Princi i madh Aleksandër Nevski, Amfiloki i Ikonisë, Grigori i - TopicsExpress



          

Princi i madh Aleksandër Nevski, Amfiloki i Ikonisë, Grigori i Akragandisë Në epokën më të vështirë të historisë së popullit rus, shën Aleksandri shkëlqeu me guximin dhe virtytet e tij si kryjetar i shtetit të krishterë: energjik, vigjilent, mbrojtës i besimit dhe i drejtësisë; mori nga Perëndia detyrën të ishte në shërbim të popullit të kërcënuar nga të gjitha anët. Që në moshë të re, hyri në ushtri dhe në artin e qeverisjes nga i ati Iaroslav, princ i qytetit të Peregiaslavit; mësoi t’i përdorte të dyja me urtësi, mëshirë e drejtësi. Më 1228, ende 10 vjet, bashkë me vëllain e tij më të madh, u bë princ i qytetit të madh të Novgorodit. Menjëherë u ndesh me vështirësitë e qeverisjes, sepse banorët e qytetit ishin ndarë nga luftërat vëllavrasëse mes të pasurve dhe të varfërve të shtypur nga taksat dhe tirania e fisnikëve. Më 1231, kjo situarë u rëndua edhe nga një zi buke dhe një dimër tmerrësisht i ashpër, gjë që solli shumë viktima. Ai nxori tërë rezervat dhe i ndihmonte personalisht të varfërit. Që prej 1223 tatarët e ardhur nga Azia qëndrore, kishin pushtuar dhe shkatërruar territore të shumta, dhe mes 1237 dhe 1239, ata kishin depërtuar në Rusi dhe plaçkitnin kudo që kalonin. Qëndruan në Vladimir, por ndaluan rreth 100 km nga Novgorodi për t’iu drejtuar Kievit dhe për ta bërë hi. U ndalën atëherë në pjesën juglindore të Rusisë, në një territor me rëndësi strategjike, duke kontrolluar hyrjen në Detin e Zi, në Kaukaz dhe në Azinë qendrore. Pas vdekjes së vëllait të tij më 1236, Aleksandri u bë princ i Novgorodit dhe iu desh të përballonte rrezikun që i vinte nga Perëndimi, mbretëria e Suedisë, ajo e Lituanisë dhe kalorësit teutonikë (urdhër murgëror ushtarak që pushtonte brigjet e Balltikut mes Polonisë dhe Finlandës, dhe që kishin si mision kthimin me dhunë të popujve sllavë dhe baltikë në katoliçizmin roman), po përpiqeshin të hynin në principatat ruse të cilat ishin të dobësuara nga invazioni mongol dhe ndarje të tjera. Më 16 korrik 1240, Aleksandri u detyrua të mblidhte një ushtri që të luftonte me sulmet e papritura të suedezëve. Por në të ngrysur, shën Borisi e Glebi u shfaqën mbi një anije të mistershme duke zbritur nga Neva, dhe shpejtonin të vinin në ndihmë të Aleksandrit. Të forcuar nga kjo shfaqje dhe të mbështetur nga Hyjlindësja, Aleksandri dhe njerëzit fituan mbi armiqtë e tyre. Megjithëse populli i Novgorodit përsëri i përçarë e dëboi për disa kohë heroin e tij; por një vit më vonë, kur kalorësit teutonikë hynë në Pskov dhe kërcënuan se do të merrnin Novgorodin, ata përsëri e thirrën shenjtin dhe korrën një fitore të madhe pranë liqenit Peipus (1242). Atëherë ai u prit triumfalisht në Novgorod dhe kaloi katër vjet atje për ta mbrojtur vendin nga inkursionet e lituanezëve. Kur babai i tij vdiq, më 1246, Aleksandri u thirr nga kryetarët tatarë bashkë me princa të tjerë. Përveç homazhit që duhet t’i bënte sovranit mongol, Aleksandrin e detyruan t’u nënështrohej praktikave pagane. Aleksandri për asgjë në botë nuk mund të tradhtonte besën e krishterë, prandaj edhe u përgatit për vdekje. Kur mbërriti atje, nderoi me përkulje të kokës sovranin, por refuzoi t’u nënshtrohej riteve pagane. Të impresionuar nga kurajoja e tij, ata nuk i bënë asgjë të keqe. E dërguan në Karakorum, në skajet më ekstreme të Mongolisë. U kthye në Novgorod më 1251, i lodhur dhe i sëmurë, por e siguroi princin e Novgorodit dhe të Kievit se kishin tashmë besimin e pushtuesve të tyre. Më 1252, Andrea, princi i Vladimirit, u revoltua kundër tatarëve dhe u bë aleat me suedezët, gjë që i solli Rusisë ndëshkime. Aleksandri u kthye përsëri tek krerët tatarë dhe mundi ta evitonte invazionin. Bleu të burgosur me rezervat e shtetit, dhe e mblodhi të gjithë popullin e Kievit. Në të njëjtën periudhë, princi i shenjtë duhet të duronte edhe kërcënimet e vazhdueshme që vinin nga Perëndimi. Papa i Romës, Inoçenti IV kishte dërguar misionarë tek principatat ruse për ta kthyer popullin orthodhoks në besën katolike romane, por Aleksandri reagoi fuqishëm, duke i larguar dogmat e huaja. Atëherë kundër tij u ngrit nga katolikët një “kryqëzatë”; më 1256 suedezët, danezët dhe finlandezët bashkë me kalorës gjermanë u sulën drejt Novgorodit, por Aleksandri i dërrmoi koalicionin, madje pushtoi edhe Finlandën. Me 1260, taksat që mongolët kërkonin u rritën dhe ata që nuk mund t’i shlyenin dot merreshin skllevër. Aleksandri u nis përsëri në mision që të kërkonte lehtësimin e taksave, por i lodhur nga udhëtimi dhe sëmundja, vdiq rrugës, më 14 nëntor 1263, pasi kishte veshur skimën e madhe murgërore në shtratin e vdekjes dhe kishte marrë emrin Aleks. Në varrin e tij kryen shumë mrekulli dhe shfaqje, veçanërisht për fitoret e Rusisë kundër mongolëve më 1380, 1552 dhe 1572. Më 1380, lipsani i tij u gjet i paprishur. U shpall shenjti mbrojtës i popullit rus nga cari Petro i Madh në shekullin e 18.
Posted on: Sat, 23 Nov 2013 08:09:56 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015