petrit sulaj ------ ALIBIA tregim Më në fund unë kam nje - TopicsExpress



          

petrit sulaj ------ ALIBIA tregim Më në fund unë kam nje alibi. Një alibi për vehten, për të tjerët si unë, një alibi per vendin tim; për të gjallët dhe të vdekurit, bile, jam i sigurtë që alibia ime do të jetë tepër efektive dhe për gjithë ato që akoma nuk kanë lindur, e që një ditë a një tjetër do të gjenden nën këtë copë qiell, i cili kur nuk nuk lundrojnë poshtë tij retë, gjithmonë është i kaltërt. Kohët e fundit, si e mora ca vehten nga tronditja më e madhe e jetës time; pse jo, ndjehem dhe i lumtur, që përveç lamtumirës, lë në këtë botë dhe alibinë time. Une, të them të drejtën dhe tani, nuk është se kam një ide të plotë rreth alibisë time. E imja, është një alibi që askuj tjetër veç meje, i bëhej e dukëshme e konceptueshme dhe e pandryshueshme. Duke qënë kështu edhe pse e dija mirë fare, se nuk do të mund ta paraqitja para asnjë trupi gjykues, që mund të më gjykonte dhe në mungesë, unë njësoj,nuk bëj me faj për këtë aspak, mendjen time. Nga ana tjetër, nuk e di në se thelbi i alibisë time eshtë zbulim a thjesht konstatim; nuk e di në se ajo është një gjë negative a pozitive, e për më tepër jam krejt i mjegullt, nëse alibia ime do merret në konsideratë apo do flaket nga ndergjegje të tjera, që mund të jenë në gjumë a më keq, akoma fshehur në univers. Alibitë, me sa kam kuptuar unë, shumë shumë janë larje duarsh personale me diçka a dikë, që nuk don të ja shohësh surratin, dhe kur vjen puna për të diskutuar alibi me vlera unisversale, këtu më duhet të mbledh mendjen e të ngushtoj ca rrathë, ngaqë kjo gjë don shumë më shumë mend e kalem se sa kam unë. Tashmë, është koha te filloj e të zbuloj, detajet e alibisë time, e cila ka te bejë kryekëput, me fqinjët e vendit tim. Me keqardhje konstatoj se vendi im nuk është i njohur. Hiç i njohur. Enciklopeditë e zakoneshme nuk shkruajnë për të as edhe një rrjesht, nuk e përmendin dhe si nocion gjeografik. Enciklopeditë më të kompletuara diçka shkruajnë, ndërsa vetëm njëra shkruan gjërë e gjatë. Enciklopedia në fjalë, nje enciklopedi e veçantë kjo, jo vetëm informon por dhe rekomandon e këshillon për temat, subjektet e gjërat që merr në shqyrtim. Bile raporti informacion rekomandim në këtë enciklopedi, është tmerrsisht në favor të këtij të fundit. Sidomos kur ishte fjala për vendin tim, këto gjëra merrnin kuptimin e urdhërave të prerë. Rekomandime të tilla si: " Nëse vendosni të vizitoni vendin në fjalë – flitej për vendin tim - merreni seriozisht këtë punë, më parë duhet të bëni një kurs guide, për të udhëtuar me gomerë e kuaj pa shalë e samar." Apo: " Nëse insistoni të vizitoni vendin në fjalë, mbani parasyshë se duhet të hiqni dorë nga mënyra e të ushqyerit normal që keni bërë në vendet tuaja ". Me rekomandime e këshilla të tilla, enciklopedia ishte plot e përplot. Ndër informacionet e tjera, binin në sy sidomos të tilla si : " në atë vend nuk ka institucione, nuk ka qeveri, parlament, presidencë, gjykata e më the e të thashë. Institucioni i vetëm aty është njeriu. Një njeri që nuk mund të imagjinohet, e klasifikohet." Ndërkohë, enciklopedia spjegonte gjërë e gjatë se njerëzit e atij vendi - pra të vendit tim - nuk bënin asgje. Fare, gjë prej gjëje. Nuk punonin, nuk gatuanin, ushqimin e merrnin direkt ku