Shkrimtari Dritëro Agolli ishte i pranishëm dje në sallën - TopicsExpress



          

Shkrimtari Dritëro Agolli ishte i pranishëm dje në sallën “UNESCO” të Muzeut Historik Kombëtar gjatë promovimit të librit, “Fjalori rimor i Dritëro Agollit” i Mina Geros. Gjatë gjithë fjalës që mbajti për shkrimtarët, studiuesit, studentët dhe për njerëzit e thjeshtë, qëndroi në këmbë. “Koka më tundet, por unë mund të mbahem dhe mbështetem. Thonë që pleqtë nuk skuqen, unë nga vetja ime e provoj që skuqem. Nuk besoj të ketë plak që të mos skuqet, madje skuqet edhe nga fjalët e mira, por edhe nga fjalët jo të kënaqshme për të. Pasi nuk dua të them ndonjë fjalë të keqe, por dhe unë në këtë gjendje jam. Koka më tundet dhe ndonjëherë, kam frikë se mos më tunden dhe trutë brenda, por mbahem, se është kafka shumë e trashë”. Me këtë batutë e nisi Dritëro Agolli fjalën e tij, pasi publiku i kërkoi që të qëndronte ulur. Më tej pasi falënderoi të pranishmit, referuesit, por edhe njerëzve të thjeshtë u bëri thirrje për ruajtjen më me përpikmëri të gjuhës shqipe. “Falënderoj të gjithë referuesit që janë shumë të zgjuar dhe e njohin në mënyrë të përpiktë gjuhën shqipe, se pas 100-150 vjetëve nëse vazhdohet kështu, sbesoj se do të kemi ndonjë fjalor për ta lexuar, se gjuha është bërë përshesh. Jo vetëm se kanë hyrë shumë fjalë të huaja në fjalorin e përditshëm, por dhe gramatika është prishur. Ju shpesh e dëgjoni kur deputetët thonë: ‘kush karrige’, të tilla gjëra që janë për frymorët, njerëzit. ‘Kush lepur’ nuk e thua dot, por përdoret rëndom përditë. Thonë ‘tri djem’ dhe ‘tre vajza’, por a mund të thuhet një gjë e tillë?! E këto i thonë burra me mend dhe jo dokushdo”. Agolli solli dhe raste konkrete që ne i ndeshim përditë. “Nëse del në pazar e numëron dyqanet, të gjithë emërtohen me fjalë të huaja. Nuk ka një emër në shqip. Shikoj televizorin, të gjithë me ‘channel’ këtu, ‘channel’ atje, dëgjova dhe një të fundit po me këtë emër. Vetëm shtëpitë botuese nuk kanë emër të huaj, apo ka ndonjë?! (qesh) Po mundet të ketë”. Sipas shkrimtarit, gjuha shqipe duhet ruajtur, në mënyrë që kjo të pasurohet më mirë dhe në poezi. “Unë them këtë gjë, sepse dhe poezia ka ndryshuar. Nuk mund të themi se shkruhen të gjitha me rimë, rima është rralluar, sepse tani e domosdoshme në poezi është muzika, ajo plotëson dhe rimën. Ka dhe poetë që shkruajnë me rimë, e që madje kanë marrë dhe çmimin Nobel, si për shembull poeti italian, Eugenio Montale në vitin 1957. Ka varg rimik dhe arimik, metrik dhe ametrik, ose onik e joonik”. Ndërsa në fund të fjalës, shkrimtari falënderoi autorin e librit, Mina Geron, për punën që ka bërë. Sipas tij, ky autor ka bërë një studim që do vite për tu bërë. “Është më e lehtë për mua të shkruaj një libër me vjersha, sesa të bëj një fjalor të tillë. Mina Gero ka bërë një punë kolosale, për të cilën unë e vlerësoj shumë. Ai është njeri me vlera të mëdha dhe të gjithë duhet ta përgëzojmë për këtë punë kaq të madhe, që është shembull për tu ndjekur dhe nga të tjerët, jo për poezinë me rimë, por për teknikat e poezisë së sotme se, ka me rimë, ka pa rimë. Është krejt e dobishme një punë e tillë. Sipas Agollit, poeti është biri i harmonisë. “Duke e zbërthyer këtë fjalë, bir i harmonisë, do të thotë se: ‘mundet që të bësh studime të elementëve të ndryshme të teknikës poetike për ato vlera që nuk duken, por që kur vete në moshën time mendon se ke pasur një flori, por që nuk është më. Atëherë pyet veten: More ku vajti?’’