Me ndihmën e Crown Agents, doganat shqiptare do të mbledhin mbi - TopicsExpress



          

Me ndihmën e Crown Agents, doganat shqiptare do të mbledhin mbi 90 milionë euro më shumë Ka disa kohë që bëhen komente të ndryshme në lidhje me shërbimet, që i janë kërkuar kompanisë 180-vjeçare Crown Agents (CA) nga doganat shqiptare. Nëse do të flasim për CA, nuk më mbetet t’ju them tjetër, përveç faktit se kemi për partnere një kompani të mirënjohur në botë për reputacionin e shërbimeve me standarde të larta, por edhe për bashkëpunimet e suksesshme me qeveri e organizma joqeveritare si: Banka Botërore, Komisioni Evropian, Kombet e Bashkuara, apo dhe agjencitë shtetërore me reputacion në vendin tonë, si: DFID, KfW, SIDA. Lidhur me spekulimet për parregullsi në veprimtarinë e kësaj kompanie, besoj janë të mjaftueshme ndërhyrjet, si të ambasadës britanike, ashtu dhe të vetë BB. Qeveritë shqiptare, të majta apo të djathta, e njohin atë prej 2 dekadash, pasi CA ka pasur programe me Shqipërinë dhe me doganat shqiptare që prej vitit 1992, 1995 e më tej. Për më shumë detaje, ua kemi kaluar deputetëve në komisione. Meqë kishim kërkesa nga disa deputetë, në kuadrin e një transparence sa më maksimale, kemi kaluar edhe anekset e kontratës, që siç e dini, në bazë të nenit 12 të projektligjit, janë subjekt miratimi nga Këshilli i Ministrave. Këto anekse janë ende në diskutim me palën tjetër dhe janë sjellë tek deputetët vetëm për të marrë dijeni se cila do të jetë përmbajtja e përafërt e tyre. Ato do të marrin formën përfundimtare vetëm pas mbylljes së negociatave dhe pas miratimit nga KM (siç e kërkon p/ligji). Kërkesa jonë është që ne pranojmë çdo sugjerim a koment, i cili do të çonte në përmirësim të tyre, nëse deputetë të veçantë e shohin të arsyeshme dhe të dobishme. Opozita e ka shprehur, por edhe disa media po ashtu kanë prezantuar opinione lidhur me faktin se kontrata me CA ka paqartësi në objektivat konkretë, në elemente të kostos, çmimit të llogaritur, mungesës së sanksioneve për rastin e dështimit dhe shumë komente të tjera. Por, në fakt, unë do t’ju thosha se këto opinione janë hamendësime që nuk lidhin organikisht pagesën që do të bëjmë për shërbimet e CA, me rezultatin që presim për reformimin e administrimit doganor. A kam arsye të shprehem me këtë logjikë? Puna që bën CA është unike. Përderisa nuk ka një të dytë që të krahasohet në këtë drejtim (në kuptimin që nuk dëmton konkurrencën në këtë “treg”), natyrisht që edhe kontratat që ajo nënshkruan me shtete të ndryshme në të gjashtë kontinentet janë unike. Edhe pse mund të kërkoni një marrëdhënie dhe shërbim të ngjashëm me kompani që kanë kryer shërbime për qeverinë shqiptare, apo të kryera në vende të tjera, mund të gjenden vetëm modele unike të krijuara sipas nevojave të vendit, ku CA ka kryer shërbimet e saj. Edhe pse për vendin tonë është një model i ri i pajtimit të shërbimeve për të rritur performancën dhe shëruar plagët e hapura të korrupsionit dhe kontrabandës në sistemin doganor, nëpër vendet e Bashkimit Evropian, pajtimi i kompanive private nga administrata fiskale për të dhënë “mendje”, është një veprim normal. Madje edhe vetë doganat britanike, në periudhat kur kanë pasur një nevojë të tillë, të identifikuar nga rrethanat dhe niveli i dobët i performancës, kanë pajtuar kompani private për periudha të caktuara, të cilat, pasi realizonin objektivin për të cilin ishin pajtuar, e quanin të mbyllur shërbimin e tyre. Mbështetur mbi një logjikë të tillë, mendoj t’ju paraqes sot këtu fakte dhe komente për të treguar se gjithçka që lidhet me këtë model të ri të të kryerit të shërbimeve fiskale ka lidhje me transparencën, performancën dhe rritjen e kapaciteteve administrative në funksion të qëllimit dhe misionit kryesor të administratës fiskale: atë të maksimizimit të të ardhurave në zbatim të ligjit të buxhetit. a. Me qëllim që performanca të mos vazhdohet të matet vetëm nëpërmjet përmbushjes së planit të të ardhurave, por nëpërmjet