9. RIKTHIMI NE ÇAMERI, AKTI I PARAFUNDIT I STRATEGJISE KOMBETARE. - TopicsExpress



          

9. RIKTHIMI NE ÇAMERI, AKTI I PARAFUNDIT I STRATEGJISE KOMBETARE. Krahina e Çamërisë. Çamëria është rajon gjeografik i Epirit, që sot shtrihet në Greqinë veriperëndimore dhe Shqipërinë jugore. Territori i asaj, që njihet sot si Çamëri, pas demarkacionit të kufirit greko - shqiptar, është i ndarë ndërmjet prefekturave të Thesprotisë dhe Prevezës në Greqi, në rajonin e Sarandës në jug të Shqipëri, dhe disa fshatra në prefekturën e Janinës, me një sipërfaqe rreth 2550 km katrore . Kjo krahinë e Shqipërisë, vetëm në vitin 1913 i është aneksuar Greqisë, si rezultat i vendimit të padrejtë të Fuqive të Mëdha, në të njëjtën mënyrë, sesi ata ua dhanë Kosovën dhe territore të tjera shqiptare Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Kranina e Çamërisë në pikpamje natyrore, është një nga hapësirat më të bukura të tojeve etnike shqiptare. Është rajon kryesisht malor, me lugina dhe kodra të përqëndruara në pjesën jugore, ndërsa tokat bujqësore shtrihen në pjesën veriore. Ekzistojnë katër lumenj në Çamëri: Pavllo në veri ose jug të Shqipërisë, Aceroni, Luros Aractos, dhe Thiamisi, që rrjedhin në Greqi. Territori i Çamërisë ka qenë i banuar që nga lashtësia me popullsi autoktone pellazgo - ilire - arbërore. Ekzistojnë shumë gjetje arkeologjike që nga Epoka e Hekurit prej shekullit të 10, e deri në shekullin e 7-të para erës së re. Në Aceron mendohet se është vendi më i rëndësishëm arkeologjik, që nga lashtësia, Orakulli i Dodonës, i përmendur në mitologji nga Homeri. Vendbnimet tjera të rëndësishme janë Efira, Butrotumi, Çeimerioni, porti i Sibotës, qyteti i Therpsotisë, porti i Elea-s (i cili besohet se ishte koloni e Korinthit), Pandosia (koloni e Elisit), Taroni afër burimit të lumit Thiamis, dhe vende tjera varësisht prej përkufizimit të Çamërisë. Kur Çamëria ishte e pashkelur nga të huajt dhe kur ajo udhëhiqej prej Kryezotëve shqiptarë, shquheshin fiset e Shpatajve, Mazareksave dhe në këtë vend lulëzonte qytetërimi, qytete e kështjella të shquara në gjithë botën, por edhe arti e kultura. Kjo dëshmon se çamët ishin popullatë unike, njësoj si me viset e tjera shqiptare. Civilizimi, kultura, gjuha, por edhe doket e zakonet, ishin të unifikuara, që dëshmonin lidhjen e gjakut me paraardhësit e tyre Ilir. Për kundër këtij konstatimi dhe detyrimi, duke shfrytëzuar pozitën shtetërore, teza e përbashkët që e gjejmë tek historianët grekë, Straboni, Ptolemeu, Tuqiditi, vjen një përcaktim mjaft domethënës për autetincitetin e krahinës. "Çamëria në lashtësi banohej nga fiset thesprote, mollose, kaone, që nga grekët e lashtë quheshin “fise barbare”, sepse nuk flisnin greqisht" . Të tjerë studjues të mëvonshëm kanë hedhur dritë mbi origjinën dhe prejardhjen e popullsisë dhe të gjuhës që fliste popullsia, që banonte në krahinën e Çamërisë. Në librin "Fjalor i Antikiteteve klasike" të Lybkerit, tek artikulli për Korkyrën (Korfuzin), vihet në dukje se, “...ai ishull në zanafillë banohej nga ilirët” . Në veprën e studiuesit të njohur suedez Martin P. Nilson, botuar në Londër në 1909, me titull "Studime mbi historinë e Epirit të lashtë", sqarohet më së miri se, “Epiri nuk ka qenë ndonjëherë grek, ky rajon ka ruajtur natyrën e vet ilire të pandryshueshme” . Sipas dijetarit