TIRANE- Deputeti i qarkut të Fierit, Erjon Braçe dhe një nga - TopicsExpress



          

TIRANE- Deputeti i qarkut të Fierit, Erjon Braçe dhe një nga socialistët më kritikë brenda partisë vërejti dje, se qeveria e re duhet të jetë e vogël, unitare, funksionale, një qeveri e re, e pastër, transparente, e thjeshtë dhe normale. Në një koment të gjatë, në “Facebook”, Braçe shprehet se: “shikoni, unë e mendoj Qeverinë kështu (jo shumë ndryshe nga ju): qeveri e vogël - domethënë shumë pak e kushtueshme nga pikëpamja e shpenzimeve administrative, më e vogël se qeveria aktuale”. Sipas Braçes, kjo qeveri duhet të jetë “unitare - domethënë pavarësisht se nga cila parti e koalicionit fitues vijnë ministrat, qeveria duhet të funksionojë si një e tërë, ndryshe nga qeveria aktuale ku kufijtë në përqindje të çdo partie zhbënë qeverisjen. Qeveri funksionale - domethënë me ministri të dedikuara çështjeve prioritare dhe nevojave të shtetit-shtetasve, ndryshe nga qeveria aktuale, ku kemi ministri të dedikuara individëve, të ndenjurave të tyre dhe një armatë zëvendësministrash që plotësojnë qokat e çdo partie sado e vogël në koalicion”, - ka analizuar Braçe. Ai shprehet se duhet një qeveri e re, që do të thotë “me përbërje të re, më në fund pas 8 vitesh opozitë dhe 15 vite larg nga viti 1997-të, në krye të vendit të jetë një gjeneratë e re drejtuesish, ekspertësh politikë e profesionalë që frymëzojnë me dijen, pasionin, përkushtimin, përulësinë, punën në shërbim të shtetit dhe njerëzve”. Për Braçen, kryeministri Edi Rama tashmë në konsultime edhe me aleatët duhet të krijojë një qeveri të pastër, që do të thotë “me përbërje prej njerëzve të denjë, burra e gra pa pengje në të shkuarën, shkollim-diplomat e merituara, punë-konkrete e rezultate, raport me ligjin-shkelje administrative apo më keq penale”. E në fund, por jo pa rëndësi, Braçe kërkon një qeveri transparente dhe të thjeshtë e normale. Qeveri transparente, domethënë “në sy të publikut, për çdo vendimmarrje politike, legjislative, ekzekutive, por qoftë edhe të karakterit rutinor administrativ, për çdo shpenzim të parave publike, nga shpenzimet për investimet publike-kontratat e qeverisë, deri tek shpenzimet operative shtetërore, pse jo edhe ato personale të çdo ofiqari të lartë”. Ndërsa, qeverinë e thjeshtë dhe normale, Braçe e koncepton si një qeveri “sa më njerëzore në kuptimin që ministri është i tillë brenda zyrës-institucionit, në raport me ligjin, shoqërinë etj, është një qytetar i zakonshëm dhe i barabartë me të gjithë, qoftë nga respekti ashtu edhe nga privilegjet!!”. Në fund të analizës së tij, Braçe shkruan se: “Ju siguroj se nuk kam asnjë interes personal nga sa shkruaj, përveç interesit të përbashkët: Ndryshimin e këtij vendi në shërbim të njerëzve të zakonshëm”.
Posted on: Wed, 03 Jul 2013 06:45:06 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015