Sqarim për lajmin e publikuar nga disa media lidhur me shpenzimet - TopicsExpress



          

Sqarim për lajmin e publikuar nga disa media lidhur me shpenzimet e kryera Referuar lajmit të shpërndarë dje, sipas të cilit Ministri i Punëve të Brendshme ka blerë karrige për zyrën e tij në vlerën 1.400 USD, si dhe duke mirëkuptuar qëllimin e mirë të mediave për transparencë ndaj publikut, kjo edhe atëhere kur nuk tregohet mjaftueshmërisht kujdes për të ndarë lajmin e vërtetë nga loja spekulative me sensibilitetin publik dua të sqaroj se: 1. Praktika shkresore e prokurimit është titulluar Blerje ulëse zyre titullari dhe jo blerje ulëse zyre për titullarin. Pra, nuk është blerë ulësja (karrigia) e Ministrit të Punëve të Brendshme, por është cilësuar lloji i ulëses si i tillë, për ta dalluar nga llojet e tjera të ulëseve (karrige e thjeshtë, stol, etj). 2. Nuk është blerë një ulëse siç raportohet në lajm, por dy të tilla. Vlera e saktë e prokurimit është 1.349.000 Lekë, por për dy ulëse. 3. Blerja është bërë me Urdhërin nr.6050/1, datë 19.09.2013 “Për blerjet me vlera të vogla”, nënshkruar prej ish-sekretarit të Përgjithshëm të MPB-së, Isuf Çelaj, pa asnjë dijeni prej meje. 4. Edhe hapja e procedurave për prokurimin për blerje me vlera të vogla është kryer me firmën e ish-sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Isuf Çela, si titullar i Autoritetit Kontraktor. Sqaroj se Ligji nr.9936, datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor ne Republikën e Shqipërisë”, dhe ligji nr.10296, datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin” ngarkon ekskluzivisht Sekretarin e Pergjithshëm, në cilësinë e nëpunësit autorizues, për marrjen e çdo angazhimi financiar. Për këto shpenzime nuk jam vënë në dijeni, sepse as ligji nuk parashikon detyrimin e Sekretarit të Përgjithshëm për të vënë domosdoshmërisht në dijeni Ministrin për prokurimet e vlerave të vogla. Ashtu sikundër nuk jam as përfitues. Në zyrën e Ministrit të Brendshëm nuk ka asnjë investim të çfardolloj natyre, kësisoj as karrige të re për titullarin. Ndaj sqaroj se nuk kam urdhëruar kurrë blerje karrige dhe nuk jam ende sot përfitues i ndonjë elementi lluksoz në zyrën time, karrige përfshirë. Pas publikimit të lajmit, u interesova dhe mësova se të 2 karriget janë, njëra në zyrën e ish-Sekretarit të Përgjithshëm (Isuf Çelaj), ndërsa tjetra në ruajtje, e papërdorur, në magazinën e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Për shkelje të kësaj natyre si dhe për të tjera, ish-Sekretarit të Përgjithshëm, z.Isuf Çelaj, i kam kërkuar të largohet nga shërbimi civil pranë Ministrisë së Brendshme, gjë që e përmbushi me dorëheqjen e paraqitur dt. 11.10.2013. Për z. Çelaj, po përgatitet edhe materiali referues në Prokurori me të gjitha shkeljet financiare dhe dëmin ndaj Buxhetit të Shtetit të evidentuar gjatë ushtrimit të detyrës prej tij. Gjej rastin të sqaroj se kemi trashëguar dëme financiare, abuzim dhe korrupsion në vlera marramëndse, ndaj edhe ky rast, pavarsisht notave pompoze të pasqyrimit në media, është pjesë e të njëjtës sëmundje që trashëguam nga pushteti i mëparshëm. Gjithashtu në lajm, është pasqyruar edhe vlera e prokuruar për mallra dhe shërbime të tilla si ujë, kafe, etj. në vlerën 172.000 L, ose 1.700 USD. Sqaroj se blerja në këto vlera është kryer për 3 muaj, dhe jo për një por për 4 titullarë të Ministrisë së Brendshme (Ministri, dy Zv.Ministra dhe Sekretari i Përgjithshëm) për qëllime të protokollit dhe pritjes së përfaqësuesve që marrin takim me titullarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Për muajin Tetor, Ministria e Punëve të Brendshme ka shpenzim faktik për këto mallra vetëm 56.000 L, pra 560 USD. Do të ishte më profesionale në pasqyrimin e lajmit, të kontekstualizonit të dhënat që publikohen, në mënyrë që qytetarët të gjykojnë krahasimisht mbi eficencën ose përdorimin e taksave të tyre. Ndaj më lejoni t’ju sqaroj se për të njëjtën periudhë dhe për të njëjtat mallra, në të kaluarën janë shpenzuar 120.000 L, ose rreth 1.200 USD, pra dyfishi i asaj që është shpenzuar gjatë kohës së drejtimit të MPB nga ana ime. Në mbyllje, më lejoni t’ju ritheksoj angazhimin tim personal, të administratës së Ministrisë së Punëve të Brendshme por edhe të Qeverisë dhe Kryeministrit jo vetëm për transparencë maksimale por edhe për monitorim efektiv dhe krahasues në kuadër të eficencës dhe administrimit të kujdesshëm të taksave të qytetarëve. Për këtë arsye, kam urdhëruar menjëherë Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme që për çdo shpenzim të ardhshëm, të vihet në dijeni Ministri i Punëve të Brendshme, pavarësisht vlerës sado të vogël të prokurimit. Shpresoj që profesionalizmi i medias në përmbushje të detyrës, do njohë nivelet më të larta në të ardhmen për të shmangur maksimalisht çdo tendencë për keqkuptim dhe spekulim me çdo sensibilitet të opinionit publik. Ministria e Punëve të Brendshme dhe unë personalisht, mbetemi në dispozicionin tuaj për çdo informacion që i shërben transparencës dhe llogaridhënies ndaj publikut.
Posted on: Wed, 20 Nov 2013 13:21:53 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015