Artisti, në raport të ndërlikuar me shtetin dhe me shoqërinë - TopicsExpress



          

Artisti, në raport të ndërlikuar me shtetin dhe me shoqërinë – Intervistë me piktorin dhe skulptorin Stefan Taçi Intervistë me piktorin dhe skulptorin STEFAN TAÇI Në 20 vite, shumë gjëra ndryshojnë e nuk mund të rrinte pa ndryshuar edhe arti. Sigurisht, diku për mirë e diku për keq. Por unë mund të them një gjë të thjeshtë: sinqeriteti, pasioni dhe përkushtimi ndaj krijimtarisë nuk ndryshon, në thelb është njësoj, pavarësisht metodës dhe gjuhës artistike”. Kështu shprehet gjatë një interviste për “Impakt”, piktori dhe skulptori Stefan Taçi. Teksa shton më tej se tashmë, në kohën kur informacioni dhe teknologjia tashmë luan shumë rol, kjo i vë artistët vendas para një sfide të vazhdueshme, pa rënë në inferioritet apo mbivlerësuar gjithçka vjen nga jashtë. “Gjithsesi, unë mendoj se njeriu, në këtë rast artisti, është pjellë e ambientit të tij, ku nuk përjashtohet as klima, as tradita mijëvjeçare e pellgut mesdhetar ku jeton, sepse mua do më dukej si eunuk dikush që tenton të bëhet në artin e tij si anglo-sakson apo nordik, e këtu nuk e kam fjalën për ato elemente të teknikës e gjuhës globale, por për shpirtin e krijimit, frymën që ajo përcjell në rrafsh lokal apo universal…. Ç’do të thotë të jesh artist në kohët e sotme? Mund të thuhet se je artist “me kohë të plotë” apo ju dhe të tjerë si ju, jeni thjesht robër të pasionit për art? - Të jesh artist në kohët e sotme dhe sidomos tek ne, natyrisht që është e vështirë. Për disa, është vazhdimësi e asaj që bënin në vite, për disa të tjerë, është idilike si nocion por e pamundur në realitet. Dhe për të tjerë, është një iluzion i humbur apo i kthyer në zanat si mjet mbijetese, ashtu siç qëllon të jetë edhe shou apo status social nëse ndjek modën. Por kufijtë mes këtyre përcaktimeve, tashmë janë shumë afër dhe ndodh që të interferojnë mes tyre. Të jesh artist në kohë të plotë apo të pjesshme…Vështirë të thuhet në mënyrë absolute, por shpresoj të jem pjesë e atyre që nuk mund ta shohin dot veten jashtë artit, ngaqë pasioni për të fillon qysh fëmijë e megjithë kthesat apo devijimet e detyruara brenda krijimtarisë artistike, asnjëherë nuk jam ndarë me të, nëse kjo mund të quhet “rob” i pasionit për artin. Edhe nëse nuk punoj në kohë të plotë për shumë arsye (mungesa e një studioje përbën pengesë), mundohem që në shumicën e kohës të mendoj e të ndjej si artist, mbase sepse nuk di të bëj gjë tjetër, fjala vjen biznes apo politikë. Duhet thënë gjithashtu se në kohët që jetojmë nuk është më ai respekt e konsideratë ndaj artistit si vite më parë, pavarësisht hipokrizisë zyrtare apo qasjeve mëshiruese të privatit, imazhi i artistit shihet shpesh si zgjidhje momentale për nevojat e propagandës së shtetit apo nevojave imediate që mund të kenë individët e pasur, pra mund të thuhet se është një raport i ndërlikuar dhe i vështirë mes tij, shtetit e shoqërisë. Ju jeni një artist që duket se keni mbetur i atashuar vetëm tek arti juaj, por ne të vertëtë duket se jeni i angazhuar edhe në problemet e shoqërisë, ku jo rrallë e thoni në mënyrë të hidhur fjalën tuaj. Kaq të hidhura ka në realitetin shqiptar? Si e ndjeni përballjen me realitetin shqiptar në konceptimin tuaj artistik? - Nëse flasim për artin si aksion personal, aty subjektiviteti i autorit është absolut, por kur meditojmë apo mendojmë si artistë për ç’ka na rrethon, atëherë padyshim që nuk mund të lësh jashtë vëmendjes temat e problemet që shqetësojnë gjithë shoqërinë. Jo se mungojnë artistët që e quajnë veten të angazhuar, por shumë prej tyre këtë e shohin disi në nivelin e propagandës duke injoruar nivelin artistik e kjo s’mund të quhet art, por thjesht një aktivitet më shumë në kalendarin kulturor të