prodhohej, domethënë drithi konsumohej pa u bluar e përpunuar, mishi pa kaluar në dorë te kasapit, uji pihej direkt nga burimi. Dhe në fund fare, si për ti vënë kapakun, informacioni mbyllej duke shkruar se: " Është populli që ka natalitetin më te larte në rruzull, dhe se po të jetonin vetëm dhjetë përqind e atyre që lindin, pjesa tjetër e botës do të ishte në rrezik invazioni." Botimi i kësaj enciclopedie - tepër e vemendëshme ndaj vendit tim - si duket, në vend që të vinte fre, bëri të kundërtën te banorët e vendeve fqinje. Të huajtë, u bënë kureshtarë me shumë se sa mendonin hartuesit e asaj enciclopedie, që jepte lajme të tilla. Dhe papritur e pakujtuar, nisën të vijnë vizitorët e parë. Më kujtohet mirë, të parët fare, kishin qenë burra. Përshtypja e parë që më bënë, ishte trupi i tyre delikat dhe sidomos fytyrat dyllë të zbehta, sikur të mos kishin parë diell me sy gjithë jetën e tyre.Por kjo gjë kaloi në plan të dytë, kur msova më tej për to. Ato dy meshkuj ishin martuar e divorcuar me femra, nuk e di, sa e sa herë. Rimartoheshin, dhe ditën tjetër gjendeshin përsëri të ndarë. Më në fund kishin kuptuar se martesa me gra nuk kishte kuptim, dhe kështu ishin martuar me njëri tjetrin. Muajin e mjaltit martuar me njëri tjetrin, kishin vendosur ta bënin në vendin tim. Kështu erdhën, ndenjën, bënë çfarë mund të bënin dhe në fund shkuan nga kishin ardhur. Për ne, qe surprizë e madhe vizita e tyre dhe nuk iu ndamë prapa për sa kohë qëndruan dhe kur u larguan na erdhi keq. Gjithë muajin ishim në dispozicion të tyre. Hanim kur kishin oreks ato, pinim po kur kishin etje ato, hipnim mbi gomerë e kuaj, sa herë kishin qejf ato. Bile, bile dhe dashuri bënim, vetëm kur shihnim ato të dy të bënin të njejtën gjë. Burrat ishin krejt ndryshe nga ne, aq shumë ndryshonin sa njiheshin mes nesh, si delet mes dhive, por ndërsa nga pamja e jashtëme dielli i vendit tim ndikoi pak ti afronte me ne, mentaliteti i tyre ishte ku e ku me tonin. Nuk mund të rri pa treguar për një këmbëngulje tyren, e cila mua më bëri përshtypje me shumë se gjithëçka tjetër. Bënin ç’ bënin, shkonin nga shkonin dhe gjithmonë kërkonin nga ne, tu tregonim se si quheshim. Ne nuk kishim çfarë tu thonim në këtë drejtim, se nuk kemi menduar akoma të zëvëndsojmë vehten tonë me një fjalë që ato e quanin emër, por ato këmbëngulnin, duke thënë se ishte e pamundur që njeriu të mos këtë një emër, e kështu insistonin e insistonin pa fund. Gjithë muajin bënë kështu e ashtu, dhe në fakt diçka arritën. Morën jo pak rreze nga dielli ynë, si dhe mjaft nga zakonet tona, e gjithashtu mësuan se në botë eksitojnë dhe njerëz pa emër, të cilëve nuk u bëhet vonë aspak se u mungon kjo gjë. Unë, aq sa u gëzova për to nga fakti që fytyrat e tyre për një muaj që ndenjën mes nesh nga limon i pjekur, u kthyen në një gështenjë sa del jashtë iriqit të saj, aq ndenja indiferent, që nuk kuptuan se neve nuk na bëhej vonë se ishim njerëz pa emër. Kjo punë e tyre - akoma më pak se mua - të tjerëve, fqinjëve të mij, as u hyri në njërin e as u doli në tjetrin vesh. Neve nuk na hynin në punë, emra e gjëra të tilla formale të pakuptimta. Ishim të lirë, të pavarur nga njeri tjetri, dhe të varur vetëm nga burimet me të cilat ushqeheshim. E duke qenë se burimet me të cilat ushqeheshim nuk dinin të flisnin, nuk kishte kush na