Rruga drejt Irakut dhe virtytet e Imam Husejnit Në këtë - TopicsExpress



          

Rruga drejt Irakut dhe virtytet e Imam Husejnit Në këtë pjesë do të përcjellim disa hadithe në lidhje me Imam Husejnin që janë përmendur në veprën “Usud’ul-Gabe” të Ibn Ethirit. Një ditë, një njeri e pyeti Abdullah ibn Umarin: “Si duhet të veprohet nëse gjaku i një mushkonje i prek rrobat e një personi?” Abdullahu u përgjigj: “Pa shih! Ky njeri i Irakut pyet për gjakun e një mushkonje, ndonse vetë irakienët e vranë djalin e të Dërguarit, për të cilin unë vetë e kam dëgjuar atë të thotë: Hasani dhe Husejni janë dy lulet e mia erëmira në këtë botë.” I Dërguari thoshte: “Husejni është prej meje dhe unë jam prej Husejnit. Zoti e do atë që e do Husejnin. Ai është djalë Profeti dhe baba i Imamëve.” Anas bin Harth Kahili dhe babai i tij, të cilët ishin shokët (sahabe) të të Dërguarit të Zotit, përcjellin se i Dërguari ka thënë: “Ky djali im (Husejni) ka për t’u vrarë në një vend në Irak. Kushdo që është i pranishëm atje dhe mund ta ndihmojë, le ta ndihmojë atë!” Kushtet për atë që paralajmëroi Profeti u poqën në vitin 60 pas Hixhrit dhe Imam Husejni u bë gati të përballej me vdekjen. Megjithatë, gjendja nuk ishte e tillë që Husejni s’kishte kurrfarë mundësie për t’iu shmangur vdekjes, siç kanë menduar disa dhe se ai do të vritej edhe sikur të dorëzohej. Nuk është i saktë mendimi se rënia dëshmor e Husejnit ishte pasojë e një gjendjeje të pashpresë dhe pa rrugëdalje. Po të ishte e tillë situata, atëherë si është e mundur që e gjithë bota t’i japë kaq shumë rëndësi kësaj lëvizjeje të shenjtë? Ky ka qenë shpirti i çdo lëvizjeje të shenjtë në historinë e Islamit, qofshin para Imam Husejnit ose pas tij, në lëvizjet e prira nga Zejd bin Aliu, Husejn bin Zejdi, Sahib Nefs Zekijje ose nga vëllezërit e tij Ibrahimi, Husejn Shehid Fakhu dhe të tjerët. Si është e mundur që një lëvizje e tillë të analizohet me pretendime kaq të pabaza? Këndvështrimi më i saktë mbi këtë ngjarje është ai që e kemi përcjellur më herët, kur thamë se drejt fundit të vitit 60 pas Hixhrit dhe në fillim të vitit 61, Imam Husejni po shihte se shoqëria islame kishte arritur një shkallë të lartë të degradimit moral dhe shpirtëror, i cili s’mund të korigjohej veçse me kryengritje dhe me sakrifica të mëdha. Kjo s’do të thotë kurrsesi se Imam Husejni s’kishte mundësi të vazhdonte me jetën e tij normale dhe se për këtë arsye ai vendosi të vdiste si dëshmor. Ajo që duam të përcjellim është se Imam Husejni nuk shihte një të ardhme për ekzistencën e fesë dhe për shoqërinë muslimane, sikur të mos bëhej një revolucion i tillë. Ai erdhi në përfundimin se që të mund të mbijetonte shoqëria muslimane, ai vetë duhej të sakrifikohej, bashkë me të afërmit e tij si Zejnebja, Umm Kulthumi, Fatima bint Husejni dhe Ali ibn Husejni (paqja qoftë mbi ta), të cilët si oratorë nga më të fuqishëm të botës islame, do ta vazhdonin misionin e Imam Husejnit duke e tërhequr vëmendjen e njerëzve drejt gjendjes së turpshme të shoqërisë. Një