MéRZIA -------------- petrit sulaj E kështu, pra, në fillim - TopicsExpress



          

MéRZIA -------------- petrit sulaj E kështu, pra, në fillim fare, universin e kishte kapluar mërzia, që neve, në mënyrë vulgare e quajmë kaos. Perëndia, i mërzitur nga ky kaos, krijoj tokën, qiellin, ujin, kafshët, pemët, Adamin e Evën. Këto dy të fundit dikur u mërzitën nga parajsa dhe hëngrën mollën e ndaluar. Pastaj Zoti nga ana e tij, u mërzit nga veprimi i tyre dhe i përzuri nga Edeni. Alberto Moravia, " Mërzia " 1960 Mërzia. Për të përshkruar këtë emocion të komplikuar, njëri nga më të komplikuarit, mjeshtra të vërtetë janë sidomos shkrimtarët e shquar, e vetëm pastaj, në vend të dytë vijnë filozofët. E çuditëshme kur verifikohet, por psikologët ndihen në vështërsi kur përballen me të, dhe një fakt për këtë konstatim është se gjithmonë ato kur nisin të analizojnë ketë sentiment, nuk arrijnë autenticitet, e kështu u referohen shkrimtarëve dhe filozofëve. Një nga shkrimtarët e shquar italianë, Alberto Moravia ka shkrujtur një roman me këtë emocion, me titull: “ Mërzia ”. Ai jep definime të plota për sa i takon kësaj gjendje shpirtërore: “ Mërzia është megjithëmend një farë pamjaftueshmërie, mos përshtatëshmërie apo mungesë e realitetit ”. Pastaj: “Një vetëdije e errët midis meje e gjërave, sikur të mos kishim asnjë mardhënie mes nesh ”. Pastaj: “ Mungesë mardhënie me vetvehten...Pamundësi praktike për të ndenjur me vetvehten, e vetmja në botë të cilën nuk mund ta heq qafe në asnjë mënyrë, është mërzia “. Ndër filozofët, vlen të përmendet Kierkegaard, i cili ndoshta ka dhënë një përshkrim të bukur për mërzinë. Ai e cilëson si “ Një ndjenjë pa ndjenja, si një sentiment pa sentimente, një mangësi e pamundësisë për të zgjedhur ”. Psikologët zakonisht e definojnë mërzinë, si një gjendje emocionale e karakterizuar nga një gjendje sikleti, veshtirë per ta konkretizuar qartë, një gjendje e pakapëshme, rrëshqitëse e me shumë fytyra. Megjithëse në kuptimin e zakonshëm është një gjëndje emotive e njohur nga të gjithë dhe aspak e rrallë. Fenomeni me tipik i kësaj gjendje është konfiguracioni i njeriut, gjithëmonë i pakënaqur, si rezultat i përsëritjes të një aktiviteti të papëlqyeshëm, takimit me njerëz e vende pa interes, me fjalë të tjera një realitet i jashtëm që nuk ngjall as kuriozitet, as oreks, as kënaqësi por as edhe dhimbje. Njerëzit konsiderojnë mërzi dhe kokëçarjet e jetës së përditëshme dhe në fakt kanë dhe nuk kanë të drejtë njëkohësisht. Njerëzit të japin një përgjigje pothuajse standard, po tu drejtosh pyetjen se përse mërziten. “Mërzitem kur bëj gjëra pa interes, gjëra të mërzitëshme, mërzitem sepse njerëzit, librat, filmat, shokët, vendet janë jo interesante më për mua ”. Megjithatë, ky është një kuptim e spjegim thuajse fëminor i mërzisë. Njeriu nuk mund të mërzitet po pati në dispozicion shumë gjëra njëkohësisht, dhe po pati dëshirë e interes për të zgjedhur në jetë; kjo gjendje emocionale nuk është produkt i mërzisë, por një situatë më komplekse. Dhe për ta bërë të qartë këtë kontradiktë, do të jap nje shembëll personal. Fillimet e jetës time si emigrant në një vend të zhvilluar të Europës ishin megjithëmend interesante, aq interesante sa për pak harrova se eksistonte mërzia. Ishte një përvojë, si të them, e kalimit nga mërzia e plotë në të kundërtën e saj. Të jem i qartë po flas për një dëkadë e gjysëm më