të shquar shqiptar, Sami Frashëri, “Adjonati (Paramithi) Janina, Konica, Margelliçi, Parga, Preveza Suli, Tesprotia, të përfshira në Çamëri, përbëjnë një nga krahinat që konturonin gjeografikisht Epirin e lashtë. Krahina e lartpërmendur zgjatej nga gjiri i Ambrakisë, pjesa jugore e bregditit, d. m. th. nga gjiri i Nartës e deri në lumin Thijamis, d.m.th. sot lumi Kalama. Me një fjalë, Tesprotia ishte emri i vjetër i pjesës jugore të Shqipërisë, të quajtur Çamëri. Kufizohet nga veriu me Mollosinë, që përfshihet brenda sanxhakut të Janinës, në kufi me krahinën e Kaonisë, që përbëhet nga sanxhaku i Gjirokastrës d.m.th nga krahina e Labërisë, nga jugu me Ambrakinë d.m.th. me gjirin e Nartës, nga perëndimi me detin Jon” . Kjo krahinë laget nga lumenjt Akeron dhe Kogjin, që bashkohen para derdhjes së tyre në det. Këta konsiderohen nga greket e lashtë si “lumenjtë e skëterrës” . Ndërsa lumi Haradros d.m.th. Loros, e ndante këtë krahinë nga Mollosia. Qytetet dhe qytezat kryesore janë; Pandosja, Kasupa, Allaka, Haradra, Himrion, Efina, Vruka e të tjera. Këto përfshihen midis 80 qyteteve, që kryekomandanti romak Pal Emili i rrafshoi në Epir, në kohën e pushtimit romak në vitët 300 të erës sonë. Megjithëkëtë, ekzistojnë gërmadhat e disave prej tyre. Flitet dhe besohet se, tempulli i famshëm i Dodonës ndodhej në këtë krahinë. Pas kësaj romakët themeluan në skajin jugor te kësaj krahine një qytet të madh, me emrin Nikopolis, gjermadhat e të cilit ekzistojnë në një hapësirë të ngushtë, një orë larg në veri të qytetit të Prevezës. Në veprën e studiuesit të njohur suedez Martin P. Nilson, botuar në Londër në 1909, me titull, "Studime mbi historinë e Epirit të lashtë", sqarohet më së miri se, Epiri (Çamëria) nuk ka qenë ndonjëherë grek, ky rajon ka ruajtur natyrën e vet ilire të pandryshueshme. Kohët e fundit është publikuar edhe një vepër e një studiuse shqiptare, Blerina N. Sadiku, e cila mban titullin, “Lindja e Çështjes Çame 1820 - 1943” . Duke analizuar këtë konstatim profesional me frymë atdhetare, profesor Dhimitri Pilika në vitin 1998 do të shkruante: “Megjithatë, gjithçka mund të shndërrohet në helene dhe romake, por Dodona dhe Epiri kurrë...Herët apo vonë, e vërteta e lashtë dhe themeltare mbi pellazgët dhe pasardhësit e tyre – shqiptarët, do të pranohet botërisht, jo si pasojë e ndryshimeve gjeopolitike evropiane, por si pasojë e trysnisë mbi këtë politikë nga shkencëtarët e vërtetë, që e nderojnë profesionin e tyre, përtej interesave nacionale apo vetiake, dhe ndoshta edhe si pasojë e rrethanave të reja, të favorëshme historike...” . Në këtë konstatim shkencor veçojmë tri momente: “Pranimin botërisht të së vërtetës historike mbi prejarshjen shqiptare”, “respektimi i përfundimreve të shkencëtarëve të vërtetë”, “rrethanat e reja të favorëshme historike dhe politike”. Konstatimet shkencore duhet të jenë referencë për politikën shqiptare sot. Sipas burimeve historike, “Tesprotianet e vjetër (popullsia shqiptare e Çamërisë) i përkasin thjesht popullit pellazg. Ishin të një gjaku dhe kishin të njëjtën gjuhë me popullin e Kaonisë dhe të Mollosisë” . Për shumë kohë u qeverisën nga krerët e tyre dhe pastaj për një periudhë tjetër, u qeverisën në formën e një republike. Pas kësaj periudhe, krahina u pushtuan nga sundimtari i Molosëve, Pirrua, dhe me vonë ju aneksuan