Xhelozia -------------- petrit sulaj Kur jam xheloz unë vuaj - TopicsExpress



          

Xhelozia -------------- petrit sulaj Kur jam xheloz unë vuaj katër herë: e para pse jam i tillë, së dyti, sepse ndjehem keq që jam keshtu, së treti ngaqë ndruhem se xhelozia ime do të plagosë të tjerët dhe së fundi, se ndjehem nën zgjedhën e një gjëje banale. Me një fjalë: ndjehem i përjashtuar, agresiv, pse jo dhe i çmendur…në fund të fundit ndjehem një njeri krejt i rëndomtë. Barthe Xhelozia Kur biem në dashuri, në fillimet e saj të dashuruarit kanë besim absolut te njeri tjetri, aq e fortë është lidhja e tyre sa krejt pjesa tjetër e universit reduktohet thjesht në gjë pa rëndësi. Për pasojë xhelozia në këtë fazë nuk eksiston, dominon dashuria e cila me forcën e saj të veçantë përjashton gjithçka tjetër që nuk ka lidhje me të. Megjithatë të dashuruarit nuk mund të jetojnë gjatë në kullën e fildishtë, jeta e tyre si e gjithë njerëzve të tjerë zhvillohet në një kontekst të caktuar shoqëror. Dhe dalngadalë ndjenjën e dashurisë e shoqërojnë ndjenja e mendime të tilla, si: „ jam me fat që e njoha dhe duhet të bëj të pamundurën për të mos e lënë të më ikë. Dua ta kem vetëm për vehte dhe pikë „. Pra fillohet e mendohet njësoj si për një gjë materiale, si për makinën e sapo blerë që kemi frikë se na e vjedhin. Pikërisht në këtë moment e në vazhdim xhelozia ka hyrë në lojë: don të ketë të drejtë eskluzive mbi dashurinë. Dallohen dy qëndrime të diferencuara qartë të peshës që xhelozia ka mbi dashurinë. Njëri ka të bëjë në përqëndrimin e saj për të verifikuar se sa peshë ka njëri partner te tjetri, se sa është ai në qendër të vëmëndjes së tij. Kjo formë xhelozie, është sentiment pozitiv e i shëndetëshëm, tregon se dashuria e tyre gëzon shëndet të mirë, dhe joshja vazhdon të jetë e dyanëshme. Ndërsa qëndrimi tjetër ka të bëjë me frikën mbytëse se mos e humb partnerin. Nis një procedurë hetimi e kërkimi, veç e veç secili për llogari të vet, ose vetëm njëri nga të dy. Kjo praktikë pastaj, dalngadalë nis dhe e sposton në plan të dytë dashurinë derisa partneri xheloz ndjehet si i rënë në kurth. E kështu mosbesimi reciprok fillon e mbyt spontaneitetin që karakterizon të dashuruarit, deri sa fillon e vihet në rrezik vetë dashuria. Të mos jesh xheloz, nuk është aspak shenjë se ti je indiferent ndaj partnerit, përkundrazi është shenjë besimi të plotë. Liria e tjetrit duhet respektuar dhe në dashuri, nëse ndodh e kundërta rreziku është pranë derës: ka rrezik të humbësh gjithçka. Jeni xheloz sot? Mos u ndjeni keq, të gjithë njerëzit në një mënyrë a në një tjetër janë kështu, sepse xhelozia është një emocion, një ndjenjë natyrale, normale. Emocionin e xhelozisë duhet ta konsiderojmë si një sfidë më shumë, që evolucioni i gjatë ja ka lënë si detyrë njeriut ta provojë e të merret me të, në mënyrë që pastaj ai vetë të vendosë se çfarë rruge të marrë, rrugën drejt vlerave njerëzore apo antivlerave. Të bëhet i lirë ndaj emocioneve të tij, apo të mbetet skllav i tyre. Xhelozia është një sfidë e hapur para të gjithë njerëzve. U takon atyre çfarë të bëjnë me të: ta përjetojnë, ta kalojnë e ta lënë pas krahëve, duke u bërë kështu më të lirë, me të pavarur, apo të bëjnë të kundërtën. Fillimet e xhelozisë. Ka shumë mundësi që ndjenja e xhelozisë në fillimet e veta historike, të mos ketë qenë një ngjarje e