Dalëngadalë poezia e realizmit socialist filloi të zëvendësohej nga një brez tjetër poetësh që u bënë lëvrues të poezisë së re bashkëkohore. Ky brez poetësh ishte duke shkelur në një terren të ri e duke kërkuar shembuj nga poetë që deri atëherë ishin cilësuar përhapës së “farës së keqe “ për njeriun e ri socialist. Por ky “tip njeriu i ri “ ishte tërësisht i rrënuar dhe në periudhën e tranzicionit u ndodh i çoroditur nga liria e fituar. Kur diktaturës i vjen fundi, ky lloj njeriu,( i deformuar, i dëshpëruar dhe i çoroditur), nuk di nga t’ia fillojë jetës së re. Të dëshpëruarve asgjë nuk u bën përshtypje. E bukura sikur të ndodhet edhe brenda pasqyrës ku shihet disa herë në ditë, ai nuk e sheh, ose më saktë nuk ka dëshirë ta shohë. Poeti mbetet gjithmonë në kërkim të shpirtrave të brengosur dhe njerëzve që kanë humbur atë që donin më shumë. Në çdo qytet gjen shumë syresh, që më shumë se ndonjëherë tjetër, ndihen të dëshpëruar dhe të dyzuar. Jo rrallë has në rrugë miq që i ke njohur dikur dhe ata të duken krejtësisht të tjerë kur fillon të bashkëbisedosh me ta. Të tregojnë gjithfarë lloj historish që ti mund ti dëgjosh me endje, por del nga kjo histori duke marrë diçka dhe nga dëshpërimi i tij. Eksperienca vetjake e poetit në shoqërinë që jeton, nuk është për tu pasur zili, pasi njerëzit nuk e aspirojnë aspak jetën që bën poeti. Çfarë mund të bëjë një poet për këtë shpirt të brengosur ; - t’i kushtojë muzën e tij! Dhe vargjet e mija në radhë të parë u kushtohen të dëshpëruarve, jo vetëm të dëshpëruarve të qytetit tim, pasi të tillë ka gjithandej. 3. Çdo kohë ka pasur nga ajo “racë “ poetësh që u thurin tam – tame diktaturave apo grupeve të njerëzve të pushtetshëm. Në çdo qytet prania e këtyre poetëve “ profesionistëve ” u bë e bezdisshme për të gjithë ata që ishin tejngopur nga bejtet apo marshet e tyre jo pak, por plot 50 vjet. Por ajo që u quajt një diçka që nuk ia vleje të merreshe, pasi ata i përkisnin një kohe që kishte vdekur, ndodhi e kundërta. Është kategoria e poetëve të djeshëm që i thurnin lavde diktatorit dhe mishërimit të regjimit të tij, që menjëherë u radhitën krahë fituesve të rinj. Ndërsa sot, pas 20 vjetësh, trashëgimtarët e tyre të denjë mbeten më të preferuarit e asaj kategorie njerëzish post diktatorialë që me intriga gjetën sërish rrugën që të çonte tek pushteti. Mjafton të shihni në TV ndarjen e çmimeve të përvitshme letrare, aty do i gjeni shumicën e poetëve me tam – tamet e tyre. Kurse ata poetët e “papëlqyer” apo të shpërfillur, të cilët flasin vetëm me artin e tyre, shpresojnë deri në fund në ribërjen e njeriut. Koha që ata kanë jetuar dhe jetojnë kanë lënë shumë pikëpyetje, që gjithsesi nuk mund të vazhdojë të jetë e tillë, kjo pasi vetë Zoti i idealistëve apo natyra e materialistëve, ka gjithmonë nevojë për njeriun, sido që të jetë ai. Dhe duke u nisur nga ky parim bazë, le të shpresojmë të gjithë në ribërjen e njeriut. Shumë gjëra të mbetura pezull kërkojnë një përgjigje që poeti nuk e ka gjetur as tek vetja dhe as tek të tjerët; por përderisa ekziston dashuria, jeta ia vlen të jetohet deri në çastin e saj të mbarmë, do të shkruante ndonjë moralist. Dhe le të mbetet kështu ...
Posted on: Fri, 13 Sep 2013 11:28:40 +0000

Trending Topics



>

Recently Viewed Topics




© 2015