15 gazetarët më me influencë të Shqipërisë dhe pagat e - TopicsExpress



          

15 gazetarët më me influencë të Shqipërisë dhe pagat e tyre. Është dhe mbetet ushqimi më i mirë shpirtëror, pjesë organike e jona, alkimi e mendjes sonë, herë kureshtje, herë detyrim… Përshëndetje të gjithëve, po flasim për lajmin. Pimë apo nuk pimë kafe, hamë mëngjes apo mbajmë dietë, shkojmë në punë apo ndjehemi të sëmurë, ka drita apo ikën uji, është ftohtë apo shkojmë në plazh… nuk ka rëndësi se çfarë drejtimi merr rutina jonë e përditshme, të gjithë duam të informohemi në kohë, të gjithë jemi nga pak kureshtarë, të gjithë i dashurojmë lajmet dhe dita nuk ka kuptim pa lajme. Veçanërisht në Shqipëri, një vend tipik mesdhetaro-ballkanas ku thashethemi ka qenë historikisht i pandarë nga atitjuda jonë, veçanërisht në këtë vend me pafundësi titujsh gazetash dhe revistash, kanale televizive, radio a site interneti informuese, gazetaria është establishuar si një nga industritë më të fuqishme aq edhe qesharake, më të pushtetshme aq edhe kompromentuese apo e kompromentuar. Unë personalisht kam parë nga afër adoleshentë që vijnë të studiojnë gazetari&komunikim në Tiranë me fantazitë e shfrenuara në mendjet e tyre se një ditë do të bëhen si Sonila Meço e ABC-së apo Lili Babaramo i News 24-ës, kam punuar me gazetarë të mirëfilltë apo minifundse injorante, me autoritete të medias vendase apo koketa analfabete dhe kam vërejtur me kujdes: nëse e dashuron, ke vullnet, ke pasion gazetarinë, pas shumë mundimesh do dalësh faqebardhë. Qoftë nga xhepi, qoftë nga fama, qoftë nga impakti që do çlirosh për publikun. Saga model Forbes e klubit social studentor “campusALBANIA” këtë të shtunë sjell për lexuesit e gazetës TemA rankimin e njerëzve më të pushtetshëm të medias shqiptare. 1-Blendi Fevziu Thuaj Fevziu e mendo hosten dhe producenten televizive amerikane Oprah Winfrey. Me rreth 30 milionë lekë (nga këtu e më poshtë do të flasim vetëm me lekë të vjetra për ta bërë disi më bombastik klasifikimin) të ardhura çdo muaj, zoti Fevziu kryeson listën e gazetarëve më të paguar në gjithë hapësirën shqipfolëse. Dikur një nga gazetarët e parë të gazetës opozitare postkomuniste RD, sot jo vetëm moderatori më i pasur, por edhe miku më i dashur i kryeministrave (pushtetit) të çdo lloj ngjyre. I diplomuar për gjuhë-letërsi është njëkohësisht edhe autor i 4 librave (mediokër), të botuar brenda 2 dekadave të fundit. Vlen për diçka në medien shqiptare që e justifikon çmimin: 1 – Ende i bën fresk koalicionit qeverisës të korruptuar BC-SK, dhe kjo tregon se ndryshimi do vonojë. 2- Është gati ta rishkruajë historinë sa herë ndryshohen qeveritë dhe gjithmonë të ketë një arsye pse e bëri. Mëkate? Ka plot. Po mua më vjen keq vetëm, që ka qenë drejtori i gazetës së parë me ngjyra shqiptare “Korrieri”, të cilën e themeloi me lekët e Ilir Metës dhe e varrosi me gjobat e koalicionit BC-SK. 2-Arjan Çani I dashuruar tmerrësisht pas skupeve, ekstravagancave, ngacmimeve, parasë, perversiteteve televizive… renditet i dyti në listë. Ish kryeredaktori i suksesshëm i “Gazetës Shqiptare”, moderator dhe pronari i show-ut televiziv “Zonë e Lirë”, gjirokastriti muslimano-ortodoks Arjan Çani çdo muaj derdh në llogarinë e tij rreth 20 milionë lekë. Me një eksperiencë të gjatë në gazetarinë e shkruar, nisi eksperimentimin e puntatave të para të programit të tij legjendar në një nga ish ekranet e Tiranës së vitit 2005, TVA. Mbetet një nga gazetarët dhe prezantuesit më “të çmendur, por dhe më të rafinuar”, të cilin e njohin të gjithë, që nga fëmijët e deri tek të moshuarit. 