Rama do ta rilindë Shqipërinë Nga Prof. Dr. Ago Nezha - TopicsExpress



          

Rama do ta rilindë Shqipërinë Nga Prof. Dr. Ago Nezha Në këto 22 vjet demokraci, shoqëria Shqiptare është shkatërruar e rrënuar nga të gjitha vlerat e trashëguara, si në aspektin ekonomik, moral, arsimor dhe kulturor. Me ndryshimin e sistemit, populli ishte shumë i varfër, por shteti i pasur. Kjo pasuri marramendëse, ra në duart e një shtrese të degjeneruar, që shumë shpejt do bëheshin pronarë të shtetit dhe do pasuroheshin pa kufi. Hemoragjia e tranzicionit, bëri që në drejtim të shtetit të vijnë gjithfarë mostrash, që nuk kishin asgjë të përbashkët me cilësitë e shtetarit, veç fytyrës së kusarit, e hajdutërisë, të njerëzve që zbrisnin nga malet, me ujqërinë e grabitjes të pasurisë, që e quanin raja. Dihet se në kthesa, vrapojnë të dalin në krye të shtetit llumi i shoqërisë, për të përfituar nga përmbysja, anarkia, konfuzioni, pasiguria, që është mbretëria e çdo kthese shoqërore. Njerëzit e ditur e të mençur, struken në strofkën e tyre për të mos u bërë palë me të keqen. Ky qëndrim indiferent, të kujton proverbin e popullit: se sa të mendohet i mençuri, i marri ka mbaruar punë. Kjo situatë, përshkruhet bukur nga polaku i mençur e i trishtë, Zhozef Konradi, i cili e ka shpjeguar më së miri këtë dukuri në romanin e tij “Nën syrin e Perëndimit”. Ai thotë se: në revolucionin e vërtetë, elementët më të mirë nuk dalin në pararojë. Revolucioni i dhunshëm, në fillim bie në duart e fanatikëve mendjengushtë dhe hipokritëve tiranë. Pas tyre u vjen radha gjithë dështakëve intelektualë mendjerritur. Këta do të jenë prijësit dhe udhëheqësit e kohës. Siç e shihni, kam lënë jashtë loje batakçinjtë. Të ndërgjegjshmit e të drejtët, fisnikët, humanët e besnikët, vetëmohuesit e të zgjuarit, edhe mund të fillojnë një lëvizje të tyren, por u ikën nga duart. Ata nuk janë udhëheqës të revolucionit. Ata janë viktimat e tij, viktimat e përçmimit, deziluzionimit, e shpesh edhe të pendesës. Shpresa të tradhtuara keqas. Ideale të shndërruara në karikaturë. –Ky është përkufizimi i revolucionit”. Koha në postkomunizëm në Shqipëri, ka treguar këtë përshkrim të Zhozef Konradit, se shteti në këto vite kishte rënë në kthetrat e kancerit organik të pushtetit. Njerëzit që ishin në krye të shtetit, ishin mikluar nga dashuria për pushtet dhe qënja në krye, ishte kthyer në një sëmundje të pashërueshme. Qënja për shumë vjet në pushtet, kthehet në ves, që pa e kuptuar, njeriun e kafshëron dhe e bën agresiv dhe barbar. Këtë dukuri, e kanë manifestuar disa pushtetarë të kohëve të fundit, kur u rrëshqiti pushteti, nga duart e tyre të pista. Të marrësh pushtetin, në këtë klimë të trazuar dhe të kontaminuar nga virusi i korrupsionit dhe aleancat e frikshme të aktorëve të mafies ekonomike, është një sakrificë, por dhe një mision historik, kombëtar e atdhetar. Në këtë betejë, që janë bashkëshoqëruese fitorja dhe dështimi, kërkohet bindje, ndërgjegje, përkushtim, moral i lartë shoqëror, aftësi profesionale, përvojë dhe kombinim brezash, vendosmëri dhe konsekuencë, për çdo shtetar që shkel kodin e etikës së shtetarit. Në rast se nuk do ketë ndëshkim për të korruptuarit, si për ata që ikën dhe për ata që kanë ardhur në pushtet, do përsëritin të njëjtën mendësi, se pushteti është një lopë që mund ta mjelësh sa herë që të duash, si ta kesh ushqyer në kopshtin tënd familjar. Koha, si gjykatësja më e mirë, do të penalizojë dhe do të nxjerrë jashtë shinave të pushtetit të korruptuarit, pavarësisht nga ngjyrat partiake. Populli, si asnjëherë tjetër, nga jugu në veri, besoi dhe shpresoi, se me një përmbysje spektakolare të pushtetit të djeshëm, do sjellë një risi dhe do japë një leksion për pushtetarët e ardhshëm, se ka ardhur koha të ndryshojnë mendësitë e deri djeshme, se pushteti është pronë e pushtetarëve dhe jo e qytetarëve. Në rast se ndonjëri ka hyrë kontrabandë në rreshtat e pushtetit, ajo që bëri të qartë Kryeministri Rama, qysh në fillimet e tij, është se do përballet me ligjin. Dua ta theksoj edhe një herë, se po nuk pati ndëshkueshmëri horizontale dhe vertikale, pavarësisht nga koloriti partiak, nuk fitohet gara e pushtetit. Po të funksionojë kjo filozofi, s’ka gjë që nuk arrihet. Kështjella e korrupsionit, që është kthyer në moral qeverisës, duhet të ndryshojë në mentalitetin e pushtetarëve të sotëm, jo vetëm si ideologji, por edhe si praktikë e veprimtari në të gjitha segmentet e pushtetit. Besimi që ka populli se do bëhet shteti dhe se ky është shansi i fundit i kësaj mazhorance, po pësoi zhgënjim, do jetë fatale jo vetëm për