Shumë shpejt qeveria do të duhet të matet me bilancin e - TopicsExpress



          

Shumë shpejt qeveria do të duhet të matet me bilancin e qeverisë sonë, me kilometrat që shtruam ne, me shkollat që hapëm ne, me ujësjellësit që ndërtuam ne, me rrogat dhe pensionet që rritëm ne. Në kohën e duhur njerëzit e thjeshtë do të bëjnë pashmangshmërisht krahasimin”, kështu deklaroi Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së. Gjatë fjalës së tij, z. Basha theksoi se deputetët e Partisë Demokratike dhe partive parlamentare aleate, do të paraqesin në Kuvend oponencën e fuqishme politike dhe profesionale ndaj broshurës së ricikluar para dy ditësh në Kuvendin e Shqipërisë, një manifesti turli i eksperimenteve të vjetra të së majtës së vjetër etatiste, asistencialiste dhe anti-reformatore. “Sindroma e vitit zero është shprehje e stakimit nga realiteti i gjallë, është shprehje e të jetuarit brenda një bote të mbyllur paragjykimesh dhe nihilizmi ndaj palës kundërshtare, punës dhe kontributit të saj” - vuri në dukje Kryetari Basha. Ai shtoi se: “Tullumbacet e fushatës kanë plasur qysh tani në përpjekjen e mjerueshme të kryeministrit të mandatuar për të dribluar premtimet e veta”. Në vijim fjala e plotë e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së: Sot, pas ngulmimit tonë si opozitë për një të drejtë të garantuar nga kushtetuta dhe normat e demokracisë, deputetët e Partisë Demokratike dhe partive parlamentare aleate, do të paraqesin në Kuvend oponencën e fuqishme politike dhe profesionale ndaj broshurës së ricikluar para dy ditësh në Kuvendin e Shqipërisë, një manifesti turli i eksperimenteve të vjetra të së majtës së vjetër etatiste, asistencialiste dhe anti-reformatore. Duke njohur historinë e bllokimit të statusit të vendit kandidat nga kryesocialisti Rama, Partia Demokratike shpreh kënaqësinë që kryesocialistit dhe të tijve u erdhi në mend tani që erdhën në qeveri për detyrat e integrimit europian. Sëpaku duke gjykuar me çfarë kanë shkruar në manifestin e tyre për këtë çështje. Ndonëse e thëna me të bërën janë shumë larg, siç ju kujtoi shqiptarëve edhe para dy ditësh me aktin antieuropian, të sulmeve të mbarsura me mllef dhe gjuhë përçarëse nga kryeministri ende i pavotuar e i pabetuar. Edhe njëherë sot ne garantojmë bashkëqytetarët tanë se nuk do të pengojmë dhe bllokojmë për asnjë çast dhe për asnjë arsye aspiratën tonë mbarëpopullore për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Përkundrazi, me trashëgiminë tonë në këtë proçes, me vullnetin tonë dhe me përvojën tonë të madhe pozitive do të jemi promotorë të proçesit në çdo etapë të tij, sikundër e kemi udhëhequr deri më sot. Përsërisim zotimin se do të japim konsensusin tonë për çdo ligj dhe akt që është në përputhje dhe shkon në favor të proçesit të integrimit europian të vendit, sikundër qëndrimin tonë të pandryshueshëm sa i përket kursit euroatlantik të politikës së jashtme, marrëdhënieve të ngushta me partnerët strategjikë me SHBA në krye. Qeverisja është një interes publik madhor. Ne jemi të vetedijshëm për pritshmëritë e publikut ndaj qeverisë së re dhe premtimeve saj të mëdha. Kemi fatin të jemi pjesë dhe përfaqësues të një Partie që ka lindur duke zgjuar e frymëzuar ëndrrën euroatlantike të popullit shqiptar, pas një letargjie të gjatë, dhe ta çojë përpara atë në stacionet më të rëndësishmme të realizimit të saj të plotë. Këto pritshmëri pra, dhe më shumë akoma, ëndrrat e qytetarëve shqiptarëve për një jetë më të mirë, për standarte dhe arritje të reja në të mirë të tyre janë ndërkaq detyra politike numër një, të cilës ne demokratët fillojmë ti rishërbejmë në opozitë, pasi i kemi shërbyer tetë vjet me radhë në qeverisje. Me ketë qasje dhe vetëdije dëshiroj të pohoj se manifesti që paraqiti kryeministri i mandatuar në Kuvendin e Shqipërisë, sigurisht që nuk është dhe nuk mund të jetë programi i Partisë Demokratike në çështjet kyçe të zhvillimit të vendit. Ai është manifest i të majtës shqiptare që është votuar kësaj radhe nga zgjedhësit për të qeverisur. Në këtë kontekst, duke mos ndarë në parim dhe në themel ofertën e saj politike, ne nuk kemi pretenduar e nuk pretendojmë që e majta shqiptare të mos ketë ofertë të ndryshme nga e jona. Shqetësimi ynë i madh ka të bëjë me faktin se oferta që u paraqit para dy ditësh është një projekt thelbësisht regresiv me përmbajtjen e vetë nihiliste, antireformatore dhe klienteliste, shprehje e një majtizmi të vjetër populist, të tejkaluar nga të majtat moderne të Perëndimit, të stakuar nga proçeset e globalizimit dhe të zhytur në sindromin e