parë, dhe sa isha larguar nga vendi im, i mjeruar aso kohe. Duke qenë se nuk kisha vështërsi me gjuhën, kuptoja, lexoja, shkruaja dhe e flisja prej kohësh gjuhën e atij vendi, unë gjendësha vazhdimisht në fillimet e mija këtu, para çdo përvoje dhe nga ato më të rëndomtat, në një gjendje aspak të mërzitëshme. Në ditët e javët e para për mua dhe për njerëzit e tjerë të familjes time, vendi më interesant ishin supermarketet. Dyqane të mëdha me mijëra metra katror, ku ekspozoheshin mallra që as i kishim imagjinuar, ishin për ne një parajsë e vërtetë. Nuk kishte kohë për tu mërzitur dhe po të rrinim aty me orë të tëra. Por si kaluan ca javë dhe si zbuluam gjithë supermarketet e zonës, i pari unë, fillova të mos e ndjej më interesante shkuarjen nëpër supermerkate. Duhej të më luteshin dy vajzat, me pak se adoloshente atë kohë, që të lija punët që më interesonin për të shkuar atje. Ndërsa pas një viti supermarketet për mua ishin kthyer në një ferr të vërtetë. Kur duhej të shoqëroja bashkëshorten e vajzat për të bërë blerjet e radhes, merrja me vehte një libër dhe ndërsa ato kalonin një orë në supermarket, unë hiqja mërzinë duke lexuar ca faqe nga libri. Për herë të parë kur fillova të reflektoj ndaj këtij fenomeni, nuk ishte vështirë të zbuloja, se ndërsa për mua supermarketet ishin kthyer në një mërzi, për dy vajzat dhe bashkeshorten, ato akoma vazhdonin të ishin interesantë. Pra një fenomen i tillë, gjetja më interesante leximi i një libri, se sa vizita në një supermarket, po të më ishte bërë si pyetje në fillimet e kësaj eksperience, nuk do të kishte shumë kuptim. Megjithatë kjo ishte një përvojë e imja krejt spontane dhe përfundimi ishte imi, krejt i pandikuar apo i pasugjeruar. Atëhere si spjegohet që një gjë që të jep emocione të paprovuara një vit më parë, e gjen sot tepër të mërzitëshme? Unë për herë të parë isha përplasur me mërzinë në mënyrë ballore dhe tani kam zbuluar, se ky emocion vetëm në aparencë është një energji qorre, pa drejtim e pa qëllim të caktuar dhe me ca vullnet mund ta drejtosh ku e nga të duash. Interesante megjithëmend. Thelbi i mërzisë njerëzore. Mërzinë e kanë analizuar më me kujdes e vemendje psikanalistët. Sipas psikanalistit Otto Fenichel, i cili është marrë posaçërisht me këtë sentiment, esenca e mërzisë nuk është konflikti në mes nevojës për stimuj dhe mungesës së tyre në botën e jashtme, por në kontradiktën në mes dëshirës për të qenë i stimuluar dhe paaftësisë së njëkohëshme për të njohur dhe pranuar këto stimuj. Pra, më thjesht, njeriu që mërzitet nuk është gjë tjetër veçse një “ dembel ”, që pret të tjerët, njerëz, ngjarje, jashtë tij që të vijnë te ai e ti formulojnë e propozojne gjëra e pastaj ai nga ana e tij të gjejë energjinë e nevojëshme për ti realizuar ato. Psikologët, vetëm pasi të tjerët kishin thënë çfarë mund të thonin për të, vonë fare, vetëm pas viteve 60-të, e kanë futur mërzinë në kategorinë e gjendjeve emocionale negative, duke dalluar qartë nga ndjenja e frustrimit që shoqëron njeriun e mërzitur. Ishin psikologët që e konkretizuan aq sa mundet këtë emocion të vështirë. Ato dalluan mërzinë që është rezultat i përplasjes së njeriut me të njejtët stimuj e me të njejten aktivitet, nga një mërzi tjetër më e sofistikuar që vjen si rezultat i varfërimit të stimujve dhe ngadalsimit të këtij aktiviteti. Megjithatë njerëzit zakonshëm e kanë të vështirë të dallojnë