ftesë e tillë do ta shpëtonte shoqërinë muslimane nga shkatërrimi, do ta mbante gjallë lëvizjen e nisur nga Husejni dhe me këtë, do të hapte rrugë për të gjitha lëvizjet fetare të muslimanëve në të ardhmen. Pasi Velid bin Utbe, guvernatori i Medines, u përpoq ta detyronte Imamin t’u bindej urdhrave të Kalifit të kohës dhe t’ia shprehte besnikërinë në mbrëmjen e 28 Rexhebit, Imami nuk i dha një përgjigje dhe kërkoi kohë deri ditën e nesërme. Më pas, Abdullah ibn Zubejri u alarmua dhe u largua nga Medineja një ditë më pas, ndërkohë që Imam Husejni ishte akoma në Medine. Ditën tjetër, ai doli jashtë për të parë në kishte ndonjë lajm të ri dhe në rrugë u takua me Mervan bin Hakemin, i cili gjatë bisedës së tyre i tha: “Unë jua dua të mirën. Duhet të më dëgjoni dhe të veproni ashtu si ju them.” Imami u përgigj: “Thuaj ç’ke për të thënë! Po të jetë vërtet për të mirën time, atëherë do ta pranoj pa dyshim.” Mervani vazhdoi: “Ju këshilloj që t’ia shprehni besnikërinë Jezidit. Kjo do të jetë më e mira edhe për këtë botë edhe për besimin tuaj.” Si përgjigje, Imami tha: “Të Zotit jemi dhe tek Ai është kthimi ynë...” (Kur’an 2:156) Ky varg recitohet zakonisht në rrethana kur një besimtar ka dëshirë ta ngushëllojë veten përballë vështirësive. Vështirësitë që e detyruan Imamin ta recitonte këtë varg dhe të gjente ngushëllim në kuptimin e tij, ishte degradimi i muslimanëve, të cilët kishin devjiuar aq shumë nga rruga e drejtë e besimit, sa Mervani do të guxonte t’i thoshte Husejn ibn Aliut se sikur të mos i bindej Jezidit, edhe jeta e tij në këtë botë por edhe besimi i tij do të shkatërroheshin. Në vijim, Imami i tha: “Nëse punët e Islamit kanë rënë në atë gjendje që Jezidi ta marrë në duar pozitën e mbrojtësit të Islamit dhe të muslimanëve dhe të jetë pasardhës i Profetit, atëherë duhet të lutemi që Zoti ta shpëtojë Islamin. Unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Zotit të thotë se Kalifati është i ndaluar për familjen e Ebu Sufjanit.” Biseda ndërmjet Imamit dhe Mervanit u zgjat dhe u nxeh më tepër dhe më në fund, Mervani u largua i inatosur. Imam Husejni shkoi nga Medineja në Mekke dhe më pas, më 8 Dhilhixhxhe, në ditën kur Hani bin Urva u arrestua nga Ibn Zijadi në Kufe dhe Muslimi filloi një kryengritje në qytet, Imam Husejni u nis drejt Irakut. Muslimanët u habitën jashtë mase me këtë largim të papritur të Imamit, për më tepër që ritualet e haxhxhit sapo kishin filluar. Farazdaku, një poet tejet i famshëm në historinë e Islamit, thotë: Në vitin 60 pas Hixhrit, unë e mora nënën time dhe shkova në Mekke për të bërë haxhxh. Kur arrita në rrethinat e tempullit të shenjtë dhe po e ngisja devenë e nënës sime, e pashë Husejn ibn Aliun. Ai ishte i armatosur dhe po largohej nga Mekkeja. I pyeta njerëzit: “Kujt i takojnë këto deve?” Ata më thanë se ishin të Husejn ibn Aliut. Më pas shkova tek Imami, e përshëndeta dhe i thashë: “O djali i Profetit! Zoti t’i përmbushtë dëshirat e t’u bëfshin kurban prindërit e mi! Përse po largohesh nga Mekkeja pa i kryer