Pse Enver Hoxha caktoi 29 Nëntorin si datën e - TopicsExpress



          

Pse Enver Hoxha caktoi 29 Nëntorin si datën e Çlirimit Serbia feston sot 29 Nëntorin, ditën e themelimit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, (shkurt: Jugosllavia), si shtet. Zyrtarisht, janë lajmëruar festime të kësaj dite në kryeqytetet apo qytetet e këtij shteti. Festimit të kësaj dite i është bashkuar edhe Shqipëria, e cila nën drejtimin komunist spostoi datën e çlirimit 28 Nëntor për në 29 Nëntor, traditë, e cila festohet edhe në ditët e sotme nga e majta shqiptare, pasardhëse e Partisë Komuniste e rrëzuar në vitin 1991. Data 29 Nëntor u bë festë e Shqipërisë zyrtare që të përkonte në të njëjtën ditë me festën ndërkombëtare të Jugosllavisë, e cila e përkujtonte 29 Nëntorin e vitit 1943, datën kur u mbajt në Jajcë Mbledhja II e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Jugosllavisë (AVNOJ), si datë e shënuar, kur u hodhën themelet organizative të shtetit titist barazitist (communist, në anglisht). Vendimet e AVNOJ-it u imituan pas disa muajsh më 24 Maj 1944 në Kongresin e Përmetit. Qëllimisht u propagandua me të madhe kjo datë kundrejt datës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë së vërtetë dhe historia para 8 Nëndor 1941 u venit fare apo u quajt e keqe. Në vitin 1992, pushteti i Partisë Demokratike në vijim të përpjekjeve të drejta e të nevojshme të çmontimit të simbolikës së regjimit të vjetër, përcaktonte si datë të Çlirimit 28 Nëntorin. Këtij vendimi parlamentar i parapriu një studim nga historianë të njohur që afirmonin se ushtari i fundit gjerman kishte kaluar kufirin më 28 nëntor, por Enver Hoxha për t’i pëlqyer Beogradit e kishte spostuar më 29 nëntor, datë e Konferencës së AVNOJ-it që u shpall Ditë e Themelimit të Jugosllavisë titiste dhe festë kryesore zyrtare e saj. Duke ndjekur këtë traditë, Partia Socialiste feston edhe sot 29 Nëntorin si Ditë të Çlirimit. Si datë përkujtimore e mbarimit të Luftës së Dytë Botërore në Evropë dhe e fitores së Koalicionit të madh Antifashist, pjesë e të cilit ka qenë edhe Lufta Antifashiste e popullit shqiptar, nuk u caktua 2 maji i vitit 1945, kur trupat sovjetike morën Berlinin, por 8 maji për vendet e Evropës Perëndimore, kur komanda e ushtrisë gjermane nënshkroi aktin e kapitullimit me përfaqësuesit e ushtrisë anglo-amerikane dhe 9 maji i vitit 1945 për vendet e Evropës Lindore, dita kur garnizoni gjerman i Pragës u detyrua me luftë të dorëzohej. Pas kësaj ngjarjeje, ushtritë gjermane ndërprenë përfundimisht veprimet luftarake, edhe pse vazhduan të qëndronin për disa kohë në Çekinë Perëndimore dhe në rajone të tjera. 8 dhe 9 Maji i vitit 1945 kremtohen kudo në Evropë si ditë të fitores së përbashkët të koalicionit të Madh Antifashist. Edhe në Shqipëri, qysh në mbrëmjen e asaj dite, Kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar vendosi që “9 Maji të shpallet festë kombëtare” dhe u festua për shumë vite si e tillë në vendin tonë. Pas pak, krahas 9 Majit u vendos jo pa kundërshtime, që të përkujtohet si festë kombëtare edhe dita e Çlirimit të Shqipërisë. Meqenëse në Shqipëri, fitorja e forcave antifashiste në Luftën e Dytë Botërore kremtohej si festë zyrtare, nëpërmjet dy episodeve e datave të ndryshme, pas disa vitesh u vendos që njëra prej tyre të hiqej. “Është e kuptueshme që kjo bëhej në kuadrin e politizimit dhe të shtrembërimit gjithnjë e më të thellë që po i bëhej historisë dhe në përshtatje me qëndrimet delirante të Enver Hoxhës”, shprehet