ngushtimit të evazionit dhe rritjes së kapacitetit administrativ, është menduar me shumë kthjelltësi dhe vizion të thirret kompania, ndër më të spikaturat e këtyre shërbimeve të veçanta në mbarë botën. Qeveria e sotme nuk do të vazhdojë më me praktikat e vjetra, ku disa trajtoheshin si të nënës dhe të tjerë si të njerkës. Të gjithë jemi dëshmitarë dhe kundërshtarë të praktikave skandaloze të trajtimit të pabarabartë të subjekteve private, ku bizneset e familjeve kanë bërë kërdinë në kurriz të buxhetit dhe pjesës tjetër të ndershme të privatit. Kjo epokë e turpshme dhe antiligjore merr fund. Bëjani me dije qartazi miqve tuaj, ish-zyrtarëve dhe anëtarëve të opozitës. b. Si në gjithë rastet e këshillimit, edhe pagesa e shërbimit për CA do të varet nga cilësia e shërbimit të dhënë. Puna e këshilltarëve të CA është që, duke u bazuar te analizimi i sistemit dhe procedurave, të jepen mënyrat dhe pikat e veprimit për përmirësimin e tyre duke asistuar në zbatim dhe rezultatin e dëshiruar. Por, është detyrë e qeverisë, por edhe e secilit tatimpagues, që të ketë peshën e përgjegjësisë për të bërë të mundur që të përdoret i gjithë ky proces për afrimin e sistemit ligjor pranë standardeve të kërkuara që e afrojnë më shpejt me ato të vendeve anëtare të BE-së. Ndaj këtij shërbimi, për herë të parë në këtë format, mund të lindin reagime normale që vendosen në kontekstin e ekonomisë së vendit, si dhe faktorëve të jashtëm e të brendshëm që ndikojnë mbi të. Por, nëse shikohet i lidhur me produktin që pritet nga ky shërbim, secili do të thoshte se ia vlejti barra qiranë. Kjo është mënyra më e mirë për të kontrolluar punën e secilit këshilltar: verifikimi i vazhdueshëm i cilësisë së rekomandimeve duke vëzhguar efektin që japin në terren. Këshillat dhe ekspertizën do ta japë CA, ndërsa autoritetin për të urdhëruar punonjësit për t’i zbatuar ato do ta ketë stafi menaxherial i doganave. CA do të sjellë në Shqipëri disa nga ekspertët e saj më të zotë, të cilët, edhe pse janë përfitues të parave të taksapaguesve shqiptarë, me ekspertizën dhe aftësitë që i kanë treguar në mjaft raste të ngjashme, do ta rikthejnë këtë investim të qeverisë në kohë të shkurtër dhe me një standard të ri dhe më të lartë se më parë. Por për të dalluar ndryshimin, duhet të mbani mend fillimin. Sfidat e reja që duhet të përballohen prej të gjithëve ne, kërkojnë edhe standarde të reja të administratës, e veçanërisht asaj fiskale, që duhet të jetë pararoja e ndryshimeve për vetë natyrën më specifike që ka në mbarë administratën publike. Të nderuar deputetë, Ndryshimi kërkon kohë dhe sfidat për t’u kaluar qëndrojnë përballë administratës, edhe pse përpjekjet dhe kërkesa për ndryshim nuk do të ndalen nga ana jonë. Por, ne asnjëherë nuk duhet të harrojmë se është puna jonë që t’i bëjmë ndryshimet të ndodhin, ashtu siç është detyra e ekspertëve të japin më të mirën e tyre për të ndihmuar të ndodhë ky ndryshim. Rezistenca ndaj kësaj reforme është e madhe dhe ne e kuptojmë si një rezistencë që vjen prej shumë faktorëve, kryesisht nga disa persona që mund të jenë këtu dhe humbasin përftimet e pandara të deritanishme. Por ajo që duhet të shumëfishohet nga të gjithë qytetarët, është që të jenë objektivë kur të mendojnë për këtë dhe të bëjnë një gjykim nisur nga rezultatet që do të shikojnë. Të bësh me faj dikë nuk është e vështirë, aq më tepër kur ti mendon se ai po të merr atë që është pjesë e taksave që ke paguar. Por, krahasuar me heqjen e taksës së korrupsionit, të evazionit dhe të pabarazisë që dhunon të drejtën tënde, shërbimi që merret në këmbim është shumë herë më i qartë se është në fakt vlera e një standardi qytetarie, që quhet barazi para ligjit duke paguar atë që ai të obligon ta bësh. Sot jemi në këtë mbledhje për një kontratë që Qeveria shqiptare kërkon të lidhë me CA për të asistuar/ndihmuar doganat shqiptare, në një periudhë bazë 2-vjeçare. Siç e dini, qeveria ka në programin e saj synime të qarta për përmirësimin rrënjësor