Të tërë ndaj Juves, si ndryshon Seria A Pas viteve me radhë ku - TopicsExpress



          

Të tërë ndaj Juves, si ndryshon Seria A Pas viteve me radhë ku yjet më prestigjiozë të Serisë A largoheshin për në kampionatet e tjera, sivjet muzika ka ndryshuar disi. Edhe pse nuk munguan largimet e bujshme, me shifra të çmendura, këtë herë janë shoqëruar me prurje tejet cilësore. Futbollistë si Higuain, Tevez apo Gomez preferuan kampionatin italian, duke i rikthyer atë prestigj që i mungonte prej kohësh. Gara për titullin kampion është bërë një “fjalëkryq” i vështirë për t’u zgjidhur, por pa diskutim që favoritja kryesore është Juventusi. Skuadra e Antonio Kontes, jo vetëm që ruajti të njëjtën organikë me të cilën doli kampione një edicion më parë, por i bashkëngjiti edhe yje që i shtuan agresivitetin, klasin dhe urinë për fitore të tjera. Gjithsesi, “fanella” e Milanit apo Interit, blerjet e Napolit dhe Fiorentinës apo surprizat e Romës, Lacios e Udinezes janë gati t’i shpallin “Zonjës” një luftë të vështirë për t’u fituar. Një “luftë” që mund të zgjasë deri në javën e fundit të kampionatit, por mbi të gjitha, që garanton një spektakël të jashtëzakonshëm… Juventus Hoqi të gjitha dyshimet në ndeshjen e Superkupës, duke treguar se është ende shumë e uritur dhe më e fortë se më parë. Antonio Konte ka ruajtur freskinë, motivimin dhe egërsinë e lojtarëve të tij, madje duke i shtuar edhe elementë cilësorë. “Zonja” tashmë gëzon agresivitetin dhe klasin e Karlos Tevezit për sulmin dhe mbi të gjitha edhe një Pogba akoma më të matur dhe të fuqishëm se një edicion më parë. Një ekip kampion që në fakt e nis kampionatin me një distancë të konsiderueshme si favorite për të mbrojtur fronin e Italisë. Ka rezistuar ndaj çdo oferte mbi Vidalin, i cili pa diskutim është gati të vazhdojë të udhëheqë ekipin në fushë, edhe pse jo me gradat e liderit absolut. Skuadra që duhet mundur… Napoli Pas vitesh plot emocione dhe në nivele të larta me Maxarrin, Napoli mund të ketë gjetur njeriun e duhur për të festuar maksimumin: Rafa Benitezin. Spanjolli është një edukues i shkëlqyer futbolli dhe një strateg i triumfeve të mëdha. Edhe pse u largua një lojtar si Edinson Kavani, reparti sulmues duket më i frikshëm se më parë. Emra si Higuain, Kalejon, Mertens dhe i riu Insinje janë gati të mahnitin me shpejtësinë, teknikën dhe finalizimin e tyre. Një repart i përzgjedhur me shumë kujdes, por që në Itali sigurisht është i aftë të bëjë diferencën lehtësisht. Shumë ëndrra për një skuadër që ka kushtuar mjaftueshëm për të pretenduar titullin. Ylli i ekipit? Higuain është vetëm 25 vjeç dhe ka shënuar 107 gola në kampionat me Realin. Seria A mund të jetë një shpërthim akoma më i madh… Milani Nëse në Itali erdhën sulmues si Higuain, Gomez apo Tevez, “Djalli” e bëri më herët lëvizjen e tij, që në muajin janar. Me blerjen e Mario Balotelit, Milani pati një rritje të ndjeshme, duke ndryshuar komplet në fazën e dytë të edicionit të kaluar. Pa diskutim që ai është lideri i një ekipi që sivjet nuk ka ndryshuar shumë, por është më i rafinuar dhe më kompakt se më parë. Blerja e Polit apo riaftësimi i De Jongut i kanë dhuruar Alegrit më tepër freski e muskuj për mesfushën. Edhe pse mbrojtja nuk ka ndryshuar, është Galiani ai