historiani Kasëm Biçoku. Kampi lindor, shtohen si festa datat e themeleve të shtetit komunist Në vendet komuniste evropiane, krahas 9 Majit qysh në fillim u përkujtuan episodet kryesore të periudhës së Luftës së Dytë Botërore, që kishin të bënin me rrugën e ndjekur të forcave komuniste për të ardhur në pushtet. Në Jugosllavi, si festë e madhe kombëtare, siç është cilësuar edhe në pritjen e dhënë me rastin e kremtimit të saj nga Legata Jugosllave në Tiranë më 1845 (Gaz. Bashkimi 30 nëntor 1945), u kremtua 29 nëntori i vitit 1943, e cila është dita kur në Jajcë të Bosnjës u bë mbledhja II e Këshillit Antifashist Nacional-Clirimtar të Jugosllavisë (AVNOJ), ku u hodhën themelet organizative të shtetit komunist. Në Jajcë, Këshilli ANÇ i Jugosllavisë mori atributet e një organi ligjvënës, u krijua Komiteti Antifashist Nacionalçlirimtar i Jugosllavisë si organ ekzekutiv me atributet e një qeverie, u vendos që Jugosllavia pas Luftës të ishte një shtet federativ, i përbërë nga gjashtë republika sllave. Data 29 nëntor 1943, si ngjarje madhore u shënua kudo, në stemën e Republikës, në kartmonedhat e emetuara në Jugosllavinë Komuniste etj. Në përkujtim e në sanksion të Mbledhjes II të AVNOJ-it e të vendimeve të saj, dy vjet më pas, më 29 nëntor 1945 u shpall Republika Popullore Federative e Jugosllavisë. Me vendimet e 29 Nëntorit të vitit 1943 të bledhjes II të AVNOJ-it, çështja kombëtare shqiptare u dëmtua rëndë në shumë drejtime e me veprime afatgjata. Ato e zhvleftësuan Rezolutën e Konferencës Krahinore Nacionalçlirimtare për Kosovën, të mbajtur në Bujan në fund të vitit 1943, ku u kërkua Bashkimi i Kosovës dhe i rajoneve të tjera etnike shqiptare me Shqipërinë. Vendimi për krijimin e Jugosllavisë Federative, të përbërë nga gjashtë republika sllave, ka qenë thellësisht antishqiptar sepse nëpërmjet këtij vendimi u ligjësua vendosja e pushtetit sllav në viset etnike shqiptare, të cilat në kushtet e pushtimit fashist iu bashkuan Shqipërisë më 1941 dhe banorët e tyre u ndjenë realisht më pak të robëruar, sesa kur ishin në Mbretërinë Jugosllave. Po kështu, vendimet e 29 nëntorit të vitit 1943 e dobësuan shumë peshën dhe rolin e shqiptarëve në Jugosllavi, që ishin popullsia e tretë më e madhe në atë shtet. Kopjativi jugosllav 9 maji 1945 ka qenë e para “festë kombëtare” që filloi në Shqipëri në përkujtim të fitoreve të forcave të Koalicionit të Madh Antifashist gjatë Luftës së Dytë Botërore, pjesë e të cilit ka qenë edhe lufta e shqiptarëve. Dy javë më pas, më 22 maj të vitit 1945, Kryesia e Këshillit të ANÇ nën shëmbëlltyrën e simotrës jugosllave vendosi që të kremtohej si festë zyrtare 16 Shtatori (Konferenca e Pezës), 10 korriku (formimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NÇ) dhe 24 maji (Kongresi i Përmetit). Vendimet e Kongresit të Përmetit, nën dirigjimin e emisarëve jugosllavë ishin një kopjim i vendimeve të 29 nëntorit të vitit 1943 të Mbledhjes II të AVNOJ-it, ashtu si kishte bërë vazhdimisht E. Hoxha që imitonte gjithçka jugosllave, deri edhe huazimin e emërtimeve për organet politike, ushtarake etj. që u krijuan në Shqipëri gjatë viteve të Luftës II Botërore. Me gjithë këto, jo rastësisht, 24 Maji (Kongresi i Përmetit) si ditë feste nuk mori ngarkesat maksimale të simotrës jugosllave të 29 Nëntorit, sepse qysh në Kongresin e Përmetit Enver Hoxha u shpreh: “Do të punojmë për realizimin e një konfederate ballkanike” nën drejtimin e Titos, gjë që do të sillte humbjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe kthimin e saj në Republikë të shtatë të Jugosllavisë. Këtë politikë të E. Hoxhës e dëshmojnë dokumentet e vëllimit “Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave 1945-1948” që kanë dalë në dritë për herë të parë vitin e kaluar si botim i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Enver Hoxha kërkoi shkrirjen me Partinë Komuniste Jugosllave Në kuadër të përshpejtimit të procesit të bashkimit të Shqipërisë më Jugosllavinë, E. Hoxha kërkoi bashkimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë me Partinë Komuniste të Jugosllavisë. Ai kishte deklaruar se për PKSH, “Sekretar i përgjithshëm nuk do të jem unë, por Mareshali Tito”. Po kështu, edhe gjatë luftës së Dytë Botërore, përfaqësuesi jugosllav Miladin Popoviç kishte qenë kryetari real i PKSH-së. Prandaj edhe PKSH nuk u bë anëtare e Byrosë Informative të PK Evropiane, sepse ajo përfaqësohej nëpërmjet PK Jugosllave. Si një hallkë tjetër në zinxhirin e lidhjeve skllavëruese të Shqipërisë me Jugosllavinë u sajua edhe një ditë feste e përbashkët, siç e cilëson 29 Nëntorin E. Hoxha në telegramin që i dërgoi Titos në vitin 1946 (Gaz. Bashkimi 29 nëntor 1946). Tri herë e ndryshuar Data e çlirimit të qytetit të Shkodrës dhe të të gjithë Shqipërisë nga pushtuesit nazistë është ndryshuar tri herë qysh nga viti 1945 e deri tani. Në vitin 1944 si ditë e kremtimit të Shqipërisë është kremtuar zyrtarisht 28 Nëntori. Kjo datë ka vijuar të kremtohet në Shkodër në vitin 1945. Në fund të vitit 1945, u ndryshua data e Çlirimit të Shqipërisë duke e zëvendësuar me 29 Nëntorin. Pas 5 dhjetëvjeçarësh, data e Çlirimit u ndryshua në vitin 1993 kur u rivendos 28 Nëntori. Kurse në vitin 1997 u zëvendësua sërish me 29 Nëntorin. 28 nëntori ka qenë data e Çlirimit edhe për vetë Enver Hoxhën “Dikush më tregoi se në albumin “Rilindja Kombëtare Shqiptare” të botuar në vitin 1962 prej Kristo Frashërit, është një fragment i fjalimit të Enver Hoxhës, të mbajtur në Tiranë më 28 nëntor 1944, ku ai ka deklaruar se është çliruar e gjithë Shqipëria (f. 120). Pastaj, një burim tjetër është një foto që ka fiksuar kremtimin e njëvjetorit të çlirimit të Shkodrës më 28 nëntor. Fragment i fjalimit të E. Hoxhës botuar nga K. Frashëri, më bëri të dyshoj se Hoxha ka falsifikuar edhe datat e shënuara historike për të realizuar projektin e aneksimit të Shqipërisë nga Jugosllavia. Kjo dëshmi më nxiti të gjurmoja më tepër në burimet historike”,- thotë studiuesi Kasëm Biçoku. Ai pastaj sjell raste se si Instituti Marksist- Leninist ka ndryshuar fjalë, si -çlirim me pavarësi duke prishur lidhjen e brendshme kuptimore të frazës. “ Në çdo 28 nëntor është derdhur gjak i bijve heroikë, që përlesheshin me bajonetat e okupatorit dhe të tradhtarëve. Dita e Flamurit u bë dy herë e shenjtë, dita e pavarësisë dhe e bashkimit të popullit shqiptar” (E. Hoxha, vepra. Vëll. II, fq. 605). Në vëllimin “Dokumente të Organeve të Larta të pushetit revolucionar…”, Tiranë 1962, ka edhe një vendim të Këshillit ANÇ të datës 28 nëntor 1944 për “Amnistinë për fajet politike”. Ky vendim fillon me frazën “Me rastin e festës kombëtare të 28 Nëntorit të çlirimit të Tiranës dhe të qyteteve të tjera të Shqipërisë…” (f. 303). Pra, edhe nga ky vendim që është botuar për herë të parë më 21 dhjetor 1944 në nr. 1 të “Gazetës Zyrtare” del qartë se anëtarët e këshillit të ANÇ ashtu si edhe E. Hoxha kanë dëshmuar se data e çlirimit ishte 28 nëntori 1944”.
Posted on: Mon, 02 Dec 2013 12:39:37 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015