Beteja ne Beder! E premte, 17 Ramazan, viti i dytë sipas - TopicsExpress



          

Beteja ne Beder! E premte, 17 Ramazan, viti i dytë sipas Hixhretit 13 janar, viti 624. “Fitorja është vetëm prej All-llahut ...” (El Enfal, 10) Pas shpërnguljes së Muhammedit a.s. dhe muslimanëve nga Meka në Medinë, në vitin 622 pas lindjes së Isait a.s. filloi epoka e madhe e formimit të bashkësisë së parë muslimane. Pushteti i Islamit në Medinë dhe në rrethinën e saj, gradualisht forcohej. Situata përmirësohej, Medina ziente. Në të ishte në lëvizje çdo qelizë e qenies njerëzore. Muslimanët punonin ditë e natë, thjesht, sikur të mos e ndienin lodhjen. Islami kishte depërtuar thellë në ndjenjat e njerëzve, ai ishte bërë pjesë e pandashme e jetës së tyre. Muslimanët, bashkësia e parë islame, plotësisht i ishin përkushtuar fesë islame dhe ishin të gatshëm të jetonin vetëm për të. Qëllimi i jetës së Ensarëve dhe Muhaxhirëve ishte që qenien e tyre ta shndërronin në qenie islame. Të gjithë urdhrat e All-llahut zbatoheshin plotësisht dhe pa kundërshtim. Edhe njerëzit, kohë më parë, plot vese e të meta, filluan të ndërrojnë kah e mira. Krahas punës për bashkësinë islame, ata edukonin edhe veten e tyre sipas normave që u shpalleshin nga All-llahu xh.sh. Mundoheshin që edhe vëllezërit, motrat dhe të afërmit e tyre ti edukonin sipas këtyre parimeve. Feja në Një të Vetmin Zot, e shpallur botërisht: “S’ka Zot tjetër përveç All-llahut” i përshkonte të gjitha këto ngjarje dhe lëvizje të bashkësisë së parë islame. Të besuarit në Një të Vetmin Zot, me tërë qenien, shpirtin dhe vepra, ishte bazë e ekzistencës së muslimanëve. Bashkësia islame nuk u gjend vetëm brenda mureve të Medinës, ajo nuk u ndal para pluhurit të shkretëtirës. Si lumë i cili rritet dhe shtrihet jashtë shtratit edhe bashkësia islame filloi të shtrihet në shkretëtirë. Fjala islame shkonte prej gojës në gojë, prej zemrës në zemër, prej shpirtit në shpirt. Fjalët e dashura dhe të kërkuara nga çdo njeri: “es selamu alejkum” (paqa dhe shpëtimi qoftë me ju) dhe fjalët: “vëlla e motër” barteshin nëpërmjet karvanëve, nëpër oaze dhe çadrat e shkretëtirës. Islami njerëzve u ofroi në vend të urrejtjes-dashurinë, në vend të skllavërisë-vëllazërinë, në vend të diferencimit klasor-solidaritetin e plotë, e mbi të gjitha Islami ofroi prehjen, shpresën, paqen dhe kuptimin e jetës. Ishte e qartë, se këto ide s’kishin pengesa, arritjet e tyre s’kishin kufi, ato shtoheshin si tallaz i papërmbajtshëm. Kishte filluar të vendosej sundimi i All-llahut në Tokë. Ishte formuar bashkësia e parë islame. Në qendër të të gjitha ngjarjeve, me vullnetin e All-llahut, qëndronte i dërguari i Tij i fundit, njeriu i zakonshëm, robi i All-llahut, biri i njerëzve të zakonshëm, Abdullahut dhe Amines së ndershme, Muhammedi a.s. Modest, i qetë, jo egoist, trim, i patrembur, fisnik, shndriste me fuqinë e shpirtit e veprës dhe fuqinë e fjalës së tij. Fuqia e Islamit rritej në mënyrë të papërmbajtur dhe të pandalshme. Mushrikët në Mekë brengoseshin gjithnjë e më shumë. Pronarët e skllevërve, tiranët mendjemëdhenj, të pasurit dhe despotët dridheshin përpara madhështisë së kësaj ideje, e cila shndriste Medinën. Ata çdo ditë humbnin çka. Kishin kuptuar se nëse nuk rezistonin kundër përhapjes së Islamit, së shpejti muslimanët do të gjendeshin para Mekës, e atëherë pushteti i tyre do të zhdukej së bashku me idhujt që ata adhuronin. Prandaj, ata kishin vendosur që ta pengonin Islamin dhe ta shkatërronin bashkësinë e parë islame. Për të siguruar të mira materiale për marshim ushtarak, ata dërguan