ritualet e haxhxhit?” Ai ma ktheu: “Po të mos ngutesha e të dilja nga qyteti, do të burgosesha.” Pastaj më pyeti: “Dhe kush je ti?” Unë iu përgjigja: “Jam një arab.” Betohem në Zotin se nuk më bëri ndonjë pyetje tjetër. Pastaj tha: “A ke dëgjuar gjë në lidhje me njerëzit që i ke lënë pas (dmth. ata të Irakut)?” I thashë: “E ke gjetur njeriun e duhur për ta pyetur. Unë i njoh mirë ata. Zemrat e tyre janë me ty kurse shpatat kundër teje. Urdhri hyjnor zbret nga qiejt dhe Zoti e bën atë që do.” Imami u përgjigj: “Bukur thënë. Gjithnjë ndodh ajo që dëshiron Zoti. Në është urdhri i Zotit ashtu si dëshirojmë ne, atëherë do ta falënderojmë Atë për këtë bekim. Është Ai që i ndihmon njeriut në të qenit mirënjohës. Dhe nëse s’është urdhri i Tij sipas dëshirave tona dhe nëse humben të gjitha shpresat, njeriu më qëllim e me zemër të pastër nuk zhduket.” Unë i thashë: “Zoti t’i përmbushtë dëshirat dhe të mbroftë nga të gjtha të ligat!” Më pas, Farazdaku i parashtroi disa pyetje Imamit në lidhje me ritualet e haxhxhit dhe u largua pasi i mori përgjigjet e duhura. Ajo që Imam Husejni ia tha Farazdakut duhet të shihet me kujdes. Ajo që nënkuptonte Imami është: unë nuk jam një njeri që i ka caktuar vetes një qëllim, po përpiqet për të dhe ka mundësi të dështojë. Unë vërtet kam një qëllim timin dhe çfarëdo që të jenë rrethanat, pa dallim se kush do të ngadhnjejë e kush do të pësojë disfatë, kam për t’ia arritur atij qëllimi. Një njeri mund të përpiqet fort për të fituar pasuri. Një tjetër mund të përpiqet për të arritur një pozitë të lartë dhe një tjetër mund të përpiqet për të fituar shëndet më të mirë. Në këto raste, personi ose do ta arrijë qëllimin e tij ose do të dështojë në këtë gjë. Nuk ka ndonjë ligj të natyrës që thotë se njeriu domosdo do ta arrijë çdo qëllim të vetin. Shumë shpesh, edhe dëshirat tona më të sinqerta përfundojnë me dështime. Kjo është ajo që i ndodh shumicës së njerëzve. Njerëzit përpiqen për t’ia arritur qëllimit, ndonjëherë ia dalin mbanë por shumë shpesh, jo vetëm që dështojnë në arritjen e këtij qëllimi, por edhe e humbin pasurinë dhe madje jetën në këtë rrugë, pa fituar asgjë. Imami thotë qartë: unë nuk jam nga ata njerëz dhe sido që të jenë rrethanat në Irak, unë kam për t’ia dalë mbanë. Unë jam kryengritur vetëm për ta kryer detyrën që Zoti ma ka dhënë. Qëllimi im nuk është që t’i sundoj muslimanët dhe të bëhem Kalif i tyre. Po të kem sukses, unë do ta kem kryer detyrën time me sukses. Por edhe nëse armiku im del fitimtar, unë sërish do ta kem kryer detyrën që më takon. Lëvizja ime s’ka qëllim tjetër. Për njerëzit që nuk janë materialistë dhe që luftojnë në rrugë të Zotit, nuk ka fare dallim ndërmjet fitores dhe disfatës. Ky intepretim buron vetëm nga kufizimet gjuhësore sepse në të vërtetë, për një njeri që i është kushtuar Zotit, nuk ekziston fjala disfatë. Këtë ia tha edhe Imam Husejni Farazadakut, kur u takua me këtë të fundit gjatë rrugës për në Irak: nëse ia arrijmë qëllimit, do ta falënderojmë Zotin. Por nëse fati nuk është në anën