shtetit maqedonas. Së bashku me Maqedoninë kaluan në duart e romakëve dhe së fundi, pas shkatërrimit të shtetit të Bizantit, ashtu si në viset e tjera të Shqipërisë, edhe në këto anë u formuan principata të vogla, të cilat u pushtuan në kohën e sundimit të sulltan Mehmetit të II-të dhe të Bajazitit të II-të, duke ju aneksuar tokave osmane” . Është koha kur në Çamëri, si në të gjitha trojet shqiptare, fillon një periudhë e gjatë e errësirës shekullore. Në bazë të këtyre hulumtimeve, rezulton se Krahina e Epirit (Çamërisë) ka qenë etnikisht shqiptare që prej kohës antike. Dëshmi e trashëgimnisë së herëshme është prania e gjuhës shqipe në këtë pjesë të etnisë shqiptare. Gjuha, si elementi i parë shkencor i autenticitetit të një populli, u bë baza e lidhjes së kësaj popullsie me të gjithë popullsinë tjetër shqipfolëse në gadishullin Ballkanik. Në këtë kontekst, nga burimet historike jepen sinjalet e qarta, sepse ishte pikërisht gjuha shqipe ajo, që u vu përballë një fushate goditjesh dhe diskriminimi, që çoi në gjenocid dhe terror kundër popullatës etnike shqiptare të kësaj ane. Kjo fushatë antishqiptare çoi në veprimet represive të mëvonëshme, që po përgatiste klika shovene greke e ardhur në drejtimin e Greqisë, pas shpalljes së pavarësisë së saj. Në vitet 1914 - 1921, 1936 - 1945, nën pretekstin e çarmatimit të popullsisë shqiptare të Çamërisë nga qeveria e Greqisë, u kryen përndjekje, persekutime, tortura dhe grabitje me forca ushtarake. Në klimën e një terrori psikologjik dhe ushtarak, popullsia u përpoq të ruante tërësinë e saj etnike, kulturën dhe pasurinë e saj, shkollat shqipe, të cilat gjallëronin deri në fundin e vitit 1944. Në këtë kohë, popullsia çame u ballafaquan me probleme mjaft delikate, për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe zakoneve të tyre, për shkak të kërcënimeve nga forcat paramilitare zerviste, ushtarake e policore të shovinizmit grek, në rag të një gjenocidi, që do të mbahej mend deri në ditët tona, për pasojat e rënda me efekte çnjerëzore e çkombëtarizuese. Njëherësh viti 1944, shënon fazën më të vështirë të popullsisë çame, e cila përveç se dhunës e terrorit shfarosës nga strukturat paramilitare të shovinizmi grek, përjetoi terorrin më të ashpër në kufijtë e gjenocidit, me motive të pastra etniko - fetare, e cila çoi në dëbimin masiv të popullsisë çame në besimin musliman nga trojet e veta etnike shqiptare. Në vijim po japim detaje të verifikuara dhe argumentuara për atë çfarë ndodhi në Çamëri. Ato tregojnë lëvizjet barometrike më të sakta të përpjekjeve çame për mbijetesë dhe në anan tjetër, të presionit ushtarak mbi këtë popullsi, për ta çuar atë në zbrazjen e krahinës në kushte shumë të rënda politike, sociale, kulturore dhe fetare. Retrospektivë historike. Në këndvështrimin historik të lëvizjeve kombëtare për çlirimin e viseve shqiptare nga zgjedha e huaj dhe dëshirës rilindase për bashkimin e tyre në një shtet të vetëm kombëtar, lëvizja drejt Lidhjes Shqiptare të Prizrenit mbetet orientimi më i vlefshëm institucional i karakterit kombëtar, i cili hodhi bazat për formatimin e sistemit të vlerave të identitetit kombëtar dhe nocionit “komb” tek shqiptarët. Ajo lindi pothuajse, në të njëjtën kohë me lëvizjet e karakterit kombëtar të popujve të Ballkanit. Ishte koha, kur mendimi filozofik shqiptar filloi