Bashkimi i trojeve shqiptare shmang luftën në Ballkan, serbët - TopicsExpress



          

Bashkimi i trojeve shqiptare shmang luftën në Ballkan, serbët dhe grekët të mos tmerrohen, kemi mbështetjen e SHBA Politologu dhe historiani, Koço Danaj, njeriu që javët e fundit ka trazuar disa shtete të Evropës dhe u ka futur ethet dhjetërave agjensive dhe gazetave gjermane e austriake, gjatë një interviste për gazetën “SOT”, komenton edhe një herë projektin për “Shqipërinë Natyrale”. Koço Danaj flet për tronditjen e mediave gjermane nga projekti për “Shqipërinë Natyrale” si dhe tërbimin e mediave serbe, greke dhe malazeze. Ndër të tjera, Danaj denoncon edhe një herë Konferencën famëkeqe dhe mizore të Londrës, e cila copëtoi trojet shqiptare, duke ua falur fqinjëve. Danaj deklaron se trojet shqiptare u copëtuan për motive fetare. Më tej, Danaj pohon se Konferenca famëkeqe e Londrës, duhet anuluar si e paligjshme dhe diskriminuese. Ai nënvizon se, projekti i rikthimit të trojeve shqiptare të grabitura në 1913, mbështetet edhe nga Shteteve e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. -Ka mbi 7 ditë që media kryesore gjermane, austriake, polake, sllovene dhe ajo e fqinjëve, po flet e po shkruan lidhur me projektin e “Shqipërisë Natyrale”, që ju e keni iniciuar disa vjet më parë. Pse kjo zhurmë kaq e madhe? Faleminderit për pyetjen. Vërtet, qysh pas publikimit në agjencinë gjermane të lajmeve DPA e atë austriake APA, pas botimit në gazetat me prestigjoze gjermane si Zydojce Cajtung, Stern, Die presse, pas botimit në median kryesore polake, sllovene etj., të përpjekjeve dhe qëllimit tonë që të arrijmë anullimin e mbledhjes famëkeqe të Londrës 1913, media fqinje serbe, malazeze, maqedonase e greke u shfaq shumë e nervozuar. Ajo, me anë të Tanjugut, MIA, Betës, TV shtetëror të Serbisë e Malit të Zi, gazetës kryesore të Athinë, Kathimerini etj., etj., i mëshoi tezës se “Shqipëria Natyrale” do të thotë Luftë, se ne paskemi thënë që ose “Shqipëri Natyrale” ose luftë. Është një tezë qëllim keqe dhe aspak e mbështetur në argument. -Po pse kjo mbështetje tani, veçanërisht nga blloku austro-gjerman e fqinjët e tij? Po e para, sepse jemi në 100 vjetorin e Konferencës famëkeqe të Londrës, e cila copëtoi në mënyrën më barbare kombin shqiptar në 5 pjesë. Dhe e dyta sepse ne kemi hedhur para bashkësisë ndërkombëtare jo thjesht një dëshirë, por argument, fakte, dokumente të paditura deri më sot, ose të ditura dhe të fshehura qëllimisht. Për shembull: Ne kemi argumentuar se nuk ka pasur Konferencë Londre, por një aleancë të krishterë për të copëtuar trojet shqiptare meqë ato ishin me shumicë muslimane. Këtë e pohon vetë ish ministri i Jashtëm britanik, Grey. Për gati 100 vjet, neve na kanë mashtruar dhe jemi vetëmashtruar se gjoja ka pasur një Konferencë Londre. Kur Grey pohon me gojën e tij se ka qenë vetëm një komitet miqsh që mblidhej nga ora 16:00- 17:00, pinin çaj dhe falnin troje shqiptare mbështetur vetëm në një kriter: Atë fetar. Ka edhe shumë të tjera. Në këto kushte, duket që Gjermania e cila sot është lokomotiva e BE, e shikon të nevojshme një rikonfigurim paqësor të rajonit të Ballkanit. -Por, fqinjët thonë se do të ketë luftë? Jo, në të kundërt, “Shqipëria