thirrte, kritikonte, këshillonte e më the të thashë. Pasi ikën çifti homoseksual, ( me sa kuptova unë homoseksualiteti i tyre nuk ishte zgjedhje, por thjesht pasojë), ditën tjetër, erdhën dy gra. Dy gra te bukura. Ishin aq të bukura ato dy femra, sa unë nuk kisha parë akoma bukuri të tillë në jetën time. Ishin shumë, shumë më të bukura se gratë tona. Nuk mund të bëj krahasime mes tyre e femrave tona, sepse të tilla nuk mund të bëheshin. Ishin vërtetë kaq të bukura, sa menjëherë më grabitën sa hap e mbyll sytë, krejt vemendjen. Nuk tregoj aspak një genjeshtër po të them, se bukuria e atyre femrave, sa herë takohesha me ta, më bënte të merrja frymë me vështërsi. Kur një ditë, une u tregova se si ndjehesha kur isha në kontakt me ta, njëra nga femrat, pas një buzëqeshje që ma mori mendjen më keq - ajo më madhja - më tha: " Besoj se ne nuk jemi kështu kaq te bukura si thua ti... e vërtetë është një gjë tjetër, je ti që ke një shpirt të veçantë, nje shpirt kaq të gjallë, i cili mrekullisht gjendet aq bukur e aq mirë në trupin e në mendjen tënde..." Atë ditë nuk i kushtova vëmendje fjalëve të saj, jo se nuk më pëlqyen por se mendja ime fluturonte te ato dy burrat që sa ishin larguar këndej. Si nuk ishin martuar ato kaqola, secili me njërën nga këto të dyja, sigurisht qe do kishin shkuar shumë mirë. Por kur mora vesh se dhe dy gratë ardhacake, ishim martuar e divorcuar, rimartuar e rindarë sa e sa herë me meshkuj dhe kur kishin kuptuar se me burrat nuk ishte gjë, kishin gjetur njëra tjetrën, nisen të më hyjnë drithmat. Në atë vend nga kishin ardhur këto vizitore, jo diçka, por shumëçka nuk shkonte si duhej të shkonte. Ndërkohë dhe dy femrat u kënaqën pa masë, gjithëashtu në shoqërinë tonë. Por dhe ne, e sidomos fëmijët tanë u bënë me fletë. Bisht pas atyre fëmijët, gjithë ditën e ditës deri sa i rrëzonte gjumi. Por dhe dy gratë i kishin qejf fëmijët tanë. Të vegjlit fare i merrnin në krahë, ndërsa camërdhokët përdore. Unë dhe po çuditesha me këto sjellje të tyre, bile dhe ca zili filloi të lëvrijë brenda meje, për këtë trajtim të veçantë që po u bënin fëmijëve tanë. Ne i konsideronim fëmijët, njësoj, njerëz me status si ne. Fëmijët kishin standardet tona: nuk shkonin në shkollë, nuk punonin, nuk mendonin, thjesht jetonin si ne. Më kujtohet se dy gratë, në fillim patën ca probleme me të ngrënët te ne, por pastaj ditën e dytë e sidomos më vonë, dalngadalë erdhën e u mësuan. Kur takonin rrugës një goricë, ndaleshin, mblidhnin frutat e bëra dhe i hanin tërë shije. Kur kapnin një lepur, ndaleshin dhe fillonin ta ripnin. Hiqnin një copë lëkurë me thonj, dhe rëmonin mishin e njomë. Ca leksione në këto gjëra ua dhanë dhe fëmijët tanë, gjithmonë bisht mbas tyre. Në kohën kur dy gratë po perfeksionoheshin - bile kur ishin vertetë berë gati si ne - krisën e ikën. Nuk e di përse ikën pa thënë gjë, ashtu si erdhën, bile pati dhe llafe tip "se i kishte provokuar njëri nga vendi, që për gratë kishte dobësi të veçantë e që ne e e mbanim në vëzhgim". Bile tezën e mora në konsideratë dhe menjëherë shkova të marr dhe informacione te ai. Por për fat teza doli false, qefliu nuk dinte fare se te ne kishin ardhur e shkuar gra të huaja. Sapo ikën dy femrat e bukura, vizitorët nga vendet fqinje nisën te shtoheshin përditë e më shumë dhe se më duhet te saktësoj, se nëe gjë që nuk ndryshoi