të përcaktonte qartë nocionet “komb” dhe “çështje kombëtare”. Kjo periudhë për viset shqiptare nën sundimin otoman, ishte periudha e fillimit të lëvizjeve kryengritëse çlirimtare, në kuadrin e tërë trazimeve në Evropën Juglindore. Veprimtaria e gjerë e lëvizjes kombëtare shqiptare, gjithpërfshirëse, në momentet e para pati përballë saj, jo vetëm kundërveprimin e pushtuesve osmanë, por dhe qëndrimin grabitqar, aneksionist të vendeve fqinje, duke shfrytëzuar mospërfilljen e Fuqive të Mëdha mbi të drejtat e kombit shqiptar. Në këto kushte, qarqet qeveritare serbe, malazeze dhe greke, u dominuan nga prirjet shovene aneksioniste ndaj tokave shqiptare. Synimet politike dhe veprimtaria ushtarake për realizimin e tyre, nuk lanë hapësirë për formimin e shtetit shqiptar në trojet etnike. Në lakmitë ultranacionaliste, Beogradi dhe Athina, shpejt gjetën gjuhën e përbashkët politike dhe ushtarake për copëtimin e tokave shqiptare, pa harruar pretendimet e Malit të Zi. Mjaft vëzhgues evropianë kanë dhënë njoftime të sakta për shtrirjen e trojeve etnike shqiptare në mes të shekullit të kaluar, të cilët e njohën nga afër dhe historikisht shtrirjen demografike të shqiptarëve në Ballkan. Këto dëshmi injorohen padrejtësisht. Sipas tyre, shqiptarët ishin të pranishëm si popullsi autokton, në Veri deri në Nish, Leskovac dhe Vranjë, në Lindje deri në Kumanovë, Përlep dhe Manastir, në Jug deri në Konicë, Janinë dhe Prevezë. Ata nuk e kanë mohuar faktin se, brenda kësaj hapësire kishte banorë të kombësive fqinje ballkanike, si grekë, vllehë, serbë, malazezë, turq, të cilët përbënin pakica dhe minoritete në tërësinë e hapësirave etnike shqiptare. Autorë të ndryshëm që kanë shkruar për Çamërinë dhe historinë e saj, të mbështetur në dokumente autentike arkivore. Ata sjellin të vërtetën, ndryshe nga pretendimet e historiografisë së deformuar greke. Banorët e Çamërisë, banorët vendas të saj, ishin vetëm shqiptarët. Ata ishin mbajtësit e vërtetë të emrit çam, aq sa vetë çamët ortodoksë apo myslimanë, sido që besonin, quheshin çamë. Popullsia e kësaj krahine deri në fillimet e shekullit të 18-ë, pothuajse ishin të gjithë të besimit ortodoks. Vetëm në qytete mund të takoje familje të besimit islam, të cilët përfaqësoni feudalët vendas. Islamizmi në masën e fshatarëve u përhap në mesin e shekullit të 18-ë, veçanërisht në periudhën e sundimit të Ali Pashë Tepelenës, proces ky që përfshiu gati gjysmën e popullsisë së Çamërisë. Sipas të dhënave statistikore të administratës turke, 50 për qind e popullsisë shqiptare të Çamërisë ishin të besimit islam dhe pjesa tjetër ortodoks. Popullsia shqiptare ortodokse banonte kryesisht në malësitë e Çamërisë, por dhe në Frar, ndërsa myslimanët më tepër në zonat e ulëta. Banorë e krahinës, myslimanë e kristianë, ushtronin një jetë ekonomike të kombinuar bujqësore dhe blegtorale. Secila familje kishte pronat e saj dhe në përgjthësi kanë qenë fshatarë të lirë. Në shumicën e rasteve, fshatrat çame banoheshin nga banorë të të njëjtit besim, por kishte edhe fshatra të përzier. Marrëdhëniet e pjesëtarëve të dy besimeve kanë qenë shumë të mira. Kjo shpjegohet së pari, sepse ata i përkisnin të njejtit komb, pra ishin shqiptarë, së dyti një pjesë e mirë e popullsisë e ndërroi vonë besimin dhe, pavarësisht kësaj, shumë familje ruanin marrëdhëniet fisnore, duke qenë pranë njeri - tjetrit dhe së treti, në të gjithë fshatrat e Çamërisë ka qenë i përhapur zakoni i lashtë shqiptar i vllazërimit midis besimeve fetare. Dallimi midis tyre ka qenë vetëm në ushtrimin e riteve fetare. Xhonturqit kanë dhënë statistika të sakta për Çamërinë. Sipas regjistrimit, Sanxhaku i Gumenicës (kështu quhej krahina e Çamërisë në kohën e xhonturqve) kishte 31. 