Vëllezërit dhe motrat e partive dhe liderëve tanë në - TopicsExpress



          

Vëllezërit dhe motrat e partive dhe liderëve tanë në Evropë Augustin Palokaj Publikuar: 14.11.2013 - 09:17 Ka shumë liderë të shteteve të cilët e kanë ndihmuar pa masë Kosovën e të cilët kryeministri ynë nuk i ka quajtur vëllezër. Në fakt, një epitet i tillë në gjuhën perëndimore është i pakuptimtë. Por gabojnë edhe ata të cilët mendojnë se Thaçi për motive fetare e ka quajtur „vëlla“ kryeministrin e Turqisë. Ai edhe kancelaren Angela Merkel do ta quante motër sikur ajo t’i vinte për fushatë. Është interesante të dihet se AKP e kryeministrit turk, Erdogan, në fakt është në grupimin e partive të qendrës së djathtë EPP, ku kryesisht janë partitë demokristiane dhe konservatore, të cilit grupim i përket LDK-ja. E PDK-ja e Thaçit ende nuk e ka etabluar veten në hartën e partive politike evropiane. Para disa ditësh isha në një drekë me kolegët gazetarë nga Turqia. As që kishin vërejtur se kryeministri i tyre, Erdogan, kishte qëndruar në Kosovë dhe aq më pak kishin dëgjuar sesa reagime kishte zgjuar deklarata e tij në Prizren për „Kosovën Turqi“ apo vëllazërinë me popullin e Kosovës. Për ta ngjarja kryesore me Erdoganin si aktor ishte hapja e tunelit të parë nën Bosfor që për herë të parë lidh me një linjë treni dy kontinentet Evropën dhe Azinë. Ky lajm e solli Turqinë dhe një herë në qendrën e vëmendjes së Evropës, sepse tash nga Londra e Parisi, Berlini apo Vjena rrenat mund të shkojnë deri në kontinentin e Azisë pa u ndalur. Herëve tjera Erdogan ishte kryesisht protagonist i lajmeve jo aq të mira, sepse më së shumti këtë vit është përmendur për shkak të protestave kundër tij në Turqi.Së fundi Turqisë iu hap një shpresë e vogël për të lëvizur në rrugën e integrimeve në BE me gjithë rritjen e kundërshtimit dhe të dyshimeve se ai shtet fare do të bëhet ndonjëherë anëtar. Para një jave, pas më shumë se tre vjetësh pauzë, u hap për negociata edhe një kapitull me Turqinë. Por ende mbetet fakti se ky shtet për tetë vjet ka mbyllur vetëm një nga 35 kapitujt në negociatat për anëtarësim në BE. Këto janë temat që nxisin kureshtjen e medieve në Turqi dhe në Evropë e jo vizita e kryeministrit në ndonjë qytet si Prizreni dhe mbështetja për një kandidat për kryetar komune. Kolegët nga Turqia u habitën kur u thash se është keqkuptuar epiteti „vëlla“ që Erdogan përdori në Kosovë. Ata thanë se në kulturën e tyre shpesh përdoret ky epitet. Madje më përkujtuan se si edhe në Bazarin e Stambollit menjëherë të bëjnë shok shitësit sapo duan të shesin diçka. Por thanë se Erdogan, sikurse dhe politikanë të tjerë nga Turqia, edhe për popuj tjerë dhe për politikanë tjerë nëpër botë përdorin epitete të tilla dhe ato, me gjithë orientimit fetar që ka partia e kryeministrit Erdogan, nuk janë për motive fetare. Sa i përket Ballkanit, Turqia ka një rritje të interesimit, madje jo vetëm në raporte me Kosovën, por edhe me Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe vendet e tjera. Turqia tash e sa vjet organizon takimin trepalësh të qeverive të Serbisë- Turqisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Ministri i Jashtëm i këtij shteti, Davutoglu, kishte thënë se kurrë më parë raportet mes Turqisë dhe Serbisë nuk kanë qenë më të mira. Turqia nuk do që miqësia me një shtet të kuptohet si armiqësi me ndonjë tjetër. Serbia nuk duhet lexuar mbështetjen për Kosovën si armiqësi ndaj Serbisë. Në këtë mënyrë Serbia do të kishte armiq të shumtë