Tibet: Policia gjuan mbi turmën – katër të vdekur dhe shumë - TopicsExpress



          

Tibet: Policia gjuan mbi turmën – katër të vdekur dhe shumë të plagosur Represioni bëhet për shkak të refuzimit të tibetanëve për të ngritur flamurin e Kinës. Protesta të shumta në provincën autonome të Kinës nga ana e indipendentistëve tibetanë të cilët nuk duan t’i binden urdhërit sipas të cilit të gjithë qytetarët duhet të vendosin flamurin e Republikës Popullore për 1 Tetorin, Festën Kombëtare të Kinës. Ka ndodhur të dielën më 6 Tetor e përsëri dy ditë më pas, të martën, por lajmi është përhapur vetëm gjatë fundjavës së shkuar e bëhet fjalë për protestat e indipendentistëve të cilët nuk iu bindën urdhërit të autoriteteve kineze të kontesë Driru në prefekturën Nagchu të Tibetit, territor autonom sipas kushtetutës së Republikës Popullore dhe territor i pushtuar sipas banorëve të lashtë e autoktonë të tij. Siç ndodh zakonisht në Republikën Popullore të Kinës, autoritetet urdhërojnë shpalosjen e flamurit kombëtar kinez nga të gjitha familjet dhe qytetarët, në shenjë festimi dhe identifikimi, janë të detyruar ta bëjnë këtë. Ky urdhër ngaherë përballet me rezistencen e banorëve autoktonë të Tibetit, të cilët nuk e përfshijnë veten në këtë entitet politiko-shtetëror dhe i mbahen idesë se territori i tyre mbahet i pushtuar nga ana e republikës komuniste. Njihet tashmë historia e gjatë e represionit të ushtruar nga regjimet kineze ndaj Tibetit dhe kulturës së tij të lashtë materiale e spirituale si dhe modifikimi i forcuar demografik i këtij territori me popullsi të ardhur të etnisë Han (kineze) të spostuar me program politik nga ana e Pekinit. Megjithë presionin e ushtruar, një pjesë e mirë e tibetanëve edhe pas dhjetra vitesh bashkëjetese të forcuar me autoritetet dhe me popullsitë e ardhura kineze në këto zona të thella, refuzojnë të zbatojnë urdhërat e ardhur nga Pekini dhe për këtë pësojnë herëpashere fushata represive të llojeve dhe intensiteteve të ndryshme. Kështu edhe të dielën më 6 Tetor, kur policia në përpjekje për të shpërndarë turmën që manifestonte kundër urdhërave të dhëna nga autoritetet për shpalosjen e flamurit kinez, qëlloi mbi ta me armë zjarri duke bërë menjëherë më shumë se gjashtëdhjetë të plagosur. Një ndër udhëheqësit e manifestimit, aktivisti tibetan i njohur Dorje Draktsel, mbahet ende në gjendje arresti nga autoritetet kineze. Dy ditë më vonë manifestuesit dolën përsëri në rrugë dhe përsëri pati të shtëna me armë zjarri nga ana e policisë. Katër viktima mbetën të vrarë përtokë, të parët që nga 27 shtatori, dita e fillimit të manifestimeve antiflamur kinez. Tre nga viktimat janë me prejardhje nga fshati Sengthang i Tibetit dhe i katërti nga fshati Tinring. Rreth pesëdhjetë tibetanë të fshatit Yangthang kanë mbetur të plagosur nga goditjet me armë të paraushtarakëve kinezë. Pas këtyre manifestimeve zona të tëra të Tibetit janë militarizuar nga ana e autoriteteve të Pekinit, me instalimin në to të mijëra paraushtarakëve dhe ushtarakëve, përveç përforcimeve të forcave të policisë e të sigurisë. Ndërlidhjet dhe komunikacionet janë kufizuar dhe shpesh ushtrarakët sekuestrojnë cellularët e shumë banorëve. Janë kryer arrestime të shumta dhe ka të dhëna për torturimin e shumë prej të arrestuarve, sipas organizatave që merren me të drejtat e Tibetit. Në kryeqytetin Lhasa, sipas Tibetan Centre for Human Rights and Democracy, autoritetet kanë filluar një lloj gjuetie ndaj çdo tibetani të Nagchu-së. Me këtë rast është shpërndarë një kod “sekret” për të identifikuar mënjëherë banorët e ardhur nga zonat e turbullkuara nga manifestimet antikineze. Burrat e Nagchu-së quhen në kod “turista meshkuj” dhe me një germë të madhe shkruhet qyteti i prejardhjes së tyre. Sapo arrijnë në Lhasa, këta njerëz ndiqen nga policia e cila survejon të gjitha spostimet e tyre në qytet. Manifestimet e këtyre ditëve janë të fundit pas atyre të 2008-tës. Edhe atëherë, në prag të Olimpiadës së Pekinit, autoritetet kineze shuajtën më zjarr e me hekur manifestimet antikineze në Tibet. Nga viti 2011 është rritur progresivisht numri i tibetanëve që i vënë zjarrin vetes në shënjë proteste ndaj asaj që ata e quajnë pushtim kinez të Tibetit: plot 121 persona vetëm në dy vjet, prej të cilëve 24 vetëm gjatë këtij viti. Ngjarje që mbeten në heshtjen pothuajse të plotë të botës perëndimore, shumë e zënë me përfshirjen në afera dhe interesa të mëdha me Republiken Popullore dhe shumë e dhënë pas financimit që Kina i bën vrimave të zeza të financave të saj. impakt.al/bota-rajoni/tibet-policia-gjuan-mbi-turmen-kater-te-vdekur-dhe-shume-te-plagosur
Posted on: Mon, 14 Oct 2013 00:17:54 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015