"Territori i besimit, i ndjeshëm ndaj alkimisë së retorikave - TopicsExpress



          

"Territori i besimit, i ndjeshëm ndaj alkimisë së retorikave dhe emocionalizimeve grupuese, ka rezultuar frytdhënës për t’u përdorur prej politikës dhe biznesit. Ashtu si në fshatrat e varfër të Jugut shqiptar, ku përtej kallinjve të misrit maskohet kanabisi, pa u fshehur dot, edhe politikanët e tregtarët kërkojnë të përdorin arat e mbjella të fesë për punët e tyre. Simbolika fetare e gatshme për t’u propozuar si flamur betejash apo si logo produktesh; grupimi fetar i gatshëm për t’u servirur në konflikte si ushtar apo si blerës-konsumator në marketing … Të korrat janë të shumta, por korrësit më të shumtë… Nëse prijësit fetarë nuk flasin haptas për fenë si fe, nëse nuk e dallojnë haptas grigjën e tyre, por bëjnë “hesape elektorale” me numrin e besimtarëve duke e lënë evaziv perimetrin identifikues të xhamisë a kishës, të hapur edhe për ata që nuk e besojnë Zotin, (a thua se Zoti ka nevojë për njerëzit e jo e kundërta), apo nëse u vjen ëmbël kur njerëz a grupe të fuqishme jofetare bëhen artikulues të interesave fetare, atëherë të mos u vijë hidhur nëse nesër e gjitha kjo prodhon përfshirje të paparamenduara në konflikte apo përçarje interesash në shoqëri. Të cilat kaq pak kanë lidhje me fenë. Në kohën kur dekomunistizimi i shoqërisë shqiptare është një proces që megjithëse përpëlitet, ka hyrë në një rrjedhë, është tashmë detyrë e çdo besimtari shqiptar të nisë e të kontribuojë edhe për de-ateizimin e fesë, përzënien me ceremoni të tregtarëve nga tempulli, flakjen tej të gjithë mbishtresave koniukturale interesaxhije jashtëfetare prej ambientit dhe diskursit fetar. Që feja t’i kthehet vërtet Zotit, që të mos tallen më me të, që të mos ta akuzojnë më se është një sajesë narko-politike e kastave të larta, për të përmbajtur nënshtruar të ultat…"(E.Hatibi,2005:121)
Posted on: Sat, 22 Jun 2013 13:31:32 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015