Te Gjoni 1:1 lexojmë: “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte - TopicsExpress



          

Te Gjoni 1:1 lexojmë: “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi”. Duke lexuar këtë citat të krishterët tregojnë se “Fjala”, që përmendet këtu aludon në Jezusin dhe Jezusi ishte Perëndi. Nëse e analizojmë me vëmendje citatin, ku Gjoni thotë “Fjala ishte pranë Perëndisë”, imponohet pyetja: Si mund të jetë dikush pranë një personi tjetër, e njëkohësisht të jetë po ai person? [1] Vallë, në bazë të çfarë logjike të shëndoshë mund të përfundojmë kështu!! Te Bibla katolike ky citat del kështu: “Në fillim ishte Fjala, e Fjala ishte në Hyjin, e Fjala ishte Hyj” [2] Kur ta analizojmë fragmentin “Fjala është Zoti”, atëherë del me këtë kuptim: “Në fillim ishte Zoti, e Zoti ishte në Zotin”. Çfarë kuptimi ka kjo? Si ka mundësi që Zoti të jetë në Zotin?! [3] Le t’i marrim disa shembuj. Nëse themi “Zoti është i mirë”, ne kënaqemi me të mirën e Tij, apo me veprën e Tij të mirë. Mirëpo, ne nuk mund ta përshkruajmë Atë si duhet, duke thënë “Zoti është mirësia”, ngase mirësia nuk është Zot. Nëse themi “Zoti është i ditur” ne nuk mund të themi se “Dituria është Zot”. Apo “Kur’ani, ose Bibla është fjalë e Zotit”, ne nuk mund t’i quajmë “Kur’anin apo Biblën Zot”, sepse nuk janë. Këtu “fjala” nuk mund të konsiderohet si Zot, siç besohet, ngase “Fjala” është përdorur në Bibël në shumë tekste si urdhër, nëpërmjet së cilës Zoti urdhëron, si p.sh. tek Zanafilla 1:3,20: “Pastaj Perëndia tha: "U bëftë drita!". Dhe drita u bë. Pastaj Perëndia tha: "Të mbushen ujërat nga një numër i madh qeniesh të gjalla dhe të fluturojnë zogjtë lart mbi tokë nëpër hapësirën e madhe të kupës qiellore". Kurse Kur’ani Famëlartë e thekson kështu: “Ajo tha: “Zoti im! Qysh do të kem unë fëmijë, kur nuk më ka prekur askush?!” – “Kështu – tha (engjëlli) - Allahu krijon ç’të dojë Vetë. Kur vendos diçka, Ai vetëm thotë për të: “Bëhu!” - dhe ajo bëhet”. “Vërtet, çështja e Isait (të lindur pa baba) tek Allahu është sikurse çështja e Ademit. Atë e krijoi Ai nga dheu, e pastaj atij i tha “Bëhu!” dhe ai u bë”. (Ali Imran 47, 59) Fjala e parë me të cilën fillon Ungjilli i Gjonit ishte përgënjeshtruar shpeshherë nga “hartuesit unitarianë[4]”, të cilët e ofruan tekstin e tyre të vërtetë si vijon: “Në fillim ishte “fjala”, e “fjala” ishte me Zotin dhe fjala e Zotit ishte”. [5] Do të vihet re se forma greke e rasës gjinore “Teou”, që do të thotë “e Zotit”, ishte ndryshuar në “Teos”, që do të thotë “Zot”, në rasën emërore të emrit.[6] Ibni Hazmi, studiues i religjioneve, kur e komenton këtë citat, mes tjerash, thotë se është një marri dhe vërtet një shpifje që i bëhet Jezusit. [7] Në librin “Bazat e Biblës”, të botuar nga të krishterët, lidhur me citatin e lartpërmendur, thuhet: “Ky citat është një nga pjesët më të keqkuptuara, për të mësuar se Jezusi ekzistoi në qiej para lindjes së tij. Një kuptim i drejtë i këtyre rreshtave varet në vlerësimin se çfarë do të thotë “Fjala” në këtë kuptim. Nuk mund të bëhet fjalë direkt për një person, sepse një person nuk mund të jetë “me Perëndinë” dhe megjithatë të jetë Perëndi në të njëjtën kohë. Fjala greke “logos” që përkthehet “fjalë” këtu, nuk do të thotë “Jezusi” në vetvete”.[8] Tausti, anëtar i shkollës spiritualiste të shek. III, thotë: “Shumëkush e di se ungjijtë nuk janë shkruar as nga Isai e as nga apostujt, por shumë më vonë nga ana e disa personave anonimë, të cilët, duke e ditur se njerëzit nuk do t’u besonin autorëve që s’i kishin parë gjërat vetë, në krye të rrëfimeve vunë emrat e apostujve, apo të personave që i kanë shoqëruar ata”.[9] Verseti aq i cituar: “Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ishte tek Zoti, dhe Fjala ishte Zoti”, është citat i një punimi pagan mbi filozofinë platonike, që ka gjasa të jetë shkruar nga Ireneusi. Pasazhi citohet nga Ameliusi, filozof pagan, sikur bën fjalë përjashtimisht vetëm për Logosin, ose Merkurin, Fjalën, dhe që duket se është një dëshmi që bëhet ndaj një perëndie pagane nga një barbar… Kështu, pra, shohim se titulli “Fjala” apo “Logos”, që i atribuohen Jezusit, është një tjetër element i përzierjes pagane me krishterizmin. Ajo nuk e mori formën e saj të ligjëruar të krishterë gjerë në shekullin e dytë pas Krishtit. Edhe romakët e lashtë paganë e adhuronin një kult triniteti. Për një orakull[10] thuhet se ka deklaruar se si në fillim ishte “I pari Zoti, pastaj Fjala, dhe me ta Shpirti”. Këtu, në Romën e lashtë, shohim të renditur qartësisht, Zotin, logosin, dhe shpirtin e shenjtë, vend ku tempulli më me emër i këtij kryeqyteti – ai i Jupiter Capitolinus – u ishte dedikuar tri perëndive, që adhuroheshin të tria me një adhurim të vetëm.” [11] Në një studim të bërë nga Geoffrey Parrinder, lidhur me këtë citat dhe të ngjashëm, ai gjen ndikimin e besimit të Memfisit[12], edhe në besimin e lashtë grek, e sidomos lidhur me “fjalën” “Logos”, e cila më pas pati ndikim direkt edhe në krishterizëm, bile në vetë ungjijtë, duke thënë: “Ptah po ashtu ishte perëndia e krijimit të qytetit Menf, i cili, ndërkohë, quhej Atë dhe Ëmë në “teologjinë menfisiane” që është një dokument i shkëlqyer dhe e tëra është nga shteti i lashtë. Dokumenti thotë se krijimin e botës e ka planifikuar mendja e perëndisë, ndërkaq mjeti i zbatimit ishte “fjala” të cilën e shqiptoi, - kjo ishte një garë çuditëse e besimit grek që u shfaq pas një periudhe të gjatë rreth “logos-it” ose “fjalës së shenjtë”. Këtu vlen të bëhet një krahasim me Ungjillin e Gjonit, me ç’rast shihet një përputhje mahnitëse ndërmjet “fjalës” në të dyja tekstet: “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ajo (fjala) ishte në fillim me Perëndinë. Të gjitha gjërat u bënë me anë të saj (fjalës), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë.” (Gjoni 1:1-3)[13]
Posted on: Mon, 08 Jul 2013 00:12:59 +0000

Trending Topics




© 2015