të performancës, rritjen e të ardhurave, zbatimin e praktikave ndërkombëtare dhe praktikave më të mira dhe luftën ndaj korrupsionit, në përgjithësi, dhe në mënyrë të veçantë, në organet fiskale e në rastin konkret, në dogana. Për këtë kemi një program të gjerë, ku pjesë është dhe marrja e asistencës për administratën doganore nga burime të ndryshme vendore e ndërkombëtare. Ju i keni kushtet e kontratës, pasi drafti ju është dorëzuar prej ditësh. Dua të ndalem në disa pika që shpjegojnë arsyet politike dhe ekonomike të një qasjeje të tillë për administrimin doganor. Së pari, treguesit makroekonomikë me “frena të këputura” nuk garantojnë frenimin e erozionit të të ardhurave fiskale. Pavarësisht nga argumentet boshe të ish-qeveritarëve, mbi supet e shqiptarëve rëndon një ekonomi e plagosur rëndë në disa drejtime. Kjo situatë kërkon ndreqje urgjente dhe ne po marrim masa po urgjente, sa në njohjen e plotë të situatës reale, aq edhe në veprime që do e sjellin ekonominë në rrugën e duhur. Së dyti, detyrimet doganore janë një element thelbësor në mbushjen e arkës së zbrazët që na la qeveria e kaluar, me punën e dobët dhe aspak të përgjegjshme. Në 8 vite qeveria e ikur nuk mundi të rrisë të ardhurat nga doganat më shumë se 2% e PBB-së, ndërsa ne në bashkëpunim me CA zotohemi t’i rrisim të ardhurat me 1% në vit. Brenda një viti do të bëjmë më shumë se sa u realizuan në katër vite. Kjo është diferenca, ky është ndryshimi. Ne na duhet të rimarrim me çdo kusht situatën dhe të vjelim të ardhurat e duhura nga çdo biznes, në mënyrë të ndershme dhe të barabartë. Administrata publike dhe në veçanti ajo doganore duhet dhe do t’i kthehet punës serioze në mbledhjen e çdo leku që i takon buxhetit të shqiptarëve. Të gjithë e dimë dhe nuk kemi lënë rast pa e përmendur se doganierët janë ndër zyrtarët më të korruptuar në administratën shtetërore. Ne si qeveri nuk mund dhe nuk do të rrimë indiferentë ndaj këtij fakti, përkundrazi, jemi të vendosur të ndërmarrim masa energjike për ta luftuar korrupsionin dhe për të kthyer besimin tek administrata publike dhe veçanërisht te ajo doganore. Në ndihmë të këtij objektivi, kemi kërkuar edhe asistencën e CA, si një kompani me eksperiencë dhe me rezultate konkrete në këtë drejtim, në botë, por sidomos në rajon. Së treti, gjykuam që këtë punë ta zgjidhim me përfshirjen e Kuvendit në këtë nismë të veçantë ligjore për të marrë asistencën. Për të ruajtur elemente të domosdoshme të transparencës, por edhe të korrektesës në marrëdhënie me Kuvendin, kemi sjellë projektligjin së bashku me draft kontratën përkatëse, ndryshe nga praktikat e deritanishme të qeverisë së shkuar që i jepte për miratim Kuvendit kontratën e firmosur, të bërë fakt më përpara. Zotërinj të opozitës, dikur kur ishit në qeveri, me dijeni apo më saktë pa dijeninë e shumicës tuaj, ish-kryeministri dhe ish-ministri i Financave kanë nënshkruar një dyzinë kontratash për dhjetëra, në mos qindra milionë dollarë, vetëm me dy faqe, me shmangie nga tatim-taksat, pa pyetur madje Kuvendin. Kontrata ku puna matej me 28 ditë qëndrim në Shqipëri dhe 60 e-maile, me kosto për 1 milion dollarë, apo kontrata për këshilltarë që na kanë dhënë garanci për pagesa garancish, si ajo për privatizimin e “Albpetrolit”, e cila ende edhe sot nuk është realizuar (bëhet fjalë për 85 milionë dhe jo 8.5 milionë euro sa është kjo kontratë që po diskutojmë). Keni të tjera kontrata koncesionare për ngjyrosjen e karburantit apo prodhim pullash që në vite do t’i kushtojnë ekonomisë me dhjetëra e dhjetëra milionë dollarë. Të tjera kontrata kur janë sjellë në Kuvend, kanë qenë të përfunduara dhe deputetit i është kërkuar të miratojë faktin e kryer. Kjo epokë e palavdishme ka marrë fund. Edhe një herë keni rastin të jepni mendime pozitive në përmirësim të kushteve të kontratës me ankesë ende të pafirmosur. Vlerësojmë në këtë rast sugjerimet e komisionit të ligjeve, të cilat do t’i reflektojmë dhe në pikën përkatëse në kontratë. Kujtojmë