qytetit. Sigurisht, një artist mund të ofrojë idetë e tij rreth një problemi edhe kur nuk e pyet njeri. T’ju jap një rast. Kohët e fundit, bashkë me disa rrugë dytësore apo rrugica që janë rregulluar në qendër e periferi, janë sistemuar edhe trotuaret përkatëse ku ka edhe pemë të cilat janë rrethuar me disa katrorë të shëmtuar betoni e të ngritur nga niveli i rrugës, të cilët jo vetëm që pengojnë ecjen normale, por detyrimisht ngushtojnë edhe hapësirën urbane e cila nuk shquhet për bollëk. Mua si këmbësor, më nervozon shpesh kjo ecje si trumcak duke hipur e zbritur mbi këto shkallare të pakuptimta që gjoja mbrojnë pemën, kurse si artist vetvetiu mendja më shkon edhe në një zgjidhje sa më racionale e estetike. Madje kam skicuar edhe disa ide se si mund të bëhet p.sh. një rrjete betoni si tantellë në nivelin e trotuarit, sepse dihet që hekurin e vjedhin për fat të keq skrapmbledhësit, madje as kosto nuk ka sepse është e njëjta masë betoni që harxhohet për ato shkallaret e shëmtuara. Qëllon që për çështje të caktuara mund të jem shprehur edhe hidhur, në ndonjë shkrim apo rrjet social, por kjo ndodh ngaqë më trishton kur shoh fenomene që dikur kujtonim se do i kalonim shpejt e pas kaq vitesh, kur je përballë tyre, bëhesh padyshim nervoz, dhe realiteti ynë për fat të keq, ka jo pak fenomene anti-estetike e anti-njerëzore njekohesisht. Në këto raste, misioni i artit është të mos bjerë në këto nivele banaliteti, por të mbajë gjallë shpresën dhe e bukura ka fuqi besoj, ka pushtet mbi ndjesitë tona, e kur ajo përdoret mirë, edhe shoqëria ngrihet shpirtërisht e bëhet më njerëzore. A nuk ju duket se po e vrasim njeriun duke folur vetëm për vlerën që ka paraja e pushteti i saj? Sikur gazetat në çdo fundjavë, në vend të gjokseve e këmbëve femërore që zbulohen “padashje” nëpër disko e pube, të botonin imazhe se çfarë ndodh në studiot e artistëve, ju siguroj që njerëzit do ndjeheshin më mirë e mbase më të ditur. Ajo që më frigon është ideja se tashmë kjo shoqëri nuk ka nevojë për art (konkretisht, flas për artin pamor), por uroj të jem i gabuar. Keni organizuar së fundmi një ekspozitë tuajën. Çfarë mesazhi keni dashur të përcillni me të? - Po, së fundmi hapa një ekspozitë personale ku doja të risillja në vëmendje të publikut artdashës një pjesë jo të vogël të krijimtarisë sime në animacion, pra filmat e animuar. Siç përmenda edhe më lart, filmi ka qenë një nga devijimet në rrethanat e asaj kohe (emërim i detyruar në Kinostudio 1987), por që rezultoi i suksesshëm e kjo marrëdhënie zgjati deri në 2007-ën me filmin e fundit “Butterfly”. Nuk mund të them se jam ndarë përfundimisht me filmin, por aktualisht merrem më shumë me pikturën, pak me skulpturën e diçka me dizajnin grafik e filatelinë. Mesazhet primare në një ekspozitë arti mendoj se janë ato estetike, atraksioni që ti i afron publikut me nivelin artistik të krijimit e nëse aty publiku gjen edhe mesazhet sociale e tematikat që e shqetësojnë, të sjella natyrshëm permes artit e jo në nivel propagande, atëherë mund të thuhet se ekspozita ia ka arritur qëllimit. Gjithsesi filmi është bashkim i disa arteve e kjo kërkon një harmonizim të gjithë elementëve të tij, por sigurisht që si artist i artit pamor imazhi filmik paraqet interes të veçantë për mua, megjithëse më pëlqen shumë edhe të shkruaj. Por sapo mbyllet një ekspozitë, e cila krijon pak vakum për një kohë të pacaktuar, instikti krijues fillon vetvetiu të bëhet gati për ngjarjen e ardhshme, shqetësimi tashmë zhvendoset për krijimin apo ekspoziten e radhës, po edhe për problemet ekzistenciale të radhës. Si i vlerësoni punët e artistëve të tjerë, apo më saktë, sa vend zë dhe sa ndikim ka krijimtaria e sotme artistike në shoqëri? - Natyrisht që vlerësoj dhe respektoj gjithçka serioze që ndodh