Licencat numerike,bojkotohet AMA Kryetarja zhvillon mbledhjen e - TopicsExpress



          

Licencat numerike,bojkotohet AMA Kryetarja zhvillon mbledhjen e radhës së mesditës vetëm me operatorë lokalë Kryetarja e Autoritetit të Mediave Vizive, Endira Bushati, vijon përpjekjet e saj për të diskutuar planin e renditjes së shërbimeve mediatike audiovizive që mbështeten në rrjete numerike, paçka se të tilla diskutime janë bojkotuar nga grupet kryesore të interesit. Nga lista e pjesëmarrësve, ajo e ka zhvilluar mbledhjen e radhës mesditën e së enjtes, vetëm me operatorë lokalë. Televizionet që kanë licencë kombëtare, “Top Channel”, “TV Klan” përfshi platformën kryesore dixhitale tokësore “DigitAlb”, nuk ishin prezente në mbledhje, pasi ato e kanë bërë të qartë pozicionin e tyre përballë AMA-s, e cila nuk mund ta drejtojë këtë proces. Grupet kryesore, në mënyrë të vazhdueshme kanë kontestuar mënyrën, përfshi të gjithë hapat e ndërmarrë deri më tani për procesin e hartimit të dokumentit të strategjisë së kalimit në teknologjinë dixhitale. Dokumenti u hartua nga Ministria e Inovacionit e drejtuar nga Genc Pollo, në vend që të punohej nga AMA, detyrë të cilën ia përcakton ligji 84 10. Paaftësia në përgatitjen e strategjisë nga Ministria e Inovacionit, reflektohet edhe në përgatitjen e dokumentacionit teknik për licencimin e rrjetit numerik nga AMA. Ka një dokument teknik që operatorët duhet të bazohen në ndërtimin e rrjetit të tyre. Sipas ekspertëve të fushës, është e pamundur me kaq pak informacion në dispozicion të hidhen hapa të mëtejshëm. Janë vetëm tri faqe me të dhëna tejet sipërfaqësore të vëna në dispozicion nga AMA për të gjithë operatorët, ndërkohë që procesi i kalimit në teknologjinë e re është kryesisht teknik. Le t’u referohemi fakteve. Ky është studim voluminoz i përgatitur po nga KKRT-ja, sot AMA, në vitin 2008, i cili jep me detaje të hollësishme të gjithë parametrat teknikë të nevojshëm për të ndërtuar një rrjet numerik tokësor. Përballë kësaj situate, kur AMA nuk ka një studim teknik të nevojshëm për këtë proces, si edhe një dokument strategjik, të përshtatshëm për procesin me të drejtë na lind pyetja: Përse kryetarja e AMA-s, Endira Bushati, shpejton ta përmbyllë këtë proces shumë të rëndësishëm, pavarësisht se grupet e interesit kanë shprehur kundërshtitë për mënyrën se si ky proces po dirigjohet prej saj? Në të gjithë këtë procedurë, AMA ka hyrë dhe po e vazhdon me ngut, pavarësisht se me një ngërç ligjor dhe institucional. Aktualisht AMA ka vetëm katër nga shtatë anëtarë që duhet të kishte. Por, pavarësisht kësaj, AMA ka nisur procesin e projekt-rregullores, me firmën e një anëtari të pestë, Gent Ibrahimi, mandati i të cilit ka përfunduar në shtator të vitit 2012. Që në këtë pikë procesi është antiligjor, ndërkohë që pas kësaj, kryetarja Bushati po e vazhdon procesin edhe me një anëtar më pak, Zylyftar Bregun, i cili u dorëhoq nga ky proces duke e quajtur atë të jashtëligjshëm. Me vetëm 3 anëtarë dhe vetëm me televizione lokale në tryezë, zonja Bushati duket e vendosur të çojë përpara projektin e saj, edhe pse në bazë të ligjit vetë AMA e mbetur nuk ka legjitimitet. Mungesa e legjitimitetit të një institucioni të cunguar, që shkel ligjin në mënyrë të vazhdueshme, përveçse të paragjykuar, e bën edhe procesin që ka nisur e po çon përpara me nxitim të jashtëligjshëm. // Gazeta Shqip
Posted on: Fri, 19 Jul 2013 13:25:04 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015