e jo vetëm Turqinë. SHBA-ja, Franca, Britania e Madhe, Gjermania janë shtete të cilat vështirë se Beogradi do të donte t’i fuste në listën e armiqve të vet. Turqia, si vend anëtar i NATO-s dhe vend deri tash me orientime properëndimore, padyshim se ka mbështetur Kosovën. Sidomos ka luajtur një rol të rëndësishëm në botën arabe në drejtim të njohjes së Kosovës nga to. Por kur e ka parë të nevojshme ka bërë edhe gjeste miqësie ndaj Serbisë. Për shembull: Turqia nuk ka dërguar argumente juridike në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të pavarësisë së Kosovës. Këtë nuk e ka bërë as Italia po ashtu me arsyetimin se duan të jenë mirë edhe me Prishtinën, edhe me Beogradin. Greqia, ku kultura politike është e ngjashme me atë të Turqisë, edhe pse nuk e ka njohur Kosovën, nuk ka dërguar argumente në Hagë kundër pavarësisë së Kosovës, si gjest pozitiv drejt Prishtinës. Pra politikat e shteteve të mëdha janë të diktuara nga shumë interesa që janë shumë më të rëndësishme sesa mbështetja e ndonjë kandidati për kryetar të ndonjë komune në Kosovë. Prandaj nuk është mirë që të ekzagjerohet ndihma e Turqisë sikurse nuk do të ishte mirë që të mos jemi falënderues edhe ndaj këtij shteti sikurse dhe ndaj secilit shtet i cili na ka ndihmuar. Ka shtete perëndimore të cilat, nëse jo shumë më shumë se Turqia, atëherë së paku njësoj, e kanë ndihmuar Kosovën. Vështirë është të na bindë dikush se Turqia na paska ndihmuar më shumë sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Britania e Madhe. Bill Clintonit ia kemi ndërtuar bustin, i kemi vënë emrin e tij rrugës. Emrin e Tony Blairit e mbajnë shumë djem në Kosovë. Por nuk e kemi dëgjuar kryeministrin tonë t’u thotë atyre vëllezër. Në fakt një epitet i tillë në gjuhën perëndimore është i pakuptimtë. Shpesh përdorin terme „miq“ apo „partnerë“, por jo epitete që tingëllojnë si shumë patetike e të mos themi edhe qesharake si „vëllezër“. Epitete të tilla për shembull përdor papa kur i drejtohet tërë botës. Por gabojnë edhe ata të cilët mendojnë se Thaçi për motive fetare e ka quajtur „vëlla“ kryeministrin e Turqisë. Ai edhe kancelaren Angela Merkel do ta quante motër sikur ajo t’i vinte për fushatë në ndonjë qytet të Kosovës apo sikur të angazhohej për ndonjë biznes të ndonjë ndërmarrjeje në Kosovë. Është interesante të dihet se AKP e kryeministrit turk, Erdogan, në fakt është në grupimin e partive të qendrës së djathtë EPP, ku kryesisht janë partitë demokristiane dhe konservatore, të cilit grupim i përket LDK-ja. E PDK-ja e Thaçit ende nuk e ka etabluar veten në hartën e partive politike evropiane. Në fakt, për nga përkatësia partiake si „parti motra“ apo „të vëllazëruara“ mund të quhet LDK-ja e Kosovës, AKP-ja e Turqisë dhe CDU-ja gjermane. Këto, secila me një status të veçantë, janë të bashkuara në Partinë Popullore Evropiane EPP. Dhe këto parti mbështesin njëra-tjetrën edhe në fushata. Urojnë njëra-tjetrën pas sukseseve zgjedhore. LDK-ja është e vetmja parti që ka lidhje serioze me ndonjë grupim partiak evropian. PDK-ja, e cila rishtazi është deklaruar të jetë parti e qendrës së djathtë, ka mbetur pezull në këtë drejtim. Në EPP thonë se „nuk janë në dijeni se PDK-ja do të anëtarësohet në këtë grupim“. Liderët e PDK-së kontaktet në nivel evropian i kanë në cilësinë e përfaqësuesve të qeverisë aktuale të Kosovës e jo si përfaqësues të partisë së tyre politike. Nëse do të anëtarësohet në EPP partia e Hashim Thaçit do të duhet të ndjekë një procedurë të