lidhur me dashurinë mes dy njerëzish. Ajo ka mundësi të ketë qenë një hallkë, një garanci për të siguruar mbijetesën e njeriut si specie. Vetëm duke u bërë xheloz, mashkulli i lashtësisë arriti të bëhet i ndërgjegjshëm ta konsideronte gruan e vet, sidomos trupin e saj, si pronë eskluzive të tij dhe ta ruante që të mos kishte kontakte të këtij lloji me meshkujt e tjerë, për të mos rritur pastaj fëmijë që nuk ishin të tijët. Nga ana tjetër gruaja përfitonte nga xhelozia e burrit garanci për vehten e për femijët, si për të patur ushqimin e nevojshëm e ashtu dhe siguri. Kjo gjë mund të konstatohet akoma dhe sot e kësaj dite, në shoqëritë patriarkale e primitive e me një suport ekonomik të varfër. Akoma dhe sot në ditët tona në mjaft vende të pazhvilluara, xhelozia luan rol të madh në mbijetesën e grupit. Ndryshe ndodh në shoqëritë më të civilizuara, ku nuk ka probleme ekonomike e mbijetese. Kushtet e ndërvarësisë reciproke varen shumë më pak nga qëndrueshmëria e lidhjeve martesore e familjare, dhe xhelozia tashmë konsiderohet thjesht një ndjenje arkaike që pengon lirinë e ndjenjat e tjera të individit. Shenjat e para të xhelozisë, duken që në muajt e parë të jetës së njeriut. Megjithatë shenjat e qarta të këtij emocioni të veçantë, fillojnë gjatë vitit të dytë të jetës së fëmijës. Ndoshta, vuajtja e parë psikologjike për një fëmijë, është kur percepton apo i duket se percepton, se nëna e tij heq vëmendjen nga ai dhe e drejton ndaj një tjetri: vëllai, motra apo dhe një fëmijë tjetër. Fëmija xheloz, pothuajse ndryshon krejt mënyrën e të vështruarit, mënyrën e të sjellurit dhe mënyrën e të folurit. Por xhelozia e parë e vërtetë, mund të jetë kur fëmijës prindërit i sjellin në jetë një vëlla tjetër a motër. Mbi 90 përqind e fëmijëve të vëzhguar nga psikologët, kanë parë një reagim xhelozie në këto raste. Për pasojë ato marrin një qëndrim kapricioz, qëndrime eksigjente dukuri këto që lidhen me këtë ndjenjë. Xhelozia sipas Frojdit. S. Frojd babai i psikanalizës, i është kthyer e stërkthyer temës së xhelozisë. Sidoqoftë konkluzioni i tij përfundimtar për këtë çeshtje, është se rrënjët e saj marrin ushqim në kompleksin e famshëm të Edipit. Shprehur më thjeshtë ky koncept frojdjan: fëmija aty nga mosha midis katër e pesë vjeç ka tendencën të indentifikohet me prindin, seksi i të cilit i takon: femra me nënën dhe mashkulli me babanë. Ndërkohë ai bëhet xheloz ndaj prindit tjetër dhe do të donte ta kishte për vehte të gjithin. Kjo traumë e fëmijërise së herëshme, nuk harrohet lehtë, bile nuk mund të fshihet nga kujtesa, shenja që lë ajo trashëgohet në mënyrë të tillë dhe kur njeriu është në moshë madhore. Xhelozia shfaqet furishëm, sa herë njeriu ndjen apo mendon se rrezikohet të humbë dashurinë për njeriun, me të cilin është lidhur emotivisht. Pra Frojdi, me gjeninë e vet në këtë fushë, arrin të theksojë me forcë se xhelozia e të rriturit në një farë mënyre varet dhe se si ai e ka përjetuar xhelozinë e « parë » kur ka qënë fëmijë. Sa më lehtë ta ketë kaluar këtë sentiment atë kohë, aq më lehtë do ti ketë punët dhe tani i rritur me xhelozinë. Bile Frojdi shkon dhe më tutje ndërsa spjegon efektet e kompleksit « Edipian », duke argumentuar armiqësinë e individit në gjendje xhelozie. Dihet, se jo të gjithë njerëzit manifestojnë armiqësinë e agresivitetin e tyre në në të njëjtin drejtim. Ka