Lufta II Botërore, ushtarët britanikë që u vranë për - TopicsExpress



          

Lufta II Botërore, ushtarët britanikë që u vranë për Shqipërinë Saimir Maloku Qysh nga koha e pushtimit të Shqipërisë më 7 prill 1939 nga Italia fashiste, Britania e Madhe, nëpërmjet Shërbimit Informativ Sekret të saj (SIS), tentoi që nëpërmjet Jugosllavisë të dërgonte agjentë të saj me detyrë për të nxitur luftime sporadike kundër pushtuesve italianë në Shqipëri. Deri në mars 1941 këta agjentë ishin të komanduar nga nënkoloneli Oukli Hill. Në vjeshtë të vitit 1940 krijohet Drejtoria e Operacioneve të Posaçme (SOE) si dhe BBC (Radio e Korporatës Britanike të Radiopërhapjes) për të bërë propagandë. U tentua dhe u arrit që të hedhin me parashutë 7 misione të oficerëve ndërlidhës britanikë gjatë periudhës gusht-shtator 1943. Midis tyre ishte dhe nënkolonel Bill Maklin dhe majori David Smajli. Pak më vonë, në tetor të vitit 1943, u hodhën me parashutë edhe gjeneral brigade Dejvis me grupin e tij, në mënyrë që të ndizej sa më shumë rezistenca popullore në Shqipëri. Në mars të vitit 1943 u krijua Skuadrilja 148 e Forcave Ajrore Mbretërore (RAF) dhe u vendos në aerodromin e Derna Main të Cirenajkës. Ajo kishte 14 avionë Halifax dhe 4 aeroplanë Liberator. Prej këtej furnizoheshin vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe Shqipëria. Grupe të ndryshme dhe të vogla të oficerëve britanikë hidheshin me parashutë në Shqipëri për të kryer misione të veçanta vëzhgimi dhe sabotimi në prapavijat e armikut. Furnizimet nga ajri me armë, municione, mjete radiondërlidhjeje etj. ndihmuan në krijimin dhe me pajisje luftarake të Brigadës I (800 partizanë) në gusht të vitit 1943 në Vithkuq. Misionarët ushtarakë britanikë u vendosën pranë shtabeve të njësive partizane të Legalitetit dhe të Ballit Kombëtar. Nëpër njësitë partizane, sapo niste hedhja nga ajri e furnizimeve përhapeshin shpesh fjalë se ato ishin të papërshtatshme. Diktatori E. Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërm në atë kohë nuk e patën të vështirë ta frynin këtë gjë. Kjo sepse ai me udhëheqësit e tjerë të LNÇ dhe PKSH e shikonin Bashkimin Sovjetik si modelin e tyre, ndërsa Britaninë e Madhe dhe SHBA-në si aleat ushtarak, por jo politik. Oficerëve britanikë u ishte dhënë udhëzimi që të ndihmonin cilindo në Shqipëri që do të luftonte kundër armikut të përbashkët, si kundër italianëve dhe më vonë kundër gjermanëve. Shtabi kryesor i misioneve ushtarake britanike, i kryesuar nga gjenerali Dejvis dhe nënkoloneli Nikols, u vendos në Bizë të Martaneshit. Frederik Nosi ishte oficer ndërlidhës dhe përkthyes i tyre. Ky grup u hodh me parashutë në Bizë natën e 15 tetorit të vitit 1943 nga dy avionë të mëdhenj Halifax. Furnizimet nga ajri u bënë afër Dibrës, Pezës, Shëngjergjit, Tragjasit, Sheperit dhe pranë liqenit të Ohrit. Forcat aleate hodhën me parashutë shumë pushkë antitanke, mortaja, automatikë, pushkë, granata, mina antitanke, eksplozive dhe një shumë të konsiderueshme sterlina ari. Hedhje ngarkesash u bënë më vonë në Macukull, Kalis, Sheper, Voskopojë etj. Më 20 dhjetor të vitit 1943 u hodh me parashutë edhe z. Rexhinald Hibert, oficer britanik, i cili më vonë shkroi librin “Fitorja e hidhur”, duke pasqyruar në mënyrë reale kontributin e madh që dhanë Britania e Madhe dhe misionarët ushtarakë të saj në Shqipëri. Më 4 janar të vitit 1944 gjenerali britanik Dejvis dhe shtabi i tij u kapën rob nga trupat gjermane në fshatin Kostenjë. Por diktatori E. Hoxha në kujtimet e tij pretendon se gjenerali Dejvis iu dorëzua