në fushën tonë, ekspozitat e kolegëve apo krijime të veçanta që ata ekspozojnë në aktivitete të përbashkëta etj, por kur flasim pastaj se sa vend zë krijimtaria jonë në shoqëri aty biseda do zgjatej pa fund sepse hapen për diskutim disa tema të debatuara jo pak mes artistëve. Njëra prej këtyre temave, është ajo e menaxhimit të krijimtarisë artistike, kush merret e sa merret, sa seriozisht merret apo nëse kemi vërtet njerëz të përkushtuar që pavarësisht subjektivitetit, të realizojnë atë komunikim aq të nevojshem mes veprës e publikut, dhe këtu futen një sërë mekanizmash zyrtare ose jo, dashamirësia apo përgatitja e tyre, media, kritika e munguar, rrjeti i galerive etj. Mjafton t’ju them që ne akoma nuk kemi një galeri të qytetit siç ka në të gjitha vendet evropiane, ku artistët ekspozojnë falas e nuk vuajnë të gjejnë një sallë, sepse jo të gjithë artistët kanë mundësi pagese. Nuk po flas këtu për këputjen e disa hallkave mes artit e ndërtimit (dihet boom-i i ndërtimeve në vend), gjë që jo vetëm ka lënë pa shfrytëzuar kapacitete të pafundme krijuese, por do të mundësonte që arti të ishte pranë shoqërisë, aq sa njerëzve t’ju kthehej në nevojë prania e artit në ambjentet e tyre banuese apo të punës, e këtu nuk janë pa faj as arkitektët. Për të kuptuar këtë, mjafton të dëgjosh njerëzit kur kthehen nga ndonjë vizitë turistike jashtë vendit, kur të flasin se si ishin parqet atje, godinat publike apo private, sa vepra arti kishte kudo, muzeume pa fund, etj, dhe ndërsa i dëgjon, vë buzën në gaz, sepse kupton që ata mungesën e pranisë së veprës së artit në vendin tonë e pranojnë si diçka normale, sikur qyteti ynë mjafton të plotësojë nevojat akute të jetës në një konvikt, të ketë ujë, drita, pak pastërti e gjelbërim, kurse kërkesat e tjera i plotësojnë kur dalin jashtë vendit, e kur kthehen prej andej, ju tregojnë miqve fotografitë nëpër muzeume apo pranë veprave të artit, diçka që na ndodh të gjithëve pothuajse. Ndërsa një pjesë jo e vogël e njerëzve, i drejtohet tregut të shumicës për të plotësuar nevojat e tyre estetike dhe sigurisht, këtu nuk flas për njerez që s’kanë të hanë, apo që mezi e shtyjnë jetën, përkundrazi, ndodh të shohësh aty edhe pasanikë të rinj, por të varfër në shije, jo gjithmonë për faj të tyre. Ju mund të thoni se janë kohë të vështira, ka krizë globale e kjo vlen si justifikim deri në njëfarë mase. Ndoshta dhe teknologjia me produktet e saj ka tërhequr më shumë vëmendjen e publikut apo tregut dhe ky argument ka padyshim një bazë të fortë. Arti dhe tregu, si shkojnë me njëra-tjetrën dhe ku mendoni se është difekti i punëve të sotme që duket se nuk gjejnë hapësirë shpalosëse? - Diçka prekëm më lart mbi këtë temë, por le ta zgjerojmë disi. Ekspozita hapen jo pak në Tiranë, por edhe në rrethe. Unë e di që institucionet zyrtare kanë një fond të vetin që blejnë vepra arti për nevoja të mobilimit të zyrave apo ambienteve që ata kanë, mirëpo shumë rrallë ndodh që vepra nga këto ekspozita (natyrisht, jo gjithçka e ekspozuar është risi), të përzgjidhen prej tyre, duke i dhënë shansin jo vetëm artistit që të ketë një vepër arti në një ambjent publik, por edhe vetë institucioni ka shansin të ngrihet estetikisht, e pse jo, të kthehet në koleksionist të artit shqiptar. Sigurisht jo të gjitha institucionet zyrtare kanë mundësinë ta bëjnë këtë, por nuk janë pak ato që mund ta bëjnë. Një shembull na e dha banka turke me koleksionin e saj të veprave që u ekspozua së fundmi në GKA, aktivitet i shoqëruar edhe me një katalog serioz tregjuhësh. Kurse nëse viziton një zyrë çfarëdo të shtetit tonë (pa folur për privatët), ka raste jo vetëm të shohësh muret bosh, por aty kryesisht do gjesh të varura vepra mediokre, shumica kopjime apo të blera në tregun e shumicës. Mos harrojmë se ato