në Siri një karvan të madh me në krye të parin e Mekës, Ebu Sufjanin, me përcjelljen e 40-50 të armatosurve. Shpresonin në fitim të madh, i cili do t’ua lehtësonte fitoren. Lajmet e para mbi karvanin Muhammedi a.s. i mori nga xhaxhai i tij Abasi, që kishte mbetur në Mekë dhe s’ishte shpërngulur në Medine (me qëllim që të lajmëronte muslimanët për çdo gjë që bënin mushrikët A.S.). Ai ishte tregtar dhe bankar i njohur, dhe si i tillë gëzonte prestigj të madh. Shumë herë e njoftonte Muhammedin a.s. me shkrim mbi gjendjen e Mekës, pas shkuarjes së muslimanëve në Medinë. I dërguari i All-llahut, me pranimin e lajmit mbi nisjen e karvanit për në Siri, i ftoi as’habët për tu këshilluar, ku vendosën që të dalin në pritë në mënyrë që t’ia prisnin rrugën karvanit dhe mundësisht ta përvetësonin atë (sepse në karvan ndodhej pjesa më e madhe e pasurisë që kishin lënë muslimanët në Mekë A.S.) Në fshehtësinë më të madhe u formua ushtria marshuese islame, e cila numëronte 314 luftëtarë, 70 deve dhe 2 kalorës. Armët dhe pajisjet e këtij grupi të vogël ishin shumë të pakta. Mirëpo entuziazmi për luftë ishte i jashtëzakonshëm. Të gjithë ata ishin njerëz, që i ishin përkushtuar plotësisht Islamit dhe thirrjes në rrugën e All-llahut. Zemrat e tyre nuk e njihnin frikën. Askush nuk donte të mungonte në këtë betejë. I riu, Umer bin Ebi Vekas me çdo kusht, donte të shkonte në luftë. I dërguari i All-llahut e largoi nga radhët e ushtarëve, sepse ishte ende i ri. Djaloshi filloi të qajë e të lutet, duke thënë se ai megjithatë do të jetë i dobishëm në betejë. Ky përkushtim ndaj Islamit e preku Muhammedin a.s. dhe ai e pranoi Umerin. Gëzimi dhe lumturia e tij s’kishin kufi. E pamasë ishte mirënjohja e tij ndaj Muhammedit .a.s. Ndërkaq, ai ishte aq i dobët, sa s’mund të mbarte as armën, por e ndihmonte vëllau më i madh, Sadi. Të gjithë luftëtarët besonin fort, bindshëm dhe pakompromis tek All-llahu. Besimi i tyre s’njihte kufi. Asnjë sakrifice, në rrugën e All-llahut, nuk i frikësoheshin: “Prandaj le të luftojnë në rrugë të All-llahut ata që nuk duan të flijojnë jetën në këtë botë për botën tjetër. Dhe kush lufton në rrugë të All-llahut dhe vritet ose fiton, Ne padyshim do t’i japim shpërblim të madh“ (En Nisa:74) Të gjithë muxhahidët shikonin me mallëngjim Pejgamberin a.s. i cili radhiste aradhen marshuese. Flamurin islam ia besoj as’habit me famë Musab bin Umejrit, besimtarit besnik, i cili braktisi gjithë pasurinë, madje edhe prindërit, të cilët kundërshtonin pranimin e fesë islame. Ai ishte përfaqësuesi i parë musliman në Medinë, që me fjalën e gjallë dhe me zemrën e tij të madhe e madhështore, i bëri për vete shumë medinas dhe përgatiti kalimin e muslimanëve prej Mekke në Medinë. Në duart e atij njeriu të ndershëm valonte flamuri islam. Të gjithë s’mund të përdornin devetë, prandaj ndërroheshin. Vëllazërimi dhe barazia manifestoheshin në çdo gjest. I dërguari i All-llahut ndërrohej në deve me hazreti Aliun dhe Mersed bin Ebi Mersed Ganavim. Hamza, Zejd bin Harith, Ebu Kebshe dhe Enesi, ish-skllav i liruar nga Pejgamberi a.s., ndërroheshin në deve. Ebu Bekri, Umeri dhe Abdurrahman bin Afv, ishin në një deve. Dhe kështu me radhë këta ushtarë, vëllezër në fe, i ndërronin devetë. Ushtria islame e disiplinuar dhe në qetësi u nis në drejtim të Mekës, për në Bedër, që t’ia priste rrugën karvanit, që ishte nisur me shpejtësi nga Siria për në Mekë. Ishte muaji Ramazan. Gjatë ditës, dielli digjte shumë, temperatura ishte shumë e lartë. Në mënyrë që ushtria të lëvizte pa u diktuar, Muhammedi a.s. urdhëron që të gjitha