. Kështu e mbylli Agolli fjalën e tij për të pranishmit. “Fjalori rimor i Dritëro Agollit”, pasqyron pasurinë rimore të poezisë së Dritëro Agollit, si dhe pasurinë gjuhësore që është hedhur në përdorim në funksion të rimës. Përse autori zgjodhi për të studiuar veprën e Agollit? “Më ka tërhequr gjithnjë poezia e Dritëroit, që shquhet për poezinë e pasur, për figuracionin dhe rimat e larmishme, që e bëjnë të këndshme për ta lexuar dhe të lehtë për ta mbajtur mend”, shkruan Mina Gero, në parathënien e librit. Autori i librit, Gero, dje gjatë promovimit pasi falënderoi kolegët, që bënë të mundur organizimin e këtij promovimi, tha: “Këtë takim e ndiej në thellësi të shpirtit dhe do ta mbaj mend për një kohë të gjatë. Ndonëse në Shkodër e prezantova vetë librin, si dhëndër, në Tiranë kemi Dritëroin”. Më pas autori Mina Gero, përcolli mesazhin: “Përhapeni librin në dobi të kulturës! Duhet të punojmë për gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare. Mua mu deshën tetë vjet për realizimin e tij, por sot e kuptoj më së miri punën që kam bërë”. Me këtë rast studiuesit, vlerësuan zellin, dëshirën, pasionin e autorit për të mos u shkëputur nga puna krijuese dhe studimore. “Mina Gero ka dëshmuar se ka një vullnet të paparë, duke arritur të hartojë një vepër të tillë madhore larg shqipfolësve, larg auditorëve dhe studiuesve shqiptarë”, u shpreh profesor Rami Memushaj, gjatë kumtesës së tij. Për dekanen e Fakultetit të Shkencave Shoqërore, prof.as.dr. Mimoza Priku, vepra në fjalë është shumë e rëndësishme. “Së pari, se ajo përbën një risi në studimet e sotme të shqipes, kurorëzuar me një punim të plotë e luksoz, për fjalorin rimor të shqipes të shkrimtarit Dritëro Agolli, së dyti, për nga rendi e jo për nga rëndësia, kjo vepër është hartuar nga profesori dhe kolegu ynë shumë i nderuar, studiuesi Mina Gero”, tha ajo. Sipas saj, studiuesi Mina Gero ka mundur të dallojë nga vargu i poetit edhe të fshehtat e nivelit fonetik, lojën me tingullin dhe grupet e tyre, alternimet që bën poezia për t’u ngritur në lartësinë e shprehjes. Ky studim, i dobishëm për gjuhëtarët dhe studentët Një nga referuesit e librit “Fjalori rimor i Dritëro Agollit” ishte profesor Rami Memushaj. Ndonëse studimet për metrikën e shqipes kanë një traditë 100-vjeçare, sipas tij, mungesa për metrikën e poezisë, me të cilat ndihet dhe ndërtesa teorike e metrikës është e theksuar. Sipas Memushajt, vepra poetike e Dritëroit ka lëndë të pasur për një vepër të tillë, sepse poeti ynë ka lëvruar poezinë me rimë, libri “Fjalori rimor i Dritëro Agollit”, që po paraqitet sot, përmban rreth 700 faqe, nis me një parathënie dhe vijon me hyrjen, në të cilën autori parashtron kriteret që ka ndjekur në trajtimin e materialit dhe përfundimet në të cilat ka arritur në studimin e rimave më të përdoruara nga poeti. “Në analogjinë e termave gjuhësorë, e termave fonemë-morfemë, që përdorim ne gjuhëtarët, autori përdor termin rimemë, që është një risi e tij. Duke quajtur njësi funksionale të metrikës, rimën e quan fjalën e fundit të një vargu, e cila pret një fjalë tjetër të ngjashme nga vargu apo rrokja e fundit. Kjo është risia që sjell autori në fushën e metrikës”. Libri ka dy pjesë. Pjesa e parë titullohet “Morfologjia e rimemeve” është një fjalor që përmban rreth 9000 mijë rimema, ku çdo njëra prej tyre përbën një fjalë të fjalorit. “Për shembull rimema gjallë, hyn në lidhje rimore me ballë, në një tjetër me dalë, mëhallë etj., rimema e Gjallicës hyn në lidhje rimore me Berishës, në vargjet: Do t’i marrim paret e Gjallicës / kur të kapim preshin e Berishës, thotë profesori. Pjesa e dytë titullohet “Fjalët dhe shprehjet përkatëse”, në të përfshihet fjalori i poezisë së Agollit, ku ka më shumë se 7700 njësi leksikore, aty fjalët jepen me tregues gramatikor, me të dhëna statistikore, që shoqërohen me shprehje frazeologjike dhe nganjëherë bashkë me vargun në të cilin ndodhen. “Për shembull, të dalin për hundësh dhe zullumi dhe rehati. Fjala në majë të gjuhës; shpirti në majë të hundës etj. Kjo pjesë paraqet interes për gjuhëtarët, veçanërisht për ata që merren me arkivin e fjalorit të shqipes, sepse nuk ka nevojë të marrin e të gjejnë nëse ka fjalë të reja në poezinë e Agollit, por mjafton që të shfletojnë rreth 330 faqe të pjesës së dytë dhe të gjejnë fjalët që janë përdorur. Po të thellohej dhe të punohej dhe me fjalët e prozës së Agollit, do të kishim fjalorin e shkrimtarit për veprën e plotë”, përfundon profesor Memushaj.
Posted on: Wed, 13 Nov 2013 19:31:21 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015