Cilët ishin përfaqësuesit e gjashtë Fuqive të Mëdha që - TopicsExpress



          

Cilët ishin përfaqësuesit e gjashtë Fuqive të Mëdha që hodhën firmën për copëtimin e trojeve shqiptare Njëqind vjet më parë në Londër, zhvilloi punimet Konferenca e Ambasadorëve, e cili i filloi punimet më 17 dhjetor 1912 dhe i mbylli ato më 29 korrik 1913. Përfundimi i saj ishte copëtimi i trojeve shqiptare, duke lënë 2/3 e tyre jashtë kufijve të Shqipërisë. Në atë konferencë bënin pjesë gjashtë Fuqitë e Mëdha, Anglia, Austro-Hungaria, Rusia, Italia, Franca dhe Gjermania. Pyetja e parë që mund t’i lind kujtdo është, se cilët ishin burrat që përfaqësonin vendet e “botës së qytetëruar” dhe që kishin marrë përsipër të zgjidhnin krizën ballkanike? Çfarë bekgraundi kishin patur gjer në atë kohë? Emërimi i tyre në poste të tilla kishte qenë fat i rastësishëm apo kishte ndikuar prejardhja familjare? Roli i aftësive individuale të tyre, që kishin bërë të mbërrinin në atë sallë gjigande, e cila do të vendoste në një farë mënyre, jo vetëm fatet e Ballkanit, por edhe horoskopin europian të luftës. Edward Grey, kryetar i Konferencës së Ambasadorëve Ishte Ministër i Punëve të Jashtme të qeverisë së Mbretërisë Angleze. Lindi më 25 Prill 1862 dhe vdiq më 7 Shtator 1933. Në vitet 1905 – 1916, ai kishte shërbyer si Ministër i Jashtëm i Anglisë. Ishte më i madhi i 7 fëmijëve të kolonelit George Henry Grey. Gjyshi i tij kishte qenë politikan liberal. Më 1880, Grey vazhdoi studimet në kolegjin Balliol, Oxford. Gjatë periudhës së kolegjit ai fitoi çmimin si kampion në Tenis, në aktivitetet e zhvilluara në kolegj. Me 1882, gjyshi i tij vdiq dhe Grey trashëgoi një tokë me sipërfaqe 8.1 km2, si dhe pasuri të mëdha monetare. Në shkollë kishte shumë vështirësi. Gjatë vitit 1883, kishte vendosur të studionte për jurisprudencë, të cilën e shihte si degë më të thjeshtë. Por prapë nuk arriti ta mbaronte shkollën. Në verën e vitit 1884, ai i kërkoi ndihmë komshiut të vet, Lordit Northbrook, në atë kohë me pozicion Lord i Parë, që t’i gjente një punë serioze pa pagesë. Northbrook e rekomandoi si sekretar privat të Konsullit Britanik në Egjipt. Grey nuk kishte treguar asnjë interes për politikën, deri në momentin kur u përzgjodh nga Lordi Northbrook. Njihet si ministri i jashtëm më jetëgjatë i Anglisë. Gjatë Konferencës së Londrës, ai do të luante një rol të rëndësishëm. Në thelb, Konferenca e Londrës ishte një thertore për Shqipërinë, ndërsa Grey, Ministër i Jashtëm i Anglisë në atë kohë, ishte pjesëmarrës direkt në këtë masakër. Konti Albert von Mensdorff – Pouilly – Dietrichstein Ambasadori austro-hungarez në Britaninë e Madhe. Ai e kryente këtë funksion që nga viti 1903. Në të njëjtin post më parë kishte qenë babai tij. Mensdorff luajti ndikim të madh në marrëveshjen anglo-ruse të vitit 1907. Lindi në Lemberg, më 5 shtator 1861, si djali i dytë i Alexander von Mensdorff – Pouilly, Prince Dietrichstein von Nicolsburg, një ish – politikan austro – hungarez. Gruaja e tij ishte Aleksandrina, konteshë von Dietrichstein – Proskau und Leslie, trashëgimtare e Dietrichstein Princes. Familja e tyre ishte me origjinë nga krahina Lorrain e Francës. Prej