304 shqiptarë myslimanë, 29. 593 shqiptarë ortodoksë dhe vetëm 9. 840 grekë. Gjithsejt 60. 897 shqiptarë. Duke marrë numrin e shqiptarëve të territoreve që janë vazhdim i krahinës së Çamërisë, por që iu bashkuan Sanxhakut të Janinës dhe të Prevezës, atëherë rezultonte se në Janinë ishin 11. 848 shqiptarë myslimanë, ndërsa në Prevezë 4. 145 shqiptarë myslimanë dhe 7. 010 shqiptarë ortodoksë. Pra sipas regjistrit të vitit 1910, në krahinën e Çamërisë banonin 83. 898 shqiptarë myslimanë dhe ortodoksë. Statistikat e ndryshme greke pranojnë elementin shqiptar në Çamëri. Sipas enciklopedisë së madhe greke, “Çamëria banohet nga rreth 70. 000 shqiptarë të quajtur çamë, nga të cilët rreth 20 mijë janë myslimanë”. Ndërsa vjetori statistikor i qeverisë greke i vitit 1936, shënon se në Çamëri banojnë 26 mijë shqiptarë. Pra çamët ortodoksë janë quajtur grekë për shkak të besimit fetar. Deri në vitin 1944, rrallë mund të gjeje ndonjë vendbanim në Çamëri, ku të ishin të përzier banorë shqiptarë dhe grekë. Për të krijuar një ide më të qartë për shtrirjen e etnicitetit shqiptar në Çamëri, po japim më poshtë fshatrat e Çamërisë sipas ndarjes administrative turke. Sipas saj, Çamëria ishte e përfshirë në Vilajetin e Janinës dhe u nda në disa kaza, ajo e Filatit, Gumenicës, Margëlliçit, Paramithisë dhe Fanarit. Ndërsa kazatë e Prevezës, Filipiadhës dhe të Delvinës përfshinin vetëm disa fshatra të Çamërisë. Kazaja e Filatit: quhej me këtë emër sepse qendra e administratës turke gjendej në Filat. Kjo kaza përbëhej nga fshatrat e Koskës, Lobës, Pleshevicës, Sajedhës, Smartës, Skupicës, Shqeferit, Spatarit, Filatit, Galbanës, Vërselës, Picatit, Sollopit, Gurrëzit, Sklavit, Dolanit, Pjadhulit. Në fillim të shekullit të 20 - të, në kazanë e Filatit u përfshinë edhe 8 fshatra çame të kazasë së Delvinës, si Shalësi, Merkati, Ninati, Janjari, Vërva, Dishati, Konispoli dhe Çifligu. Pas vendosjes së kufijve të vitit 1913, këto fshatra deri në prag të çlirimit përbënin prefekturën e Çamërisë me qendër Konispolin. Këto fshtra janë shqiptare dhe të banuar vetëm nga shqiptarë. Në kazanë e Filatit përfshihen edhe 29 fshtra greke, shumica e të cilëve kanë qenë bujq të vendosur në çifligjet e bejlerëve vendas. Mbi çfarë argumentesh mbështetet përcaktimi i kufirit ndarës të vitit 1913 me këtë shtrirje etnike të popullsisë shqiptare të Çamërisë? Këtë të vërtetë e dinë ata që ia dhuruan tokën shqiptare shtetit grek. Kazaja e Gumenicës. E kishte qendrën në qytetin me të njëjtin emër. Në këtë kaza përfshiheshin fshatrat Vratila, Gllobocar, Dramës, Korisan, Varfasi, Mavrudh, Katri, Shulash, Gumenicë, Grikohor dhe 25 emra fshtrash të tjerë të botuar më parë. Në kazanë e Margëlliçit me qendër në fshatin Margëlliç përfshiheshin fshtrat Vrastovë, Arpicë, Agji, Rapëz, Parga, Luarat, Livadhër, Shëndëlli, Margëlliç, Mazrek, Senicë dhe Smokovinë. Midis këtyre fshtrave popullsia shqiptare ka qenë e përzier në besimin e vet