individë që armiqësinë e tyre në gjendje xhelozie e shprehin ndaj partnerit, por ka dhe të tjerë që këtë gjë e drejtojnë ndaj rivalit. Frojdi spjegon se individët që zemrimin e armiqsinë e tyre e kanalizojnë ndaj partnerit, akoma nuk janë shëruar plotësisht nga kompleksi i Edipit, pra akoma kanë frikë nga babai dhe shpërthejnë kundra nënës, pra ndaj partneres a partnerit ndaj të cilit janë xheloz. Ndërsa të tjerët, që zemrimin e tyre e kanalizojnë drejt partnerit rival, janë më shumë të pjekur, por akoma ruajnë atavizma të këtij kompleksi. Pse jemi xhelozë? Jemi xhelozë sepse duam të jetojmë. Xhelozia nuk është një zgjedhje e bërë nga ne. Askush i pohon një tjetri, bile as vehtes : “ Une dua të jem xheloz”. Përkundrazi, tentojmë të kundërtën, të mos jemi xhelozë dhe përsëri ndjenja dhe emocionet e saj na vizitojnë jo rrallë. Emocionet e xhelozisë të vizitojnë dhe kaq. Bile është më mirë të jesh i ndërgjegjëshëm se mund të bëhesh xheloz se sa kjo ndjenjë të vijë papritur e kujtuar dhe të gjejë të papërgatitur, pa kulturën përkatëse për tu mbrojtur ndaj saj. Nëqoftëse njeriu ka minimumin e vetëdijes për xhelozinë, atëherë praktikisht kur i duhet të përballohet me këtë sentiment nuk është i turbullt. Nuk ndjehet i pafuqishëm, skllav i emocioneve që xhelozia provokon. Përkundrazi, përballë këtyre emocioneve ai vë në punë arsyen dhe arsyeja nga ana e saj na bën të shfaqim vlerat tona më të mira, sidomos dinjitetin tonë. Pra xhelozia, ky emocion i padëmshëm në vetvehte, bëhet i dëmshëm vetëm nëqoftëse nuk mirëadministrohet nga njeriu. Sa më shumë të vlerësojmë vehten, sa më shumë të kemi besim në vlerat tona, aq më shumë xhelozia na dhuron emocione fisnike. Jemi xhelozë sepse nuk jemi të përkryer. Jemi xhelozë sepse jemi njerëz. Sa më shumë të jemi xhelozë, sa më shumë probleme të kemi me këtë ndjenjë, sa më shumë të mos ndjehemi mirë kur na vizitojnë emocionet përkatëse, aq më shumë gjëra në konstruktin tonë psikosomatik nuk shkojne si duhet. Bëhemi xhelozë sepse si njerëz që jemi, duam të kemi e të zotërojmë sa më shumë gjëra, edhe pse ajo që kemi na mjafton për të qenë të lumtur. Jemi xhelozë sapo lindim dhe deri sa të vdesim. Xhelozia nuk njeh moshë, nivel shoqëror e intelektual, xhelozia është me ne, madje dhe në ëndërr. Na bën shoqëri gjithmonë xhelozia, por nëqoftëse neve kemi kulturën e nevojshme nuk ka pse të trembemi, as edhe inkoshientë nuk i lëmë fushë veprimi ajo është krejt e padëmëshme, diçka normale. Pasojat e xhelozisë Pranohet se një nga tendencat kryesore të njeriut është dhe narçizizmi. Pra si rezultat i kësaj dukurie, njeriu më parë se të dojë të tjerët don vehten e tij. Kjo veti në radhë të parë është shtresëzuar në subkoshiencë e në formë instiktive te njeriu, por jo pak herë shfaqet e merr formë të plotë dhe në koshiencë e në veprimet tona të përditëshme. Jo pak individë , sidomos femrat, rëndesinë ndaj vehtes, kujdesin dhe dashurinë për të, e shprehin duke kërkuar të provojnë emocione të tjera që nuk i gjejnë me bashkshortin. Vjen një kohë që kjo gjë bëhet e qartë në koshincën e njeriut dhe ai gjendet papritur para dilemës së „ tradhëtisë “. Xhelozia është një forcë e tmerrshme destruktive. Ajo në fillim shfaqet si mikrob fillon e infekton mendjen e njeriut, përqëndrimin e tij, perceptimin e realitetit, kujtesën, mendimin e tij e sidomos qëndrimin