Natyrale”, është një ofertë për paqe, për stabilitet dhe mirëqenie të të gjithë popujve të Ballkanit. Vërtet rajoni i Ballkanit ndodhet para sfidave serioze që kanë synim kryesor paqen dhe progresin. Por, zgjidhja e parë dhe kryesore në Ballkan, e cila përbën sot kyçin e paqes rajonale, është bashkimi i shqiptarëve, është krijimi i Shqipërisë Natyrale. Pse e them këtë? Po paraqes disa fakte për dijeni, por edhe për gjykim. Rregullimi i statusit të trojeve shqiptare, përgjatë një shekulli i është nënshtruar 6 marrëveshjeve ndërkombëtare, vendimet e të cilave ose kanë qenë koloniale ose kanë qenë rregullime pjesore të pjesëve të ndryshme të kombit shqiptar. Ato janë Marrëveshja e Londrës, Marrëveshja e Versajës, Marrëveshja e Jaltës e vitit 1945, Marrëveshja e Rambujesë e cila ju kushtua vetëm një pjese të territorit shqiptar siç ishte Kosova, Marrëveshja e Konçulit e marsit 2001, që ju kushtua një pjese të kombit shqiptar siç është Lugina e Preshevës, marrëveshja e Ohrit e gushtit 2011, e cila ju kushtua një pjese të territorit shqiptar në FYROM. Aktualisht kombi shqiptar jeton në dy shtete që janë Shqipëria artificiale dhe Kosova, në Shqipërinë Lindore në FYROM me status të popullit shtetformues dhe në dy pakica kombëtare në Mal të Zi dhe në Serbi. Por nuk ekziston fare në krahinën shqiptare të Çamërisë, pasi u depërtua me dhunë në vitin 1944. Sot, kur flitet për marrëdhënie të reja ndërkombëtare të mbështetura jo në të drejtën e forcës, por në forcën e së drejtës, shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë riparimin tërësor dhe jo pjesor të padrejtësive koloniale që janë bërë ndaj tyre. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në Preambulën e saj, pranon të drejtën e bashkimit të shqiptarëve në një shtet si të drejtë legjitime. Fuqitë e mëdha që e kanë miratuar këtë Kushtetutë, e kanë pranuar këtë të drejtë, duke mos bërë asnjë vërejtje për Preambulën e saj. -Ku ndryshon “Shqipëria e Madhe” nga “Shqipëria Natyrale”? Më duhet t’i bëj një korrigjim nocionit politik të përdorur nga fqinjët dhe disa politikanë serbë, grekë, maqedonas apo malazezë. Ata kur flasin për bashkimin e shqiptarëve, përdorin nocionin “Shqipëri e Madhe”. Unë jam kundër “Shqipërisë së Madhe”. Persë? Sepse nocioni “Shqipëri e Madhe” lindi pas marrëveshjes Ciano-Ribentrop të vitit 1941, pra është një nocion nazifashist. Ndërsa unë jam antifashist, prandaj pranoj “Shqipëri Natyrale”, domethënë, Shqipëria në kufijtë e saj natyrale. Dhe këto kufij janë ato që shpalli Kuvendi i Vlorës në vitin 1912. “Shqipëria Natyrale” do ta qetësojë Rajonin, do ta stabilizojë atë, do të japë mundësi të stabilizohen edhe rajone të tjera si Bosnja, Serbia apo Maqedonia. E kundërta, do vazhdojë ta destabilizojë rajonin, sepse do nxisë rryma radikale. “Shqipëria Natyrale” nuk drejtohet kundër askujt, ajo synon marrëdhënie miqësore me fqinjët, por secili në shtëpinë e tij. “Shqipëri Natyrale” do të thotë zëvendësimi i boshtit Beograd-Athinë me Trekëndëshin Tiranë-Beograd-Athinë, pas bashkimit të Kosovës dhe trojeve shqiptare të tjera shqiptare me Shqipërinë. Disa politikanë serbë, grekë, maqedonas, malazezë, por edhe disa politikanë të Brukselit thonë se bashkimi i shqiptarëve do