1.Armët kimike rrezik për njerëzit dhe ambientin. Shqipëria - TopicsExpress



          

1.Armët kimike rrezik për njerëzit dhe ambientin. Shqipëria është vend me territor të kufizuar dhe me burime të shumta nënujore dhe shkalla e përhapjes së një rrjedhje të mundshme është me pasoja katastrofike. Nënproduktet e demontimit janë substanca të rrezikshme, të cilat do të duhet t’i mbajmë në Shqipëri për shkak të masave kufizuese që kanë vënë shtetet e tjera për importin e lëndëve të rrezikshme. Prandaj sjellja dhe demontimi i armëve kimike në Shqipëri do të ketë pasoja katastrofale. 2.Mungojnë infrastruktura, kapacitetet dhe eksperienca. Shqipërisë i mungon infrastruktura adekuate e menaxhimit të demontimit të armëve kimike, qysh nga aeroportet apo portet pritëse deri në landfillet e lëndëve të rrezikshme, i mungon ekspertiza e specialistëve kimistë ushtarakë të lëndëve helmuese, gjatë dhe post shkatërrimit të armëve kimike. Pavarësisht se trumbetohet nga specialistët ndërkombëtarë dhe lokalë se Shqipëria është vendi i parë në botë që ka shkatërruar armët e saj kimike, e vërteta është se Shqipëria nuk ka pasur armë kimike ofensive moderne si ato që mund të vijnë nga Siria. 3.Mungon kuadri ligjor për trajtimin e armëve kimike në vend. Shqipëria nuk parashikon në legjislacionin vendas: rregullat e sigurisë, mbajtjes, transportit, ruajtjes, apo ndikimit në mjedis të armëve kimike apo nënprodukteve të tyre. Mungesa e kuadrit rregullues ishte edhe një nga arsyet përse Norvegjia e refuzoi importin e armëve kimike. Kryerja e këtij operacioni në kushtet e mungesës së kuadrit të brendshëm rregullues, do të rezultonte në shkelje të së drejtës së jetës (neni 2 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut), dhe të së drejtës për një jetë të qetë familjare (nenit 8 i konventës). Nuk duhet pritur që të ndodhin tragjedi për të konsideruar konventën të shkelur. 4.Shqipëria ende nuk ka zgjidhur problemin e mbetjeve të saj toksike. Mbetjet e lëndëve kimike luftarake të çaktivizuara në Qafëmollë gjatë periudhës 2003-2008 ende nuk janë asgjësuar. Pa përmendur mbetje të tjera toksike nga industria e kohës së komunizmit. Prandaj, në vend që të trajtojë armët kimike të vendeve të tjera, Shqipëria duhet të asgjësojë mbetjet e saj toksike. 5.Vende më të zhvilluara se Shqipëria i kanë refuzuar armët kimike. SHBA-të i kanë kërkuar edhe vendeve të tjera perëndimore që të importojnë dhe shkatërrojnë armët kimike të Sirisë. Mjaft prej këtyre vendeve, siç është Norvegjia, e kanë refuzuar ofertën e SHBA-ve. Nëse vende të zhvilluara si Norvegjia, me kapacitete shumë më të mëdha administrative dhe me infrastrukturë shumë më modern se Shqipëria e kanë vlerësuar si shumë të rrezikshme importin e armëve kimike nga Siria, atëherë nuk ka asnjë arsye që vende si Shqipëria të marrin përsipër këtë import. 6.Konventa për Ndalimin e Armëve Kimike në asnjë rast nuk lejon importin për qëllime asgjësimi. Konventa lejon importin e armëve kimike vetëm në rastet e përdorimit për qëllime kërkimore shkencore, mjekësore, farmaceutike dhe të mbrojtjes nga kimikatet. Shtetet palë mund të kontribuojnë, por gjithmonë me dhënie mjetesh, fondesh, specialistësh, ku nuk përfshihet edhe kontributi me dhënie territori. 7.Importi i armëve kimike nga Siria nuk është detyrim që buron nga Konventa apo nga NATO. Gjithçka do të bëhet vetëm mbi baza vullnetare nga ana jonë, sepse është çështje që lidhet me respektimin e sovranitetit. Kjo kërkon patjetër debat me publikun dhe marrjen e mendimit të tij, sepse sipas Kushtetutës sovrani është populli. 8.Mungon transparenca dhe diskutimi me publikun. Qeveria shqiptare e ka mbajtur sekret për një kohë të gjatë çështjen e importit të armëve kimike nga Siria. Shteti është i detyruar të njoftojë publikun, si dhe ta ftojë atë në diskutim përsa i përket çështjeve që ndikojnë direkt në sigurinë e tij. Një fushatë mediatike, me shpjegime të detajuara, me fletëpalosje, broshura, spote televizive, debate me specialistët, është e detyrueshme në çdo rast kur ka risk sado të vogël nga operacione të rrezikshmërisë së lartë. 9. Kryerja e këtij operacioni bëhet për herë të parë në botë (pra që armët e një vendi shkatërrohen në një vend tjetër), dhe kjo rrezikon precedentin për herët e tjera me destinacion Shqipërinë. SHBA nuk është e bindur se ka zbuluar të gjithë arsenalin e Sirisë. Pas disa kohësh mund të zbulohet arsenal tjetër në Siri, apo gjetkë, dhe Shqipëria nuk do të mund të thotë jo, nëse e a pranuar në një rast. Prurja e armëve kimike për shkatërrim në Shqipëri dëmton imazhin e vendit tonë si destinacion turistik.
Posted on: Mon, 11 Nov 2013 21:19:07 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015