vetë gjermanëve dhe se e kishte kërkuar dorëzimin disa herë sepse nuk i duronte vështirësitë e dimrit. Më 3 shtator të vitit 1943 forcat aleate zbarkuan në Italinë Jugore, pasi kaluan Ngushticën e Mesinës. Një avioni bombardues Halifax me katër motorë, i nisur nga aerodromi i Tokres në Cirenajkë të Libisë i duheshin 4 orë fluturim për të ardhur në Shqipëri. Prandaj, gjatë periudhës 22-27 dhjetor 1943 Kuartieri i Regjimentit 334 të RAF u zhvendos nga aerodromi i Tokres në Cirenajkë të Libisë për në Brindizi në Italinë e Jugut. Më 15 janar 1944 gjenerali amerikan Iker (Eaker) mori komandën e Forcave Ajrore Aleate të Mesdheut, duke përfshirë edhe regjimentin 334. Gjatë periudhës 22-31 janar 1944 skuadrilja 148 u zhvendos në Brindizi të Italisë. Atje ajo u bashkua edhe me Grupin Transportues të Trupave të Forcave Ajrore të SHBA që përbëhej nga tri skuadrilje me avionë amerikanë transporti C47 (Dakota) si dhe një skuadrilje bombarduesish të rëndë amerikan të tipit Liberator (U.S.A.A.F). Mbas marsit 1944 skuadrilja 148 u tërhoq nga furnizimi për Shqipërinë, sepse këto fluturime u bënë me aeroplanë transporti C47. U rritën furnizimet për Shqipërinë sidomos në datat 23 mars, 21 prill dhe më 31 maj 1944. Nënkoloneli Nikols vdes më 11 shkurt 1944. Kjo si pasojë e sëmundjes së dizenterisë dhe plagët e rënda nga ngrirja e këmbëve nga të ftohtit (pas vdekjes ai dekorohet me Kryqin e Gjergjit, me motivacionin për kurajë dhe vendosmëri të jashtëzakonshme. Gjithashtu i rritet edhe grada ushtarake). Në veri ishte misioni “Stables” i vendosur në fshatin Kalis, që përbëhej nga oficerët britanikë si Majori Riçard Ridëll, kapiteni Toni Simkoks, kapiteni Majkëll Lis, oficeri Rexhinald Hibert, rreshteri Gregson Ollkoti dhe tetari Dejvis. Në Macukull si dhe në zonat zogiste të Krujës dhe Matit ishin Majori Sejmur, togeri Smith dhe kapiteni Bulman. Më vonë më 15 mars 1944 erdhi kapiteni Xhon Hiberdini, së bashku me radistin Jan Merreti. Në prill vjen përsëri Maklini dhe Xhulian Emeri. Në jug u caktuan majori (më vonë nënkolonel) Alen Palmer i Artilerisë Mbretërore, kapiteni (më vonë major) Viktor Smith, i Pushkatarëve të Laukashirit. Më vonë, pranë misioneve Suifter dhe Sculptor u vendos nënkolonel Uiler, kapiteni (major) Markus Llajenin, kapiteni E. Northrop, kapiteni Xhek Dymulen (mjek), majori Gordon Layzell (i cili u vra në fillim të shkurtit 1944 në Staravecke nga një aksident me armën e tij). Gjatë periudhës shkurt-mars aty erdhën edhe kapiteni Brijën Ensor, majori P. M. Rous, kapiteni C. L. D. Njuell si dhe togeri J. A. Jang (infermier). Pranë Shtabit të Përgjithshëm partizan ishte oficeri epror britanik Alan Palmeri. Në jug pra ishin 11 oficerë britanikë, ndërsa në veri 13 deri në 16 oficerë britanikë (duke ardhur edhe majori Shou, kapiteni Rajt si dhe togeri Merri. Oficeri tepër i rëndësishëm britanik Filip Liku (P. Martin Leake) u vra nga një copë predhe kur aeroplanët gjermanë sulmuan fushimin e britanikëve në Sheper të Zagorisë. Ushtarakë amerikanë zbarkuan fshehurazi afër bregdetit të Vlorës. Nëpërmjet plazhit të Borshit partizanët morën furnizime. Oficerët britanikë merrnin pjesë në aksione duke minuar rruga dhe ura, në mënyrë që të pengonin lëvizjen e trupave gjermane. Ofensiva gjermane e qershorit të vitit 1944 me 15000 ushtarë gjermanë goditi rëndë forcat partizane në veri dhe në jug të vendit. Aeroplanët Spitfire të RAF nga bazat ajrore në Itali u thirrën nëpërmjet misioneve të BLO në jug për të sulmuar kolonat gjermane, duke u dhënë një mbështetje të rëndësishme