provokojë “efektin domino” në rajon. Nuk është e vërtetë. Pse? Sepse në rajon nuk ka asnjë komb tjetër, i cili përgjatë gjithë kufirit të Shqipërisë aktuale të jetë i kufizuar me veten e tij, pra të ketë fqinj vetveten. Në rajon dhe në botë nuk ka asnjë komb tjetër që të ketë jashtë kufijve të tij shtetërorë dy të tretat e vetes së tij. A ka ndonjë komb tjetër në rajon të ketë këtë dukuri? Jo, asnjë komb. “Efekti domino” ekziston thjesht për të trembur ata, që nuk e dinë realitetin e rajonit ose që duan ta fshehin atë. Në Platformën e “Shqipërisë Natyrale” thuhet se Çamëria të shpallet zonë e lirë midis Shqipërisë dhe Greqisë. Domethënë të jenë të lirë shqiptarët e Çamërisë të kthehen në territorin e tyre, nga i cili u dëbuan me forcë dhe padrejtësisht para 60 vjetësh. A ka kërkesë me demokratike se sa kjo. -Mos ndoshta ju shikoni pas, kur duhet parë drejt integrimit europian? Jo, tashmë Shqipëria në kufijtë e saj natyralë është një problem i shtruar për zgjidhje. Problemi u hap dhe një problem që hapet kërkon zgjidhje, por asnjëherë nuk mund të mbyllet. Në 28 Nëntor 2012, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, kombi shqiptar e shpalli bashkimin faktik në Vlorë dhe në Tiranë. Përballë kësaj situate që ngjason me Rilindjen Kombëtare, janë anakronike dhe anti-vetvetes, deklarimet që erdhën nga Athina, Beogradi dhe Shkupi zyrtar. Na porositën që mos shikoni 100 vjet pas! Por nuk kanë të drejtë. Pse? Nuk janë shqiptarët që shikojnë 100 vjet pas, por është tërë politika greke që shikon 149 vjet pas, në vitin 1864 kur kryeministri grek i asaj kohe, Janis Koletis formuloi famëkeqen “Magaliide” që synonte grabitjen e territoreve shqiptare deri në lumin Shkumbin. Ky projekt famëkeq, është akoma edhe sot në sirtarët e Ministrisë së Jashtme greke. Është politika greke që shikon 73 vjet pas, në vitin 1940, prandaj mban akoma në fuqi Ligjin famëkeq të Luftës me Shqipërinë, është politika greke që shikon 69 vjet pas kur dëboi me gjenocid nga trojet e tyre shqiptarët e Çamërisë dhe sot nuk i lejon ata të kthehen në trojet e tyre. Është politika serbe që shikon 169 vjet pas, në kohën kur Ilia Garashanini formuloi Platformën mbi Serbinë e Madhe, që shikon 78 vjet pas në kohën kur “Klubi i Beogradit”, miratoi Platformën mbi shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova të Cubrillovicit. Politika fqinje, para se tu japë “leksione shqiptarëve”, le ti djegë publikisht dhe zyrtarisht këto akte shoviniste ndaj shqiptarëve. -Cila është qasja e BE dhe SHBA ndaj projektit tuaj? Mendjet e ftohta të Brukselit dhe Uashingtonit tashmë e kanë kuptuar se “Shqipëria Natyrale” është faktori kryesor i stabilitetit të Ballkanit. Ata e kanë kuptuar se Lufta e Parë Botërore filloi pas copëtimit të trojeve shqiptare në mënyrën më makabre dhe raciste në vitin 1913. Me dhimbje njëshekullore, por po realizohet parashikimi profetik i Mehmet Konicës, Filip Nogës dhe Rashih Dinos i janarit 1913 se; pa “Shqipërinë Natyrale”, nuk do të ketë paqe në Ballkan. Po realizohet parashikimi profetik i ish-ambasadorit francez në mbledhjen e Londrës, Pol Kambon, i qershorit 1913 i cili tha se; “ballkanikët tanë ikën po mbetën pa u zgjidhur kufijtë e Shqipërisë”. Fqinjët do të jenë më