TIRANE- "Dy gëzime në një ditë” për socialistët. Ata - TopicsExpress



          

TIRANE- "Dy gëzime në një ditë” për socialistët. Ata festuan mbrëmë, në një pritje madhështore, edhe fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit, edhe 22-vjetorin e themelimit të partisë. Në fjalën e rastit përpara të pranishmëve, kryetari i PS-së Edi Rama theksoi se “Aleanca për Shqipërinë Europiane është e angazhuar për të ecur në rrugën e rilindjes, me nder, dije, urtësi e burrni”. Ndërsa falënderoi zgjedhësit, militantët, dhe aleatët e PS-së, Rama theksoi se e majta e bashkuar do të arrijë të fitojë edhe sfidën e rilindjes së Shqipërisë. “Pas vitesh të trazuara për të majtën, njësoj si për Shqipërinë, e festojmë këtë ditëlindje të gjithë së bashku. Të bashkuar do ta fitojmë dhe sfidën e madhe të rilindjes së Shqipërisë. Falenderojmë aleatët tanë strategjikë, LSI dhe Ilir Metën, i cili bëri që interesi i gjithë Shqipërisë të fitonte mbi ndasitë. Koha do ta provojë dhe në qeverisje atë që 23 qershori provoi në zgjedhje. PS dhe LSI janë dy parti që si një fuqi e vetme mund të bëjnë histori në këtë vend. 1 milionë shqiptarë na kanë dhënë mandatin për të ecur drejt Shqipërisë Europiane. Detyra jonë si të zgjedhurit e tyre është tu përkushtohemi synimeve që i ngritën pasivisht njerëzit në revolucionin heshtur me votë të 23 qershorit.”- u shpreh Rama. Rama theksoi se PS u përball me beteja të vështira për t’i dhënë fund jetës opozitare, por siç tha ai, ia doli në mënyrën më të bukur. “Kur u zgjodha kryetar i PS-së 7 vjet e gjysmë më parë, unë si kryetar dhe ne si PS vendosëm një sërë objektivash për rikthimin në qeveri me një vizion të ri, program të ri dhe politikë të re. Patëm beteja jo të lehta. U vodhëm në zgjedhje, u baltosëm, bëmë protesta të panumërta dhe grevë urie. Humbëm katër jetë të pafajshme njerëzish, që shpresoj se sot janë më të qetë dhe të cilëve u premtoj se nuk do të jem i qetë derisa të bëj drejtësi për vdekjen e tyre. Por më në fund ia dolëm në mënyrën më të bukur. I kemi dhënë vetes me fitoren e 23 qershorit të drejtën për t’i dhënë fund jetës opozitare të PS”,- u shpreh Rama. Sipas Ramës, “mandati i 23 qershorit është një mandat i qartë për të modernizuar Shqipërinë, për të mos përçarë për të sunduar, por për të bashkuar për të ecur me shpejt në rrugin e rilindjes, me nder, dije, urti e burrni. Do të bëjmë gjërat e duhura sepse prandaj quhemi Partia Socialiste e Shqipërisë, por së bashku me LSI e të tjerët sepse prandaj quhemi Aleanca e Shqipërisë Europiane”. Më tej, kryeministri i ardhshëm i vendit falënderoi njerëzit e shtypit dhe i siguroi ata se nën qeverisjen e të majtëve, do të jetojnë ditët e tyre më të mira. Festa për 22-vjetorin e themelimit të PS-së u shty në 12 qershor, për t’u bashkuar me festën e fitores, të cilën kreu i PS-së duket e parandjeu mirë këtë herë. Në intervistën e parë pas zgjedhjeve, në cilësinë edhe të kryeministrit të ri, Edi Rama njoftoi edhe këtë festë, madje bëri të ditur se një ftesë për dy eventet u është dërguar edhe kryeministrit tashmë në detyrë ende, Sali Berisha, dhe aleatëve të tij të së djathtës.
Posted on: Tue, 02 Jul 2013 06:14:37 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015