Basha: Sulm ndaj Islandës, por me modul ndryshe Migjen Basha - TopicsExpress



          

Basha: Sulm ndaj Islandës, por me modul ndryshe Migjen Basha kërkon një Shqipëri sulmuese për të marrë fitoren në Islandë. Mesfushori kosovar i Kombëtares pranon në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” se skema e ndeshjes së fundit nuk funksionoi. Sipas tij, Shqipëria përshtatet më mirë me variantin taktik 4-4-2. Për humbjen në Slloveni, ndeshjen e radhës, por jo vetëm, ja si u shpreh mesfushori që luan me Torinon në Serinë A: Migjen, çfarë nuk funksionoi ndaj Islandës? Në pjesën e parë në Slloveni nuk kemi qenë skuadra e ndeshjeve të fundit, kur kemi luajtur bukur dhe kemi marrë rezultate pozitive. Realisht nuk di çfarë të them për momentin e golit që pësuam. Jemi shumë fajtorë, e pranoj, por më duhet të them se edhe lojtari që shënoi, bëri një goditje shumë të bukur. Pra, është problem për të gjetur fajtorin në golin që kemi pësuar, por nga ana tjetër më duhet të them se nuk kemi pasur as fat ndaj Sllovenisë. Bëmë një pjesë të dytë shumë të bukur, por nuk i shfrytëzuam rastet. Mos ndoshta ndryshimi i skemës prishi ekuilibrat në fushë? Pak a shumë po, pasi në ndeshjet e kaluara kemi luajtur gjithnjë me variantin taktik 4-4-2. Nuk bëmë atë lojë që jemi mësuar të bëjmë si skuadër. Realisht patëm probleme, por në pjesën e dytë me ndryshimin e skemës gjithçka rezultoi efikase, edhe pse nuk shënuam dot. Ju mendoni se me skemën 4-4-2 Shqipëria është më efikase? Po, sepse këtë e kanë konfirmuar ndeshjet para Sllovenisë. U kemi treguar tifozëve se me këtë skemë mund të bëjmë ndeshje të bukura dhe gjithashtu të fitojmë. Me 4-1-4-1 disa gjëra nuk kanë funksionuar, por kjo është normale, pasi në futboll ndodhin këto. Me 4-4-2 ekipi është më i qartë për manovrën sulmuese. Ndaj Sllovenisë ishte e vështirë për Çanin të vetëm në sulm. Ai gjithnjë mbrohej nga dy mbrojtës sllovenë dhe ishte një problem për të dhe ekipin. Ju ndali Handanoviç, apo nuk u treguat të qetë para porte? Sigurisht Handanoviç. Është interesant fakti që te Sllovenia lojtari më i mirë në fushë ishte ai, edhe pse portier. Kundërshtari kishte lojtarë cilësorë si Birsa, Kurtiç etj., por askush nga ne nuk e besonte se në fund do të bënte diferencën portieri. Megjithatë, kjo tregon se lojën e dominuam ne, pavarësisht se nuk shënuam dot. Çfarë ju thanë pas ndeshjes lojtarët sllovenë, që ju njihni më mirë? Kam biseduar para ndeshjes me Valter Birsën, të cilin e njoh mirë, pasi në vitin e kaluar ka qenë pjesë e Torinos. Ai më tha se kishte frikë nga Shqipëria, sepse na vlerësonte si një skuadër të mirë. Ju jeni i kënaqur me paraqitjen që keni bërë deri më tani… T’ju them të drejtën më duket sikur kam vite që jam pjesë e Kombëtares. Në ndeshjen e parë kisha shumë emocione, por gradualisht u përshtata. Tashmë kam fituar shumë siguri dhe luaj i qetë, duke dhënë më të mirën time. Për çdo lojtar ky është një proces normal, sepse kërkon kohë të ambientohet, por gjithsesi unë jam i kënaqur, pasi e ndiej veten mirë ndeshje pas ndeshjeje. Nesër do të luajmë ndaj Islandës. Sa e njihni këtë kundërshtar? Islandën e kam ndjekur kur ka luajtur me Kombëtaren në ndeshjen e parë në Tiranë, ndërkohë që unë nuk kam qenë pjesë e skuadrës. Ende më kujtohet ai takim, pasi ne nuk meritonim të humbnim. Nuk kemi pasur fat atë takim, teksa pësuam edhe dy gola të evitueshëm. Ata janë një ekip shumë i fortë fizikisht. Kam parë edhe ndeshjen e fundit kundër Zvicrës, ku shënuan gola spektakolarë. Gjithashtu, kanë disa lojtarë që luajnë në Ligat më të mira të Europës. Ndaj kësaj skuadre duhet të kemi një kujdes të madh. Çfarë duhet të bëjë më shumë Shqipëria për ta kaluar me sukses këtë ndeshje? Duhet të sulmojmë që në fillim, pa pasur frikë. Ne e pamë ndaj Sllovenisë që nuk iu përshtatëm dot situatës në kushtet kur donim të ruanim rezultatin. Na nevojiten tri pikë për të besuar te vendi i dytë, kështu që duhet të shkojmë në Islandë me mendimin për ta fituar ndeshjen. Pas humbjes së fundit, sa shanse kemi tashmë për një vend që të çon në Botëror? Me përqindje nuk mund ta them, por besimi është shumë i madh. Megjithatë, varet edhe nga rezultatet e rivalëve. Nëse marrim tri pikë në Islandë, atëherë kemi shumë shpresa. Cili është miku juaj më i ngushtë në ekipin kombëtar? I pari është vëllai im, Vullneti (qesh). Të gjithë i kam shok, por më të afërt kam Ujkanin, me të cilin njihem prej vitesh. Keni thënë në fillim të shtatorit se do e zgjasni kontratën me Torinon… Kam biseduar me presidentin e Torinos dhe kam rënë dakord për ta rinovuar kontratën edhe 2 vite. Megjithatë, për të konkretizuar marrëveshjen, do të flas pas kthimit nga angazhimi i Kombëtares. Nëse rakordojmë edhe disa pika të kontratës, atëherë OK, nëse jo jeta vazhdon. Cilat janë klubet që janë interesuar për ju këtë verë? Kam pasur disa sinjale nga skuadra brenda Serisë A, por është e kot të përmend emrat, pasi kanë qenë më shumë mundësi huazimi.
Posted on: Mon, 09 Sep 2013 12:34:43 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015