forcave partizane. Vetëm gjatë muajit maj të vitit 1944 pati 34 fluturime të aeroplanëve Dakota, që hodhën secili nga 2 tonë furnizim. Gjithashtu u hodhën në 2 fluturime 20 pjesëtarë të një grupi komandosh me pajimet e tyre. Këto ishin pjesa e parë e një vargu operacionesh në Shqipërinë e Jugut nga ana e Forcave të Shërbimeve të Posaçme të Forcës 266, me synimin për të ndërprerë komunikimet veri-jug të trupave gjermane. Gjithashtu, pati edhe inkursione amfibe për hedhjen e grupeve komando në bregdetin e jugut. Hyrja e trupave aleate në Romë më 4 qershor dhe hapja e Frontit të Dytë më 6 qershor u pritën me një gëzim të jashtëzakonshëm në Shqipëri. Formacione të mëdha të Forcave Ajrore të SHBA-së me bombardues Liberator fluturonin shpesh në hapësirën ajrore të vendit tonë, me objektiv bombardimin e fushave të pasura me naftë të Ploeshtit (Rumani). 2 aviatorë të SHBA-së u hodhën me parashutë në afërsitë e Peshkopisë, sepse u ishte dëmtuar aeroplani në këto bombardime ajrore. Ata u strehuan në çetat partizane. Natën e 27 dhe 28 korrikut të vitit 1944 shumë aeroplanë të RAF dhe amerikanëve hodhën me parashutë materiale të shumta luftarake për Brigadën I. Me kërkesë të forcave partizane shumë avionë të Beaufighter të RAF më 10 dhe 11 gusht 1944 shkatërruan kazermat gjermane në Dibër me zjarrin e raketave. Forca ajrore e Ballkanit i sulmoi ato përsëri, duke u shkaktuar humbje të mëdha në njerëz dhe materiale luftarake. Nga sulmet ajrore dhe ato të forcave partizane rreth 400 ushtarë gjermanë u vranë. Çdo muaj 140 tonë furnizime hidheshin nga ajri dhe 300 tonë nga deti i dërgoheshin Ushtrisë Nacionalçlirimtare nga forcat aleate anglo-amerikane. Pas muajit gusht të vitit 1944 trupat komando britanike, në bashkëpunim me brigadat tona partizane, çliruan më 9 tetor 1944 qytetin e Sarandës. Disa marinarë britanikë të grupeve komando dhanë jetën gjatë këtyre luftimeve të përgjakshme. Ushtarakët britanikë që qëndronin pranë njësive të mëdha partizane, me kërkesë të tyre dërgonin njoftime pranë njësive të mëdha ajrore të RAF. Këto sulme ajrore u bënë më të shpeshta. Vetëm në një ditë nëntori të vitit 1944, 28 aeroplanë Beafighters të RAF, të pajisur me raketa, sulmuan në Tiranë kazermat e fortifikuara dhe pozicionet e topave të forcave gjermane, duke u shkaktuar humbje të shumta atyre. Duhet të theksojmë se gjatë Luftës së Dytë Botërore, Britania e Madhe, nga prilli i vitit 1943 deri në 31 tetor 1944, dërgoi rreth 76200 sterlina ari në ndihmë të forcave partizane, të Legalitetit dhe të Ballit Kombëtar. 46 ushtarakë britanikë dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Më 8 Maj 1945, Kryeministri i Britanisë së Madhe, U. Çurçill, nëpërmjet radios, i jep lajmin tepër të gëzueshëm të popullit anglez kudo në botë për fitoren e forcave aleate ndaj forcave naziste. Në ora 17 Mbretëresha e Anglisë, nga Pallati Mbretëror Bukingam, përshëndet popullin e Londrës. Lufta mbaroi, por shumë vetë ranë dëshmorë. Për 47 vjet regjimi komunist kërkonte të mbulonte kontributin e madh që dhanë Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo për arsye ideologjike dhe si kundërshtarë të regjimit. Sot më datë 8 maj 2010, ora 11:00, populli i Tiranës do të bëjë homazhe tek varrezat e 46 ushtarakëve anglezë që ndodhen pranë Kodrave të Liqenit Artificial të Tiranës. ------------------- *Këto të dhëna janë marrë nga kujtimet e botuara të oficerëve anglezë, që ishin misionarë ushtarakë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe libra të tjerë të botuar në Shqipëri, nga burime ushtarake