Duke zbrazur nje USB, mu shfaq nje artikull i shkruar ne zgjedhjet - TopicsExpress



          

Duke zbrazur nje USB, mu shfaq nje artikull i shkruar ne zgjedhjet e vitit 2009. E lexova rresht me rresht: sikur ta kisha shkruar dje...Hidhini nje sy (mos u lodhni me 2) e me thoni: "Varja" (e) analistëve Të përjetosh ngjarje është destin historik. Për të mos I hyrë historisë së përkufizimit të ngjarjes, ne të Shqipërisë ‘së vogël’, ‘zgjedhim’ zgjedhjet për ngjarje. Në këtë kënd të vështrimit, është mirë që për cdo ngjarje të ketë dhe sqarues. Ata janë të vlefshëm, ndonëse për mua, jo të domosdoshëm. Por nëse sqaruesit bëhen të panumërt, atëherë ndodh të krijohet një rezultante mendimi ‘e hapërdarë’, e cila i bën njerëzit të ngrenë supet për atë që po ndodh. Një dyndje analizash dhe analistësh ‘pësuan’ shqiptarët në ditën e zgjedhjeve dhe në situatën e ‘pas kuintave’ të zgjedhjeve. Për llogari të atyre që ia shfaqën imazhin, ky ishte sukses. Por rrëmuja ishte aq e madhe, saqë mu duk se përjetuam kufijtë e një ‘suksesi’ katastrofik. Në fund të ‘gjoks-rrahjes’ për pasqyrimin e zgjedhjeve, ne morëm aq ngopje analizash, sa vetëm një kërkesë të fundit të artikulojmë për ‘racën’ e re: të nderuar, prej jush tani duam një gjë të fundit….Mungesën! Për asnjë arsye nuk paragjykoj, por kërkesa vjen e tillë, pasi ndoshta pa dëshirën tuaj, duke menduar gjithnje logjikisht dhe me sens analitik, më duket se krijoni ‘një kontrast’ me botën reale e na konfuzoni. Mbase duke qenë pjesë e gatimit të një politike jo të palexueshme shqiptare, mbase nga ‘mbidija’, po kuptoni jo qartë atë që ndodh, e po na përcillni paqartësi ‘moderne’. Një ‘shtriqje’ maratoneske e personazheve analizues. Një mish-mash qëndrimesh dhe kontradiktash me fjalët e nxjerra nga vetja. Një përfshirje në llogaritje, në dukje ‘shumë profesionale’ formulash, të cilat në fakt ishin aq të thjeshta, sa një 10 vjecar mund të të jepte në dorë përfundimin, në pak sekonda (pjestim e zbritje). Më pas akoma, një karambolim me atë që ndodhte jashtë, një habitje për citime të kodeve e ligjeve, një tregim ‘me peshë’ barsaletash...nje ‘varje’ fizike e mendore, mbi tryezë. Pa kaluar tek historia ‘e gafës’ së celularit. Bobo.... një ‘fatkeqësi’ profesionale. Mesazhe nëpër telefona, qeshje me mesazhet, pyetje të gatshme në raste shterimi...Dukuria është aq aprofesionale, sa me siguri ‘profesorët’ e imazhit të ekraneve, do të shkulnin çu ka mbetur e do te shkruanin me mëshim: ‘nuk lejohet’! I gjithi ky është një ‘peisazh’ i marrë nga ditët e vështira zgjedhore nga ekranet. Në vend të pretendimit për një pluralizëm mendimi, ne u gjendëm përballë një mono-trajtimi. Metodologjia ishte e njëjtë, ndoshta nga prejardhja ‘nga e njëjta shkollë’. Por nuk mund të mos binte në sy dhe ‘varja’ nga politika. Pa thënë më tepër se dy fjalë, secili ishte lehtësisht i dallueshëm për numrin që kishte zgjedhur në fletën e votimit. I veshur me pseudondjeshmëri, ky partizanllëk më shumë të ‘konsumon’ në publik, sesa i jep vlerë fjalëve. Por auditori shqiptar është mençuruar. Nuk ta mban më borxhin që mund tu krijosh, duke i dhënë dhimbje koke. Ta kredhësh atë në rrjedha realitetesh të gabuara, bën autogabim. Ky auditor ka filluar të kuptojë drejtimin e erës, thjesht duke parë një emër, apo dy fraza. E të arrish këtë ‘katandisje’, do të thotë që nuk i ke mirë punët me Ego-n. Për të fituar terren ‘në relievin e respektit’, atyre duhet tu bësh ndonjëherë ndonjë favor, duke mos folur. Ndryshe, do t’ju quajnë të vlefshëm vetëm në nje kuptim ‘edukativ’: Sapo t’ju shohin, të shkojnë të lexojnë një libër. ‘Loja e politikës së madhe’, humbet konture nëse stampohesh në ekrane e jep mend në momentin kur s’duhet. Të vetëndjerit analist, ka kosto. Termi i titruar, ‘analist’, jo gjithmonë tregon profesionin... Të qëndrosh gjatë në garazh, nuk do të thotë patjetër që je makinë....
Posted on: Mon, 15 Jul 2013 13:03:40 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015