“Vllehët e të gjitha vendeve, jeni rumunë”, nisma që - TopicsExpress



          

“Vllehët e të gjitha vendeve, jeni rumunë”, nisma që çorientoi pakicat Mbështetje nga vendi amë, arumunëve apo vllehëve kudo që ndodhen në Ballkan. Duke u dhënë statusin e të qënit “diasporë rumune”. E në këtë mënyrë, duke legjitimuar mbështetjen e gjithë atyre që paraqesin të njëjtin identitet etnik, gjuhësor dhe fetar me rumunët e sotëm. Ky ka qenë thelbi i projektit më të ri, të ndërmarrë së fundmi nga qeveria rumune mbi pakicat dhe që gjeti miratimin vetëm me 2 vota kundër nga parlamenti rumun. “Që nga sot, jemi zyrtarisht 30 milion rumunë. Ndryshimet e realizuara në ligjin 299/2007, në vetvete flasin mbi mbështetjen e rumunëve kudo që ata ndodhen, në kuptimin e të qenit të specifikuar si të tillë, ata që kanë origjinë rumune dhe jetojnë jashtë vendit, por kanë të njëjtën gjuhë dhe kulturë me vendasit”, do të citonin mediat rumune, lidhur me argumentimin e kësaj nisme të re. Por që u shoqërua me mjaft reagime dhe kundërshtime, si nga politika vendase e Bukureshtit zyrtar, ashtu edhe nga ajo e vendeve të përfshira nga aplikimi i një ligji të tillë. Edhe Shqipëria nga ana e saj, nuk mund të gjendej e papërfshirë në kuadrin e këtij debati i cili prej kohësh ka mbërthyer diskutimet në komisionet parlamentare mbi pakicat etnike. Pasi duke qenë se përfshin në territorin e saj një pakicë etniko-kulturore arumune, nuk mbeti dot jashtë tij. Kështu, disa shoqata që përfaqësojnë pakicën arumune në vendin tonë, i kanë drejtuar një deklaratë të përbashkët, jo vetëm Parlamentit Rumun, por edhe ambasadës rumune në Tiranë dhe autoriteteve të larta të shtetit shqitar, në kundërshtim të cilësimit “Rumunë të Diasporës” që u jep amendamenti i ri i ligjit rumun 299/2007. Sipas tyre, nuk mund të pranohet që të cilësuarit si “armâni, armânji, aromâni, basarabeni, bucovineni, cucovlahi, daco-români, fărceroci, herceni, istro-români, latini dunăreni, macedoromâni, macedo-români, maramureceni, meglenici, megleno-români, moldoveni, moldovlahi, rrămâni, rumâni, valahi, vlahi,vlasi, volohi, macedo-armânji”, të zëvëndësohen me emërtimin si “Rumunë të Diasporës”. “Deformimi i ligjit të sipërpërmëndur nuk është gjë tjetër vecse manipulim historik dhe ligjor në dëm të popullit vllah-arman por dhe të popujve të tjerë ballkanikë me të cilët ata kanë qenë në lidhje të përjetshme”, citon konkretsiht deklarata e përbashkët e 6 shoqatave arumune, përmes ish-deputetit shqiptar, Kristo Goxhi. Duke ngritur më tej shqetësimin se “vendimi për krijimin e një minoriteti rumun të paqenë në vendet ballkanike dhe mos dhënia e statusit minoritar vllehëve të vetë Rumanisë, ekspozojnë negativisht pozitën e Rumanisë në Komunitetin Evropian dhe organizatat e tjera ndërkombëtare”. “Ne vllehët e Shqipërisë, e konsiderojmë krejt të shtrembëruar historikisht dhe të rrezikshëm politikisht vendimin e fundit të Parlamentit Rumun, në dëm jo vetëm të vllehëve por dhe të Shqipërise, Greqisë, FYROM-it, Bullgarisë dhe Serbisë”, përfundon kjo deklaratë. Duke dashur të paraqesë në njëfarë mënyre distancimin nga një përdorim i mundshëm i kësaj kategorie prej zyrave të Bukureshtit, dhe identifikimin e të gjithë arumunëve me zhvillimev historike të vendeve ku ata janë vendosur dhe kanë dhënë kontributin e tyre. Nota të ashpra qëndrimi këto, të cilat, duket se nuk kanë shoqëruar aspak përfaqësitë e tjera të arumunëve në Shqipëri, madje as ato në sferën politike, siç është forca politike që mbron pikërisht interesat e pakicës vllahe në vendin tonë, Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane. “Ne jemi vllehët e Shqipërisë. Kjo është formula që ne mbështesim”, ka pohuar për “Impakt”, i pyetur lidhur me këtë çështje, kreu i kësaj partie, Valentin Mustaka. Duke shtuar më tej faktin, se partia që ai drejton, mbetet gjithmonë e interesuar në mbrojtje të të drejtave dhe interesave të komunitetit arumun në Shqipëri. Ku siç shihet, edhe vetë ky i fundit ndihet nën influencën e zhvillimeve politike që ndodhin në Bukureshtin zyrtar, duke u bërë në këtë mënyrë reflektuese e tyre. Madje, edhe duke shfaqur kontrastet e kaheve që shfaq politika rumune si e tillë. Kështu, “opozita” ndaj ligjeve të qeverisë rumune, bëhet edhe në Shqipëri. Njësoj si edhe nën muret e Parlamentit rumun, ku protesta masive u zhvilluan në ditët e para të majit, për të kundërshtuar nismën e fundit mbi pakicat e kthyera me ligj në diasporë. E duke treguar në fund, se impakti i zhvillimeve politike në vendin amë, gjen gjithmonë pasqyrim tek vendet me prani të pakicave etnike burimore prej tij. Qofshin këto të kundërshtuara, apo edhe të miratuara heshturazi. impakt.al/kultura/vllehet-e-te-gjitha-vendeve-jeni-rumune-nisma-qe-corientoi-pakicat
Posted on: Fri, 01 Nov 2013 11:41:53 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015