Nga Anxhela Cikopano... Unë nuk di tiu shkruaj letra të hapura - TopicsExpress



          

Nga Anxhela Cikopano... Unë nuk di tiu shkruaj letra të hapura qeveritarëve, ca më shumë kryeministrave, sepse si njeri me dy pare mend në kokë, që e ka shkuar gjithë jetën në këtë vend, e di mirë se një grua me krahë të zbuluar politikisht, me dy fëmijë për të rritur dhe me asnjë mundësi për të jetuar diku tjetër, nuk do të ishte fort ide e mirë të merrej me fuqinë e politikanëve. Prandaj po e fus këtë letër në një shishe dhe po e hedh në oqean... Vëlla arstist Unë nuk jam eksperte e armëve kimike, përkundrazi në kimi kam qenë tapë topi, po ama di tri gjuhë të huaja, kam një barrë mend dhe kam edhe shokun e ngushtë Google, që ma do mendja se edhe ti e konsulton kur nuk di diçka, vetëm se jam e sigurt se në ndryshim nga turma, unë e ti dimë ti gjejmë mirë burimet e duhura të referencave mes qindra rezultateve të kërkimit. Unë jam vetëm një copë artiste, që i bëri ballë tundimit për të ikur kur ishte 20 vjeç, sepse besova që po të punoje fort, edhe në Shqipëri bëheshe (kam ca vite që jam bërë pishman si qeni). Ja ku jam: 18 orë në ditë para kompjuterit, jo për tu pasuruar, por për të mbushur frigoriferin, për të veshur fëmijët dhe për tu blerë libra. Nuk ma do mendja që të ketë intelektual në Evropë (se siç na kujton Konica, ne nuk vemi në Avropë, ne jemi në Avropë) të bëjë 4 punë në ditë për të mbushur frigoriferin, epo ja që na ka rënë për pjesë, do ta heqim, derisa gjërat të ndryshojnë e durimi të na nxjerrë faqebardhë. Unë e kuptoj me mendjekthjelltësi të plotë nevojën e Shqipërisë për para, se edhe unë dua të punoj më pak e të rri më shumë me fëmijët në një vend me standard më të lartë jetese. Sinqerisht vëlla, ta kam qarë hallin me shpirt me atë derexhe arkë shteti që duhet të kesh gjetur. Por preferoj të punoj si kalë e të ndaj atë pak që kam me ata që skanë edhe për ca vjet e të mos hyj në këtë qorrsokak. Nuk më ngushëllon asnjë tezë sigurie teknike, FARE! As mua dhe asnjë nënë në këtë vend. Më mirë i ushqejmë fëmijët me bukë thatë, se të sjellim Molotovin në derë të shtëpisë, sado me tre shtresa antitermike të jetë Tetrapaku që e mbështjell. Unë nuk kam parti, vëlla, nuk kam marrë pjesë kurrë as në OJF-ra a OJQ-ra (nuk jam e atij soji) dhe po flas si prindi-prindit: hajde ndërrojmë vendet për pak, ja të vij unë aty e të të kall datën për tët bir, çdo të bëje? Ta them unë: penelin do ma kishe ngulur si pykë në zemër për ta hequr qafe njëherë e mirë të ligën që ska fund dhe të jap të drejtë. Të besova (se kisha nevojë) kur the se doje të bëheshe baba i kombit, mos më bëj të ndihem budallaqe, boll na kanë poshtëruar gjithë këta vjet. Mos u bëj modeli mbi të cilin do ti mësoj tim biri të ngrejë krye kur na marrin nëpër këmbë dinjitetin njerëzor; bëhu modeli që të tregoj me gisht nga ti e të them ky na nxorri nga bataku, na bëri shtet, na vuri ligjin; mos u fshih pas retorikave, thuaj vetëm atë çka ti më shumë se kushdo ke në dorë të thuash: JO. Me shpirt askushi.
Posted on: Thu, 14 Nov 2013 16:54:37 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015