fetar dhe kazaja e Margëlliçit dhe Gumenicës kanë qenë të banuara vetëm nga shqiptarë të dy besimeve fetare. Kazaja e Paramithisë ose e Ajdonatit. Mbante emrin e Paramithisë që ishte dhe qendra e saj. Kjo kaza quhej edhe e Ajdonatit për shkak të rrethinës që përfshinte brenda saj. Në këtë kaza bënin pjesë fshtrat e Shenmërizës, Mininës, Nikorit, Skupicës, Grikës, Nikolicës, Psakës, Dragonjit të përzier, Karbunarës, Dragonjit të pastër mysliman, Gardhiqit dhe Paramithisë. Në këtë kaza përfshiheshin edhe disa fshatra me kolonë grekë. Kazaja e Fanarit ose Frarit, përfshinte rrethinat me të njëjtin emër. Banohej nga popullsi thjesht shqiptare të besimit ortodoks. Në këtë kaza bënin pjesë fshatrat Goraj, Marfat, Spatharat, Cukunina, Korona, Koronos, Gorica, Kanallaq, Kastri, Arza, Bilbili, Muzhaka, Klisuri, Nemica, Gliqi, Potema, Roika, Trakopallka, Ftina, Cerkuvia, Bodari, Jangati, Zharovina, Korkuricaj dhe Krabari. Kazaja e Prevezës, quhej kështu nga qyteti me të njejtin emër që ndodhej në gjirin e Artës. Megjithëse kjo kaza ka shumë fshatra shqiptare, banorët e saj nuk e quanin veten çamë dhe krahinën Çamëri. Vetëm banorët e katër fshtrave të Prevezës, Luca, Kukuli, Vlladari i Poshtëm dhe Vlladari i Sipërm e quanin veten çamë dhe vendin Çamëri. Këto fshatra përbëjnë skajin jugor të Çamërisë. Kazaja e Filipiadhës, shtrihej në jug të Vilajetit të Janinës dhe përfshinte 30 fshatra, nga të cilat 20 shqiptare dhe 10 greke. Edhe kjo kaza ishte jashtë kufirit të krahinës së Çamërisë. Tre fshatra të Filipiadhës, Bushati, Shkalla dhe Gjonaj që përfaqësojnë kufirin juglindor të Çamërisë bënin pjesë në këtë krahinë. Etnosi shqiptar në Çamëri nuk mund të deformohet, ai është statura e gjallë historike që dëshmon etnicitetin e pastër të kësaj krahine epiriote shqiptare. Pjesa dërrmuese e emrave të vendbanimeve të krahinës së Çamërisë kanë prejardhjen e tyre shqiptare dhe një pjesë e këtyre emrave gjenden sot e kësaj dite në krahina të tjera të Shqipërisë. Karakterin shqiptar të krahinës së Çamërisë e tregojnë një pjesë e emrave dhe vendeve që përbëjnë sot një pasuri të çmuar të leksikut shqiptar dhe nuk kanë kurrfarë shpjegimi në gjuhën greke, qoftë të lashtësisë dhe të gjuhës së tyre të re. Në emërtimin e llojeve të terrenit dhe të urave është ruajtur deri më sot një fjalor i pashkruar në shpjegimin e tyre në gjuhën shqipe. Çdo qafë, breg, shteg, grykë, përrua e burim e ka një emër vendi, sidomos në mikrotoponim, ku gjenden të dhëna të rëndësishme që tregojnë për vendin që zë kjo krahinë në përbërjen e etnosit shqiptar. Në përgjithësi, emrat e vendeve të Çamërisë përkojnë për nga ndërtimi i tyre gati plotësisht me emrat e truallit shqiptar, madje edhe me emrat e diasporës shqiptare. Emërtimet e mësipërme, qoftë sipas të dhënave burimore prej autorëve të vjetër e të rinj për statistikat e përbërjes së popullsisë, vërtetojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se, krahina e Çamërisë është vazhdim i krahinave të Shqipërisë së Jugut dhe pjesë përbërëse etnike e Shqipërisë. Banorët e saj janë shqiptarë. Kjo gjendje i përgjigjet gjysmës së parë të shekullit të 20-ë, sepse pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kufijtë politikë që u caktuan nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, lanë jashtë kufirit krahinën e Çamërisë. Këto