zilet që i kishin devetë në qafë, të hiqen. Gjatë kësaj kohe, karvani i mushrikëve me kujdes ecte në drejtim të Bedrit. Aty zakonisht karvanët furnizoheshin me ushqim dhe pushonin. Kjo zonë pjesërisht ishte nën ndikimin e muslimanëve dhe Ebu Sufjani i frikësuar pyet mbi mundësinë e ecjes së mëtejshme. Karvani lëvizte ditën, kurse natën pushonte. Një mëngjes herët arriti në Bedër. Ebu Sufjani kupton se në afërsi të Bedrit janë hetuar dy kalorës të panjohur me deve, të cilët më vonë kishin shkuar kah shkretëtira. Ai menjëherë, në bazë të të dhënave të mëtejshme, konkludon se është fjala për përgjuesit muslimanë, pas të cilëve mund të qëndronte ushtria muslimane. Prandaj, menjëherë dërgon një lajmëtar, që të kërkojë ndihmë në Mekë, për shpëtimin e karvanit, i cili barte pasuri të madhe. Në të njëjtën kohë urdhëron që karvani të ndërrojë drejtimin e zakonshëm të karvanëve, në drejtim të bregdetit. Mushrikët në karvan i kishte kapluar frika dhe të lodhur e të djersitur shpejtonin dhe me kamxhik i ngutnin devetë. Lajmi mbi marshimin e ushtrisë islame në Mekë, shkaktoi panik të vërtetë. Të gjithë frikësoheshin për pasurinë dhe namin e tyre. Humbja e karvanit do të kishte pasoja të papara për ekzistimin dhe ndikimin e mushrikëve në Mekë dhe në rrethinat e saj, madje dhe në rrethinën e fiseve arabe. E tërë Mekka ishte ngritur, e alarmuar dhe e frikësuar. Tubonin armët, pajisjet…. E gjithë paria e Mekës ishte nisur për në Bedër, përveç Ebu Lehebit të cilin e ndërroi El As bin Hisham, borxhliu i tij. Në betejë ishin radhitur Utba, Shuajbi, EbuL Bahtan Hakim, Neufali, Ebu Xhehel, Umejje, Nebiu e të tjerë. E tërë Mekka ishte ngritur kundër Islamit. Aradha marshuese numëronte rreth 950 luftëtarë, 700 deve dhe 100 kalorës. Krahas kësaj kishin pajisje të mira, helmeta, këmisha prej hekuri dhe armë të ndryshme. Superioriteti i tyre në njerëz dhe armatime ndaj muslimanëve ishte shumë më i madh. Ishin nisur në drejtim të Bedrit, në përcjellje të një numri të madh karvanësh me fishkëllima dhe këngë që këndoheshin nga femrat. Vëzhguesit e ushtrisë muslimane e kishin informuar Muhammedin a.s. mbi ushtrinë idhujtare e cila ishte nisur nga Meka për në Bedër. Muslimanët ende nuk e dinin numrin e saktë të armikut, por ishin të sigurtë se ata janë shumë. I Dërguari i All-llahut, menjëherë me pranimin e këtij lajmi, fton këshillin e as’habëve që të merren vesh se çfarë të bëjnë më tej. Ishte shtruat pyetja: A të vazhdohej ndjekja e karvanit, duke u tërhequr në drejtim të Medinës, apo t’i dilnin në pritë dhe të luftonin kundër ushtrisë jobesimtare e cila ishte duke ardhur. Vendosmërisht u pranua zgjidhja e vështirë dhe heroike: “Edhe pse jemi shumë më të dobët, do të pranojmë luftë me mushrikët, me ndihmën e All-llahut.” Hazreti Ebu Bekri, gjatë konsultimit në të folurit e tij i shpreh përkrahjen dhe lojalitetin e tij të plotë Muhammedit a.s. Hazreti Umeri po ashtu, pastaj ngrihet El Mikdadi dhe thotë: “O i Dërguari iAll-llahut, shko rrugës që të ka treguar All-llahu. Ne do të ecim me ty. Ne s’do të themi siç i thanë Beni Israilët, Musait a.s,: ‘Shko ti dhe Zoti yt dhe lufto, kurse ne këtu qo të qëndrojmë’, por do të themi: Lufto me ndihmën e Zotit dhe ne do të luftojmë së bashku me ty!” Muhammedi a.s. me lot në sy e falënderon atë e i drejtohet Ensarëve: “Më këshilloni o njerëz!” Atëherë ngitet Sad bin Muadh dhe thotë: “Ne e besojmë pejgamberinë tënde, të shprehim lojalitet, dëshmojmë se është e vërtetë ajo që na ke sjellë nga All-llahu xh. sh. Ta kemi dhënë fjalën dhe të kemi premtuar se do të dëgjojmë dhe do