qartë këto dy gjendje. Zbulimet më të fundit për këtë sentiment janë interessante, tashmë mërzia konsiderohet dhe si apati e vështërsi për të mbajtur në korent vëmendjen tënde dhe tendencë e qartë drejt kësaj gjendje shfaqen me simptomat përkatëse si: mungesë interesi, pak ose aspak kuriozitet, pak ose aspak nevojë per informacion, pak ose aspak vullnt per tu impenjuar. Në fund të fundit, megjithëse mërzia është një gjë që u ka rënë për pjesë të gjithëve, pra, është një koncept moral, letrar, artistik, metafizik, estetik etj, esenca e saj është në fund të fundit psikologjik e për pasojë fjalën e fundit u takon dhe do ta thonë patjetër psikologët. Pse mërziten njerëzit? Në gjendje reflektimi të thellë, për mërzinë arrin e bën idenë, se jemi të dënuar fatalisht të jemi nën pushtetin pasiv të saj. Dhe të bashkjetosh me këtë gjendje emocionale është e mundur vetem nëse më parë bëjmë një marrveshje me të, e duke e konsideruar si një çmim që duhet ti paguajmë jetës, ndërsa eksistojmë Njerëzit nuk mërziten kot, për qejf, por nuk mërziten as edhe kur i detyron kush. Megjithatë jo pak njerëz e kalojnë kohën, më shumë nën pushtetin e këtij emocioni se sa në gjendje të tjera. Njerëzit mërziten kur arrijnë një cak, një pikë të caktuar, një të ashtuquajtur mosekulibër, atëherë kur ngjarjet e jashtëme por dhe ato të brendëshme te njeriu, nuk arrijnë ta vënë njeriun në lëvizje për tiu përgjigjur këtyre kërkesave. Pikërisht kjo magji shtrigane që quhet mërzi, bëhet kaq e pushtetëshme sa e bën njeriun rob e skllav të mjerë të saj. Nga ana tjetër arritja e ekulibrit, pra thyerja e mosekulibrit bën qe sa hap e mbll sytë, shtriga mërzi të na lere të lirë. Mungesa e ekulibrit që shkakton mërzinë, mund të vijë për dy shkaqe: nga mungesa e aktivizimit, si dhe nga aktivizimi më tepër se duhet i njeriut. Mërzia për mungesë aktivizimi, apo siç quhet ndryshe « mërzia e psikanalistëve » zhvillohet brenda njeriut dhe manifestohet si mungesë dëshire e pavendosmërie, me një fjalë një lloj melankonie. Kjo formë mërzie nga brenda karakterizohet me ngjyra të errta dhe nga ana tjetër me paralizë sjelljesh të jashtëme. Humor i rënë, depresion, ndjenja keqdashje e armiqësore si dhe ankth; nga ana tjetër realiteti shihet me apati, gjë që i bën të padëshirueshme kontaktet me njerëzit e tjerë. Në rastin tjetër, atë të mërzitjes nga aktivizimi i tepërt, kjo gjendje përjetohet si një kontradiktë në mes temperamentit tepër aktiv personal dhe nivelit të stimulimit jo të përshtatshëm. Shembujt e kësaj mërzie janë të panumërt, përsëritja monotone e realitetit, mungesa e surprizave, etj. Njerëzit që dëshirojnë sensacione e dinë fare mirë se ç’është një mërzi e tillë. Në zhargonin e përditëshëm, njerëzit e tillë quhen dhe “aristokratë”. Por nuk është aspak kështu. Mund të duket ca banale, por të bësh të njejtat gjëra, të dëgjosh e të thuash të njejtat teza patjetër që do të mërzitesh. Takimet me të dashurën, një gjë që në fakt nuk duhet futur në këtë kapitull, në mungesë të fantazisë e surprizave reciproke, mund të kthehet dhe ajo në një mërzi të vërtetë. Mërzia ime me supermarketet, nuk është gjë tjetër veçse një mërzi që vjen nga stimulimi i dobët që këto të fundit filluan të ushtrojnë mbi mua. Njerëzit që mërziten më shumë. Sigurisht nuk është vështirë të merret me mend, se mërziten më shumë njerëzit që e lënë vehten të fundosen në pushtetin e këtij