PRISHTINE - Formularët që përmbajnë të dhënat për zyrtarët - TopicsExpress



          

PRISHTINE - Formularët që përmbajnë të dhënat për zyrtarët publikë mund të fshihen nga ueb-faqja e Agjencisë Kundër Korrupsionit, por ato duhet të jenë vazhdimisht nën “llupën” e organeve të drejtësisë, të Prokurorisë dhe gjyqësorit. Kështu mendon kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili gjatë një bisede të shkurtë për “Zëri” ka theksuar se nëse publikimi i të ardhurave është standard evropian, atëherë ai duhet të mbetet i tillë edhe në Kosovë, dhe assesi të mos ndryshohet, edhe nëse publikimi do t’i rrezikojë zyrtarët e caktuar shtetëror. “Nëse këto organe (Prokuroria e gjyqësori) nuk e ushtrojnë përgjegjësinë e tyre sipas ligjit, kot edhe publikohen të dhënat për pasurinë e zyrtarëve të lartë të shtetit”, thotë ai. I pari i Kuvendit ka komentuar edhe mbështetjen që dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i kanë dhënë Projektligjit, i cili parasheh fshehjen e formularëve. “Për çështje të interesit të përbashkët, kurrë nuk ka vështirësi për të ardhur të emëruesi i përbashkët”, shprehet ai. Kryeparlamentari Krasniqi nuk e përjashton mundësinë që Projektligji për Deklarimin e Pasurisë, që është sponsorizuar nga Ministria e Drejtësisë nuk ka edhe synim që t’ua mundësojë personave të caktuar që pasurinë e fituar në formë të paligjshme ta mbajnë të fshehur dhe të mos e publikojnë atë. “Ka mendime pro publikimit edhe kundër publikimit që sigurisht secila nga këto mendime i kanë anët e veta të mira e të dobëta. Nëse publikimi është standard evropian nuk ka asnjë arsye të mos e bëjmë edhe ne standard publikimin. Për mua nuk ka rëndësi a do të jenë apo jo publike, e rëndësishme është që organet përgjegjëse për të përcjellë pasurinë e personave publikë që janë të obliguar ta përcjellin rritjen e pasurisë, të jenë efikase në punën e tyre. Nëse këto organe nuk e ushtrojnë përgjegjësinë e tyre sipas ligjit, kot edhe publikohen të dhënat për pasurinë e zyrtarëve të lartë të shtetit”, ka thënë Krasniqi.
Posted on: Thu, 01 Aug 2013 08:14:16 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015