të ndjekim … Shko atje ku dëshiron dhe ne do të jemi me ty. Për All-llahun, nëse kërkon që ta kalojmë detin, ne do ta kalojmë dhe do të zhytemi së bashku me ty. Asnjëri s’do të mbetet. Ne nuk i frikësohemi përleshjes me armikun. Ne kemi përvojë dhe jemi fatlumë në luftë. Na ço përpara në luftë me ndihmën e All-llahut!” I Dërguari i All-llahut i ngazëlluar, e falënderoi Sadin dhe pastaj iu drejtua të tjerëve: “Shkojmë përpara me trimëri. All-llahu më ka premtuar njërën nga të dyjat (humbjen e ushtrisë së mushrikëve ose marrjen e karvanit A.S.).” Ushtria islame pastaj u drejtua nga Xhafrani, nëpërmjet kalimit të quajtur Asafir, dhe duke shkuar pranë vendit El Dabba do të ndalej në afërsi të Bedrit. Aty do të priste ardhjen e ushtrisë mushrike. Dy përgjues muslimanë duke lëvizur në afërsi të Bedrit, robërojnë dy ujëmbartës mushrikë të cilët pranojnë se i përkasin ushtrisë së Mekës. Meqë nuk e dinin numrin e mushrikëve, Muhammedi a.s. i pyet se sa deve i thernin në ditë për ushtrinë. Ata thonë se numri i tyre sillej rreth 9-10. Kështu i dërguari i All-llahut kupton se numri i mushrikëve sillej ndërmjet 900-1000. Nga këta ujëmbartës kupton se të gjitha fiset e Mekës ishin ngitur në luftë kundër muslimanëve. Gjatë kësaj kohe karvani i Ebu Sufjanit ishte larguar nga Bedri, në një vend të sigurtë, ku s’kishte më rrezik nga muslimanët. Ebu Sufjani e lajmëroi ushtrinë mushrike se ajo mund të tërhiqej për në Mekë, sepse karvani s’kishte më nevojë par mbrojtje. Mirëpo këtë sugjerim e refuzoi Ebu Xhehli me qëllim që ushtria mushrike të qëndronte tri ditë ku do të festonte me pije dhe këngë shpëtimin e karvanit. Me qëndrimin e tyre në Bedër dëshironin të tregonin fuqinë e tyre ushtarake. Gjatë kësaj kohe ushtria islame me kujdes vazhdonte lëvizjen, sepse së shpejti pritej ballafaqimi, dhe kur arrin te burimi i Bedrit, i dërguari i All-llahut, urdhëron që ushtria të ndalet. Njëri nga muxhahidinët muslimanë, El Hubab bin El Mundhir e pyet Muhammedin a.s. për atë vend, se a e kishte caktuar All-llahu për ushtrinë apo ishte veprim taktik. E kur Muhammedi a.s. i përgjigjet se s’ishte as njëra e as tjetra, El Hubabi propozon që të shkohet sa më afër armikut, të merren të gjitha burimet, të mbyllen ato e më parë të ndërtohet çisterna me ujë, kështu që armiku s’do të kishte ujë, kurse ushtria islame do të kishte me bollëk. Në këtë kohë arrin ushtria mushrike dhe zë pozicionet përballë muslimanëve. I ngulin çadrat, fillojnë të therin deve, të pinë raki, të këndojnë, të bëjnë orgji me muzikë dhe ti bën daulleve. Festonin sikur fitorja të ishte e sigurtë ndaj muslimanëve. S’mund të besonin se ky grup i vogël muslimanësh i papërgatitur dhe i armatosur dobët mund ti bënte ndonjë dëm. Natën në prag të luftës bie një shi i fortë, i cili e freskoi tokën dhe ajrin, edhe luftetarët muslimanë të rraskapitur nga rruga e gjatë, u pastruan. Për shkak të shiut, toka e shkrifët u ngjesh dhe u forcua në vendin ku qëndronte ushtria muslimane, gjë që në mënyrë të konsiderueshme ua lehtësoi lëvizjen. Gjatë gjithë natës në ushtrinë muslimane dëgjohej leximi i Kur’anit. Yjet gradualisht shuheshin. Kishte filluar të agojë dita e shtatëmbëdhjetë (17) e Ramazanit, viti i dytë sipas Hixhretit. Ishte ditë e premte. Datë e cila me shkronja të ndritura mbeti e shënuar në historinë islame. Herët në mëngjes muslimanët e falën namazin e sabahut dhe u përgatitën për luftë. Fjalët e Zotit përhapeshin me dritën, dhe frymëzonin zemrat dhe gjokset e muslimanëve. Besimi i thellë në All-llah i trimëronte muxhahidinët, i bënte krenarë dhe