Sulmi ushtarak grek i 2 gushtit 1949 në Jug, agresion strategjik - TopicsExpress



          

Sulmi ushtarak grek i 2 gushtit 1949 në Jug, agresion strategjik për pushtimin e Shqipërisë Sot është 2 gusht 2013. Plot 64 vite më parë, në 2 gusht 1949, territori jugor shqiptar në juglindje me bazë rajonin e Korçës, por edhe deri në Konispol të Sarandës në Likojan, u bë objekt sulmi ushtarak prej Greqisë. Nuk ishte provokacion siç u cilësua nga shteti shqiptar në vitin 1949, apo siç vazhdon të trajtohet prej historisë zyrtare shqiptare deri sot, apo edhe prej studiuesve të ndryshëm e dëshmitarëve që rrëfejnë atë sulm ushtarak grek kundër vendit tonë. Sulmi i armatosur grek i 2 gushtit 1949, kundër Shqipërisë nuk ka qenë incident, apo provokacion, por ka qenë luftë e vërtetë, me të gjithë karakteristikat dhe elementët e një sulmi për pushtim, paçka se e zhvilluar vetëm në një pjesë të kufirit e territorit të vendit. Ndërsa sjellim në kujtesë sulmin ushtarak grek të 2 gushtit 1949, ndërsa ndeshim sot pas 64 vitesh tendencat greke në vazhdim, për të aneksuar “Vorio-Epirin”, nuk është vështirë të kuptosh, se Greqia nuk ka hequr dhe nuk heq dorë prej synimit të saj për të zaptuar territoret shqiptare. Ajo prej më se 100 vitesh, ka luftuar e po lufton për të arritur këtë objektiv, duke përdorur propagandën mediatike, lobimet intriguese me fuqitë e mëdha të botës, fenë, policinë sekrete, diplomacinë, kërcënimet, deklaratat për sulm, paradat ushtarake për zhdukje shqiptarësh, emisarët e saj në Shqipëri, financimet e qarqeve shoviniste brenda e jashtë Shqipërisë, incidentet kufitare, tendenca për kontroll e prezencë aktive mbi ekonominë, pushtetin, drejtësinë, bankat, fenë, kulturën dhe historinë e Shqipërisë, madje edhe duke përpunuar e përdorur politikën dhe shtetin shqiptar. Po çfarë ishte ai që quhet “provokacioni i 2 gushtit 1949”? Me çfarë alibie nisi dhe çfarë qëllimi kishte realisht? Si e priti dhe e përballoi Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës? Cili ishte bilanci i këtij sulmi? “Provokacioni” grek i 2 gushtit 1949, agresion luftarak për pushtim Sipas dokumenteve faktike, në sulmin e 2 gushtit 1949, grekët përdorën kundër Shqipërisë ushtrinë me topa, avionë, ushtri tokësore e gjithçka që përdor çdo ushtri që synon të pushtoj një vend tjetër. Ushtria shqiptare, madje edhe populli i cili në regjimin “hoxhist” quhej “popull ushtar e kufitar vigjilent”, iu kundërpërgjigj sulmit pushtues grek, me luftë të armatosur, në mbrojtje të kufijve e trojeve që u sulmuan. Ishte një luftë e përmasave dramatike. Ndërsa Greqia vërsuli drejt Shqipërisë mbi 70 mijë forca të armatosura, mbi 50 avionë, 80 tanke dhe një skalion artilerie me afro 400 gjuajtës, kryesisht topa, shteti shqiptar mobilizoi dhe futi në luftën mbrojtëse 10 mijë ushtarë, ndërkohë që po mbante në gatishmëri edhe 30 mijë trupa të tjerë pranë zonës së sulmuar. Siç dihet, Greqia ka pasur historikisht pretendime e synime për rrëmbim territoresh shqiptare, të cilat në 100 vitet e fundit i ka manifestuar edhe me provokacione e diversione ushtarake, duke tentuar të zaptoj forcërisht trojet shqiptare. Këto diversione e sulme ushtarake, kanë qenë sistematike veçanërisht pas shpalljes së pavarësisë në vitit 1912 dhe sidomos pas vitit 1913, kur “Konferenca e Londrës”, caktoi kufijtë zyrtar shqiptar, duke mbyllur kapitullin e kufijve mes Greqisë e Shqipërisë. Një nga aktet më famëkeqe luftarake greke kundër Shqipërisë, ka qenë sulmi ushtarak i nisur në 2 gusht 1949 në jug të vendit, me objektiv pushtimin dhe aneksimin me forcë të asaj toke shqiptare, që grekët e quajnë “Vorio-Epir”. Pas Luftës II Botërore, Greqia u zhyt në një luftë civile, e cila u ashpërsua gjithnjë e më tepër, derisa në vitin 1949 Stalini pranoi të ndërpriste mbështetjen për forcat partizane komuniste, duke respektuar kështu “Marrëveshjen e Jaltës”, e cila parashikonte mbetjen e Greqisë nën influencën britanike. Në këto kushte, brenda pak kohe partizanët grekë u vendosën në pozicione tërheqjeje, duke u grumbulluar përfundimisht përreth malit të Gramozit, zona e fundit të zotërim të tyre. Këtu ata përballuan për shumë kohë sulmet e forcave