vepra janë blerë me paratë tona, pra të taksapaguesve. Unë nuk e di si mund të zgjidhet kjo gjë, por mundësitë janë, mbase duhen ca rregullime në klauzolat përkatëse të ligjit mbi blerje të tilla. Natyrisht, tema “arti dhe tregu” është e gjatë e nuk mund ta shtjellojmë këtu të gjithë (edhe gjynahet e artistëve nuk janë pak), veç dua të sqaroj se artisti serioz kur krijon nuk e mendon shumë tregun, një veprim naiv ndoshta, por kjo është natyra artistit. E megjithatë ai e do publikun e tij, kurse tregu gjithsesi e banalizon këtë raport komunikimi. Në çfarë raporti ndodhet arti ynë figurativ në raport me artin e huaj. Çfarë ka ndryshuar në këto 20 vite? - Në 20 vite, shumë gjëra ndryshojnë e nuk mund të rrinte pa ndryshuar edhe arti. Sigurisht, diku për mirë e diku për keq, por besoj këto janë tema që do duhej të merreshin nga iuesit, por unë mund të them një gjë të thjeshtë: sinqeriteti, pasioni dhe përkushtimi ndaj krijimtarisë nuk ndryshon, në thelb është njësoj, pavarësisht metodës dhe gjuhës artistike. Natyrisht, informacioni dhe teknologjia tashmë luan shumë rol dhe kjo i vë artistët vendas para një sfide të vazhdueshme, pa rënë në inferioritet apo mbivlerësuar gjithçka vjen nga jashtë. Ashtu siç ndodh rëndom të shohësh edhe të kundërtën, kur artistët vendas fryhen si kaposh majë plehut për veprat mediokre që krijojnë. Gjithsesi, unë mendoj se njeriu, në këtë rast artisti, është pjellë e ambientit të tij, ku nuk përjashtohet as klima, as tradita mijëvjeçare e pellgut mesdhetar ku jeton, sepse mua do më dukej si eunuk dikush që tenton të bëhet në artin e tij si anglo-sakson apo nordik, e këtu nuk e kam fjalën për ato elemente të teknikës e gjuhës globale, por për shpirtin e krijimit, frymën që ajo përcjell në rrafsh lokal apo universal. Pu ju pyes diçka më tej, kur shohim se shumë nga pikturat murale të objekteve të trashëgimisë kulturore po rrënohen, a duket se mungon një politikë reale restaurimi përderisa piktorët e sotëm nuk ftohen të veprojnë për të ruajtur veprat e piktorëve të vjetër? - Eshtë e vërtetë se shumë objekte të trashëgimisë kulturore po rrenohen e bashkë me to mund të jenë edhe piktura murale siç thoni ju, por ky është një diskutim tjetër përtej krijimtarisë së artit sot, është diçka që ka të bëjë me politikat qeveritare ndaj ruajtjes e konservimit të vlerave që janë krijuar në shekuj. Natyrisht mund të ofrohen artistë, por këto nevoja urgjente e mira është që të zgjidhen në raport me ligjet e restaurimit, sepse jo çdo artist është specialist i restaurimit e jo kushdo mund të vërë dorë mbi këto vlera të së shkuarës. Por nuk është vetëm kjo trashëgimi e rrezikuar, këtu nuk bën përjashtim as ajo krijimtari që është krijuar vonë, mjafton të shohësh disa vepra që po i ha myku, si p.sh.busti i Andon Zako Çajupit në lulishten “1 Maji” apo mjaft piktura të traditës që po i ha lagështira. Mjafton të shohësh sesi pas disa muajsh pas festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, monumentit kushtuar kësaj ngjarjeje në qendër të Tiranës (Parku Rinia) i janë shkulur disa pllaka bronxi nga poshtë e askush s’ka bërë gjë. Kjo nuk është sjellje që të afron me Evropën, e nëse dikush mund të thotë se këtu nuk respektohet jeta si mund të presësh të respektohet arti, përsëri ky nuk është justifikim as për shtetin dhe as për shoqërinë. Ndoshta ky problem, si edhe mjaft çështje të tjera, ngre si problem mënyrën si edukojmë fëmijët në shkollë e familje, sepse janë ata nesër që shumë shpejt do jenë vendimmarrës të qeverisjes apo publiku ynë i ardhshëm. impakt.al/kultura/artisti-ne-raport-te-nderlikuar-me-shtetin-dhe-me-shoqerine-interviste-me-piktorin-dhe-skulptorin-stefan-taci
Posted on: Fri, 01 Nov 2013 11:37:42 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015