të qetë me “Shqipërinë Natyrale”, sepse ajo do të “prodhojë” vetëm paqe dhe stabilitet në Ballkan. Mjafton një shembull për të gjithë fqinjët: Ka më shumë se 20 vjet që minoriteti grek në Shqipëri voton në shumicë dërrmuese për partitë politike shqiptare. Përse? Sepse e ka parë në praktikë, se kombi shqiptar edhe në kulmin e varfërisë së tij, minoritetet i ka trajtuar më mirë se veten e tij. Është një vlerë europiane. Ata që kundërshtojnë sot “Shqipërinë Natyrale”, duan trazira, duan luftë, ata duan të zëvendësojnë Pëllumbat e Paqes me Shigjetat e Luftës. Kjo është e vërteta historike dhe aktuale. Të pohosh të kundërtën, vetëm mashtron. Por dhimbja e së vërtetës është më e lehtë se dhimbja e mashtrimit. Duket se këtë të vërtetë të madhe, ata që drejtojnë realisht Brukselin e kanë kuptuar pasi e kanë vuajtur në kurriz se çfarë do të thotë copëtim i një kombi. Dhe të mos harrojmë: Kombi dhe territoret gjermane u trajtuan si plaçkë tregu për shkak të nazizmit. Ndërsa kombi shqiptar u trajtua si plaçkë tregu në 1913 për shkak të myslimanizmit. Kombi gjerman u bashkua në 1989. Kombit shqiptar i nxirren 1 mijë e një pengesa. Mos vallë kjo do të thotë se për Brukselin zyrtar, myslimanizmi si fe është më i rrezikshëm se nazizmi si doktrinë politike? -Si mendoni ta realizoni zbatimin e Aktit Juridik të Kuvendit të Vlorës? Ne nuk jemi arbitra të marrëdhënieve ndërkombëtare, por veprimtarë të çështjes shqiptare. Arbitër është Brukseli, SHBA etj. Ne nuk jemi profesorë të së drejtës ndërkombëtare, por “profesorë” të së drejtës shqiptare. Dhe e fundit e më kryesorja: “Arbitri ndërkombëtar” deri tani ka anulluar vendimet e dy konferencave zyrtare siç kanë qenë ajo e Versajës dhe e Jaltës. Shpërbërja e Jugosllavisë dhe bashkimi i Gjermanisë janë vetëm dy shembuj. Mali i Zi ka qenë shtet i pavarur deri në konferencën e Versajës. Por kur u krijua mbretëria serbo-kroato-sllovene, pushoi së qeni edhe pavarësia e tij. Aso kohe, në Mal të Zi u zhvillua një luftë e ashpër që në histori ka mbetur si “lufta e jeshilëve me të bardhët”. Por Versaja, pas viteve ‘90 pushoi se qeni, të gjitha vendimet e saj u riparuan, dhe në vend të Jugosllavisë lindën disa shtete. Ndërsa një nga vendimet kryesore të Jaltës ishte ndarja e Gjermanisë në katër zona ushtarake, që më vonë solli dy shtete, Lindore dhe Perëndimore. Pas 40 vjetësh, Gjermania u bashkua në rrugë paqësore, pra u riparua vetë Konferenca e Jaltës. Dhe të mos harrojmë se u bashkua në një kohë kur në Gjermaninë Lindore ndodheshin 155 mijë trupa sovjetike elitare. Por që nuk lëvizën nga kazermat. Atëhere, ka mbetur edhe një, ajo që konsiderohet Konferencë e Londrës e cila nuk ishte zyrtare, por ilegale dhe kriminale. Prandaj duhet të anullohet edhe Mbledhja famëkeqe e Londrës që i copëtoi shqiptarët në 5 shtete. Si do të bëhet kjo? Me rrugë demokratike. Po sjell për opinionin tuaj, disa fakte, nga kjo konferencë. -Z. Danaj, sa e ligjshme ishte Konferenca e Londrës? Konferenca e Londrës nuk është një konferencë zyrtare. Që në fillim, ajo mori vendim që të mos mbante proces-verbal. Një veprim i tillë, të kujton veprimet e atij që bën një krim dhe merr masa të fshehë gjurmët e krimit. Këtë e pohon vetë drejtuesi i Konferencës