fatlum. Ata e dinin se ishin ushtarët e parë të ushtrisë islame, të cilët me gjakun dhe jetën e tyre do të qëndronin në mbrojtjen e islamit. Dielli kishte filluar të lindë dhe të ngrihej mbi kodër dhe falë pozitës së mirë të muslimanëve dielli ia verbonte sytë ushtrisë mushrike. Në taborin e mushrikëve ende dëgjohej muzika, klithjet, këngët dhe zërat e të dehurve. Njëri nga tiranët, El Esved-i i tërbuar, mushrik mburravec nxiton para të tjerëve kah ushtria muslimane me qëllim që të pijë ujë nga cisterna që e kishin ndërtuar muslimanët, e ta shkatërronte atë. Mirëpo hazreti Hamza e pengoi dhe me shpat ia pret gjysmën e këmbës, e cila bie në afërsi të cisternës. El Esvedi i frikësuar fillon të zvarritet nga cisterna, por hazreti Hamza e arrin dhe ia pret kokën. Pas kësaj Utbe bin Rabia njëri nga paria e Mekës del me vëllaun, Shuajbin dhe djalin e tij, Velidin duke thirrur me zë të lartë tre nga të parët e muslimanëve në dyluftim. Në Arabi, atëherë ishte traditë, që para betejës të dalin në dyluftim më të fortët e ushtrisë kundërshtare. Nga ushtria myslimane u paraqitën tre ensarë, mirëpo Utbeja nuk i pranoi duke kërkuar tre nga më të mirët e muslimanëve. Atëherë i dërguari i All-llahut thërret: “Dil, ti Ubejde, Hamza dhe Ali!” Utbeja i pranoi këta luftëtarë. Ubejdi i cili ishte më i moshuar, qëndroi përballë Utbes, Hamza përballë Shuajbit, kurse Aliu përballë El Velidit. Pas një luftë të shkurtër me shpatë, Hamza e mbyt Shuajbin, kurse Aliu El Velidin. Ubejde dhe Utbe këmbyen goditjet dhe që të dy u plagosen. Atëherë Hamza dhe Aliu i drejtojnë shpatat e tyre nga Utbe duke e lënë të vdekur. Vëllaun musliman të plagosur rëndë ata të dy e bartën tek muslimanët dhe Muhammedi a.s... Këmba e tij ishte prerë dhe rridhte gjak. Ubejdi më vonë ndërroi jetë në duart e muxhahidinëve. Me një zë të shterur mezi iu drejtua Muhammedit a.s.: “O i dërguari i All-llahut, a jam unë shehid?” Muhammedi a.s iu përgjigj: “Po, ti je shehid.” “Sikur të ishte gjallë Ebu Talibi, ai do ta dinte se unë kam rënë shehid!”- tha Ubejdi gati me një zë prej të vdekuri. Dha frymë jo shumë pas kësaj, në El Safar. Para fillimit të betejës, i dërguari i All-llahut i drejton rreshtat e luftëtarëve muslimanë dhe i këshillon muxhahidinët që të jenë të qëndrueshëm dhe durimtarë gjatë betejës, të mos gjuajnë me shigjeta derisa të mos afrohet armiku, e kur të afrohet të gjuajnë me gurë, pastaj me shtiza dhe më pas të luftojnë me shpatë dhe thika. Çdo luftëtar musliman patjetër duhet të tubonte para vetes një grumbull gurësh për luftë. Kjo qe shumë e qëlluar, sepse muslimanët në fillim ishin në mbrojtje, kurse armiku s’mund të barte me vete më shumë se një apo dy gurë. Pastaj u thotë: “All-llahu u ka obliguar që të silleni mirë me çdo gjë, e kur duhet të mbytni-mbytni në mënyrën më të mirë (d.m.th. duke mos masakruar).” Tanimë shiheshin siluetat e armikut i cili po vinte. Shtizat, shigjetat dhe shpatat i ishin drejtuar ushtrisë muslimane. Dëgjoheshin zërat e muzikës mushrike, klithjet inkurajuese të grave dhe vajzave që i përcillnin. Rreshtat e muslimanëve qëndronin si mur i pakalueshëm dhe i pathyeshëm. Dëgjoheshin tekbiret: “All-llahu është më i madhi! All-llahu është më i madhi! Luftëtarët u shtrënguan fort shpatat e tyre, shtizat dhe shigjetat. Qëndruan njëri pranë tjetrit, muxhahid pranë muxhahidi, vëllezër në jetë, vëllezër në luftë, madje vëllezër edhe në vdekje. Ata ishin trima të mrekullueshëm, besimtarë të përkushtuar me të cilët kanë të bëjnë fjalët e All-llahut: “All-llahu ka blerë nga besimtarët shpirtrat dhe pasuritë e tyre