andej kishte ikur në kohën e revolucionit francez të vitit 1790. Mensdorff – Pouilly – Dietrichstein hyri në shërbimin e huaj austro-hungarez në vitin 1884 dhe u caktua si atashe në ambasadën austro-hungareze në Paris. Në vitin 1889, u transferua në Londër. Nga analistë të kohës, por edhe nga të mëvonshëm, ai konsiderohet si një diplomat efektiv dhe mjaft i njohur në qarqet aristokrate të Britanisë. Pierre Paul Cambon (1843- 1924) Diplomat francez me përvojë të gjatë, ambasador i Francës në Londër për vitet 1912-1913. Edhe në moshën 70 – vjeçare ishte ambasador i Francës në Londër, ku punonte qysh prej vitit 1898. Në fillim të karrierës së tij, Cambon u bë sekretar privat te Jules Ferry, në prefekturën e Seinës. Pas dhjetë vjet pune në administratë, ai do të emërohej sekretar i prefekturës, pastaj disa herë me detyrën e prefektit. Në vitin 1898 u caktua në Londër, ku shërbeu deri në vitin 1920. Aty, Cambon do të bëhej një figurë e rëndësishme për një kohë të shkurtër. Si përfaqësues i Francës në Konferencën e Londrës, ai ishte zgjedhur për t’u dhënë rrugë luftërave ballkanike në vitet 1912 – 1913. Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, Cambon ndihmoi në intervenimin e sigurt britanik në anën franceze. Më vonë ai u dekorua me Kryqin e Madh të Legjionit d’Honneur dhe u bë anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave. Ka qenë ambasador francez në Britaninë e Madhe, në vitet 1898 – 1920. Përveç të tjerave, njihet si një politikan që ka punuar kundër interesave shqiptare. Përmendet për rolin e tij gjatë Luftës së Parë Botërore, sidomos në kontributin e dhënë që Anglia të hynte në luftë përkrah Francës. Familja e tij ishte në një farë mënyre, familje diplomatësh, pasi edhe vëllai i tij, Jules Cambon, gjatë asaj kohe, ishte ambasador i Francës në Berlin, detyrë të cilën e kreu nga viti 1907 deri në vitin 1914. Aleksandër Benckendorff, (1849-1917) Ambasador i Perandorisë ruse në Londër, në vitet 1903 – 1917. Ishte i biri i Contit Konstandin Benckendorff Alexander von dhe princeshës Louise de Croy. Ishte arsimuar në Francë dhe Gjermani. Para se të hynte në shërbimin diplomatik, në vitin 1869, shërbente si atashe në Firence dhe më pas në Romë. Ai dha dorëheqjen në vitin 1876. Ka jetuar gati dhjetë vjet me pasuritë e tij në Shën Peterburg dhe jashtë vendit. Në vitin 1879 u martua me konteshën Sophie Shouvaloff. Detyrën e ambasadorit rus në Londër më parë e kishte kryer babai i tij, i cili përmendej ndër diplomatët e shquar rus. Por edhe ai do të luante ndikim të madh në marrëveshjen anglo – ruse të vitit 1907. Konti Benckendorff, nga viti 1903 deri në vdekjen e tij më 1917, ishte ambasador në Mbretërinë e Bashkuar. Arritja e tij më e madhe ishte nënshkrimi i Antantës anglo – ruse më 1907, e cila konsolidoi marrëdhëniet midis dy kombeve dhe ndihmoi në krijimin e Antantës Triple. Vdiq në zyrën e tij para shpërthimit të revolucionit të shkurtit 1917. Karl Max Lichnowsky, ambasador gjerman në Londër Diplomati gjerman e kryente këtë detyrë nga viti 1912 deri më 1914. Përjetoi ngjarjen e madhe të kufijve ballkanikë, e cila për Shqipërinë ishte një nga tragjeditë më të mëdha kombëtare të