që pritet të bëjë “dhuratat” surprizë në ditët e fundit të merkatos. Fiorentina Në Firence ka një harmoni, qetësi dhe siguri mbresëlënëse. Montela rinovoi deri në 2017-ën, për sulmin erdhi një super- bomber si Gomez; Xhuzepe Rosi është riaftësuar; Hoakin e Iliçiç kanë forcuar krahët, ndërsa Ambrozini mbart shumë eksperiencë për qendrën e mesfushës. Një ekip i ndërtuar me shumë kujdes dhe që ka treguar se nuk ka arsye për të ndjerë shitjen e Jovetiçit. Ndërsa sezonin e kaluar humbën një biletë Champions-i në hapat e fundit, sivjet kanë shanse që të arrijnë akoma më tepër, të paktën në letër. Një skuadër që, përpos rezultateve pozitive, garanton që në fushë do dhurojë një futboll tepër argëtues. Një ekip që mund të “fluturojë”, ashtu si festonte Montela kur shënonte dikur. Roma Duket e njëjta situatë verore, me tifozërinë që u kënaqet emrave të merkatos, me shumë ëndrra dhe me një zhgënjim në fund. Gjithsesi, sivjet duket se gjërat janë më ndryshe, ku Rudi Garsia po tenton të formojë një skuadër që të garantojë rezultate. Me blerjen e Strotmanit, Benatias apo edhe Maikonit me De Santksi, ekipi ka miksuar eksperiencën me talentin. Një skuadër e destinuar për të sulmuar, edhe pse ende nuk është kompensuar shitja e Osvaldos. Shumë pikëpyetje, por edhe shumë vlerësime deri tani. Mbase ka ardhur momenti që kryeqytetasit të luftojnë mes tre të parëve. Mbase… Lacio Asnjë nga yjet e skuadrës nuk u largua, pavarësisht ofertave të majme nga klube të ndryshme për futbollistë si Kandreva apo Luliç. Tare, jo vetëm që ruajti lojtarët më të rëndësishëm, por shtoi elementë cilësorë, si Biglia apo braziliani Anderson. Humbja në Superkupë u cilësia si e turpshme nga trajneri Petkoviç, gjithsesi Lacio tregoi se nuk e kishte ende formën e duhur fizike. Një skuadër që mes të tjerave ka eksperiencën dhe zgjuarsinë e një trajneri-zbulim si Petkoviçi. Në letër janë akoma më të fortë se vitin e kaluar, edhe pse Klose duket se ka nevojë për një sulmues ndihmës. Interi Pas një sezoni për t’u harruar, ku nuk ia dolën as të kualifikohen në kompeticionet europiane, Valter Maxarri po mundohet të hedhë bazat e një Interi të ri, si brenda, ashtu edhe jashtë fushe. Me lojtarë të rinj në moshë dhe “senatorët” që gjeti në klub, ai kërkon që të realizojë një kampionat surprizues. Me blerje ende për t’u konfirmuar nëse janë të goditura (lojtarë që kanë luajtur me ekipe mesatare), zikaltrit janë munduar të mbushin boshllëqet e një sezoni më parë. Maxarrin e pret një mision me shumë punë, stres dhe vuajtje, por në fund ai mund të marrë edhe disa goditje shpresëdhënëse në merkato, duke qenë se janë premtuar të tjera blerje. Udineze Janë pa diskutim skuadra që asnjëherë nuk mund të nënvlerësohen. Çdo vit shesin yjet e ekipit dhe sërish janë mes pretendentëve të kampionatit, duke dhuruar një futboll të bukur dhe duke finalizuar me një Di Natale që është si vera (përmirësohet me kalimin e viteve). Guidolin ka ruajtur bazën e një viti më parë dhe duke llogaritur ndonjë talent të ri për t’u zbuluar, janë një prej ekipeve favorite për të siguruar një nga vendet që të çon në Europë, ku sigurisht synimi i tyre është Champions-i.
Posted on: Fri, 23 Aug 2013 12:21:11 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015