Veçoritë që dallojnë Mekken dhe Medinen prej njëra - TopicsExpress



          

Veçoritë që dallojnë Mekken dhe Medinen prej njëra tjetrës. Ka thënë Imam Muhammed Ibn Salih El-Uthejmin (All-llahu e mëshiroftë): Është vërtetuar se haremi i Mekkes ka veçori të shumta. Prej tyre: Çfarë u përmend në hadithin e Ebu Hurejres (radijall-llahu anhu) dhe e cila është; Ndalimi i luftës në Mekke. Lufta në Mekke është e ndaluar (harram) me argument dhe me konsensusin (ixhman) e Dijetarëve, duke përjashtuar rastin kur lufta është luftë për tu mbrojtur, dhe kjo lloj lufte është e lejuar (hallall) edhe në mbrendësi të Qabes. Argument për këtë është fjala e All-llahut ku ka thënë: Dhe mos i luftoni ata në Xhaminë e Shenjtë (Mekke) derisa ata t`ju luftojnë në të, por nëse ata ju sulmojnë, atëherë i vrisni ata. Ky është shpërblimi për kafirat. Bekare: 191. Ndërsa ta fillojmë ne luftën në Mekke, kjo nuk lejohet. Kjo gjë ju lejua Profetit (salall-llahu alejhi ue ala alihi ue sel-lem) një moment të vetëm gjatë ditës dhe u rikthye përsëri ndalesa deri në ditën e gjykimit. Prej tyre: A është kjo veçori e përbashkët midis haremit të Mekkes dhe haremit të Medines ? Përgjigje: Kjo veçori nuk është e përbashkët (midis dy haremeve, porse është e veçantë për haremin e Mekkes) pasi lufta nuk është ndaluar në haremin e Medines. Nëse ndodh që banorët e Medines e meritojnë të luftohen për shkak të lënies së një obligimi dhe për shkak të tij (obligimi) ata duhet të luftohen, atëherë luftohen dhe kjo është e kundërt me banorët e Mekkes. Prej tyre: Ndalimi i prerjes së pemëve të Mekkes dhe barit të saj, duke përjashtuar këtu një gjë të vetme i cili është El-Idh`khir (një lloj bari), a vlen kjo ndalesë edhe për Medinen ? Përgjigje: Po, është harram shkurtimi dhe prejra e drunjëve në Medine, duke përjashtuar rastin kur kihet nevoj për diçka të tillë, sikurse bari për tagji apo prerja e pemëve për shkak të punimit të tokës apo për ujitje dhe të ngjashme me to, pasi Profeti (salall-llahu alejhi ue ala alihi ue sel-lem) e ka lejuar diçka të tillë, dhe ky lejim i përngjan lejimit për El-Idh`khir-in (lloj bari) për banorët e Mekkes, pasi ata kishin nevoj për këtë lloj të barit në shtëpitë e tyre, në varreza dhe atë e përdornin edhe farkëtarët. Banorët e Medines ishin bujq dhe kishin bagëti, dhe për këtë Profeti (salall-llahu alejhi ue ala alihi ue sel-lem) j`ua lejoj atyre prerjen e barit për tagji dhe prerjen e pemëve për ujitje dhe çështje të tjera. Prej tyre: Gjuetia ndalohet në Mekke, po haremi i Medines a e ka këtë ndalesë ? Përgjigje: Po ndalohet gjuetia edhe në haremin e Medines. Porse ka dallim midis haremit të Medines dhe atij të Mekkes, dhe kjo për tre arsye. E para: Për gjahun në haremin e Medines nuk ka shpagim ndërsa për gjahun në haremin e Mekkes ka shpagim. Dhe shpagimi i gjahut në haremin e Mekkes është i njëjtë me shpagimin e gjahut nga personi që është me ihram. Ka thënë All-llahu: يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ لاَ تَقْتُلُواْ الصَّيْدَ وَأَنتُمْ حُرُمٌ وَمَن قَتَلَهُ مِنكُم مُّتَعَمِّدًا فَجَزَاء مِّثْلُ مَا قَتَلَ مِنَ النَّعَمِ O ju të cilët keni besuar mos gjuani për gjah kur jeni me ihram (në Haxh apo Umre) dhe kushdo prej jush që e vret atë me qëllim atëherë dënimi është që të prej një kurban të barazvlefshëm me kafshën e vrarë... Maide: 95. Ndërsa për vrasjen e gjahut në haremin e Medines nuk ka shpagim, dhe nëse dikush e vret gjahun në haremin e Medines, është gjynahqar porse nuk e ka detyrë që të shpaguaj për gjahun. Ndërsa disa Dijetarë kanë thënë se ka shpagim edhe për atë që e vret gjahun në haremin e Medines, porse ky