Shqipëria humbi me armët kimike! Shqipëria ka humbur shumë - TopicsExpress



          

Shqipëria humbi me armët kimike! Shqipëria ka humbur shumë në aspektin politik dhe ekonomik me rastin e mospranimit që territori i saj të shfrytëzohet si poligon i shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë. Të paktën kështu konsideron njëri nga njohësit e kësaj fushe, ushtaraku i pensionuar, Naim Maloku. Ai në një intervistë dhënë “Zërit” thotë se Shqipëria nuk do ta kishte asnjë konsekuencë nëse do të pranonte që armët kimike të Sirisë të çmontohen në territorin e saj. Çështja e armëve kimike siriane ngjalli reagime të shumta nga opozita dhe shoqëria civile në Shqipëri, të cilat pas një presioni jashtëzakonisht të madh e shtynë kryeministrin Edi Rama t’u kthejë përgjigje negative SHBA-ve, që ishin edhe hartuese të planit për çmontimin e këtyre armëve. Me përgjigjen “Jo”, besohet se Shqipëria ka humbur shumë beneficione, përfshirë mbështetje të madhe ekonomike, pastrim të zonave ekzistuese të kontaminuara, integrim në BE brenda 4 vitesh e shumë çështje të tjera. Duket sikur askush nuk e dinte qartë se çfarë do të ndodhte nëse ato armë vijnë në Shqipëri, e aq më pak populli i frustruar, i cili posa dëgjoi emërtimin “armë kimike” menjëherë u hodh në protestë, e cila u shoqërua me një propagandë të madhe mediale dhe politike. Maloku, një epror i karrierës i diplomuar në kiminë ushtarake, i cili gjatë punës së tij ka pasur rastin edhe vetë t’i prodhojë këto armë, thotë se çështja e çmontimit të armëve kimike në Shqipëri është bërë më shumë çështje politike se sa që ishte rrezik real për Shqipërinë dhe qytetarët e saj. “Janë politizuar shumë këto armët kimike, normalisht Shqipëria nuk ka kapacitete as teknike, as humane e as profesionale për ta bërë çmontimin e tyre, por çmontimi i tyre nuk është aq rrezik siç e kanë paraqitur”, ka thënë Maloku. Ai më tej ka shtuar se procesi i çmontimit të këtyre armëve nuk është i rrezikshëm, por problemi është ku qëndrojnë mbetjet pas çmontimit. “Në qoftë se ka qenë marrëveshja që ato mbetje kimike të hiqen nga Shqipëria, atëherë nuk ka pasur asnjë rrezik po që se ekspertët e shteteve të NATO-s ose të Amerikës e kishin marrë asistencën profesionale në shkatërrimin e tyre”, ka vazhduar Maloku. Ai nuk la pa përmendur se Shqipëria ka shumë zona të kontaminuara me mbetje të disa llojeve të helmeve ushtarake të njohura si helme CS, por jo të llojit “sarin” që në gjuhën profesionale njihet si helm neuroparalitik (NS) me lidhje kimike ndërmjet azotit dhe sulfurit. “Sarini hyn në grupin e armëve neuroparalitike të cilat nuk i ka pasur Shqipëria, e për pasojë nuk ka pasur as përvojë në deponimin e tyre e as në manipulimin me to. Pra Shqipëria ka mundur të përdoret vetëm si një poligon më i afërt me Lindjen e Afërt për t’u bërë demolimi i armëve kimike të Sirisë, nëse e kishin marrë përsipër ndonjë ekspert i NATO-s apo shtete si SHBA-të e Franca që kanë pasur armë të tilla, që kanë ende dhe dinë të manipulojnë me to”, ka shtuar Maloku. Ai ishte edhe më i bindur në rrezikun e vogël ose fare të këtyre armëve pasi që si destinacion i mundshëm për çmontimin e këtyre armëve pas Shqipërisë do të jetë Belgjika ose Franca, të cilat në asnjë mënyrë nuk do të lejonin një operacion të tillë në qoftë se do të paraqiste rrezik për qytetarët. Maloku tha ndër të tjera se armët kimike janë të rrezikshme vetëm nëse përdoren, ndërsa posedimi apo prodhimi, konkretisht çmontimi i tyre janë totalisht të parrezikshme dhe janë punë që kryhen në laboratorët kimikë. Ai gjithashtu tregoi edhe përvojën e tij si studiues i kësaj lëmie. “Kur unë jam shkolluar në akademinë ushtarake ka qenë gjenerata e parë e inxhinierëve të kësaj lëmie, pra unë kam pasur fatin dhe fatkeqësinë të jem në atë gjeneratë. Kanë qenë edhe 13 të tjerë nga Iraku, sepse Jugosllavia ka nisur për ta bërë sintetizimin laboratorik të sarinit dhe unë kam qenë në vitin e katërt kur e kam sintetizuar vetë, si ushtrim e kemi pasur sarinin 98% në kushte laboratorike”, ka përfunduar ai. Edhe dy ekspertë të tjerë të kësaj fushe në Kosovë janë Enver Hasimi nga Prishtina dhe Agim Pozhaku nga Suhareka, të cilët gjithashtu e kanë studiuar këtë fushë pas Naim Malokut në Akademinë Ushtarake të ish-Jugosllavisë.
Posted on: Mon, 18 Nov 2013 23:24:19 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015