me xhenet-ta luftojnë për hir të All-llahut dhe do të vrasin dhe do të vriten. Ai këtë ua ka premtuar me siguri në Tevrat dhe Inxhil edhe në Kur’an- pra kush i plotëson premtimet e veta më mirë se All-llahu? Prandaj gëzohuni pazarit që e keni bërë me Të, se ai është shpëtim i madh.” (Et Tevbe:111) Nga madhështia e madhe e diellit, u rridhnin djersët nga koka, kurse zemrat u trokitini me shpejtësi... Zemrat të cilat kishin vendosur të fitojnë ose të vdesin për pushtetin e All-llahut në Tokë, për islamin, të cilin e donin aq shumë dhe për të cilin jepnin çdo gjë madje edhe jetën. S’kishte frikë... Para kësaj Muhammedi a.s. tërë natën e kishte kaluar në namaz, duke e lutur All-llahun xh.sh. për fitoren e kësaj ushtrie të vogël të muslimanëve. Nga kodrina e afërt i përcillte përgatitjet për luftë. Ai lutej” “O All-llah të lutem, pendueshëm, plotësoje premtimin Tënd! Nëse kjo bashkësi do të zhduket, askush s’do të mbetet në Tokë, që do të adhurojë vetëm Ty!” Në anën e mushrikëve kishte filluar lëvizja. Ishte ngritur pluhuri, dëgjohej vringëllima e armëve dhe trokitja e këmbëve, hingëllima e deveve dhe e kuajve. Radhët e mushrikëve afroheshin. Muri mysliman i muxhahidinëve qëndronte. Muhammedi a.s. lutje me zë: “O All-llah, ja Kurejshitët kah vijnë me mburrje dhe mendjemadhësi. Ata të mohojnë Ty dhe më quajnë mua- të dërguarin Tënd, gënjeshtar. Më dhuro ndihmën të cilën ma ke premtuar. Shkatërroi ata në ketë mëngjes.” Për këtë është zbritur në suren El Enfal: “Kur kërkonit ndihmë nga Zoti juaj, ai u është përgjigjur: ‘Do t’iu dërgoj në ndihmë një mijë engjëjt që do të vijnë njëri pas tjetrit.“ (El Enfal, 9) Shigjetat e para kishin filluar të binin mbi radhët e muslimanëve. Muslimanët u përgjigjeshin... Muslimani i parë që ra në fushëbetejë është Mihxha ish skllav i liruar nga Omeri r.a., i qëlluar nga një shigjetë. Pas tij i qëlluar për vdekje, duke pirë ujë në cisternë, bie Harith bin Suraka. Muhammedi a.s. doli përpara muxhahidinëve dhe thirri, që ta dëgjonin të gjithë: “Pasha All-llahun, në duart e të cilit është shpirti i Muhammedit, asnjë njeri s’do të mbytet sot në luftë kundër mushrikëve, nëse lufton me trimëri, ballë për ballë duke mos ia kthyer shpinën armikut, e All-llahu të mos e fus në xhenet!” Umej bin El Humam qëndronte tek Muhammedi a.s. kur ai tha këto fjalë: “D.m.th. s’ka pengesë mes meje dhe hyrjes sime në xhennet nëse mbytem sot në luftë!”-tha Umejri dhe me tërë fuqinë iu hodh armikut. Luftoi deri në frymarrjen e fundit dhe si trim ra shehid, i prerë nga armiku. Afv bin El Harith, që gjithashtu ishte prezent tha: “O i dërguari i All-llahut, me çka gëzohet All-llahu për robërit e Tij?” Muhammedi a.s. u përgjigj: “Nëse besimtari hidhet në sulm kundër armikut pa mburojë.” Afvi e hedh mburojën, merr shpatën dhe lufton deri sa bie shehid nga shpatat dhe shigjetat. Rreshtat e parë tashmë luftonin. Mushrikët ishin vërsulur. Muslimanët i përmbaheshin udhëzimeve të Muhammedit a.s. Shpatat shndrisnin, shigjetat thyheshin, dëgjohej hingëllima e kuajve dhe deveve, gjëmimi për të plagosurit dhe të vdekurit në njërën anë, kurse në anën tjetër qëndronin kushërirët më të afërm. Musab bin Umer e kishte vëllaun- Azisin në anën e mushrikëve, i biri i Ebu Bekrit, gjithashtu ishte në anën e armikut... Pluhuri ishte ngritur, djersët ishin ngjitur për ballë, buzët ishin tharë nga uria, dëgjoheshin thirrjet e luftës. Shpresa shoqërohej me jehonën e thirrjes islame: “All-llahu Ekber”, “All-llahu Ekber”. Zëri i Muhammedit a.s. nëpërmjet rrëmujës dhe vringëllimës dëgjohej: “Përpara! Hidhuni përpara