emocioni më lehtë. Ndoshta, edhe pa qenë të ndërgjegjshëm, kategoria e njerëzve që mërziten më shumë, janë njerëzit e uritur për sensacione e emocione pozitive. Studiues të kësaj fushe theksojnë, se eksiton një grup i veçantë njerëzish, te të cilët kërkimi i sensacioneve është një shtysë shumë më e fortë se tek njerëzit normalë dhe për pasojë tek ato më shumë se tek të tjerët, mërzia gjithmonë është në pritë. Ky grup njerëzish karakterizohet të paktën, me njërën nga këto katër prirje: 1. Prirje për aventura e rreziqe. 2. Prirje për përvoja eksituese. 3. Prirje për të dalë nga skema e konformizmi. 4. Prirja për të qënë të ndjeshëm ndaj mërzisë. Po ti shohim me kujdes këto katër veçori, del e qartë se njerëzit që janë më të predispozuar për tu mërzitur, janë ato që merren me sporte të rrezikëshme, si alpinizmi, njerëzit që eksperimentojnë me drogën si dhe njerëzit që e kanë të vështirë të pranojnë rregullat morale e shoqërore, konformizmin në jetë. Veç këtyre, mërziten më shumë se njerëzit normalë dhe tipat e ngurtë, ato dogmatikë si dhe tipat e pashoqërueshëm. Shkaku i mërzisë mund të jenë dhe faktorë biologjikë si seksi, mosha etj, por pesha e këtyre faktorëve janë të një shkalle jo të rëndësishme. Si të dalim nga gracka e mërzisë. Është opinion i pranuar nga të gjithë, se mërzia të lodh e të shkatërron më shumë se puna, dhe pikërisht nga ky opinion buron dhe rregulla e parë antimërzi: “ për të mos u mërzitur futu në punë, merru me diçka! “ Sigurisht jo me punë angari e të detyrueshme; fjala është për zënien e duarëve e të mëndjes me një aktivitet që e ke për zemër. Ilaçi më i efektëshëm antimërzi, është të mos kesh kohë për tu mërzitur. Po për ato miliona e miliona njerëz që bëjnë një punë të rëndomtë, aspak interessante, ç’mund të thuhet? Po për miliona të tjerë të papunë fare, që do të donin aq shumë të bënin dhe një punë monotone e aspak interessante? Për të papunët përgjigja më e mirë që mund tu jepet, është që ti shkojnë deri në fund gjendjes së tyre, ta përjetojnë intensivisht gjendjen e tyre të papunë, këtë “ fat ” të përkohshëm të tyre. Me një fjalë të punojnë për ta përgatitur vehten të paktën psikologjikisht, që në rastin më të parë që u paraqitet, të jenë zotër dhe jo robër të një pune të caktuar. Por mrekulli do të ishte që kohën në papunësi ta shfrytëzojnë për tu aftësuar në të gjitha aspektet njerëzore e profesionale. Duke kërkuar që të bëhen mjeshtra jo vetëm në shumë profesione por sidomos mjeshtra të operimit me jetën në aspektin e plotë të kësaj fjale. Nga gracka e mërzisë mund të dilet me sukses vetëm në prani të një projekti, në prani të një kërkimi domëthënie, vetëm kështu nuk i lihet hapësirë ndjenjës së mërzisë. Kush është në rrugë e po përpiqet për të arritur një objektiv, nuk ka kohë për tu mërzitur. Gjithë energjitë e tij janë adresuar drejt një qëllimi të caktuar, i cili arritur apo jo, rruga e bërë i jep kuptim kohës së shpenzuar në këtë drejtim njeriut, si qënie më ndërgjegje e kësaj bote. Sidoqoftë, rregulla bazë për të dalë nga gracka e mërzisë, është në radhë të parë, të kuptuarit se nga mërzia nuk dilet duke kërkuar e përpjekur për të modifikuar realitetin e jashtëm, por vetëm duke ndryshuar qëndrimin tënd ndaj këtij realiteti. petrit sulaj shkeputur nga libri " Planeti i emocioneve "
Posted on: Wed, 10 Jul 2013 21:50:52 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015