gjatë, ndërsa EPP-ja për mendim do ta pyesë edhe LDK-në. Dy subjekte tjera politike të lidhura me „partitë simotra“ në Evropë janë një „Njeri parti në vete“ siç mund ta quajmë Gjergj Dedajn dhe AKR-ja e Behgjet Pacollit. Ata janë në familjen e partive Liberale Evropiane. AAK-ja, që po ashtu konsiderohet si parti e qendrës së djathtë (së paku ashtu e quan veten) nuk është e lidhur më ndonjë organizëm partiak evropian. Sipas një logjike edhe ajo do të duhej të ishte në EPP. Pra për momentin në Kosovë nuk ka as edhe një parti të vetme relevante, e cila do të anëtarësohej në familjen e dytë më të madhe partiake në Evropë, në grupimin e socialistëve dhe demokratëve, partive të qendrës së majtë. Në këtë grupim janë dy partitë në pushtet nga Shqipëria, Partia Socialiste e Edi Ramës dhe LSI-ja e Ilir Metës. Nga socialistët dhe demokratët evropianë na është thënë se kanë kontakte me lëvizjen „Vetëvendosje“, por „për momentin“ evropianët kanë frikë ta pranojnë në gjirin e tyre këtë parti. Thonë se përfaqësuesit e “Vetëvendosjes” janë mjaft të shkathtë për të argumentuar qëndrimet e tyre, por ende nuk janë të sigurt për një parti e cila qëndron prapa sulmeve, verbale dhe nganjëherë edhe fizike, ndaj pranisë së BE-së në Kosovë. Si aktori padyshim kryesor në skenën politike të Kosovës është vështirë të kuptohet se çfarë planesh ka Hashim Thaçi. Ai në periudhën e pasluftës ishte më shumë i lidhur me PS-në e Fatos Nanos në Shqipëri dhe me partitë socialiste në Evropë. Sidomos bie në sy lidhja e PDK-së me Laburistët e Tony Blairit në Britani të Madhe. Atëherë ka pasur përpjekje që PDK-ja të lidhet me Socialdemokratët evropianë. Por për habi PDK-ja vendosi të kthehej djathtas. Thaçi u lidh ngushtë me Sali Berishën. A ishte kjo nga frika se në Kosovë gjithçka që ka epitetin „socialist“ keqkuptohet dhe lidhet me të kaluarën komuniste apo diç ka tjetër, këtë e di vetëm Thaçi. Kosovarët as që mendojnë se luftën për çlirimin e Kosovës e bënë shtetet në të cilat në atë kohë në pushtet ishte e majta socialiste. Në Gjermani ishte Partia Socialdemokrate e Shroderit, në Britani Laburistët e Tony Blairit, ndërsa edhe në SHBA Demokratët konsiderohen si të majtë në krahasim me Republikanët edhe pse atje nuk ekziston një ndarje ideologjike sikur në Evropë. Thaçi tash është afruar me Edi Ramën. Nuk do të habiteshim sikur kjo të rezultonte me ndonjë kthesë majtas të PDK-së. Rama është mirë i lidhur me qendrën e majtë në Evropë dhe në zgjedhjet e ardhshme evropiane vitin që vjen pritet që ky grupim të rritet, ndoshta edhe të dalë si grupimi më i madh në Parlamentin Evropian. Për momentin vetëm LDK-ja pra mund të thuhet se është profilizuar si duhet dhe është integruar në strukturat evropiane. Kjo nuk është pak dhe kjo i ka sjellë Isa Mustafës, në cilësinë e shefit të LDK-së, disa takime me politikanët kryesorë evropianë, që nga Angela Merkel, Jose Manuel Barroso e deri tek presidenti i Këshillit Evropian, Herman van Rompuy. Të gjithë ata mblidhen para secilit samit të BE-së dhe në secilin takim është i ftuar edhe Isa Mustafa. Në kohën kur Kosova kërkon përshpejtim të rrugës së saj të vonuar në procesin e integrimeve evropiane integrimi në strukturat partiake evropiane do të ndihmonte në këtë drejtim po ashtu. Për ta bërë këtë ato duhet të profilizohen me program. Me orientim e jo në bazë të simpative të liderëve apo interesave momentale të biznesit.
Posted on: Fri, 15 Nov 2013 13:25:27 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015