"Globalizimi i Indiferences dhe Anestezia e zemres e nje - TopicsExpress



          

"Globalizimi i Indiferences dhe Anestezia e zemres e nje populli qe ka harruar te qaje" “Adam ku je?” Është pyetja e parë që Zoti i drejton njeriut mbas mëkatit. “Ku je ?” Është një njeri i çorientuar që ka humbur vendin e tij në krijimin, sepse beson se është bërë i fuqishëm, se mund të zotërojë gjithçka, se mund të jetë Zot. Dhe harmonia thyhet, njeriu gabon e kjo përsëritet edhe në marrëdhëniet me tjetrin, që nuk është më vëllai për t’u dashur, por thjesht tjetri që trazon jetën time, mirëqenien time. Dhe Zoti bën pyetjen e dytë: Kain, ku është vëllai yt ?” Mendësia individualiste, gjithnjë e më zotëruese në jetën e shoqërive të mirëqenies, shprehet në braktisjen e familjes patriarkale dhe në prirjen e të rinjve për të shkëputur shpejt lidhjen me familjen e origjinës e për të ndërtuar jetën e tyre vetjake. Kjo çon në një konceptim qendër vetjak të marrëdhënieve shoqërore, që pasqyrohet në dobësimin e lidhjeve familjare e, më gjerë, edhe të atyre shoqërore e që shprehet në mungesën e ndihmës së ndërsjelltë mes anëtarëve të këtyre shoqërive, shfaqjet e ndryshme të pasojave të së cilave, në jetën e përditshme të metropoleve të botës së sotme, janë me të vërtetë shkandulluese. Një vajzë përdhunohet në një autobus dhe asnjë ndër dhjetëra udhëtarë të pranishëm nuk ndërhyn. Një i marrë me një sëpatë, në mëngjes herët, kërcënon e vret tre vetë dhe ai që para tyre arrin t’i shpëtojë këtij fati tragjik, nuk merr mundimin as të lajmërojë policinë, për të ndërhyrë e shmangur viktimat e tjera. Të moshuar, që jetojnë vetëm në pallatet, vdesin në shtëpinë e tyre dhe, deri sa të mos kutërbojë kufoma e të ndihet era e keqe nëpër shkallë, askush nuk troket në derë, për të pyetur si është fqinji apo fqinja. Me fqinjin, edhe se mund të jetohet ngjitur në të njëjtin pallat, shkëmbehet ndonjë përshëndetje apo urim në shkallë për festa e, në rastin më të keq, nuk i mësohet as emri. Në mjetet e transportit publik, shpesh rrinë ulur adoleshentë me Ipad apo kufjet në vesh, ndërsa qëndrojnë në këmbë të moshuar apo gra shtatzëna. Në Milano një taksist, pa dashje dëmtoi një qen që e kishin nxjerrë në shëtitje dy vetë. Taksisti u ndalua, kërkoi falje dhe ofroi ndihmën e tij, por u sulmua egërsisht nga pronarët e qenit e vdiq në spital mbas një muaji. Njerëz që vrasin prindërit, gratë, fëmijët, kthehen në “heronj” që marrin dhjetëra letra dashurie nga femra të ndryshme, mbasi kanë marrë dënimin!!! Një ish-kryeministër mbi 70-vjeçar që, kur ishte në detyrë, ktheu në hareme vajzash të reja të paguara shtëpitë e ndryshme të tij, votohet nga 10 milionë italianë e mbrohet nga një vendim i rremë parlamenti, i votuar nga 320 përfaqësues të popullit. Papa Bergoglio vazhdon ta zhysë ‘thikën’ e tij anatomike në kalbësirën e shoqërisë së mirëqenies. “Kultura e mirëqenies, që na çon të mendojmë vetëm për veten, na bën të pandjeshëm ndaj thirrjeve të të tjerëve e na bën të jetojmë në flluska sapuni, që janë të bukura por nuk janë asgjë, janë iluzion i së kotës, i së përkohshmes që çon në indiferencën ndaj të tjerëve, madje çon në globalizimin e indiferencës. Jemi mësuar me vuajtjen e tjetrit, nuk ka të bëjë me ne, nuk na intereson, nuk është punë e jona!” Këtu mesazhi i Francesco-s arrin tonin më të lartë të protestës, të dëshpërimit, të padisë së një mendësie, e cila pjell një rend gjërash, të bazuar mbi parime diametralisht të kundërta, jo vetëm me ata të doktrinës së krishterë, por edhe me ata të vetë natyrës njerëzore e ligjeve të saj. Nga altari, i improvizuar mbi një varkë, simbol i mjetit të shpresës për ditë më të mira e, ndonjëherë, i prurësit të vdekjes për bartësit e tyre, pasardhësi i Shën Pjetrit, i “ardhur nga ana e botës”, i kërkon falje Zotit katër herë e kërkon pendesë. Kërkon pendesën e një shoqërie që “ka harruar të qajë” e që ka përfunduar në një “anestezi të zemrës”…. Madhështia dhe universaliteti i predikimit të Lampedusa-s vë para ndërgjegjes të secilit një pasqyrë, mbasi secili ka diçka për t’i qortuar vetes e për të ndrequr në sjelljen e qëndrimin e tij. Sa më lart ngjitet në shkallën shoqërore e shtetërore, aq më shumë shtohet doza e përgjegjësive të atyre që “n’anonimat marrin vendimet ekonomike e shoqërore”, për të ndryshuar rrugën, për të mos përsëritur mëkatet, për të mos dëgjuar më pyetjen e Zotit: “Ku është vëllai yt?”. Në dritën e madhështisë gjithëpërfshirëse të mesazhit të Francesco I, besoj se edhe ne, shqiptarët, kemi mjaft për të paditur, për të qortuar e vetëqortuar, për të ndrequr. Pyetja e Zotit “Ku është gjaku i vëllait tënd që thërret deri tek un?” besoj se në shumë pak vende ka qenë aq e qëlluar sa në Shqipërinë komuniste, që nuk derdhi asnjëherë pikë loti për viktimat e panumërta që shkaktoi. E përgjegjësia mbeti si tek drama “Fuenteovehuna”, të sjellë si shembull nga Papa në ligjirimin e tij: ”Të gjithë dhe asnjëri”. Klasa e vjetër kriminale politike, besnike edhe sot e sistemit të saj, që i ka shpëtuar drejtësisë së kësaj bote, duhet ta dijë se do të vijë dita e gjykimit për secilin. Klasa e re politike, që trashëgoi pa u munduar t’i ndreqë mëkatet dhe krimet e paraardhësve është ende në kohë për të thënë fjalën e saj. Uroj ta studiojë në thellësi këtë monument të mendimit bashkëkohor, që është, ligjirata e Lampedusa-s e të mbajë parasysh fjalët lapidare të autorit të saj: “Zoti do të na gjykojë në bazë të asaj se si kemi trajtuar më nevojtarët”. Nevojtarët më të mëdhenj vazhdojnë të mbeten ata që komunizmi u rrëmbeu, jetën, lirinë, pasurinë, ëndrrat për jetën
Posted on: Fri, 12 Jul 2013 11:30:21 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015