historisë së saj. Ai pati shumë kritika brenda Gjermanisë, para dhe pas Luftës së Parë Botërore, sepse nuk mundi të pengonte hyrjen e Britanisë së Madhe në konflikt. Karl Max Lichnowsky ka qenë këshilltar i Divizionit Politik në Wilhelmstrasse dhe përgjegjës për emërimet. Meqenëse kritikohej për politikë të pavarur nga shteti, u largua nga ajo detyrë. Më vonë u emërua ambasador i Gjermanisë në Londër, 1912 – 1914. Karl Max Lichnowsky, erdhi nga Moravian – Silesian prej fisnikërisë Lichnowsky. Prindërit e tij ishin Karl Lichnowsky dhe Marie Princess of Croy, një bijë e princit Franz von Philipp Croy. Konti Guglielmo Imperiali, përfaqësues i shtetit italian Ai kishte qenë ambasador i Italisë në Berlin deri në vitin 1885. Më vonë, në Paris deri në vitin 1889, në Uashington deri më 1893 dhe në Bruksel deri në 1895. Në vitin 1901, do të caktohej si i ngarkuari me punë në Berlin, ku qëndroi deri në vitin 1903. Më vonë, konsull i Përgjithshëm në Sofje dhe në janar 1904, do të gradohej ministër i plotfuqishëm në Beograd. Më vonë ka qenë ambasador në Kostandinopojë, në Perandorinë Osmane, ku qëndroi deri në vitin 1910, kohë në të cilën mori çmimin prestigjioz ne selinë e Londrës. Ishte ambasadori i Italisë në Londër, nga viti 1910 deri në vitin 1920. Ai luajti rol të rëndësishëm në futjen e Italisë në Luftën e Parë Botërore, si dhe gjatë negociatave të Paktit të Londrës më 1915. Në fund të Luftës së Parë Botërore ai u bë anëtar i delegacionit italian në Paris për nënshkrimin e Traktatit të Paqes me Gjermaninë, nënshkruar në Versajë, më 28 qershor 1919. Në vitin 1921 u thirr për të përfaqësuar Italinë në Lidhjen e Kombeve. Ishte gjithashtu i ngarkuar edhe me çështjet humanitare, lidhur me tragjedinë e dëbimit të grave dhe fëmijëve gjatë luftës greko – turke. Ai dha dorëheqjen nga detyra, për shkak të mospajtimeve të tij me Benito Musolinin dhe vdiq në Romë, më 20 janar 1944. **** Dhamë shkurtimisht biografitë e ambasadorëve të Fuqive të Mëdha, për të qartësuar imazhin e lexuesit në lidhje me njerëzit që firmosën krimin monstruoz të copëtimit të trojeve shqiptare. Për të mësuar se nga vinin ata dhe ç’fat i shoqëroi deri në fundin e jetës. Cilat ishin arsyet, që këta persona, do të përfshiheshin në teatrin e madh dhe tragjik të historisë. Natyrisht, ata përcillnin mendimin politik të qeverive të tyre, por jo pak ndikim kanë patur dhe aftësitë diplomatike individuale. Por ata nuk përcillnin mendimin e vet. Pas tyre qëndronin suflerët. Ata ishin kryeministra dhe ministra të jashtëm të vendeve më të interesuara. Prandaj po japim shkurtimisht disa prej tyre. Raymond Poincaré, Kryeministër dhe ministër i jashtëm francez (1860-1934). Luajti një rol krejtësisht negativ për Shqipërinë, duke përfaqësuar qëndrimin zyrtar të shtetit francez. Raymond Poincaré ishte i biri i një meterologu të shquar dhe kushëri i Henri Poincaré, një prej matematikanëve më të njohur të kohës. U shkollua në Universitetin e Parisit për çështjet ligjore. I vëllai, Lucien Poincaré (1862- 1920), ishte fizikan me peshë dhe autori i librave “La Physique moderne” (1906) dhe “L’Électricité” (1907), etj. Si avokat, ai kishte mbrojtur disa çeshtje mjaft