qeveritare monarkiste, duke pasur edhe ndihmën e furnizimeve të fshehta sovjetike, që ju mbërrinin nëpërmjet kufirit shqiptar. Trupat monarkiste greke atëherë shkelën territorin shqiptar, me qëllim bllokimin e këtij kanali furnizimi dhe për të goditur edhe në shpinë forcat komuniste. Këtu fillon edhe konflikti midis ushtrisë shqiptare që mbronte kufirin e vet dhe ushtrisë greke, konflikt i cili ka hyrë në histori me emrin “Provokacionet e Gushtit”. Përpjekjet midis palëve vazhduan me ndërprerje nga 2 gushti deri në 5 shtator 1949 në zonat e Bilishtit, Kapshticës, Leskovikut dhe Konispolit, duke i shkaktuan Shqipërisë qindra civilë dhe ushtarë të vrarë, si edhe dëme materiale në fshatrat e kufirit. Gjithashtu dhe forcat monarkiste greke, lanë dhjetëra ushtarë të vrarë në territorin shqiptar, madje edhe robër lufte. Greqia sulmoi në 2 gusht 1949, pas 8 muajsh provokacione ushtarake në kufi Sipas fakteve historike, shteti shqiptar e mësoi lajmin për sulmin e forcave ushtarake greke në 2 gusht 1949, në fillim të korrikut 1949, por në fakt, ushtria ishte vendosur në gatishmëri të plotë, mbasi ushtria greke kishte afro 8 muaj që kishte “vënë në shënjestër” kufirin shqiptar të zonës Leskovik-Korçë, duke sajuar e nxitur provokacione ndaj kufitarëve shqiptarë, duke përdorur banorë e agjentë të shërbimit sekret përgjatë vijës kufitare, të cilët krijonin konflikte provokuese me forcat, ose banorët tanë të zonës kufitare. Ushtria shqiptare e cila nuk e mendonte kurrë se Greqia do të sulmonte, gjithsesi e vendosur në vijën kufitare, zhvillonte stërvitje si për situatë të plotë e reale lufte mbrojtëse. Prezent në këta manovra luftarake që drejtonin ushtrinë ishin të 330 oficerët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, së bashku me këshilltarët sovjetikë, me në krye shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral-major Beqir Ballukun. Përpara fillimit të manovrave, kujton pjesëmarrësi i asaj lufte Skënder Malindi, atje shkoi dhe Enver Hoxha, por që qëndroi vetëm pak minuta dhe u largua, duke dhënë porosi sekrete “në vesh” për majorët dhe gjeneralët e lartë të ushtrisë, që ai kishte ngarkuar për të përballuar situatën. Ndërsa 10 mijë ushtarë e oficerë të gjithë rangjeve ishin në stërvitje, kupola e ushtrisë shqiptare dha alarmin e për gatishmëri luftarake, mbasi grekët do të sulmonin tokën shqiptare. Planin, ditën dhe orën e sulmit të ushtrisë greke e kishte zbuluar Divizioni i 8-të i Korçës, nëpërmjet përgjimeve dhe “agjentëve specialë” që vepronin në të dy anët e kufirit në shërbim të shtetit e ushtrisë shqiptare. Grekët kishin 8 muaj që bënin provokacione në kufirin shqiptar. Pasi nuk kishin mundur të shkaktonin acarim të palës shqiptare për nisje konflikti, krejt të dëshpëruar dhe të acaruar, në 2 gusht 1949, sipas informacionit të saktë, ata nisën sulmin ushtarak, duke goditur me mortaja dhe artileri kodrën “1309” mbi fshatin Vidohovë, nga predhat e të cilave u vranë 2 oficerë dhe 6 ushtarë, ku njeri nga oficerët e vrarë ishte kapiten Memo Nexhipi, nga fshati Dukaj i Tepelenës, tashmë “Hero i Popullit”. Por si filloi dhe si u realizua ky sulm. Në mëngjesin e 2 gushtit 1949, në orën 04.30, në zonën e Bozhigradit (Mirasit) filloi përgatitja me artileri e forcave ushtarake greke, të dislokuara përgjatë kufirit me Shqipërinë. Predhat ranë deri 300-400 m në thellësi të territorit shqiptar. Në orën 05.00 filloi sulmi i fanterisë greke me 3 batalione të Br.51F dhe Br.52F të D1F, të mbështetur nga një Regjiment Artilerie dhe një skuadrilje aeroplanësh gjuajtës, të tipit “Spitfiter”, me bazë në aerodromin e qytetit Kastoria. Ata sulmuan kuotat 1309 dhe 1425 që ndodheshin 100 m në thellësi të territorit shqiptar, në sektorin e postës kufitare Vidohovë-Bilisht. Sulmi i tyre u ndesh në mbrojtjen e rojeve të kufirit shqiptar, të cilat nuk ishin më shumë se një togë. Pra, kaq ishte efektivi i postës kufitare Vidohovë, i armatosur kryesisht me pushkë e automatik si dhe me 3 mitralozë të rëndë e 4 të lehtë. Lufta vazhdoi e ashpër për 7 orë rresht. Nga: Përparim Halili
Posted on: Sun, 04 Aug 2013 12:04:24 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015