Surah Rrahman 55:1. I Gjithëmëshirshmi 55:2. ua ka mësuar - TopicsExpress



          

Surah Rrahman 55:1. I Gjithëmëshirshmi 55:2. ua ka mësuar Kuranin (robërve të Tij), 55:3. ka krijuar njeriun 55:4. dhe i ka mësuar atij të folurit e qartë. 55:5. Dielli dhe Hëna ndjekin rrugën e caktuar, 55:6. Bimët dhe pemët i përulen (Allahut). 55:7. Ai e ka ngritur qiellin lart dhe ka vënë Balancën (për çdo gjë), 55:8. që ju të mos e shkelni atë. 55:9. Prandaj matni drejt e mos hani në peshë! 55:10. Ai e ka bërë Tokën për krijesat. 55:11. Aty ka fruta të llojllojshme dhe palma hurmash me frutat si bistaqe, 55:12. ka drithëra me gjethe e kërcej dhe bimë me erë të mirë. 55:13. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:14. Ai e krijoi njeriun prej baltës së thatë, ashtu si vorba, 55:15. ndërsa xhindet i krijoi prej flakës së zjarrit. 55:16. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:17. (Ai është) Zoti i dy lindjeve dhe i dy perëndimeve. 55:18. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:19. Ai i ka lëshuar dy dete që të takohen, 55:20. por, midis tyre ka një pengesë që nuk mund ta kapërcejnë. 55:21. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:22. Prej tyre nxirren margaritarë dhe korale. 55:23. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:24. Atij i përkasin edhe anijet që lundrojnë nëpër dete e që lartohen si male. 55:25. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:26. Çdo gjë që është në Tokë, do të zhduket, 55:27. e do të mbetet vetëm Fytyra (Qenia) e Zotit Tënd, plot Madhëri dhe Nderim. 55:28. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:29. Atij i lutet gjithkush që ndodhet në qiej dhe në Tokë e në çdo kohë Ai ushtron fuqinë e gjithëmbarshme. 55:30. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:31. O ju dy barrët e Tokës (njerëz dhe xhinde), së shpejti do të caktojmë gjykimin tuaj! 55:32. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:33. O xhinde dhe njerëz, nëse keni fuqi të përshkoni kufijtë e qiejve dhe të Tokës, atëherë përshkojini ato! Por nuk do të mund ta bëni këtë, përveçse me një fuqi të madhe (nga Allahu)! 55:34. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:35. Kundër jush do të dërgohen flakë zjarri dhe tunxh i shkrirë (si dënim për mohimin e dhuntive të Allahut) dhe ju nuk do të mund të mbroheni. 55:36. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:37. Veç kur të çahet qielli dhe të bëhet i kuq si trëndafili (në Ditën e Kiametit)! 55:38. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:39. Atë Ditë njerëzit dhe xhindet nuk do të pyeten për gjynahet e tyre. 55:40. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:41. Keqbërësit do të njihen sipas shenjave dhe do të kapen për ballukesh dhe për këmbësh. 55:42. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:43. Ja, ky është Xhehenemi, të cilin e mohonin keqbërësit! 55:44. Ata do të sillen në mes të zjarrit dhe ujit të valuar në kulm. 55:45. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:46. Për ata që i frikësohen paraqitjes para Zotit të vet, do të ketë dy kopshte! 55:47. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:48. (Kopshtet do të jenë) të mbjellë me pemë që bëjnë hije. 55:49. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:50. Në ta do të ketë dy burime që rrjedhin. 55:51. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:52. Dhe prej çdo fruti do të ketë nga dy lloje. 55:53. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:54. Ata do të jenë të mbështetur në shtroje, anash me armaç mëndafshi e frutat e dy kopshteve do t’i kenë afër sa t’i kapin me dorë. 55:55. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:56. Atje do të ketë virgjëresha sy ulur, të cilat para tyre nuk i kanë prekur as njerëz, as xhinde. 55:57. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:58. Ato do të jenë si rubinë dhe korale. 55:59. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:60. A ka shpërblim tjetër për të mirën, veç të mirës?! 55:61. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:62. Nën këta dy kopshte, do të ketë edhe dy kopshte të tjera. 55:63. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:64. Ato do të jenë të stolisura me gjelbërim. 55:65. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:66. Aty do të jenë dy burime që gulfojnë. 55:67. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:68. Atje do të ketë fruta, palma hurmash dhe shegë. 55:69. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:70. Në to do të ketë bukuroshe virtytesh të mrekullueshme. 55:71. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:72. (Atje do të ketë) hyri syzeza nëpër tenda. 55:73. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:74. Ato hyri nuk i kanë prekur para tyre as njerëz, as xhinde. 55:75. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:76. Ata do të rrinë mbështetur në shtroje të gjelbra e qilima të bukur. 55:77. Pra, cilat dhunti të Zotit tuaj po i mohoni?! 55:78. Qoftë lartësuar emri i Zotit tënd, plot Madhëri dhe Nderim!
Posted on: Tue, 09 Jul 2013 23:04:44 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015