TIRANE - Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, deklaroi në një - TopicsExpress



          

TIRANE - Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, deklaroi në një takim me përfaqësues të bankave private dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë se duhet një audit ndërkombëtar për financat. Rama tha se duhet edhe një formulë e re menaxhimi për Institutin e Statistikave. Sipas Ramës, INSTAT duhet të binjakëzohet me një institucion homolog nga vendet e BE dhe të vendoset nën tutelën e tij. “Ne jemi shumë të interesuar e të vendosur që në këtë fazë të parë të bëjmë gjithçka që e vërteta e ekonomisë sonë të dalë në pah. Besojmë se jetojmë me një gjysmë të vërtetë, se shumë nga të dhënat e procesit qeverisës nuk janë pjesë e transparencës së domosdoshme për të përballuar krizën që kemi rreth e rrotull. E kam përshëndetur nismën e guvernatorit për të nxitur programin e vlerësimit të sektorit financiar me ekspertizën e FMN dhe BB. Do të kërkojmë një kompani ndërkombëtare auditimi për të pasur në tryezë të gjithë të vërtetën,” tha Rama. “Duam që një orë e më parë INSTAT të shkëputet nga tutela e qeverisë dhe të kthehet në institucion të pavarur. Duhet të bëhet binjakëzimi i tij me një tjetër të një vendi të BE dhe menaxhimi për 5 vjet nga INSTAT i atij vendi. Menaxhimi i INSTAT të jetë jashtë kontrollit të politikës”, tha Rama. Ndërsa e ka cilësuar si jo të mirë situatën e krijuar me kreditë e këqija në banka, Rama u shpreh se duhet të ndërmerren hapa në mënyrë që të mos agravohet më tej situatën “Dua të theksoj se fakti që sot kemi çerekun e kredive si kredi të këqija, padyshim jemi përpara nevojës për të ndërmarrë hapa të rëndësishëm, kurajozë e të domosdoshëm për të kapërcyer një situatë që nuk duhet të agravohet. Është fakt që sistemi i bankave të nivelit të dytë në 15 vitet e fundit ka financuar rritjen ekonomike. Kjo e bën këtë sistem partner të domosdoshëm të qeverisë, unë ju shpreh vullnetin e plotë për të ndërtuar një partneritet solid duke e mbajtur të hapur tryezën në mënyrë sistematike dhe jo sipas nevojës së momentit të palëve”, shtoi Rama. Duke i cilësuar bankat si një partner të domosdoshëm të qeverisë, Rama theksoi se do të ketë një strukturë e ndërmjetme mes qeverisë dhe botës së sipërmarrjes. “Do të ketë një Këshill Ekonomik Kombëtar ku pjesëmarrja e përfaqësuesve të shoqatës suaj është e domosdoshme. Ky do të funksionojë si tryezë e përbashkët në një periudhë të historisë sonë kur sfida është e përbashkët për të përballuar faktorët e krizës që e kanë rënduar gjendjen e ekonomisë dhe financave publike të vendit. Ju siguroj se jemi të vullnetshëm për të marrë hapat e nevojshëm për konsolidimin fiskal që të kurojmë me recetën e duhur financat publike dhe së dyti të krijojmë më shumë hapësirë për të kredituar ekonominë”, shtoi Rama.
Posted on: Thu, 25 Jul 2013 13:05:01 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015