vitit zero. Sindroma e vitit zero është shprehje e stakimit nga realiteti i gjallë, është shprehje e të jetuarit brenda një botë të mbyllur paragjykimesh dhe nihilizmi ndaj palës kundërshtare, punës dhe kontributit të saj. Zoti Rama ka jetuar dhe vazhdon të jetojë në sindromën e tij të vitit zero. Ne nuk shqetësohemi shumë që sytë e tij me perde shohin vetëm rrënim në Shqipërinë që po dorëzojmë demokratikisht për ta qeverisur pala tjetër. Por duam t’i kujtojmë atij se bilanci i qeverisë sonë është në sytë e mbarë publikut. Duam t’i kujtojmë se shumë shpejt qeveria e tij do të duhet të matet me bilancin e qeverisë sonë, me kilometrat që shtruam ne, me shkollat që hapëm ne, me ujësjellësit që ndërtuam ne, me rrogat dhe pensionet që rritëm ne. Në kohën e duhur njerëzit e thjeshtë do të bëjnë pashmangshmërisht krahasimin. Me arritjet tona le të matet qeveria e Ramës dhe të na kalojë po mundi. Nuk jemi xhelozë, është në dialektikën e demokracisë që një palë vjen në pushtet,një palë tjetër shkon në opozitë. Edhe pse jemi në opozitë, ne duam që vendi të përparojë, ne duam që jeta e njerëzve të përmirësohet. Por sindroma e vitit zero nuk mund të jetë stimul për progres. Viti zero është paralajmërim dhe justifikim për bilanc zero. Ky është një manifest që nuk sheh përpara, por prapa, duke ofruar vizione dhe zgjidhje të konsumuara dhe të dështuara në të gjitha fushat, në goditje të hapur të zgjidhjeve bashkëkohore, në goditje të hapur të nxitësve të nismës së lirë, në goditje të hapur të sistemit fiskal inkurajues për sipërmarrjen e lirë. Si i tillë ky manifest nuk do të prodhojë zhvillim për shqiptarët, përkundrazi. Kështu siç është, ai do të prodhojë vetëm frenim dhe rënie, papunësi më të madhe, varfëri më të madhe, krizë të përmasave të paparashikueshme. Ky manifest dominohet në pjesë të tëra nga premtime dhe zotime të përgjithshme, pa afate, pa shifra, të formuluara si parulla, çfarë nuk është në natyrën e një programi electoral, e lëre më në natyrën e një programi qeverie. Rrumbullakosja kësisoj dhe paraqitja në formë të pamatshme e shumë pikave të manifestit tregon varfëri, papërgjegjshmëri, arbitraritet. Kanë humbur afate dhe shifra edhe për premtime që u dhanë solemnisht në fushatë. Kanë humbur fare, pa nisur akoma qeverisja reale, një pjesë e premtimeve të bujshme. Shqiptarëve që kanë besuar se me ardhjen e kësaj qeverie shërbimi shëndetësor do të jetë falas, u themi sot me keqardhje “ju kanë gënjyer”. Punonjësve të rendit që dëgjuan premtime të bukura në fushatë për dyfishim të rrogave u themi sot me keqardhje të hapin manifestin e qeverisë dhe të shohin se i kanë gënjyer. Të gjithë atyre që morën nga Rama me shokë premtime me lugë të madhe në shkëmbim të votës, u themi sot të hapin manifestin e qeverisë dhe të shohin se luga e madhe e fushatës është zhdukur dhe ka katandisur në rastin më të mirë në lugëz kafeje apo pikatore. Ish të përndjekurit politikë, që u përpoqën të joshen me fjalë e premime të mëdha, nuk do të gjejnë asgjë konkrete, të re jo se jo, në manifestin e qeverisë. Një “asgjë” e madhe, terr i plotë dhe përralla për çeshtjet madhore të infrastrukturës, resurseve të zhvillimit, etj. Tullumbacet e fushatës kanë plasur qysh tani në përpjekjen e mjerueshme të kryeministrit të mandatuar për të dribluar premtimet e veta.Siç është përshembull rasti shumë domethënës i premtimit për hapjen e 300 mijë vendeve të reja pune. Nga këto, sipas manifestit të ri të qeverisë, 155 mijë, pra më shumë se gjysma, llogaritet të jenë të vetëpunësuarit në fshat, të rinjtë dhe të rejat që zgjohen e ngrysen çdo mbrëmje në shëpitë e tyre në fshat. Me këtë shembull, qeveria e vetëquajtur e rilindjes kandidon të jetë qeveria e thagmave të padëgjuara! Kjo listë është e gjatë. Ne i kemi paralajmëruar e denoncuar që në fushatë mashtrimet dhe gënjeshtrat elektorale të koalicionit të majtë. Disa i kanë tërhequr apo ridimensionuar që tani. Të tjerat do të dalin pashmangshëm në shesh, në sytë e gjithë shqiptarëve, përgjatë qeverisjes. Të kuptohemi: Vendi nuk ka keq që Rama dhe ekipi i tij tërhiqen nga premtimet e tyre mashtruese, nga mashtrimet elektorale. Vendi nuk ka keq që qeveria të tërhiqet që nesër nga propozimet të vjetëruara dhe të pamundura anti-reformatore. Këtu është në lojë diçka shumë më e madhe. Çështja e madhe e kontratës me zgjedhësit. Kush mashtron, ka dështuar pa nisur. Kush mashtron duhet të përballet menjëherë dhe pa pushim me pasojat. Dhe përballja nis sot. 14 shtator 2013
Posted on: Sat, 14 Sep 2013 09:32:59 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015