të dhëna janë mbi bazën e një reference të plotë me autorësi shqiptare, greke dhe të huaj, të cilët jo rastësisht kanë nxjerrë në dritë faktet autentike të prejardhjes, qenësisë dhe vazhdimësisë së krahinës së Çamërisë, si një krahinë etnike shqiptare, e lënë padrejtësisht jashtë trungut të shtetit amë, Shqipërisë, dhe që i është nënshtruar në mënyrën më barbare spastrimit me motive etniko-fetare nga shovinizmi grek. Si depëtuan grekët dhe pakicat e tjera në krahinën e Çamërisë. Mbi këtë shtresë unike të popullsisë vendase, erdhën dhe u vendosën kohë pas kohe popullsi të reja me prejardhje etnike të ndryshme. Kështu familje vllehe me tufat e tyre erdhën dhe u vendosën në tokat e Çamërisë, duke krijuar fshatra të reja. Pronarët e mëdhenj të Çamërisë, për të shfrytëzuar më mirë tokat e tyre, sollën gjithashtu një sasi bujqish dhe çifçinjsh grekë, të cilët erdhën njeri pas tjetrit, duke formuar disa fshatra në fushën e Çamërisë. Dyndjet e vazhdueshme të këtyre grupeve etnike bënë që të ndryshonte gradualisht fytyra etnike e Çamërisë dhe në këtë krahinë, në fund të shekullit të 19-ë, të banojnë pranë njeri - tjetrit shqiptarë (myslimanë dhe ortodoksë) grekë dhe vllehë. Megjithatë, secili grup etnik, sidomos shqiptarët dhe grekët, ruajtën individualitetin e tyre etnik, ndërsa vllehët u asimiluan nga popullsia shqiptare dhe greke në besimin ortodoks. Në të kaluarën, duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit të 19-ë deri në 10-vjeçarin e shekullit të 20-ë, janë bërë disa regjistrime të popullsisë nga qeveritë turke në krahinën e Çamërisë. Këto regjistrime nuk i qëndrojnë saktë së vërtetës, sepse si kriter bazë merrej përkatësia fetare, duke regjistruar grupe sipas besimit, turq dhe grekë. Në këto regjistrime është pakësuar numri i shqiptarëve, pasi shqiptarët ortodoksë regjistroheshin si grekë. Një regjistrim i tillë i vitit 1900 për popullsinë në Vilajetin e Janinës, tregon se në qytetin e Paramithisë ishin 3. 860 banorë myslimanë, në Filat 9. 758, në Margëlliç 14. 664, në Preveza 1. 325 dhe në Luro 772, gjithsej, 28. 282 shqiptarë myslimanë. E gjithë popullsia e kësaj statistike kanë qenë shqiptarë, meqenëse në viset e përmendura nuk ka pasur turq dhe grekë të islamizuar. Vetëm në vitin 1910, qeveria e xhonturqve bëri regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë në Perandorinë Turke me kritere më të pranueshme. Rezultatet e këtij regjistrimi, me gjithë të metat, janë me interes për të dhënë një pasqyrë të popullsisë së Çamërisë para vitit 1913, vit kur kjo krahinë iu aneksua padrejtësisht Greqisë nga Konferenca e Londrës. Studimet shkencore në kohë, analizat dhe krahasimet e periudhave të ndryshme të ngritjeve dhe rënieve, në etapa të ndryshme të historisë tonë, kanë nxjerrë në dukje sistemin e vlerave kombëtare, duke e radhitur pa ngurrim popullin shqiptar, si një popull arsimdashës brenda një procesi unik gjithkombëtar, që solli deri në ditët tona mbijetesën e tij, ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës, kulturës, traditës dhe dijes. Labërishtja, çamërishtja në dialektin e Toskërishtes, janë vlerësuar si elementët autentikë të ekzistencës së gjuhës shqipe në krahinën e Çamërisë. Janë të shumtë autorët evropiane dhe ata grekë, që kanë thënë të vërtetën historike dhe realitetin mbi Çamërinë. Francezi Gabriel