e tij. Një individ xheloz arrin të shkëputet si me magji nga pjesa tjetër e realitetit dhe të përqëndrohet i tëri mbi atë që drejtpërdrejt a tërthorazi ka të bëje me atë që don, me rivalët, edhe pse në shumicën e rasteve kjo gjë është vetëm në planin imagjinar. Por dhe elementet e tjerë të koshiencës njerzore si p.sh kujtesa, fillon e përqëndrohet vetëm në detaje e ngjarje që më parë as i shkonte mendja. P.sh nis e sheh veshjen e gruas, kontrollon celularin e saj, etj. Me një fjalë pjesa e ndërgjegjëshme e individit nis e pëson një ndryshim rrënjësor dhe në jo pak raste ajo, koshienca, fillon e lë detyrën kryesore për të cilën eksiston, atë të orientimit të njeriut dhe bëhet thjesht një skllave e mjeruar e emocionit të xhelozisë. Vjen një kohë dhe individi xheloz nuk njihet më. Fillon të humbë vlerat dhe të shtojë antivlerat. Emocionet normale njerzore te ai, ia lënë vendin vetëm emocioneve gri si zemrimi, vuajtja e agresiviteti ndaj vehtes e të tjerëve. Kështu fillon e mer fund pasioni, dashuria, intimiteti, dedikimi reciprok. Kur fillon stina e xhelozisë te një njeri, ka ardhur koha që ai dashurinë fillon ta rduktojë thjesht si një nevojë urgjente për të zotruar partnerin plotsisht, për ta patur nën kthetra. Ka ardhur koha që të shohim e kuptojmë se xhelozia rrjedh, buron nga pjesa më arkaike e trurit të njeriut. Por ky nuk është kufiri më ekstrem i xhelozisë njerzore. Ka jo pak raste që për faj të xhelozisë janë bërë e vazhdojnë të bëhen dhe sot e kësaj dite mjaft krime të shëmtuara. Femrat dhe meshkujt, nuk janë njësoj xhelozë. Pasojat e xhelozisë, kanë jo pak diferencë sidomos mes gjinisë. Meshkujt gjithmonë, nuk e mbajnë gjatë brenda këtë ndjenjë. Vuajtjen e tyre duan ta shpërndajnë , në kuptimin negativ të kësaj fjale. Sipas rastit ose përplasen me rivalin ose zemrimin e tyre e përplasin me partneren. Ndryshe ndodh me seksin e dobët: femrat xheloze e mbajnë brenda vehtes vuajtjen, duke i shakatuar vehtes depresion, pasiguri e pse jo dhe duke akuzuar vetëvehten Diferenca thelbësore në mes dy sekseve kur ndodhen përballë një evenimenti xhelozie, është se meshkujt i konsiderojnë të patolerueshme, sidomos raportet fizike të gruas së tyre me të tjerë meshkuj, ndërsa femrat i trondit më shumë lidhja sentimentale, dmth kur ai që ata preferojnë po ja merr zemrën një tjetër. Shumë autorë këtë diferencë e lidhin dhe e spjegojnë sidomos në planin evolutiv njerëzor. Dihet se mashkulli don që pjella e gruas të jetë detyrimisht me kromozomet e tij, ndërsa femra mendon më shumë që të mos e humbë atë që preferon, burrin e saj, për të mbijetuar kështu më lehtë në sfidën me jetën e përditëshme. D.mth. kërkon që të sigurojë devocionin total të mashkullit të saj. Pra, në një situatë tradhëtie të mundëshme, burrat vuajnë më shumë në rastin e një tradhëtie fizike të preferuarës së tyre, ndërsa femrat konsiderojnë më të rëndë përkushtimin sentimental të preferuarit të tyre ndaj një tjetre. Ka mjaft diferencë dhe në planin se si e trajtojnë të dy sekset këtë dukuri. P.sh meshkujt janë më të hapur dhe më të prirur për të diskutuar, e marrë inisisativën të parët për të gjetur një zgjidhje, për të përballuar problemin që u ka dalë. Ndërsa në planin sentimental, femrat janë më të ndjeshme ndaj sentimenteve negative që tradhëtia u imponon, si dëshpërim, depresion etj. Kështu, më shumë