kundër armikut të fesë suaj.” Si stuhi vërsuleshin muxhahidët në drejtim të armikut. Luftonin si luanë, sikur të kishin krahë, një fuqi e papërmbajtur i shtynte ata. Sulmi i muxhahidinëve ishte i papërmbajtur. Thyenin çdo gjë përpara vetes, hapnin rrugën e mposhtin. Dushmanët binin sikurse bari nga kositja përpara shpatave të muslimanëve, kurse flamuri në duart e Musab bin Umerit në mesin e atij zjarri valëvitej duke paralajmëruar fitoren e afërt... Ebu Xhehli me djemtë e tij në deve shpejton nga vendi ku ishte i dërguari i All-llahut. Me të hyn në luftë Afv bin Abdurrahman dhe e plagos atë. Aty qëllon edhe Sad bin Muadhi i cili sulet mbi Ebu Xhehlin, mirëpo ai e qëllon me shpatë aq fort sa që Sadit ia pret njërën dorë. I vëllai i shkon në ndihmë Sadit. Sadi me shpatën në dorën e majtë vazhdonte luftën. Në një moment shkathtësish i afrohet Ebu Xhehlit dhe ia fut shpatën në zemër. Armiku i madh i të dërguarit të All-llahut bie i vdekur përdhe. Si furtunë u përhap lajmi midis dy ushtrive. Muslimanët vërsuleshin edhe më fort, më fuqishëm, saqë asgjë e kësaj bote s’mund ti ndalte. Mushrikët i hidhni armët dhe ikin tërë frikë e panik. Thirrjet me zë të lartë: “All-llahu Ekber” ia futnin frikën në zemër, gjaku u ishte ngrirë në vena. Ukash bin Miksan, as’hab i denjë, luftonte si luan. I luftonte armiqtë nga të gjitha anët, duke depërtuar radhët e mushrikëve. Në luftim e sipër i këputet shpata. Ai shkon te Muhammedi a.s. i gjakosur, me gjakun e mushrikëve dhe të tij, dhe ia tregon shpatën e thyer. I dërguari i All-llahut i jep shkopin për të luftuar. Ukashi i patrembur, vazhdon me atë shkop të luftojë armikun. Edhe më vonë, në shumë beteja e merrte atë, duke mbjellë vdekje dhe duke e hapur rrugën e fitores vazhdimisht deri sa ra shehid në një betejë. Në rrëmujën e luftës, Abdullah bin Mesudi e gjen trupin e Ebu Xhehlit. Kur Muhammedi a.s. e pa trupin e vdekur të Ebu Xhehlit, me gjak e pluhur, atij dushmani të madh, i tronditur nga pamja tha: “Falënderuar qoftë All-llahu! Ky njeri ishte mallkim i popullit tim!” Mushrikët rezistuan edhe pak dhe së shpejti edhe kjo rezistencë u mposht. Në fushën e betejës ranë 14 shehidë, që me luftën dhe dhënien e jetës së tyre i penguan mushrikët tiranë, që të zhduknin shtetin islam-shtetin në të cilin ishte vendosur pushteti i All-llahut në tokë. Emrat e shehidëve janë: 1) Ubejd bin El Harith 2) Umejr bin Ebi Vekas 3) Dhul-Shimalejn bin Abdu Amr 4) Akil bin El Bukejr 5) Mihxha, skllav i liruar i Umerit 6) Safvan bin Bejda Vehb 7) Sad bin Hajthem 8) Mubeshir bin Abdul Mundhir 9) Jezid bin Harith 10) Umejr bin El Human 11) Rafi bin El Mualla 12) Harith bin Suraka 13) Afv bin El Harith 14) Muavidh bin El Harith Dy të fundit janë bijtë e El Harith bin Rifajit. Mëshira e All-llahut qoftë mbi shpirtin e këtyre trimave shehidë islamë. All-llahu le ti shpërblejë me xhennete. Për ta në Kur’anin fisnik është thënë: “Kurrsesi mos i llogarit të vdekur ata, që janë vrarë në rrugën e All-llahut! Jo, ata janë të gjallë te Zoti i tyre dhe të furnizuar. Të gëzuar për atë çka u ka dhënë All-llahu nga mirësia e vet dhe gëzohen për atë çka kanë lënë pas, për të cilët nuk ka aspak frikë dhe të cilët nuk do të pikëlohen.” (Ali Imran: 170) Në fushën e betejës ranë 70 mushrikë dhe 70 të tjerë u zunë rob. Të tjerët të çoroditur ikën për në Mekë. Ebu Sufjani arriti që ta shpëtojë karvanin e tij. Muhammedi a.s. me muxhahidinët ua falin namazin shehidëve e pastaj i varrosi ata. Gjithashtu edhe kufomat e armikut i varrosen. Në varret e tyre i dërguari i All-llahut pyet” “O Utbe, o