ish-ministri i jashtëm britanik Grey në Kujtimet e tij. Ja pohimi: ...Ne ishim gjashtë: Lichnoësky, Mensdorff dhe Imperiali, respektivisht ambasadorët e Gjermanisë, Austrisë dhe Italisë; Cambon dhe Benckendorff, ambasadorët e Francës dhe të Rusisë, dhe unë për Britaninë e Madhe. Më takoi përgjegjësia e drejtimit, por ne vendosëm t’i thjeshtojmë procedurat dhe të bënim një komitet miqsh, ashtu siç edhe ishim. Në mblidheshim pasditeve, zakonisht rreth orës 4 dhe diskutonim deri rreth orës 6 ose shtatë me një pushim të vogël çaji. Konferenca vazhdoi deri më gusht 1913...(Edëards Grey, Memoires, faqe 248, botimet Payot, 1927). Fakti i dytë: Kjo konferencë nuk u mblodh, për të diskutuar pavarësinë e Shqipërisë së shpallur në 28 nëntor 1912, por për të pajtuar Serbinë, Malin e Zi, Bullgarinë dhe Greqinë me Turqinë. Ja pohimi i ambasadorit francez në këtë konferencë, Pol Kambon: “U mblodhëm sot datë 16 dhjetor për të arritur një marrëveshje midis Serbisë, Greqisë, Bullgarisë, Malit të Zi dhe Turqisë në zyrën e Greyt” (Kambon, Korrespodenca, faqe 31, Botimet Grasset). Fakti i tretë: Pjesëmarrësit e asaj që u konsiderua padrejtësisht Konferencë, pranojnë me pohimet e tyre, se ata nuk morën asnjë vendim. Takimi midis tyre, të ngjan më shumë me një “Kazino Politike”, në tavolinën e së cilës ishin trojet shqiptare. Cilat janë Pohimet: - Grey: …Nuk pati as mbyllje solemne, ne nuk bëmë fotografi grupi, nuk na dhanë asnjë falënderim apo fjalim lamtumire; thjesht ndaluam së takuari. Ne nuk kishim përcaktuar asgjë, as detajet e kufijve shqiptarë….(Grey, Memoires, botime Payot, faqe 253). Fakti i katërt: Përfaqësuesit e 6 fuqive të mëdha, nuk u morën asnjëherë me aktin e shpalljes se pavarësisë së Shqipërisë në 28 Nëntor 1912 nga politikanët shqiptarë që nga Kosova deri në Çamëri, që nga Durrësi deri në Shkup. Kemi të bëjmë me një akt juridik, i cili i u injorua përgjatë çdo takimi. Qeveria shqiptare që u krijua pas 28 Nëntorit ishte një qeveri e përbërë nga përfaqësues të të gjitha trojeve shqiptare. Për shembull, ministër i Mbrojtjes ishte Mehmet Pashë Dëralla nga Tetova, ministër i Bujqësisë ishte Hasan Prishtina nga Prishtina. Kryetar i Asamblesë ishte Vehbi Agolli nga Dibra e Madhe. Ndërsa dy vjet më pas, po këta ambasadorë, me Traktatin e fshehtë të Londrës vendosën ta copëtojnë sërish kombin shqiptar, duke quajtur Shqipëri vetëm një krahinë muslimane përgjatë lumit Shkumbin dhe duke ja dhënë territoret e tjera Italisë dhe Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi. Prandaj me një material, prej 25 faqesh ne i kemi kërkuar “arbitrit” ndërkombëtar anullimin e mbledhjes famëkeqe të Londrës. I kemi servirur atij fakte të reja, pohimet reale të atyre që kanë qenë në Londër në 1913. Ne do të servirim edhe takimi Bismark-Abdyl Frashëri pas Kongresit të Berlinit, edhe vendimet e Konferencës së Potsdamit të korrikut 1945 mbi trajtimin e minoriteteve nacionale lidhur me problemin çam. Na kërkohet edhe një peticion dhe mbështetja e tij me firmat e shqiptarëve. Do ta bëjmë edhe këtë. Dhe fundi do të jetë: Shqipëri në kufijtë e saj natyralë. Dhe fundi do të jetë: Paqe dhe stabilitet në rajon.
Posted on: Sun, 28 Jul 2013 21:38:29 +0000

Recently Viewed Topics




© 2015