janë gratë se burrat që shpërthejne në qarje dhe kërkojnë ngushllim, duke ja mirëbesuar problemin e tyre dhe një të afërmi a shoqeje të ngushtë. Xhelozia nuk duhet futur në kanalin e mendimit. Xhelozia është një sentiment amalgamë, diçka në mes frikës e zemrimit, gjendje në të cilën po u hesht gjatë, mund të shpertheje siç shpërthen një përrua malor, i cili bëhet i pakontrollueshëm në rastet kur vërshon. Kur e ndjeni vehten të pushtuar nga xhelozia më mirë mos flisni me njeri, me askënd, as me shokun e mikun më të ngushtë. Kur të zapton dallga e xhelozisë, pranojeni atë ashtu si të vjen, e ndërkohë përqëndrohuni në sentimentet që provoni, në dhëmbjen që ajo u jep me bollëk, lëreni vehten plotësisht në pushtetin e saj. Sa më shumë të jemi të dashuruar me partnerin, aq më shumë pasioni e vë poshtë unin njerëzor, aq sa shpesh herë njeriu bëhet objekt e subjekt i xhelozisë. Sa herë të përpiqemi ta luftojmë xhelozinë duke arsyetuar, nuk kemi bërë gjë tjetër veçse të kundërtën e saj, thjesht po sforcohemi kot, pa patur asgjë në vijë. Përkundrazi nëse e lëmë ndjenjën e xhelozisë të na fusë në dallgët e saj, dhe vemendjen tonë e përqëndrojmë vetëm në atë çfarë ndjejmë e provojmë vetëm si ndjenjë, do të shohim se pas pak, si të bëjë qejf me neve xhelozia, ashtu si largohet një dallgë deti dhe ajo do të largohet duke na lënë vetvetiu. Sa më shumë njeriu të jetë i orientuar drejt sensit të arsyetimit e mendimit, sa më shumë ta rrekë vehten, rreth shkaqeve e pasojave të xhelozisë, pra sa më shumë ta orientojë mendimin e tij drejt kontrollimit të dashurisë aq më e madhe do të jetë ndjenja e xhelozisë që ai do provojë. Xhelozia retrospektive, sipas Marcel Proust A ka gjë më të tmerrshme se një pus ankthi i thellë, aq i thellë sa nuk i shihet fundi, krejt i errët, saqë po re brenda nuk ka asnjë mundësi për të dalë që andej? Pikërisht një ferr i tillë është xhelozia; e sidomos kur bëhet fjalë për formën e veçantë të xhelozisë, që mund ta quajmë: xhelozi në retrospektivë. Mendimi që njeriu me të cilin ne jemi dashuruar, ka patur një të kaluar personale, në të cilën të tjerë dhe jo ne ishim pjesmarrës në të, që ai dikur ka pas dashur të tjerë njerëz; që ai ka arritur në ekstazë në krahët e dikuj tjetër, e që kjo gjë nuk mund të modifikohet më, bëhet tmerr i vërtetë. Pikërisht kjo gjë atë e bën xheloz të përjetëshëm në dimensionin kohor, në historinë e tij: gjithë kjo e bën të shkallojë çmendurie nga ankthi, njeriun xheloz, e bën ta përshkojnë drithma zemrimi të pafuqishme, i provokon valë shqetësimesh që nuk i qetësohen kurrë, e kthejnë në një shkretirë që është dënuar të mos bjerë shi kurrë. Xhelozia retrospektive është forma më ekstreme e këtij sentimenti: një gjendje pa qetësi e pa rrugë dalje, pa shpresë e pa asnjë zgjidhje në të ardhmen. Të bëhësh xheloz për të shkuarën e tjetrit, don të thotë të lidhesh me zinxhirë jo vetëm vehten por dhe tjetrin, në hijen e një dimensioni që nuk ke asnjë mundësi të veprosh e të kthehesh pas për të rregulluar gjë. Lere pastaj kur mendon se, a thua që kjo gjë që ka ndodhur dikur, vazhdon akoma të jetë prezente te tjetri akoma dhe sot e kësaj dite? Kur dyshimi arrin në këtë pikë, gjendja bëhet torturuese për xhelozin, sepse edhe se e shkuara e tij tashmë është gjë e kaluar, ajo nuk mund të fshihet nga kujtesa, përkundrazi arrin të mbijetojë në