Shuajb, o Umejje, o Ebu Xhehel, (duke i emëruar me radhë)- a dëshmoni tani se është e vërtetë ajo që më shpalli All-llahu?” E kur e pyetën muslimanët, se si i flet të vdekurve, ai u përgjigj: “Ju s’më dëgjoni më mirë se ata, veçse ata s’mund të flasin.” Muhammedi a.s. urdhëroi që të veprohet në mënyrë humane me të zënët rob, që të gjithë të plagosurve pa marrë parasysh a janë muslimanë apo mushrikë t’iu afrohet ndihma e plotë. Harroi torturën dhe hakmarrjen. Të gjitha plaçkat e luftës u grumbulluan në një vend, një e pesta e saj u caktuan për qëllime bamirësie, kurse pjesa e tjetër barabartë iu nda luftëtarëve. Për të vrarët, pjesën e plaçkës së luftës, e merrte familja e tyre. Muhammedi a.s. për vete mori shpatën e Ebu Xhehlit, e cila s’kishte ndonjë vlerë, por ishte e thjeshtë, me dorëz prej dru bushi. Veçantia e saj ishte se ajo ishte më e rëndë se të tjerat dhe më e gjatë dhe në majë ishte e ndarë më dysh. Lajmin mbi fitoren ndaj mushrikëve, i dërguari i All-llahut, në pjesën e lartë të Medinës, e dërgoi nëpërmjet Abdullah bin Revaha-s, kurse në pjesën e poshtme nëpërmjet Zejd bin Harith-it. Në rrugë për Medinë, ushtria muslimane pritej me përshëndetje dhe falënderime, kurse në vetë Medinën muxhahidinëve iu ishte përgatitur një pritje madhështore. Robërit ishin ndarë nëpër shtëpitë muslimane. Muhammedi a.s. dërgoi porosinë në Mekë, se ata mund t’i blejnë robërit-të afërmit e tyre dhe atë për 1000-4000 dërhemë, varësisht nga gjendja materiale. Të varfrit i lironte pa shpërblim, me kusht që të jepnin fjalën se më s’do të luftonin kundër muslimanëve. Ata që dinin të shkruanin dhe të lexonin, do të liroheshin nëse i mësonin 10 muslimanë të shkruajnë dhe të lexojnë. Në mesin e këtyre djelmoshave që mësuan shkrim-leximin, ishte edhe Zejd bin Harith, që më vonë u bë i famshëm me shkrimin e tij. Trajtimi i robërve ishte shumë i mirë. Të ndarë në familjet muslimane, hanin njëjtë sikur muslimanët, visheshin sikur ata. Një trajtim i tillë për atë kohë ishte një kthesë madhështore në mënyrën e luftës. Trajtimi njerëzor i skllevërve, tek shumë mushrikë, zgjoi simpatinë e tyre ndaj Islamit. Jeta në mesin e muslimanëve i bindi shumë mushrikë se islami vërtet është diçka e re, diçka e madhe dhe diçka e mirë, diçka që me siguri së shpejti do të sjellë fitoren. Të liruarit e bartën lajmin në tërë Arabinë mbi fisnikërinë e të dërguarit të All-llahut dhe muslimanëve, mbi vëllazërimin, barazinë, dashurinë dhe harmoninë e cila mbretëronte në mes muslimanëve. Shumë e pranuan Islamin kur e njohën atë. Fitorja në Bedër ia hapi gjerësisht dyert daljes së mëtejme në skenë të islamit. Rëndësia e saj qëndronte në atë sepse ajo ishte fitorja e parë e ushtrisë islame, me çka iu pengua marshimi forcave të errëta dhe u shpëtua shteti islam. Bedri nuk simbolizon vetëm fitoren e ushtrisë së armatosur muslimane, mbi të gjitha ai simbolizon fitoren e zemrës, bindjes, fuqisë së shpirtit, fitoren e fesë në Një Zot të Vetëm, ndaj idhujtarëve, sistemit tiran dhe skllavopronarëve mendjemëdhenj. Heronjtë në Bedër shpëtuan Islamin me gjakun, jetën dhe sakrificën e tyre. Ata hapën një epokë të re në historinë njerëzore. Veprës së tyre të madhe, besimit të tyre të pamasë në Një Zot të vetëm, shpirtrave të tyre fisnikë u janë drejtuar mendimet dhe fjalët më mirënjohëse të të gjithë muslimanëve, nga dita e fitores, e deri më sot, madje deri sa të jetë kjo botë. Për shpirtrat e tyre, e lusim All-llahun xh.xh. për mëshirë dhe xhenet-Amin
Posted on: Thu, 25 Jul 2013 13:09:43 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015