CIKEL ME POEZI NGA VULLNET MATO Veprimet Gazeta Dielli - TopicsExpress



          

CIKEL ME POEZI NGA VULLNET MATO Veprimet Gazeta Dielli (gazetadielli@gmail) Shto te kontaktet 2:47.MD [Mbaje këtë mesazh në krye të kutisë sate mbërritëse] Fotografitë Për: Vullnet Mato Imazhi i Gazeta Dielli Shume faleminderit. Cikli poetik eshte publikuar ne Dielli(gazetadielli) USA Te fala editori Dalip Greca ......................................................... Vullnet Mato ME PASIONIN TIM, MOS QOFTË ASKUSH! Fëmijëria ime s’pati babanë pranë, për dhjetë vjet. Qielli më dërgonte shi. Toka më dhuronte lot. Mes shtatë sqepave të zogjve, gojëhapur ditë e net, buka e nënës nuk arriti të më ushqente dot... Fillova të vizatoj njerëz, për të nxjerrë ndonjë kaush. Me pasionin tim për t’u rritur shpejt, mos qoftë askush!.. Mora malet, derisa më pranoi një ahishte në pyje, nga ku gjethet vjeshtore çonin fjalët e mia të mallit. Aty u vëllazërova me çdo dru që më bënte hije, pasi lash pranë detit vëllezërit dhe psherëtimat e zallit. Letrat e nënës i bënte era gjethe brigjeve me gëmush. Me pasionin tim në punë të rënda, mos qoftë askush!.. Djalërinë ma burrëroi një Elenë e Trojës korçare, në luftën për shkakun e dy feve tona të ndryshme. Ashtu, si Paridi, bir mbreti, pasi e rrëmbeva për fare, durova, si bir deti, dallgë presionesh të stuhishme. Elenën e desha si lisi, pjergullën e vet me rrush. Me pasionin tim në dashuri, mos qoftë askush!... Shfletova stivat e dispensave nga të gjithë shekujt letrar. Dhe u fala viteve, gjumin bashkë me flokët e dendur. Pas dy diplomave, sfilita trurin për t’u njohur shkrimtar. Derisa u ula në karrige druri, mes njerëzve të mençur. Librat e mi kishin dallgë Joni, gjethe ahu dhe dushk. Me pasionin tim në krijimtari, mos qoftë askush!... Gjurmët e mia nisën zanafillën nga mali jugor në Finiq, dhe shkuan deri te pllangat e akujve në Alpet verior. Nuk besoj të ketë ngrënë njeri në jetë aq shumë fiq, sa kam jetuar ngjarje dhe kam njohur tipa njerëzor. Fjalët e zemrës më kanë mbetur në çdo mal dhe fushë. Me pasionin tim përkushtuar miqve, mos qoftë askush. Fytyra që më qëndisi nëna me merak, si të parin e djemve, kam arsye të shpresoj se do mbetet në vegime internetike. Kur të vjelin njerëzit frutat qiellore në degët e këtyre pemëve, besoj do gjejnë dhe imazhin tim në bërthamat elektronike. Tani rend rrafshinave të kompjuterit, derisa të vdes plakush. Me pasionin tim në fraza dhe metafora, mos qoftë askush!... GRUA MË E LIGA, MË E MIRA NGA TË GJITHA Grua, ti je më e liga dhe më e mira nga të gjitha, sepse kur gabimin e kam pasur unë e të drejtën ti, fajin shpesh e kemi ndarë përgjysmë nga dëshira, të puthemi, sikur s’ka ndodhur asgjë me ne të dy. Britmat i kemi mbytur mes dhëmbëve të njëri-tjetrit të dukemi në lagje sikur po bëjmë pëshpëritje lutjesh. Shtratin kemi pasur si varkën e vetme në mes të detit, ku dallgët e jetës i kemi përzier me furtuna puthjesh Me ke vështruar shtrembër pa folur një javë bashkë, kur ke pikasur ndonjë buzagaz me bukuroshe të ëmbla. Të kam përgjuar dy javë, kur dikush të vinte përqark, dhe prapë i kemi fshirë si gjethe vjeshte nga mendja. Kur nuk ke dashur kurrsesi të shtosh fëmijë të tjerë, kam përdorur padrejtësisht përdhunën në dashuri. Por ka ndodhur, pas lindjes së ngjizur me aq sherr, beben e kemi mëkëmbur bashkë me shumë përkëdheli. Me ke mallkuar si burrë pa kujdes në të shpenzuar dhe më ke lavdëruar më shumë nga sa vlej si njeri. Të kam sharë kot, për ngjasim negativ të trashëguar, dhe të kam ngritur lart për kujdesin tënd me fëmijë. Jemi nxituar dikur të kërkojmë deri në gjykatë divorcin, por i kemi grisur lutjet, thjesht si gazeta për ambalazh. Natën