shpagim nuk është sikurse shpagimi që bëhet kur vritet gjahu në haremin e Mekkes. Porse shpagimi është; Duke ja marr vrasësit uniformën apo rrobat e tij, dhe gjithashtu i merret edhe mjeti me të cilin e ka kryer gjahun. Porse mendimi që ka shumica e dijetarëve (shumica e medh`hebeve) është se; Nuk i obligohet atij shpagimi dhe se marrja e uniformës apo rrobave bëhet si shkak dënimi dhe edukimi dhe jo si shpagim, pasi kjo (marrja e uniformës apo rrobave etj) nuk është e ngjashme me gjahun. Pasi po të kishte shpagim (në këtë rast) ajo duhet të ishte e ngjashme me gjahun. Ndërsa marrja e uniformës apo rrobave etj, bëhet në formën e dënimit, formë të cilën, nëse don udhëheqësi që ta zbatoj e zbaton dhe nëse nuk don nuk e zbaton. E dyta: Nëse njeriu gjahun e Medines e fut në të (në Medine), nuk obligohet që ta liroj atë, pra, nëse e fut gjahun në haremin e Medines, nuk detyrohesh që ta lirosh atë, porse ke të drejtë që ta mbash , ta therësh dhe të hash prej tij. Ndërsa nëse fut në haremin e Mekkes një gjah, atëherë e ke obligim ta lirosh atë, dhe kjo sipas Medh`hebit Hanbeli. Ekziston edhe një mendim tjetër rreth haremit të Mekkes ku thuhet; Nuk je i detyruar që ta lirosh gjahun porse gjahu llogaritet si pasuri e jotja. Dhe sipas mendimit të dytë, dalim në përfundim se midis dy haremeve nuk ka dallim në këtë pikë, dhe ky është mendimi i saktë. Argument për lejimin e mbajtjes së gjahut në haremin e Medines është hadithi i Enes Ibn Malik (radijeall-llahu anhu) ku tregon për historinë e fëmijës i cili e kishte një Nugajjir (harabel i vogël) dhe luante me të. Dhe pasi ai ngordhi, fëmija u mërzit, dhe Profeti (salall-llahu alejhi ue ala alihi ue sel-lem) e ngushëlloj fëmijën dhe i tha: O Eba Umejr, çfarë bëri Nugajjir ? Dhe ky hadith është argument që gjahun lejohet ta mbaj personi në pronën e tij. Disa Dijetarë thonë: Kjo histori ka ndodhur para se të bëhet harram mbajtja e gjahut, sepse të veçuarit e haremit të Medines me ndalesa, ka ndodhur pas luftë se Khajberit, porse fshirja e argumentit nuk mund të bëhet me hamëndje. E treta: Nëse gjahu vritet në Mekke, është harram që të hash prej tij. P.sh: Nëse e vret atë Haxhiu kur ai është me ihram (ditët e Haxhit). Nëse gjahu vritet në Medine, nuk është harram të hahet mishi i tij, porse ai që e vepron këtë, merr gjynah. Pra, dallimi midis haremit të Mekkes dhe haremit të Medines në çështjen e gjahut, është në tre çështje. Prej tyre: Është e ndaluar që të prehen pemët dhe bari i Mekkes dhe nëse ato prehen, atëherë ka shpagim. Sa i përket barit, ai shpagohet me vlerë ndërsa pema e vogël shpagohet me një dash dhe çdo pemë tjetër mbi pemën të vogël shpagohet me një lopë. Dhe ky është mendimi më i njohur në Medh`hebin Hanbeli. A është e njëjtë kjo dispozitë edhe për haremin e Medines ? Përgjigje: Jo, nuk ka shpagim për këtë. Dhe mendimi më i saktë është se nuk ka shpagim për pemët dhe barin e prerë në Mekke dhe në Medine. Porse ai që i pren ato merr gjynah. Prej tyre: Është harram të hyet në Mekke pa ihram, qoftë kjo hyrje në përgjithësi apo hyrje për atë i cili don të bëj haxhin apo umren apo për të kryer uaxhibin (obligimin). Ndërsa sa i përket haremit të Medines, nuk është nevoj (e obligueshme) që të vishet ihrami kur hyet në të. Porse, nëse dikush e bën nijet dhe e vesh ihramin kur futet në Medine, ai llogaritet prej bidatçive dhe duhet të ndalohet nga kjo vepër. Prej tyre: Është harram që të futet në Mekke Kafiri dhe Mushriku. Dhe nuk është e lejuar që mushrikët t`i afrohen Xhamisë së Shenjtë në Mekke dhe kjo është në kundërshtim me çfarë veprohet në Medine, pasi në Medine lejohet që të futen në të