Është në nderin tuaj të jepni dorëheqjen zoti Tahiri Engjell - TopicsExpress



          

Është në nderin tuaj të jepni dorëheqjen zoti Tahiri Engjell Musai Plumbi që goditi dje paradite gjimnazistin, njëkohësisht i preu fjalën në grykë të gjithë baballarëve, ndërkohë që, nënave, në vend të fjalëve u dilnin vetëm rënkime. Dhe të gjitha motrat mbështetën kokën në supet e vëllezërve të tyre dhe duke i mbuluar me lot, thanë: O zot, i madh, çfarë kemi bërë ne shqiptarët që po na dënon kështu? Sepse prej lajmeve të tilla, mund të pëlcasë edhe zemra prej çeliku, e jo më ndjeshmëria njerëzore. Dje, në qytetin e Durrësit në ambientet e arsimit dhe në vendin e dijes, urtësisë dhe mençurisë është vrarë nga plumbat e kallashnikovit një nxënës, prindërit, e të cilit e kishin nisur në shkollë për ta bërë një specialist dhe profesionist të zotin. Por ëndrra e tij u ndërpre nga një veprim i pafalshëm dhe kriminal i bashkëmoshatarit të vet. Dhe kjo ngjarje nuk ka asnjë dyshim që mbetet më e rënda në historinë e arsimit shqiptar, pasi u vra një fëmijë, problemet e moshës, së të cilëve mund dhe duhet të ishin parandaluar në kohën e duhur. Kishim dëgjuar që janë helmuar mësues të periudhës së Rilindjes, të vriteshin mësues menjëherë pas çlirimit apo edhe në kohën e tranzicionit, por ky rast është dhe do të mbetet më i pazakontë dhe më skandalozi. Madje, kur mendon që këto ngjarje nuk ndodhën as edhe në vitet e vështira të 1997-s, por ndodhin pikërisht tani, kur Bashkimi Europian i ka vënë si kriter qeverisë shqiptare, forcimin e rendit dhe luftën kundër krimit kjo të tmerron edhe më shumë. Po si mund të quhesh i suksesshëm në luftën kundër krimit kur një i mitur me “Kallashnikov” ,hynë në shkollë i armatosur dhe roja që paguhet për këtë qëllim si dhe punonjësit e policisë që mbikëqyrin zonën nuk janë në vendin e duhur për të kryer pikërisht misionin që i jep ligji dhe që është parandalimi i ngjarjeve të jashtëzakonshme dhe krimi kundër njeriut. E pra, shteti përsëri dështoi. Dhe ku? Në zëmrën e Shqipërisë, 30 km larg nga zyra e ngrohtë e ministres së Arsimit Nikolli apo kolltuku i ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Kur mendon se ngjarjet nga më tronditëse po pasojnë njëra- tjetrën sikurse është qëndrimi i turpshëm ndaj Lazaratit, tonelata të tëra me drogë që kapen brenda dhe jashtë vendit, përgjakjet e rrugëve kombëtare, arratisjet spektakolare nga burgjet,vrasjet e shumta në çdo cep të vendit, grabitjet e pronës dhe banesave, vdekjet tronditëse nga minierat e mbyllura dhe me roje etj.. etj., tregojnë se performanca dhe flokët me xhel nuk mund të mbulojnë dhe të fshehin plagët e mavijosura që kanë mbërthyer Policinë e Shtetit dhe të gjitha këto nga emërimet nepotike dhe familjare të ministrit Tahiri. Çfarë duhet të ndodhë më tepër se sa ngjarja e sotme që ministri të japë dorëheqjen pasi vetë kishte deklaruar kohë më parë se policia do të marrë nën ruajtje sigurinë e shkollave? Është në nderin e tij ta bëjë një sahat dhe më parë dorëheqjen, pasi të tjera ngjarje do ta pasojnë. Kjo jo për dëshirë dhe profeci, por për vetë faktin se krimi ka ndërruar ortakë dhe ata që deri dje bashkëpunonin me një pjesë të trafikantëve dhe kriminelëve kanë ikur dhe të tjerë drejtues të punësuar dhe dënuar për trafiqe droge janë punësuar në administratën e re. A ka fakte? Më i freskëti është shou me lojërat e fatit, ku të gjitha janë hapur madje, janë futur edhe qindra makineta të reja. Saimir Tahiri, përgjegjës për prishjen e vendit të ngjarjes Dje pamë çiftin Tahiri –Nikolli që vajtën serbes në vendngjarje duke kapërcyer shiritat e policisë të vendosura në vendin, ku ndodhi tragjedia. Sikur të mos mjaftonte kjo u futën edhe brenda, ku u qëllua me kallashnikovë. Po kujt i morën leje këta dy zotërinj dhe ku e gjejnë kurajon të nëpërkëmbin ligjin I cili sipas Kodit të Procedurës Penale ja jep të drejtën Prokurorit të përcaktojë grupin mbikëqyrës që do merret me ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe kufomës. Po Ju mor zotërinj ministra, ku ju çon mushka që vini e kapërceni serbes shiritat e policisë a thua se po futeni në ndonjë PUB apo lokal nate. Nëse në një nga vendet e BE-së ministrat e saj do të bënin këtë veprim të shëmtuar që bëtë ju dje do të ndaloheshin dhe do të merreshin në përgjegjësi penale. Është koha që të shpëtoni rendin dhe sigurinë duke dhënë dorëheqjen tuaj zoti Tahiri, në të kundërt do i bëni një dëm shumë të madh kauzës së Rilindjes dhe do t’i bëni një shërbim të jashtëzakonshëm Berishës dhe të djathtës ekstreme që populli i nxori nga dera dhe dritarja njëkohësisht në 23 Qershor.
Posted on: Wed, 04 Dec 2013 23:07:53 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015