kujtimet, e pse jo të jetohet me një besnikëri të tillë sa arrin të bëhet një e tashmë tepër aktuale. Xhelozi vështron fytyrën e personit me të cilën është dashuruar dhe i duket sikur dallon mungesë vëmendje ndaj tij në vështrim; i ngjan sikur sytë e tij vështrojnë gjetkë, e që zemra e tij është në zemrën e atij tjetrit i cili, ngaqë e ka pas sunduar në një kohë të caktuar, ka akoma aftësi misterioze që ta mbajë nën pushtetin e tij, diku thellësive të shpirtit, nga e cila është e pamundur të dëbohet. Kush do të ishte ai njeri që të bëntë luftë me një fantazëm të tillë? Xhelozi arrin e bindet që kjo gjë është e pamundur, ndërsa doza e hidhërimit, mosbesimit, mëllefit e dëshpërimit vetëm sa i shtohet nga dita në ditë. Ashtu si vazon e Pandorës kur e kthejmë përmbys, ndjenjat më negative të natyrës njerzore shpërthejnë vrullshëm nga brendësia e shpirtit të xhelozit retrospektiv, mjafton që vetëm njëherë xhelozia ta ketë vënë poshtë, dhe për një çast të vëtëm, jo më shumë. Që nga ky moment, çdo veprim, çdo fjalë, çdo vështrim e madje dhe heshtjet e njeriut me të cilin është dashuruar, interpretohen nga xhelozi si konfirmim i i pabesnikërisë së tij të shkuar e të tashmes, madje as më pak e as më shumë, por provë e qartë e fajit te tij. Xhelozia një histori e pafund, ndër shekuj. Duke filluar nga mitet e lashtësisë e deri më sot, arti e letërsia tregojnë histori të pafundëme xhelozie e hakmarrje për dashuri. Një nga xhelozët më të mëdhenj të historisë së artit është padyshim Otello. Otello portretizohet nga W. Shekspir me mjeshtri, jo vetëm si një xheloz i tërbuar ndaj Dezdemonës por dhe si një fanatik i sedrës së tij të sëmurë. Tradhëtia vë përballë njeri tjetrit, Otellon me Jagon. Otello nis e shqetsohet kur mendon se tradhëtia e Dezdemonës po e transformon në një njeri me nder të humbur, ndërsa vlon nga krenaria e tepërt që ka për vehten. Pikërisht tradhëtia e nderi i nëpërkëmbur, është binomi tipik që historia na ka sjellë deri në ditët tona, e madje akoma reziston me sukses në shumë shoqëri me kulturë akoma arkaike. Si duket Shekspiri e njihte mire ndjenjën e xhelozisë, aq sa me Otellon ka krijuar klasikun e mashkullit xheloz. Fraza e tij kur portretizon Otellon, është fjalë lapidar: „ një përbindësh me sy të gjelbërt që përqesh dhe gjellën me të cilën ushqehet “. Megjithatë, xhelozia nuk është vetëm një problem eskluziv i meshkujve. Mjafton të kujtojmë figurën e Fedras, për të risjellë në mendje xhelozinë alla femërore. Ajo pershkruhet si një grua që dashuron me krejt forcën e shpirtit të saj, në mënyrë të tillë sa pranon më mirë të heqë dorë nga jeta e saj se sa nga i dashuri Ka xhelozi e xhelozi… Pse vazhdoi të pres më? Pse po pres?! Sa keq qenka, kur pret njeriun që don më shumë se vehten tënde. Ndërkohë, betohem se po kalova me sukses këtë pritje, do të bëj gjënë më me mend që kam bërë ndonjëherë: do të filloj të mësoj artin e të priturit, duke pritur vetëm e vetëm vehten time. Kur të arrij të përvehtësoj këtë gjë, nuk ka nevojë më të pres askënd. Po hajde e mësoje këtë gjë, më shpejt mësohet arti i të shkruarit romane se arti për të pritur vehten tënde. Ai është duke bërë qejf në shtëpinë e tij, ndryshe do kishte ardhur me kohë; e unë pres këtu si teveqele në shtëpinë time. Ja pikërisht tani, ndërsa unë po torturoj vehten, ai po hap derën, pasi ka dëgjuar trokitjen