tonë, ne nuk do të vdesim, sepse qëllimi ynë është i mirë. Ne mund të vritemi por nuk do të vdesim, sepse ka një dallim të madh ndërmjet shkatërrimit në njërën anë dhe rënies dëshmor në rrugë të Zotit, në anën tjetër. Imami e tha të njejtën gjë edhe në ditën e Ashura-së (dita e dhjetë e muajit Muharrem), në njërin nga fjalimet e tija përballë njerëzve të Kufes. Duke recituar disa vargje të një shoku të Profetit, të quajtur Farva bin Muradi, ai la të kuptohej se e kishin gabim ata nga armiqtë dhe miqtë e tij, të cilët mendonin se ajo ditë do të ishte dita e vdekjes, e shkatërrimit dhe e disfatës së tij. Për Husejnin, ajo ishte dita e rënies dëshmor, dita e hapit të parë drejt përjetësisë. Ibn Tavusi shkruan se kur Burajr bin Khuzajr Hamedaniu i këshilloi njerëzit dhe ata nuk e dëgjuan fjalën e tij, vetë Imami u ngjit mbi një deve dhe u kërkoi të heshtnin. Kur të gjithë heshtën dhe filluan të dëgjonin, ai e lëvdoi Zotin në mënyrë të denjë, iu lut atij ta bekonte Muhammedin, ëngjëjt dhe të gjithë profetët e tjerë dhe tha: O njerëz! Le t’ju vijë turp që na mashtruat! Ju klithët për ndihmë dhe ne u ngritëm e dolëm në rrugë për t’ju shpëtuar. Por ju e drejtuat kundër nesh atë shpatë që ne ua patëm dhënë dhe atë zjarr që ne e ndezëm për ta shkatërruar armikun tonë të përbashkët. Ju u bashkuat me armiqtë për të luftuar kundër miqve dhe dashamirëve tuaj, ndonse kurrë s’keni parë drejtësi prej tyre në të kaluarën dhe s’keni shpresë për një gjë të tillë në të ardhmen. Kini turp! Pse nuk vendosët si duhet dhe nuk u ndatë prej nesh atëherë kur shpatat ishin në mill dhe njerëzit ishin të qetë? Përse filluat të ikni me ngut si karkalecë të sapopjekur? Përse ratë në zjarrin trazirave si një flutur nate? Mos qofshi të bekuar o njerëz të ligë që e keni hedhur mënjanë Kur’anin dhe keni luajtur me fjalët e tija! O përkrahës të mëkatave dhe miq të djallit! O njerëzit që e shkatërruan traditën e Profetit! A keni hequr dorë nga përkrahja juaj dhe jeni bashkuar me mizorët? Betohem në Zotin se ju gjithnjë keni qenë tradhtarë dhe të pabesë. Ju jeni fryti më i prishur që s’i bën mirë mikut e i mbetet në fyt, ndërkohë që gëlltitet nga armiqtë. Ju ua zini frymën miqve dhe u premtoni përkrahje atyre, duke u mburur për burrërinë tuaj. Por kur vjen koha e sprovave dhe koha për ta mbrojtur Islamin e për të bërë sakrifica, ju s’jeni vetëm të padobishëm por edhe të tillë që me padrejtësinë e tyre nuk do t’i lenë rehat as miqtë.” Më pas, Imami vazhdoi: O njerëz të Kufes! Dijeni se ai “zinazade” (fëmijë i lindur nga një marrëdhënie jashtëmartesore; mendohet për Ubejdullah ibn Zijadin), djalë i një “zinazadeje” më ka detyruar të zgjedh ndërmjet dy gjërave: ose shpatën e nxjerrë nga milli, në një luftë ku do të bie dëshmor ose turpërimin duke iu bindur vullnetit të tij, që të veprojë me mua ashtu si të ketë dëshirë. Por çnderimi dhe turpërimi nuk janë për ne. Zoti nuk do që ne të turpërohemi e të çnderohemi. Profeti dhe besimtarët nuk lejojnë të turpërohen dhe të çnderohen. Ne jemi