p.sh. se kontrata me Patton Boggs është rreth 8.8 milionë dollarë në 6 vjet, kryesisht konsulencë, lobime dhe rrjet influence. Po ashtu, në kontratën me Podesta Group në 6 muaj kanë marrë 360 mijë dollarë, kryesisht me zgjedhjet e qershorit 2013, si dhe forcimin e marrëdhënieve me SHBA-në. (fresk keqqeverisjes së Berishës). Ndërkohë nuk gjejmë as faturat për këto pagesa. Sikurse është kontrata koncesionare për skanerin në dogana (pasi e prishët vet), të cilës i është hequr pagesa e TVSH-së me efekt në buxhet me mbi 4 milionë dollarë. Ndërkohë, rasti që ju paraqitet, vjen tërësisht ligjor dhe transparent, çdo gjë e parashikuar, e bërë publike dhe në përputhje me ligjin. Fiksojeni, tashmë gjithçka do të bëhet sipas ligjit. Projekti që po negociojmë është serioz, shumë rigoroz, i dobishëm dhe rezultativ e praktik për vendin, si nga aspekti i kostos së përgjithshme, po ashtu dhe nga aspekti i treguesve kushtëzues të performancës, ku elemente bazë janë: Kushtëzimi me 25% të “pagesës në rrezik”, me ndarje: 10% për rritje të të ardhurave doganore nga 10.1% e PBB-së (më e larta e arritur në vite) në 11% ose afro 90 mln euro shtesë në buxhet; 10% me numrin e kontrolleve dhe kapjeve (ekipi shqiptar me mbështetje të CA do bëjë në një vit të njëjtin numër kontrollesh që bëjnë strukturat aktuale të kontrollit në DPD); 5% e pagesës është e lidhur me kualifikime, trajnime etj. gjatë punës të specialistëve tanë të doganave nga ekspertët e CA, për të na lënë pas largimit një ekip punonjësish shqiptarë të doganave në nivele pune me standarde sa më të larta; Kosto e përgjithshme e kontratës ndaj inputeve, krahasuar me vendet përreth, (ndonëse është konfidenciale), duket se është me koston më efektive; Eksperienca bullgare me këtë kompani ka sjellë që në 3.5 vite doganat bullgare kanë dyfishuar të ardhurat. Të ardhurat ndaj investimit atje kanë njohur përmirësim të ndjeshëm dhe janë vlerësuar si tejet të suksesshme ose si program reforme ndër më të suksesshmit në dogana. Në përfundim, mund t’ju them se qëllimi kryesor për çdo shtet që ka kërkuar ekspertizën e CA, mbetet përmirësimi dhe dhënia e një shtytje drejt cilësisë së shërbimeve publike. Në rastin e shërbimeve doganore, nisur nga fakti se janë të një natyre mjaft specifike dhe lidhen me fatin e të ardhurave buxhetore, rritja e kapacitetit të të ardhurave doganore nuk përfshin vetëm këtë administratë, por ka një efekt zinxhir edhe në ekonomi. Nga ana tjetër, Shqipëria ka nevojë për një rritje të kapacitetit administrativ që të mund të arrijë sfidat që deri më sot e kanë mbajtur larg vendin nga standardet e BE-së. Programet e zhvillimit për matjen e performancës dhe modernizimin e administratës doganore janë një këndvështrim që përkon, por nuk mbivendoset, me programet e zhvillimit të kapaciteteve të mbështetura financiarisht dhe teknikisht nga BE-ja. CA do të ndihmojë në koordinimin e reformës së nisur nga programet e asistuara nga ekspertiza e BE-së, me zgjerimin e bazës së të ardhurave, nëpërmjet identifikimit të mashtrimit nga përmbushja vullnetare e ligjeve shqiptare, por duke rritur kapacitetet administrative në nivelin e standardeve të doganave të BE-së. Për këtë qëllim do të aktivizohet një ekip ekspertësh i niveleve operacionale dhe menaxheriale, i përshtatur me nevojat e programit të veprimit dhe i koordinuar me menaxhimin e lartë të administratës doganore. Pritshmëria kryesore e gjithë këtij procesi do të jetë zgjerimi i bazë së të ardhurave doganore, me efekt ndikues direkt në të ardhurat tatimore qendrore dhe vendore. Në mbyllje, nuk do të harroj t’i kujtoj ish-kryeministrit dhe ish-ministrit të Financave të njoftojnë klanet e tyre se një tajfun po vjen në doganat shqiptare, që do të shkulë të keqen, për të kthyer në realitet normal dhe këtë pjesë jo pak të rëndësishme të ekonomisë. *Fjala e ministrit të Financave, Shkëlqim Cani në Kuvend
Posted on: Wed, 20 Nov 2013 07:52:20 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015