vendin, por edhe për këtë qeveri që ka marrë stafetën e rilindjes së Shqipërisë. Kapiteni i anijes shtetare Kryeministri Rama, po e orienton ekuipazhin qeverisës drejt së ardhmes, nëpërmjet reformave demokratike, pa kompromis. Për të realizuar reforma fondamentale, kërkohet që i gjithë ekipi të jetë i konsultuar në mënyrë permanente, me programin e mazhorancës, me ligjin dhe përvojat botërore. Vendosja e një ekipi të ri qeverisës, me një pervalencë të lartë të gjinisë femërore, është një risi, që jo vetëm duhet përshëndetur, por edhe mbështetur me specialistë, ekspertë e këshilltarë, që kanë mbi supe një përvojë të gjatë të suksesshme. Po nuk u realizua një kombinim midis brezave, suksesi është i dështuar. Binomi i suksesit qeverisës, është dinamizmi energjik i brezit të ri, i kombinuar me eksperiencën e brezit më të vjetër, jep produkt pozitiv të padiskutueshëm. Ky kombinacion, në biologji ngjan me një pemë që duhet të ketë nënshartesë të fuqishme dhe mbishartesë të shëndetshme, që të dalë një gjeneratë me prodhimtari të lartë. Kjo është aftësia e kryemjeshtrit, që të realizojë kryqëzimin e drejtuesve të pushtetit. Në pluralizmin e mendimeve, në njërën anë të medaljes, që përbën supremacinë e peshores, ka opinione fataliste, se Shqipëria nuk bëhet dhe në anën tjetër, ka opinione minore, optimiste, se Shqipëria do bëhet. Unë bëj pjesë te kampi i optimistëve se këtë herë Shqipëria do bëhet. Dhe kur jam pyetur në median elektronike, e kam pohuar dhe argumentuar, se Shqipëria do bëhet. Jam pyetur se ku e mbështes këtë garanci. Argumentet që kam paraqitur, po i sjell në këtë analizë multidimensionale. Së pari, në vizionin perëndimor të Kryeministrit Rama, që e ka bashkëshoqëruar në veprimtarinë e tij drejtuese dhe që për model ka zgjedhur përvojën e Kryeministrit të suksesshëm Toni Bler, që e ka afruar si këshilltar pranë qeverisë. Së dyti, në vendosmërinë, ambicien, sedrën dhe idealin për ta ndryshuar këtë vend në kolaps 22 vjeçar. Së treti, në eksperiencën e prekshme të transformimit të qytetit të Tiranës, që ja ndryshoi peizazhin nga qyteti i bidonvileve, në një qytet me parametra perëndimorë, ku u shpall dhe kryebashkiaku më i mirë i vitit në shkallë botërore. Së katërti, në trashëgiminë e tij gjenetike, pasi vjen nga prindër me kulturë potenciale, intelektuale dhe qytetare. Së pesti, te kultura e tij multidimensionale që është e monitorueshme se sa bukur flet dhe sa qartë dhe potencialisht shkruan. Tolstoi i madh, thoshte se “paqartësia e fjalës është paqartësi e mendimit”. Kryeministri Rama, kur flet nuk e përsërit një fjalë dy herë dhe kur shkruan, në çdo rresht, merr ide në një stil modern. Këto avantazhe, janë personale dhe të pamjaftueshme për të siguruar suksesin e qeverisjes. Populli thotë: trim i mirë me shokë shumë. Suksesi i një qeverisjeje, sigurohet kur i gjithë ekipi funksionon si një orkestër, që drejtohet me mjeshtëri nga dirigjenti, që në këtë rast është Kryeministri. Vështirësitë janë të mëdha, por jo të pa kapërcyeshme. Së pari, më i vështirë për tu shembur, është mentaliteti bizantin, se pushteti është kthyer në një kompani biznesi, që të sjell fitime përrallore. Kjo aksiomë, s’ ka nevojë për vërtetim, se është provuar dukshëm në këto 22 vjet. Vështirësia e dytë, është gjendja e rëndë ekonomike që ndodhet ekonomia shqiptare, sot në krizë. E treta, qeveria do përballet me një opozitë jo konstruktive, por agresive, që e ka treguar profilin e saj, pa ardhur e majta në pushtet. Opozita, jo vetëm që nuk do ndihmojë të realizohen reformat, por përkundrazi, do sabotojë që ato të dështojnë, për të motivuar paaftësinë e këtij ekipi qeverisës. Qysh në kohën e Firdusit të lashtësisë, thoshte se një shtet i mirë, duhet të ketë: një infrastrukturë të mirë, ligje të mira dhe njerëz të mirë. Kur këto tre kushte janë në unitet, atëherë, mund të themi se kemi një shtet të mirë, thoshte Firdusi. Njëra prej këtyre hallkave po të çalojë, prishet ekuilibri dhe bie balanca e pushtetit. Në kushtet e Shqipërisë, tingëllojnë tepër aktuale dhe bashkëkohore këto parametra të lashtësisë. Pritshmëria e popullit është shumë e madhe. Shpresojmë të mos zhgënjehet, sepse do jetë një shokim i papërballueshëm. Në mbyllje të kësaj analize, dua të kujtoj fjalët e Aleksandër Dymasit, i cili e mbyll romanin e tij “Konti i Montekristos”, me sentencën; se gjithë urtësia njerëzore përmblidhet me këto dy fjalë: “ Prisni e shpresoni”. Shqiptarët edhe këtë radhë shpresojnë, se Shqipëria do bëhet...
Posted on: Sun, 13 Oct 2013 13:58:17 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015