kafirat. Profeti (salall-llahu alejhi ue ala alihi ue sel-lem) vdiq, dhe mburoja e Tij (salall-llahu alejhi ue ala alihi ue sel-lem) ishte peng tek një çifut i cili banonte në Medine. Prej tyre: Konsensusi i Dijetarëve rreth ndalesës së gjuetisë dhe prerjes së pemëve në Mekke. Ndërsa për haremin e Medines, ka kundërshtuar Imam Ebu Hanife (rahmetull-llahi alejhi) dhe ka thënë: Gjuetia dhe prerja e pemëve në Medine nuk është e ndaluar. Porse shumica (e medh`hebeve) kanë mendim të kundërt me mendimin e Imam Ebu Hanifes (rahmetull-llahi alejhi). Dhe nuk ka dyshim se mendimi i Imam Ebu Hanifes (rahmetull-llahi alejhi) në këtë çështje është mendim shumë i dobët. Dhe mendimi i saktë për të cilin nuk ka dyshim është, se është e ndaluar (haram) gjuetia dhe prerja e pemëve në haremin Medines sikurse është saktësuar kjo gjë prej Profetit (salall-llahu alejhi ue ala alihi ue sel-lem). Gjithashtu ka edhe veçori të tjera me anë të së cilave veçohet Xhamia e Shenjtë në Mekke dhe këto veçori i kanë përmendur autorët të cilët kanë shkruajtur për historinë e Xhamisë së Shenjtë në Mekke. Gjithashtu ka thënë Imam Uthejmini (All-llahu e mëshiroftë): Nëse dikush thotë. Cili është më i mirë, banimi në Mekke apo banimi në Medine ? Këtij i përgjigjemi duke i thënë: Ka kundërshtime në mesin e dijetarëve rreth kësaj çështje. Disa prej tyre kanë thënë: Banimi në Mekke është më i mirë sepse Mekka është e vlefshme sesa Medina. Profeti (salall-llahu alejhi ue ala alihi ue sel-lem) kur ishte në Hazura (vënd në Mekke) tha: Ti je vendi më i dashur tek All-llahu dhe nëse nuk do të më nxirrte populli im, unë kurrë nuk do të kisha dalur nga këtu. Dhe ajo çfarë transmetojnë disa njerëz se Profeti (sall-llahu alejhi ue ala alihi ue sel-lem) ka thënë për Mekken: Se është vëndi më i dashur tek All-llahu dhe për Medinen se është vëndi më i dashur tek Unë, kjo nuk është aspak e vërtetë. Ndërsa disa prej Dijetarëve kanë thënë: Banimi në Medine është më i vlefshëm, sepse Profeti (salall-llahu alejhi ue ala alihi ue sel-lem) ka nxitur që të banohet në të dhe ka thënë: Banimi në Medine është më mirë për ta nëse do ta dinin. Dërsa disa Dijetarë kanë thënë: Banimi duhet të jetë në një vend në të cilin forcohet besimi dhe shtohet devotshmëria e tij dhe banimi në këtë vënd të tillë, është më i mirë se banimi i tij në ndonjë vend tjetër. Ky është edhe mendimi të cilin e ka zgjedhur Shejkhul Islam Ibn Tejmijje (All-llahu e mëshiroftë) ku ka thënë: Nëse do të paramendonim se njeriut i dobësohet besimi dhe devotshmëria në Mekke dhe do të pakësohet dobia prej tij, atëherë ai duhet të largohet nga Mekka ashtu sikurse vepruan edhe Sahabët (radijeall-llahu anhum), të cilët shkuan në Sham, Irak dhe Egjipt duke kërkuar atë që është më e mira dhe më e dobishmja për njerëzit . Banuan në këto vende dhe filluan tu mësojnë njerëzve fenë e All-llahut dhe ato e lanë Mekken dhe Medinen. Dhe ky është mendimi më i saktë. Porse, nëse do të paramendonim se një personi do t`ju mundësonte (apo do të kishte mundësi) që të jetonë në një vend, gjithashtu edhe në Mekke dhe Medine, këtij personit do t`i thonim se banimi në Mekke dhe në Medine është më mirë dhe në këtë ska aspak dyshim. Ndërsa sa i përket banimit më të mirë duke krahasuar midis Mekkes dhe Medines, unë nuk kam ndonjë gjykim të prerë. Autori: Muhammed Ibn Salih El-Uthejmin (All-llahu e mëshiroftë) Burimi: Sherhu Kitabil Haxh min Bulugil Meram. Përshtati: Sulejman Kushi. Durrës 23 Sefer 1432 – 28/01/2011 Pas namazit të Sabahut. udhezimidhedrita.net/materiali.php?idMaterialet=91
Posted on: Mon, 16 Sep 2013 08:13:49 +0000

Recently Viewed Topics




© 2015