3-Andi Bushati Gazetar, analist, skenarist, prezantues televiziv, zoti Bushati me elokuencën dhe qetësinë e tij shton pasurinë çdo muaj me rreth 15 milionë lekë. Pjesë e brezit të Fevziut, Blushit, Bazes, Shkullakut, nip në ish bllokun komunist, debutoi në median e shkruar rreth vitit 1993 me artikuj modestë në të përditshmen e vëllezërve Nazarko “Dita” e më pas filloi të shkëlqejë pas 1997-ës në revistën “Klan”. Sot mbetet një nga mendjet më racionale dhe opinionbërës me këmbë në tokë i medias së Tiranës. 4-Artur Zheji Shëëëëët, qetësi, po flasim për zotin Zheji. Hijerëndin dhe mendjendriturin e LSI-së. Momentalisht edhe drejtor i Agjencisë Telegrafike Shqiptare (se kujt i hyjnë në punë lajmet e ATSH-së një Zot e di), gazetari A.Zheji me artikujt e tij në të përditshmen “Mapo” dhe pjesëmarrjen në debatet politike të programeve televizive në televizionin lokal UFO, paguhet çdo muaj rreth 10 milionë lekë. Ia ka vënë syrin deputetllëkut dhe mezi po pret 2013-ën. 5-Armand Shkullaku Tiranasi që punon drejtor informacioni pranë televizionit “Klan Kosova” në Prishtinë, gazetari simpatik A.Shkullaku llogaritet të ketë një fitim mujor me rreth 8 milionë lekë, ku përfshihet jo vetëm rroga, por edhe analiza dhe opinione të botuara në shtypin e të dy republikave shqiptare. 6-Sokol Balla Pavarësisht ndonjë keqkuptimi personal që kam pasur me zotin Balla, më lejoni ta etiketoj si “shkolla anglosaksone e gazetarisë shqiptare”. Njeriu që fillesat e hershme në media i finalizoi me përsosmërinë e edicionit informativ të lajmeve në Top Channel, të cilat i ktheu në etalonin e informimit për publikun, ka të ardhura modeste në raport me kontributin që jep. 5 milionë lekë llogariten të ardhurat e tij mujore nga rroga, moderimi i Top Story-it dhe ndonjë honorari javor në shtypin e kryeqytetit. 7-Alfred Peza Një nga gazetarët dhe reporterët më të spikatur të kronikës që ka media vendase, një nga ish kryeredaktorët më frutdhënës të disa gazetave apo revistave autoritare, zoti A.Peza momentalisht drejton departamentin e informacionit pranë televizionit Vizion Plus. Njeriu që ktheu Ora News nga një kanal televiziv anonim në një prej ekraneve më të ndjekur për lajmet, fiton çdo muaj rreth 5 milionë lekë. 8-Mero Baze Opozitari i pandreqshëm i regjimeve tranzitore të Tiranës. I shpallur armik nga qeveria aktuale, mik dhe armik me gjithë kryeministrat e vendit, me një biznes të falimentuar mediatik, i cili mbahet në këmbë thjesht nga pasioni dhe dëshira e tij për të mos u dorëzuar. Renditet në rankingun e gazetarëve më me influencë, por pa rrogë. Gazeta TemA dhe site tema.al mbeten dy nga mediumet më të besueshme, më të lexuara dhe më të klikuara në këtë verë të nxehtë allishverishesh shqiptare. 9-Rudina Xhunga Femra e parë gazetare e kësaj liste “të fortësh” mbetet një nga zërat më simpatikë të ekranit. Dikur një gazetare e shkëlqyer e shtypit të shkruar dhe autore e 2 librave bestseller, siç duket mjaftohet vetëm me programin e saj “Shqip” të së hënës. Me rreth 3 milionë lekë të ardhura në muaj zonjusha R.Xhunga do të bënte mirë të ishte prezente edhe në gazetat e përditshme ku analizat apo opinionet e shkruara nga femrat me influence mungojnë së tepërmi. 