e shumëpritur. E unë, unë si një torollake pres këtu zhurmën që bën çelsi kur futet në bravën e derës time. Për më tepër, tani më vjen dhe inat dhe me vehten: përse ja kam dhënë atij një kopje të çelsit të derës së jashtëme? Bluaj këto mendime dhe sillem si marrë vërdallë shtëpisë, derisa vij e ngulem në cepin e koridorit, pranë derës së hyrjes. Nuk di ç’ të bëj me duart, me këmbët, me mendjen, me sytë; vetëm veshët i kam përqëndruar atje ku kam shpëtimin: në kapjen e tingullit që bën çelësi kur futet në bravë. Unë jam këtu e kruspullosur, ndërsa ai në shtëpinë e tij. Ja, ai po rrotullon çelsin e derës së tij dhe sa e hap, në krahë bie një femër me flokë shpupurisur si një re e eksituar. Ai mezi e mban dhe ndërsa ajo bën me gjoksin e fytyrën e tij atë që më takon të bëja unë, marrosem krejt. Për herë të parë kuptoj se kur sheh me sytë e fantazisë, një gjë që nuk të pëlqen as edhe ta mendosh kurrë, e humb fillin si njeri. Asgjë më bindet më, dhe mendimi më i fundit fluturon per llogari te vet, si një zog që braktis folenë pa përshëndetur askënd, as edhe nënën e tij. Mos jam xheloze, sot unë?! Nuk kam qënë kështu kurrë! Nuk mund të lëviz, e gjej vehten gjithëmonë mbështetur në cepin e koridorit në hyrje dhe shoh se sytë i kam fiksuar në një pikë në tavan. I mbyll me shpresë se kjo që po shoh është per faj të tyre, një imazh i gabuar.. O zot, sa mbyll sytë, skena më bëhet më e qartë. Flokverdha, o zot ta vras nuk më vjen keq, është akoma në krahët e të dashurit tim. Nuk dua të shoh më, po kush më ndihmon? Sekondat e mbrëmbjes pikojnë një dhimbje të paprovuar deri më sot, siç pikojnë ujin e tepërt rrobat e saponxjerra nga larja e varur ne tel. Sekondat e asaj mbrëmbje i kisha mbi kokë, duke pikuar pikë pikë, sigurisht po ma bënin kokën vrima vrima. Ndërsa minutat më duken gurë që dikush mi flak në zverk. Nuk është se më vrasin, jo thjesht më rëndojnë një peshë të paprovuar më parë kurrë. Ja, tashmë të dy, të përqafuar e ngjitur me njeri tjetrin, po hyjnë në dhomën e gjumit, ndërsa puthen e pesha e leshverdhës është krejt në krahët e tij. I shoh tek ndihmojnë njeri tjetrin për të hequr rrobat. Nuk e kanë mendjen aspak ku i hedhin dhe të betohem jam aq keq, aq e mjeruar jam sa filloj e urrej dhe dyshemenë mbi të cilën dergjen rrobat e tyre, se pse dhe ajo bëhet pjesë e kësaj marrëzie. Dua të mos jem më. Dua të filloj e të zhbëhem, në fillim copa copa, pastaj thërrime thërrime dhe në fund fare thjesht pluhur. Pikërisht kur isha në mes gjendjes thërrime e pluhur, një fëshfëritje e veçantë, patjetër shpirti i mirë i natës troket me delikatesë në dritaren përballë meje. Mjafton kjo fëshfëritje që të më sjellë në vehte. Pastaj nga jashtë veshi më kap hapa dhe o zot i madh, tingullin që bën çelsi kur futet në bravë. Filloj të ngrihem. Ajri nuk më pengon, nuk peshonte më plumb. Gurët në zverk nuk i ndjej. Pastaj një zukamë lehtësimi, pastaj nje fllad i lehtë me përkëdhel gushën. Kuptoj që po frymëmarr, ndërsa fytyrën e ndjej të lagësht. Janë lot gëzimi. Trupi më rrëqethet. Zemra tashmë ka marrë inisiativën dhe krejt qënien timë e ka transformuar në një ritëm të dalldisur. Ndërkohë dera hapet dhe unë e gjej vehten në krahët e tij. petrit sulaj shkeputur nga libri " PLANETI I EMOCIONEVE "
Posted on: Wed, 18 Sep 2013 09:16:57 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015