rritur në prehër të nënave të pastra. Të rinjtë që kanë nder dhe burrat trima kurrë s’do të ecin rrugë së njerzëve të dobët dhe të pamoralshëm, derisa e kanë hapur para vetes rrugën e të rënit dëshmor. Ata kurrë s’do të pajtohen të çnderohen e të turpërohen. Ndonse miqtë e mi besnikë janë të paktë dhe të shumtë janë ata që më kanë tradhëtuar, unë s’do të zgjedh rrugë tjetër përveç luftës dhe s’do të hapëroj ndonjë shtegu tjetër veçse atij të të rënit dëshmor.” Pikërisht në këtë rast, Imami e recitoi një poezi nga Farva bin Musajk Muradiu, e cila thotë: S’është gjë e re po t’kem’ fituar sot Gjithnjë ne fituam mot për mot... Se përherë ngadhnjen e Vërteta humbur betejën a fituar ka... Dhe tash me guxim po hedhim çapin S’njohim ne frikën, paburrërinë Por ç’të bësh kur ashtu do fati Neve vdekjen hise, të tjerëve mbretërinë... Por mbi një fis kur bie vdekja e copëton Hiqet prapa pastaj dhe një tjetër shkatërron. Prapë vdekja sot i thirr burrat e Hashimëve Njësoj si dikur, në një ditë prej ditëve. E po të rrinin mbretërit përjetësisht mbi botë Ne mbretër t’qiejve s’do të vdisnim dot... Dhe të mirët po të mbeteshin prore gjallë A thua ne do të vdisnim vallë? Thuaju atyre që sot me dhimbjen tonë kënaqen: “Edhe koh’ e fundit tuaj pranë po vjen...” Me këtë shpirt dhe duke e treguar madhështinë, vendosmërinë, devotshmërinë dhe besimin e tij, Imami u nis nga Mekkeja drejt Irakut. Ai e dinte mirë se ç’ishte duke bërë dhe ç’rezultatesh do të sillte veprimi i tij. Megjithatë, shumë të tjerë, ndër të cilët jo pak miq dhe familjarë të Imamit, ishin të merakosur se rrethanat që dukeshin të favorshme atë çast, mund të ndryshonin dhe të bënin që Imami të vritej. Imami mund të përballej me vdekjen dhe të afërmit e tij i kërkonin që të mos shkonte. Njëri nga këta njerëz ishte edhe Abdullah ibn Xhaferi, nipi dhe njëherit edhe dhëndri i Imam Aliut. Pas nisjes së Imam Husejnit nga Mekkeja, Abdullahu i dërgoi një letër nëpërmjet djemve të tij Aunit dhe Muhammedit. Në të, ai i kërkonte Imamit që për hir të Zotit, të hiqte dorë nga udhëtimi i tij. Ai shkroi: Kam frikë se ti dhe njerëzit e tu do të bini dëshmorë e po të vritesh ti sot, drita do të zhduket nga bota, ngase njerëzit nëpërmjet teje gjejnë udhëzim dhe besimtarët tek ti mbështeten. Andaj mos u ngut sepse edhe unë do të vij pas kësaj letre. Më pas, Abdullahu u nis bashkë me Amr bin Saidin, vëllain e guvernatorit të Mekkes. Me vete solli edhe një letër nga guvernatori i qytetit, në të cilën i garantohej Imamit një kthim dhe qëndrim i sigurt në Mekke. Që të dy erdhën tek Imami, ia dhanë letrën dhe insistuan që të kthehej. Përgjigja e Imamit ishte si vijon: “E pashë në ëndërr gjyshin tim, të Dërguarin e Zotit dhe ai më tha të vazhdoj në rrugën time.” Ata i kërkuan që t’u tregonte se ç’kishte ëndërruar tjetër por Imam Husejni u përgjigj se nuk i kishte folur askujt për ëndrrën e tij dhe do të vazhdonte ta mbante fshehur. Abdullah ibn Xhaferi e humbi shpresën se Imami do të kthehej. Megjithatë, u urdhëroi dy bijve të tij ta