10-Filip Cakulli Babai (jo i Aleksandrit të Madh të Maqedonisë dhe Thrakës greke) i programit të tmerrshëm televiziv “Fiks fare”. Gazetar i vjetër, minoritari F.Cakulli renditet një nga emrat më të lakuar të gazetarisë investigative. Të gjithë e mbajmë mend skandalin seksual të sociologut Ylli Pango dhe aferat e zëvendës kryeministrit Ilir Meta, të cilat rezultuan fatale për të dy politikanët e lartpërmendur, investigime këto që e kthyen programin e Fiksit në më të paarritshmin dhe më të frikshmin produksion televiziv. Mendja dhe drejtuesi i këtij program zoti Cakulli paguhet rreth 3 milionë lekë në muaj, por autoriteti dhe besueshmëria e Fiksit kryesojnë listën që ka influenca mediatike ne publik, duke qenë ndoshta i vetmi që shikohet nga 3 milionë shqiptarë. 11-Skënder Minxhozi Sikur zoti Minxhozi ta kishte dredhur si Frrok Çupi, doktor Berisha do e mbulonte në lekë-kështu qarkullon një shprehje mes studentëve të gazetarisë së Universitetit Publik të Tiranës. Kryeredaktori i revistës së përjavshme “Mapo”, analisti konsekuent dhe tepër konciz, Minxhozi arrin të fitojë nga rroga dhe honoraret e ndryshme rreth 2 milionë lekë. Shumë pak për këtë emër të spikatur të publicistikës shqiptare, dikur një nga gazetarët e legjendares “Koha Jonë” (asaj të Lesit, jo kësaj të Frangajt) dhe më pas diplomat pranë Ministrisë së Jashtme deri më 2005, kur Berisha 2 erdhi në pushtet. 12-Mustafa Nano Pak, shumë pak. Vetëm 2 milionë lekë në muaj edhe për polemistin më të njohur shqiptar Mustafa Nano. Fiton këto të ardhura nga menaxhimi që i bën site-in respublica.al si dhe nga honorare të ndryshme që merr me aparencat në debate televizive dhe botime artikujsh. Bën mirë të rifillojë programin televiziv “Déjà vu”, i cili ishte një lloj argëtimi ekstravagant në fillim të fundjavës. 13-Aleksandër Çipa Drejton sot të vetmen organizatë aktive në mbrojtje të gazetarëve “Unionin e gazetarëve shqiptarë”, është njëkohësisht kryeredaktor i së përditshmes kualitative “Shqip”. Me të ardhura rreth 2 milionë lekë në muaj, gazetari A.Çipa është njëkohësisht edhe një nga emrat e spikatur të poezisë post ’90 me rreth 3 libra të botuara në vend. 14-Ilva Tare E mbani mend kur ishte ikona e lajmeve të Telenorbës shqiptare dhe më pas të Vizion plusit? Gojët e liga thoshin se na rikujtonte Vjollca (të tmerrshmen e TVSH-së) Vokshin, disa zëra të tjerë thoshin se kopjonte gazetaren italiane, majtisten Lili Gruber… Mjaftoi një masterizim dhe disa vite në Londër dhe ja ku jemi, para nesh shfaqet një Ilva Tare krejt e re, krejt tjetër, që menaxhon siç duhet energjitë e saj të pashtershme, që përcjell në audiencë mesazhin e mirëfilltë gazetaresk, një Ilva që ka njohur nga afër një realitet jo fasadë alla italiana, por një Ilva që të ardhmen do e ketë shumë shpejt në ndonjë BBC apo Al Jazeera Balkans. Fitimet mujore të zonjusha Tares janë rreth 2 milionë lekë në muaj, duke përfshirë programin e saj Tonight në Ora news si dhe drejtuese marketing në një kompani publicitare. 15-Fatos Lubonja I fundit o qan o qesh. Fati siç duket nuk qenka kurrë me zotin Lubonja. Më i vjetri në moshë, më i persekutuari, më polemizuesi, më i urryeri dhe më i dashuruari njëkohësisht nga publiku F.Lubonja paguhet rreth 1.5 milionë lekë çdo muaj si opinionist i programit të B.Fevziut në Klan Tv dhe kolumnist javor i gazetës “Panorama”. Boton edhe revistën e mendimit elitar shqiptar “Përpjekja”, por prej saj nuk nxjerr asnjë të ardhur.
Posted on: Mon, 07 Oct 2013 17:34:17 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015