Remerand, në librin e tij “Ali Pashë Tepelena, Pasha i Janinës” , botuar në Paris shkruan: “Çamëria që i korrespendon Thesprotisë së vjetër, është vendi që ndodhet karshi Korfuzit dhe që shtrihet mbi anëdetin jonian, që nga Saranda e deri në Prevezë. Po në këtë krahinë ishin tërhequr popullatat shqiptare që i kishin rezistuar invadimit mysliman dhe që kishin ruajtur me besimin e stërgjyshërve të tyre shpirtin e pavarësisë” . Është një përcaktim i saktë i shtrirjes gjeografike dhe etnike të krahinës, e cila përfshinte bregdetin ndoshta më të bukur të detit Mesdhe. Nuk janë të paktë personalitetet dhe autorët grekë që pranojnë të vërtetën mbi krahinën e Çamërisë. Kaklamanos, përfaqësuesi i Greqisë në Konferencën e Lozanës, deklaronte më 19 janar 1923 se, “shqiptarët banojnë një krahinë plotësisht të përcaktuar d.m.th. Epirin” . Më tej, Serafin Bisanci, metropoliti i Artës në librin, “Dy fjalë mbi një shikim historik të Artës dhe Prevezës”, shkruan: “Thesprotia përfshin Pargën fatkeqe, Paramithinë, të gjithë Çamërinë dhe Margaritin (Margëlliçin-shn im), banorët e së cilës janë të gjithë çamë, turq - shqiptarë” . Për shkak të sundimit dhe të shtetësisë osmane nën perandorinë, popullsia shqiptare shpesh emërtohej në termin “turq”, por gjithësesi jo grekë. Nuk mungojnë as personalitete të enciklopedisë greke, të cilët e kanë parë këtë realitet me syrin e studiuesit, me ndershmëri profesionale, larg ndikimeve nacionaliste. Studjuesi grek Vasil Zotos (Mollosos), në librin e tij, “Studime mbi Epirin”, të botuar në Athinë në vitin 1875, në faqen 59 thotë: “Shqipëri quhet gjithë Epiri që nga kufijtë e Greqisë gjer në Mal të Zi e Bosnje dhe shqiptarë quhen gjithë popujt dhe fiset e Shqipërisë që flasin njërën nga dialektet që kemi përmendur”. Sipas kësaj dëshmie, bregedit nga Kotorri i sotëm e deri në gjirin e Artës i takonte shtrirjes së popullsisë shqipfolëse në Ballkan. Më tej, në faqen 13 të po këtij libri, për dialektet e folura në Shqipëri, Zotos përmend labërishten, çamërishten, toskërishten dhe gegërishten. Është ky një fakt domethenës, se përballë gjuhëve të tjera qëndronte e folur gjuha shqipe. Studjuesin grek, Vasil Zotos (Mollosos), Kristaq Zografoja e quante “mendje e ndritur” dhe atëherë mitropolitit të Gjirokastrës i shkruante se, “qysh prej asaj mbrëmjeje që u largova e ndiej mungesën e shoqërimit të një burri me vlerë dhe me kulturë të gjerë që digjej prej dashurisë për atdhe”. Enciklopedia e Madhe Greke e vitit 1930, në vëllimin e saj të 12-ë, e ka cilësuar si predikator se, ”kudo dhe gjithnjë predikonte idenë helenike”. Në fakt në shkrimet e tij për shqiptarët nuk ka asgjë “helenike”, por të vërtetën mbi shqiptarët, Shqipërinë dhe gjuhën e tyre. Në “Studimet mbi Epirin” të Vasil Zotos (Mollosos) gjejmë edhe një listë të katundeve të Epirit, ku vetëm krahinës së Çamërisë i takonin në atë kohë 120 lokalitete me 3. 516 familje, nga të cilat 2. 180 familje të krishterë dhe 1. 336 myslimanë . Nga të gjitha parashtresat e dokumentuara të cituara nga Vasil Zotos (Mollosos), rilevohet se Çamëria ishte një vend i banuar nga shqiptarët. Historianë të vjetër e të rinj, shëtitës, politikanë deri dhe vetë grekë, nuk e kanë fshehur realitetin shqiptar të Çamërisë.
Posted on: Sun, 08 Sep 2013 20:20:53 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015