shoqëronin atë. Që të dy ranë dëshmor në ditën e Ashura-së. Imami e vazhdoi udhëtimin e tij drejt Irakut, derisa arriti në një vend pranë Kufes. Që atje, ai u dërgoi letra njerëzve të Kufes nëpërmjet Kajs bin Mashar Saidaviut dhe akoma s’e kishte marrë lajmin e vrasjes së Muslimit. Në këtë letër të tij thuhej: E mora letrën e Muslimit dhe kuptova për besnikërinë, sinqeritetin dhe vendosmërinë tuaj për të më ndihmuar në rrugë të Zotit. I lutem Zotit që të mos e largojë bekimin e Tij nga ne dhe t’ju shpërblejë për sinqeritetin dhe vendosmërinë tuaj. Unë u nisa nga Mekkeja më 8 Dhilhixhxhe dhe po vij drejt juve. Kur të arrijë lajmëtari im në Kufe, ju duhet ta rifreskoni vendosmërinë tuaj dhe t’i rrisni përpjekjet. Po të dojë Zoti, edhe unë do t’ju bashkangjitem së shpejti. Kajsi e mori letrën e Imamit dhe shkoi drejt Kufes. Por para se të hynte në qytet, u arrestua dhe u dërgua tek Ibn Zijadi (guvernatori i qytetit). Ai i kërkoi që të ngjitej në minberin e xhamisë dhe ta ofendonte Husejnin. Kajsi u ngjit në foltore, e lëvdoi Zotin dhe tha: O njerëz! Husejni është më i miri i krijesave të Zotit që jetojnë mbi botë tani. Ai është djali i Fatimesë, i vajzës së Profetit tuaj. Ai më ka dërguar mua dhe ju të gjithë duhet të jeni të gatshëm për ta ndihmuar. Pas kësaj, ai e mallkoi Ubejdullahun dhe babain e tij Zijadin dhe iu lut Zotit që ta bekonte Ali ibn Ebu Talibin. Me urdhrin e Ibn Zijadit, ai u hodh nga çatia dhe të gjitha kockat iu thyen. Imami e vazhdoi rrugëtimin e tij drejt Kufes dhe arriti në një vend të quajtur Zurud. Atje ai e mori lajmin e vrasjes së Muslimit dhe të Haniut, me ç’rast tha: “Ne të Zotit jemi dhe tek Ai është kthimi ynë.” Përveç kësaj, ai vazhdimisht i lutej Zotit që t’i bekonte ata të dy. Në një ndalesë të quajtur “Uzejbul Haxhenet”, ai kuptoi se edhe Kajs bin Meshari ishte vrarë. Në ndalesën vijuese gjatë rrugës, në vendin e quajtur “Zabala”, ai i informoi shoqëruesit e tij për vrasjen e Muslimit dhe Haniut dhe për gjendjen në Kufe. Atyre u tha: “Përkrahësit tanë në Kufe e kanë tërhequr përkrahjen e tyre. Secili nga ju që dëshiron të largohet, mund të largohet tani.” Pikërisht këtu, pjesa më e madhe e ndjekësve të tij u larguan dhe vetëm një numër i vogël njerëzish i mbeti pranë. Muhammed ibn Xharir Taberiu, historian, dijetar i haditheve, komentues i Kur’anit dhe jurst i famshëm islam, në veprën e tij të titulluar “Historia e profetëve, mbretërve dhe kalifëve” (“Tarikh er-resul ve’l-muluk ve’l-hulafa” ose shkurt “Tarikh et-Taberi”) shkruan: Imam Husejni u foli njerëzve në ndalesën e quajtur Zihasam. Në këtë fjalim, ai foli qartë për motivet e kryengritjes së tij dhe shpalli se ishte i gatshëm ta jepte edhe jetën. Ai tha: “Ju po shihni se ç’rrjedhë kanë marrë ngjarjet. Njerëzit po bëhen të ligë dhe tradhëtarë. Mirësia e tyre po humbet gjithë kohës. Bota po kalon me të shpejtë dhe prej saj nuk mbetet tjetër veçse ca gjëra të vogla dhe një jetë e pavlerë. Bota sot është si një livadh ku s’rritet tjetër veçse një bar i dëmshëm.” Përse