fare. Duke filluar nga çifti i parë e deri te ai me i fundit, vizitorët ardhacakë vinin gjithëmone burrat veç e gratë veç. Kjo gje në fakt duhet te na çudiste që në krye te herës, por duke qenë se njeriu më pare se të provokohet nga ndjenja e çudisë, duhet të jetë i aftë të mendojë e te analizojë ç përbën në vetvehte çudia, aftësi kjo që neve na mungonte kryekëput. Është momenti të them - sigurisht për ato që se kanë marrë me mend akoma - se ne, pra njerzit e vendit tim, nuk mendonim e nuk analizonim asnjëherë. Ishte gjë e trashëguar kjo, brez pas brezi kështu, thjesht sepse të menduarit nuk na hynte në punë. Neve jetonim për mrekulli kështu si ishim gatuar dhe kjo mjaftonte e tepronte. Në vitet e para sidomos, por dhe në dy dekadat që ndoqën, vizitat e fqinjëve u bënë intensive. Vinin e shkonin çiftet si të ishin në shtëpinë e tyre, sepse ne, edhe se të tjerit na konsideronin ashtu si na konsideronin, ishim vërtetë njerëz të lirë. Nuk kishim vënë kufij me të tjerët, nuk kishim policë për ti ruajtur ato që të mos hynin te ne. Ne ishim të lirë si zogjtë që nuk pengojnë ardhjen e shkuarjen e zogjëve të tjerë migratorë, atje ku duan e ku gjenden më mirë. Ndërkohë me kalimin e dekadave vizitorët sa vinin e rralloheshin. Vizitat e tyre ishin gjithëmonë njësoj: vizitorët vinin të ndarë në baze të sekseve, burrat veç e gratë veç. Dikur kur unë kisha marrë goxha moshë mbi supe, një barrë me thinja e një shpat mali me brazda rruadhash, nisi të më brejë një kuriozitet i keq, që kishte te bënte me vizitorët ardhacakë. Një çifti burrash që kishin ardhur në vendin tim disa herë, e për të cilët kisha goxha muhabet e simpati për to, një ditë u bëra një pyetje krejt të pafajshme. I pyeta se përse kur vinin te ne, nuk mernin dhe fëmijët e tyre me vehte. Dy burrat shtangën. Vështronin njëri tjetrin dhe nuk ishte e vështirë të kuptoje, se pyetja ime po i sëkëlldiste keq. Dy burrat vonuan të më përgjigjen. Vështronin njeri tjetrin dhe kuptova, se ndërsa vështroheshin kështu me ngulm reciprokisht, shikimi i njërit i lutej tjetrit që të përgjigjej ai në vend të tij. Nuk e di sa qendruan kështu, duke vështruar njëri tjetrin në sy, dy burrat. Dikur, si të zënë në faj e sipër, u përgjigjën pothuaj njëherësh: " Në vendin tonë janë mbaruar fëmijët, të fundit kemi qenë ne. Fëmijët tanë tashmë janë rritur të gjithë e madje po plaken..." Peërgjigja e tyre, aty për aty nuk më bëri përshtypje. Një përgjigje normale dhe kaq. Por ditën tjetër, pa pranine e askujt, u riktheva te pyetja ime dhe përgjigja e dy vizitorëve. Hera e parë që më ndodhte në jetë.Për herë të parë, kuptova se po bija në një grackë të tmerrëshme. Po filloja të mendoja, a më saktë të reflektoja dhe para vehtes, pashë një perspektivë të përçudëshme. Hera e parë që po më ndodhte të kërkoj te dija diçka. Aty kuptova se procesi i të menduarit ishte gjë e tmerrëshme...Nëse fillon të mendosh, duhet të parapërgatitesh për të përballuar nje shkaterrim të sigurtë të sigurisë tënde, sepse mendimi shkonte më tej se predha e armës më të sofistikuar. Unë fillova të reflektoja kështu rreth historisë së vizitorëve, dhe ndërkohë, sa më shumë thellohesha në pohimin e tyre, aq më tepër ndaja objektin nga subjekti, dhe dalngadalë të unë erdhi e u krijua një ide e tmerrëshme. Një javë rrjesht u mora me pyetjen time e përgjigjen