PD starton me stil te vjeter opozitar Botuar Sot ne gazeten - TopicsExpress



          

PD starton me stil te vjeter opozitar Botuar Sot ne gazeten Panorama Partia Demokratike, tashmë e vendosur në opozitë si rrjedhojë e verdiktit të shqiptarëve, ka startuar me stilin e vjetër misionin e saj të opozitarizmit. Duket qartë se ka një qasje të ashpër, artificiale dhe aspak të natyrshme në veprimin dhe retorikën politike të drejtuesve të lartë të kësaj partie, deri dje akoma në zyrat ministrore. Është një shprehje padurimi dhe ankthi që konstatohet në sinkron në të gjitha deklaratat e fundit mediatike, për të bërë të ashtuquajturën “opozitë të fortë” dhe për të mos e lënë asnjë ditë të qetë kundërshtarin. Dhe e nisën me bojkot, një praktikë që jo domosdoshmërisht përfaqëson opozitarizmin e fortë. Për më tepër që bojkoti ka treguar se më shumë se dëmsjellës ndaj maxhorancës, është penalizues dhe pengues i ritmit të reformave dhe zhvillimit të vendit. Braktisja e seancës së Kuvendit nën dirigjimin e dukshëm të ish-kryeministrit dhe ish-kreut të PD, ndërkohë që Kryeministri i ri paraqiste programin e qeverise së maxhorancës për 4 vitet e ardhshme, ishte një veprim tërësisht i pakuptueshëm dhe aspak i pritshëm. Ky veprim i panevojshëm dhe pa një arsye të mirëqenë për të ndërmarrë një hap të tillë ekstrem i habiti të gjithë, por veçanërisht partnerët e rëndësishëm të Shqipërisë, SHBA dhe BE, të cilët kërkojnë me ngulm një klimë konsensusi dhe mirëkuptimi për hir të nevojës së ecurisë së reformave. Habia shtohet edhe më shumë duke pasur të freskët faktin që për 8 vjet PD në maxhorancë e kishte anatemuar bojkotin e opozitës së deridjeshme. Dhe në fakt rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE dhe axhenda e integrimit nuk i pranon praktikat e bojkotit. Së pari, sepse rruga drejt integrimit duhet të ndërgjegjësojë çdo krah politik apo qoftë dhe çdo qytetar të këtij vendi, që secili duhet të bëjë dhe të japë më të mirën në dobi të këtij procesi. Dhe së dyti, praktikat e bojkotit, janë asgjësuese të debatit dhe të përplasjes së ideve, komponentë të domosdoshëm për zhvillimin e një demokracie parlamentare. Por dualizimi “opozitë e Bashës” apo ende “opozitë e Berishës”, e bën të vështirë në këtë fillim të stinës së re opozitare të PD të përcaktosh stilin e politikëbërjes që do të pasojë në vazhdimësi. Është menduar gjerësisht se ardhja e Bashës në krye të PD, – ashtu siç dhe ai vetë ka premtuar, – do të ofronte një stil dhe mënyrë të re të bërjes opozitë, të mbështetur më shumë tek ekspertiza e analizës dhe alternativa e zgjidhjes. Por, në fakt, nuk po ndodh kështu. Dhe parashikimi duket edhe më i zymtë. Ka shumë arsye që mbështetet ky parashikim. Por më kryesori është protagonizmi dhe posesiviteti që shpalosi menjëherë dhe do të kërkojë të ndikojë në vijimësi Berisha në Grupin Parlamentar të opozitës. Dhe stili i tij nuk mund të jetë ndryshe, përveçse ai i ashpërsisë dhe përplasjeve të forta. Është e vërtetë që Parlamenti është arena e ndeshjes në mes të maxhorancës dhe opozitës. Por kjo nuk do të thotë që palët të gjejnë rrugët më të ashpra dhe ekstreme të “betejës politike”. Tashmë pas 23 vitesh pluralizëm, skena politike edhe në Shqipëri duhet të mbizotërohet nga ballafaqimi i ideve dhe alternativave për zhvillim dhe integrim. Kryetari i ri i Partisë Demokratike do ta ketë të vështirë që të performojë stilin e tij të drejtimit, që duhet thënë se i përket një linje më të moderuar. E para, sepse ai nuk është i pranishëm fizikisht në Parlament. Dhe e dyta, që ndryshon kryekëput nga mosprania e Ramës në Kuvend në vitet e opozitës së PS, Basha ka në mes të Grupit Parlamentar të PD një Berishë akoma të etur për protagonizëm dhe akoma të zellshëm për lidership. Ndaj, stili akoma mbizotërues i Berishës në veprimin opozitar do të rrezikojë të zbehë qasjen e moderuar të Bashës në rastin më të mirë, dhe do ta eklipsojë krejtësisht atë në rastin më të keq. Gjithsesi, sot PD ka absolutisht kushte shumë më komode për të ofruar një politikëbërje opozitare me ide, alternativa dhe kontribut në zhvillimin dhe ecurinë e reformave. Koha e kërkon këtë, shqiptarët e duan, ndërkombëtarët po ashtu. Kreu i ri i Kuvendit, Meta, ofron një garanci dhe premisë të padiskutueshme, që në Parlament të ketë një demokraci dhe barazi të shprehjes, bazuar dhe në rregulloren e institucionit. Meta, si lider i LSI, ka qenë një promotor i konsensusit dhe mirëkuptimit, në kundërqasje me konfliktin apo ngërçet artificiale në momente shumë vendimtare për ecurinë dhe zhvillimin e reformave të vendit. Sot Shqipëria ka shumë nevojë dhe domosdoshmëri për reforma në drejtësi, në rend, në ekonomi dhe në arsim, në zhvillimin e qëndrueshëm të infrastrukturës dhe mjedisit, për arritjen e atyre standardeve që kërkohen për t’u renditur denjësisht në krah të vendeve të Bashkimit Europian. Por, për të ecur të sigurt dhe të vendosur në arritjen e këtyre standardeve dhe përqafimin e vlerave të demokracisë liberale perëndimore, duhet një maxhorancë e përgjegjshme dhe e përgjigjshme në respekt të shtetit ligjor dhe shërbimit ndaj qytetarëve. Nuk na nevojitet bojkoti i opozitës, por konsensusi dhe mirëkuptimi. Nuk na duhet “opozita e fortë” si e tillë, por opozita me ide dhe qasje profesionale dhe alternative, sikurse një opozitë syhapur ndaj çdo rasti të shkeljes së ligjit apo të keqpërdorimit të pushtetit në çdo nivel të administratës shtetërore.
Posted on: Fri, 13 Sep 2013 11:03:39 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015