angleze etj. Reshit Maloku, i ati i autorit të këtij shkrimi, pasi mbaroi shkollën amerikane të H. Fullcit, në vitin 1937, ishte shoqërues dhe përkthyes i Elizabet Barkerit, personalitet i rëndësishëm britanik gjatë vizitës së saj në Alpet e Veriut. Gjatë viteve 1965-1974 shtëpia e S. Malokut ka pritur shumë miq anglezë. Në maj të vitit 1976, Saimir Maloku, me urdhër të diktatorit komunist arrestohet si i dyshuar për agjenturë angleze dhe vuan për afro 9 vjet dënim politik në burgun e Burrelit e të Spaçit për agjitacion e propagandë. Emrat e ushtarakëve anglezë që ranë dëshmorë në Shqipëri A. F. C. NICHOLLS. N/Kolonel, komandant dhe shef i shtabit të Gardës Goldstream. Dekoruar me Kryqin e Gjergjit pas vdekjes dhe me Gradën Gjeneral. G. E. LAYZELL. Major i Regjimentit të Lankashirit Jugor. S. P. MARTIN LEAKE. Major i Trupave të Zbulimit. G. A. PARSONS. M. C. Kapiten i Forcave Këmbësore të Somersetit Komando. A. CARELESS. Kapiten i Korpusit të Blinduar Mbretëror. P. B. WHITEHOUSE. Kapiten i Xhenios Mbretërore. M. S. MACPHERSON. Kapiten i Forcave Detare Mbretërore. W. J. HILES. Kapiten i Forcave Detare Mbretërore Komando G. B. BANTING. M. A. Prift ushtarak i Departamentit të Forcave Mbretërore Komando R. E. STANLEY. Oficer fluturimi i Forcave Ajrore Mbretërore. J. G. DOUGLASS. Toger i Forcave Ajrore Mbretërore. R. N. CULLEN. DFC. Toger i Forcave Ajrore Mbretërore. A. M. SENNETT. Toger i Forcave Këmbësore të Lehtë Malore. J. A. COYLE. Toger i Artilerisë Mbretërore. H. AVEYARD. Toger i Forcave Këmbësore të Lehtë Malore. P. V. WADDELL. Kapter i Forcave Ajrore Mbretërore Australiane. J. S. BAIN. Kapter i Forcave Detare Mbretërore. D. STOTT. Tetar i Forcave Ajrore Mbretërore. S. G. ROBERTS. MM. Tetar i Forcave Këmbësore të Lehtë Malore të Durhamit. J. L. DEVINE. Rreshter dhe Inxhinier i Forcave Ajrore Mbretërore. V. J. MORGAN. Rreshter i Forcave Ajrore Mbretërore. D. H. POTTER. Rreshter i Forcave Ajrore Mbretërore Australiane. H. V. BUTTON. Rreshter i Regjimentit të Blinduar Mbretëror. F. C. R. BURLEFINGER. Rreshter, ndërlidhës dhe mitraljer i Forcave Ajrore Mbretërore. W. TUBBERDY. Rreshter, ndërlidhës dhe mitraljer i Forcave Ajrore Mbretërore. E. B. CHILDS. Rreshter i Forcave Ajrore Mbretërore. E. D. S. TENNANT. Rreshter i Forcave Ajrore Mbretërore Australiane. J. G. STEWART. Rreshter, mitraljer i Forcave Ajrore Mbretërore. J. E. MOORES. Rreshter i Regjimentit Mbretëror të Norfolkut Komanda G. N. BROOKS. Rreshter i Forcave Ajrore Mbretërore. S. NEWMAN. Rreshter, ndërlidhës dhe mitraljer i Forcave Ajrore Mbretërore. D. C. MURRELL. Rreshter i Forcave Ajrore Mbretërore. G. GARDNER. Rreshter i Forcave Ajrore Mbretërore. H. WILLIAMS. Rreshter, mitraljer i Forcave Ajrore Mbretërore. W. ELLAM. Rreshter, ndërlidhës dhe mitraljer i Forcave Ajrore Mbretërore D. M. TURNER. Rreshter, mitraljer i Forcave Ajrore Mbretërore. D. W. ROCKINGHAM. Ushtar i Forcave Zbuluese Mbretërore. G. S. PRATT. Marinar i Forcave Detare Mbretërore Komando J. V. SALT. Marinar i Forcave Detare Mbretërore Komando W. J. ST. ANGE. Marinar i Forcave Detare Mbretërore Komando N. SWANNEY. Ushtar i Forcave Këmbësore të Lehtë Malore A. BARR. Ushtar i Forcave Këmbësore Mbretërore A. J. D. CLARKE. Ushtar i Artilerisë Mbretërore R. PINCHER. Marinar i Forcave Detare Mbretërore H. GEE. Ushtarak i Regjimentit Special të Besueshëm J. CASEY. Ushtar i Forcave Këmbësore të Lehtë Malore standard.al/index.php/dosier/5973.html
Posted on: Mon, 01 Jul 2013 07:58:23 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015