e vizitorëve. Vetëm pastaj bëra një konkluzion, dhe këtë gjë e mbajta me xhelozi vetëm për vehte. Një ditë tjetër të njetën pyetje, ua bëra dhe një çifti grashë, të cilat ishin në fundin e vizitës së tyre në vendin tim. Nuk e ëera pyetjen kot më kot, jo aspak, në kohën kur mendoja këtë gjë, isha jo pak i trishtuar. Pata shpresë, se dy gratë në një mënyrë a në një tjetër, do përgënjeshtronin informacionin që më kishin dhënë vizitorët meshkuj. Gratë në fakt reaguan ndryshe. Interesimi im, nuk bëri te ata përshtypjen që kishte provokuar te burrat. Nuk e ndërprenë kënaqësinë që po provonin ato çaste, dhe vetëm pasi u liruan nga çfarë po shijonin, më thanë që të jua bëja dhe njëherë pyetjen. Më ngeli ca qejfi kur më trajtuan kështu dhe në fakt desha të largohesha kur pashë se as që donin të ja dinin per interesimin tim, por kur insistuan, për edukatë, ua thashë dhe njëherë pyetjen. Njëra nga gratë vetëm buzëqeshi, ndërsa shoqja e saj duke vështruar nga tjetra si për të marrë miratimin e saj, më tha shkurt: " Në vendin tonë, gratë nuk bëjnë më fëmijë". Tashmë për mua kishin ardhur ditë të këqija. Mallkova vehten që fati më kishte futur në këtë qerthull, i cili po më tërhiqte gjithëmonë e më shumë drejt vetmisë. Askush mund të më ndihmonte. Fati im, tashmë kishte marrë drejtim të pakthyeshëm. Isha bërë peng i mendimit tim dhe vetëm vuaja. Nuk mund të bëja asgjë tjetër, u liga, u bëra kockë e lëkurë dhe gjendja ime ra në sy të fqinjëve. E pashë që po u vinte keq për mua dhe një ditë u mundova ti qetsoj fqinjët e mij, duke u spjeguar arësyen e tretjes time. Fillova tu tregoj gjithëçka dija rreth vizitorëve, të cilët ndërsa shkonin e vinin papushim, gjithmonë e më shumë vetëm sa rralloheshin. Fqinjët e mi po më dëgjonin jo pa vëmendje, por e kuptoja mire fare se asgjë nuk kuptonin, nga ajo ç’ po u tregoja. Nuk insistova më gjatë, dhe ato një nga një nisën të largoheshin. Bënin ca çape para dhe herë pas here, ktheheshin e më hidhnin një vështrim pjerrtas. Unë, me sa duket i kisha zhgënjyer, bile shumë. Vështrimi i tyre në këtë mënyrë, më dha dorën e fundit për të kuptuar se sa shumë kisha ndryshuar unë në raport me fqinjët e mi. Lum si ato, lum si fqinjët e mij që vazhdonin jetën e tyre njësoj, si ditën që sa ishte mbyllur, si një vit më parë, si përherë brez pas brezi. Ato nuk kishin kuptuar, çfarë kisha kuptuar unë. Nuk e di a ishte mirë a keq kjo gjë. Nuk e di dhe tani që jam duke vdekur. Në vendin tim jeta vazhdonte. Banorët e tij lindnin, rriteshin, nuk shkonin në shkollë, martoheshin pa ceremoni, nuk punonin, bënin fëmije, pinin ujë burimi dhe rrugët e gjata, i bënin në kuaj e gomerë pa shalë e samar. Në vendin tim kishte ndryshuar vetëm një gjë: nuk vinin më vizitorë nga vendet e tjera. Asnjë për be, kishte muaj tashmë që asnjë nuk dukej. Të tjerëve nuk po u bënte fare përshtypje kjo gjë, vetëm mua po. Dhe kjo gjë thjesht, se unë dija arësyen se pse mungonin ato. Dhe se tashmë unë isha njeri me alibi, nuk mund të bëhesha profet në vendin tim, sepse për tu bërë profet në vendin tënd, duhet të jesh i huaj, ndërsa në vendet e huaja ishte e pamundur kjo gjë, thjesht se andej nuk kishte më besimtarë. petrit sulaj 12.2.2001 marre nga " Nje cigan ka humbur udhen"
Posted on: Mon, 19 Aug 2013 06:43:55 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015