më ke kërkuar buzët dhe të kam kërkuar gjoksin, sikur pas kurorëzimit të ri, jemi martuar rishtas bashkë. Grua, më e liga, më e mira nga gjithë gratë në botë, tek unë ti ke shpirtin, tek ti unë kam ekzistencën e plotë... FATKEQËSIA E VESHËVE PA KAPAK Veshët ndjehen organi më fatkeq i trupit të njeriut dhe shpesh mallkojnë qenien e tyre thuajse pa fat, që s’janë njësoj si goja, si sytë e mbrojtur vetiu, krijuar nga zanafilla për t’u mbyllur me kapak. Megjithëse, veshët kanë shansin e parë organik, të kapin fjalët më të ëmbla kushtuar dashurisë, t’ia çojnë sinjalet trurit, që urdhëron receptorët erotik, të magjepsen ndjenjat me emocionet e lumturisë. Kur ai, ose ajo thotë: O shpirti im, sa fort të dua! veshët bëhen si fije peri, në përgjim të pëshpërimës ta shpien te zemra me gjëmim të shumëfishuar, siç bëjnë veshët e maleve me jehonën e oshtimës. Sidomos kur dashuria rënkon me ofshama kënaqësie, veshët dehen në ekstazën e frymëmarrjes së rëndë, njësoj sikur thithin me ëndje notat e një melodie, me valë drithëruese nga më e këndshmja këngë... Pastaj, teksa buçasin dy zanoret e para të foshnjës, kur pas nëntë muajve natë, agon nga barku i nënës, veshët tendosen si dy krahët e zgjatur të shqiponjës, që presin një top drite rënë nga vezullimi i hënës. Por fatkeqësinë e vërtetë të qenies së tyre pa kapak, veshët e ndjejnë, kur gojëfëlliquri lëshon breshëri, fjalorin e tij vulgar me banalitet shëmtarak, dhe ata nuk mbyllen dot automatikisht kurrsesi. Ashtu siç janë të detyruar të lejojnë dialogun e sherrit, të depërtojë përmes tyre, nga fillimi, në çastin e fundit, kur njëri ikën i dëshpëruar, tjetri stepet prej tmerrit, apo nga krisma përmbyllëse e gjakderdhjes së plumbit... Në këto raste, sytë ulin qepenat të mbyllet pamja përqark. Goja kyç dyert të mos dalin fjalët e rrezikshme kuturu. Ah, sikur të kishin dhe veshët të tillë kapakë, të shmangte njeriu i gjorë hyrjen e provokimit fatal në tru!... BASHKË NË ÇDO ORBITË Nëse disa ditë s’të vjen mesazh në celular, dije se jam kthyer në këngë bilbili. Hap dritaren të dëgjosh në pemët vërdallë, zërin tim të blertë me fëshfërima pylli! Nëse disa ditë nuk lexon, emrin tim të shkruar, diku mbi vargje, apo në rreshtat e krijimit, shiko mes dy malesh, ku dielli ka ndriçuar shkronjën e parë “V” me rrezet e agimit. Nëse disa ditë nuk shfaqem te muri në internet, dije se jam kthyer në valë elektronike. Hap monitorin e shpirtit të më kesh aty ku je vet, të përqafohemi sërish, si nëpër netët magjike. Pra, dije se nuk shkëputem dot nga tërheqja jote nga vlaga fuqidhënëse që më japin buzët e tua. Edhe sikur të na ndajnë nga vërtitja e kësaj bote, në dy hapësira planetësh, unë prapë ty do të dua. Oh, qofsha në gravitet të përjetshëm me ty, që të desha me të tëra grimcat e shpirtit njerëzor! Dhe paçim në tërheqjen magnetike atë megafuqi, që mban të pashkëputur orbitat e dy trupave qiellor!... PUTHJET NËPËR ËNDRRA Kur adoleshencës po i shkoja në skaj, bota më thërriste horizonteve tutje. Vajzat më dukeshin mrekullia e saj, dhe netëve me to ëndërroja puthje. Gjatë asaj kohe putha vajza dhe nuse, nga më të bukurat që kishte bota filmike. Në perde kinemaje putha artistet ruse: Zvjetllanën, Ljudmillën, Tatjanën magjike. Putha Luçien, Nailen, Pagarushën, Anitën, me zërat drithmëtar të zogëzave të pyllit. Putha aktore Tinkën, Violetën, Margaritën, që më luanin brenda skenës së shpirtit. Po kur putha të parën bukuroshe në realitet, m’u duk se kish te buzët gjysma hëne në vezullim. Shkrepi një vetëtimë, sikur putheshin retë dhe u dehëm sqep më sqep si dy fajkonj në fluturim...
Posted on: Thu, 11 Jul 2013 15:25:08 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015