Imami folte keq për gjendjen e kohës dhe përse ankohej e shprehte keqardhje? Ai vetë e shpjegon këtë në fjalinë përmbyllëse. Në të, ai nuk flet për problemet jetësore, për thatësinë ose për mungesën e paqes dhe të sigurisë. Gjëja që e bënte jetën të padurueshme për të, nuk ishte ndonjë gjë e rëndomtë që zakonisht ia vështirëson njeriut përditshmërinë. Mjafton vetëm ta paramendojmë pak gjendjen. Karavani i tyre kishte arritur në Irak dhe ekzistonte rreziku që ushtria t’i rrethonte çdo çast. Disa vetë, megjithatë, dëshironin që Imami kurrë të mos e kishte ndërmarrë këtë udhëtim. Me shumë gjasa, disa nga njerëzit pa vizion në mesin e tyre e kishin përshtypjen se edhe Imami ishte i një mendimi me ta dhe se ndjente keqardhje për atë që kishte bërë. Andaj ishte e nevojshme që Imami deri diku t’i shpallte motivet e lëvizjes së tij dhe të thoshte qartë se ç’ishte ajo që ia bënte jetën të vështirë dhe të padurueshme. Pikërisht për këtë arsye, në fjalimin e mësipërme ai shtoi: “Gjendja e tanishme e muslimanëve është e tillë ku s’ndiqet e vërteta dhe ku njerëzit s’heqin dorë nga padrejtësitë.” Ajo që donte të thoshte Imam Husejni, mund të përmblidhet si vijon: në këto rrethana është e nevojshme që një njeri si unë, pasardhës i të Dërguarit të Zotit, të ngrejë krye. A nuk shihni përreth? Pse nuk pyesni përse nuk e njoh qeverisjen e tanishme as formalisht dhe nuk e njoh Jezidin, nipin e Ebu Sufjanit, si prijës të muslimanëve? A nuk e dini se tani s’ka më vend për t’i bërë këto pyetje? A nuk e shihni gjendjen e muslimanëve dhe a nuk kuptoni se njerëzit nuk veprojnë sipas të Vërtetës? Mund të lihet përshtypja se Imami nënkupton veset si thashethemet ose shpërfillja e namazeve. Megjithatë, e vërteta është tjetër. Mëkatet e tilla kanë ekzistuar gjithnjë, herë më pak e herë më shumë. Ajo që nënkuptonte Imami ishte se udhëheqësia e atëhershme e muslimanëve nuk përshtatej me Kalifatin e vërtetë dhe me pasardhësinë e të Dërguarit të Zotit. Kjo udhëheqësi nuk e ndiqte Profetin dhe kishte devijuar nga shtegu i saj natyral, i cili duhej të ishte një bindje ndaj të vërtetës dhe drejtësisë. Kalifati i atëhershëm ishte një sundim shtypës, i cili i linte të lirë tiranët dhe madje i nxiste ato. Më pas, Imam Husejni tha: “Në rrethana të tilla, një njeri i virtytshëm duhet ta kërkojë vdekjen. Kjo gjendje e bën njeriun të kërkojë të bëhet dëshmor dhe të takohet me Zotin.” Në fjalimin e mbajtur në Xhaminë e Shenjtë në Mekke, Imam Husejni kishte folur për vdekjen, për vetësakrifikimin dhe për rënien dëshmor. Edhe këtu ai po fliste për rënien dëshmor dhe për mungesën e dëshirës për të jetuar. Ai thoshte: “Të jetuarit me shtypësit s’të sjell veçse lodhje, zemërim e dëshpërim.” Atë që e tha këtu në lidhje me gjendjen e asaj kohe, Imami do ta thoshte shumë më qartë kur erdhi ballë për ballë me Hurr bin Jezid Rijahiun, i cili kishte ardhur nga Kufeja në krye të njëmijë kalorësve për ta arrestuar.
Posted on: Fri, 01 Nov 2013 15:05:09 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015