të rëndësishme. Një prej tyre ishte dhe mbrojtja e Jul Vern, i cili u akuzua nga Eugène Turpin, shpikës i eksplozivit melinite, se në librin e tij, karakteri i shkencëtarit të çmendur ishte bazuar mbi të. Raymond Poincaré ka qenë pesë herë Kryeministër i Francës dhe President, nga viti 1912 – 1920. Ishte lider konservator. Ne vitin 1902, themeloi Aleancën Republikane Demokratike, e cila u bë dhe partia më e rëndësishme e qendrës së djathtë, duke u zgjedhur kështu për herë të parë dhe Kryeministër i vendit, më 1912 dhe president më 1913. Poincaré fitoi zgjedhjet presidenciale në vitin 1913, pas Fallières Armand. Shkoi në Rusi për herë të dytë, në korrik 1914, për të përforcuar Aleancën franko- use. Kriza financiare e solli përsëri në pushtet, në vitin 1926, kur u bë kryeministër dhe ministri i Financave, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 1929. Vdiq në Paris në vitin 1934. Konti Leopold Berchtold, Ministër i Jashtëm i Perandorisë Austro-Hungareze. Është padyshim figura më e dashur e kësaj kohe për shqiptarët. Askush tjetër si ai, në atë periudhë, nuk ka mbrojtur me aq dinjitet interesat e kombit shqiptar. Konti Berchtold lindi më 18 prill 1863 dhe vdiq më 21 nëntor 1942. Ai lindi në Vjenë, në një familje të pasur fisnike, me pronësi tokash në Moravi dhe Hungari. Ishte një nga njerëzit më të pasur të Austro – Hungarisë. Fillimisht ishte mësuar me tutelë në shtëpi. Më vonë studioi ligjin dhe u bashkua me shërbimin austro- hungarez të huaj, në vitin 1893. Në të njëjtin vit, ai u martua me Ferdinandine Gräfin Károlyi (1868- 1955), e bija e një prej familjeve më të pasura aristokrate në Hungari, në Budapest. Më pas ai shërbeu në ambasadat austro – hungareze në Paris (1894), në Londër (1899) dhe Shën Petersburg (1903). Pas vdekjes së Kontit Aehrenthal Lexa, në shkurt 1912, Konti Berchtold do të emërohej si pasuesi i tij. Kështu, në moshën 49 vjeçare, do të bëhej ministër i jashtëm i Austro-Hungarisë. Emërimi në postin e ministrit erdhi kundër vullnetit të tij, për shkak se ndjente mungesën e përvojës në punët e brendshme, si edhe në çështjet ushtarake. Madje, në tratativat e bisedimeve paraprake, ai e refuzoi disa herë postin ministror. Në kohën kur Berchtold sapo kishte hyrë në zyrën e tij të re, në Ballkan u shfaqën kryengritjet e mëdha. Për këtë arsye, si ministër i jashtëm, Konti Berchtold u fokusua ekskluzivisht në Ballkan. Synimi tij në politikën e jashtme ishte ruajtja e paqes dhe respektimi i parimit të mosndërhyrjes në punët e të tjerëve. Punonte për ruajtjen e statusit territorial. Por zhvillimet e ngjarjeve treguan, se të gjitha këto pikësynime ishin thjesht iluzione. Në fillim të luftërave ballkanike, Konti Berchtold do të ndiqte një politikë të vijës së ashpër dhe përkrahte idenë e luftës kundër Serbisë. Por në momentin e fundit u lëkund dhe u tërhoq nga ky qendrim. Edhe pse arriti të pengojë Serbinë, që të siguronte një dalje në Detin Adriatik, me krijimin e Shqipërisë, luftrat Ballkanike rezultuan një dështim. Ai nuk mundi të mbante larg ndikimin e Rusisë në Ballkan dhe të pengonte ambiciet serbe për një shtet sllav në Jug. Antonio, San Giuliano di Marquis, ministër i Punëve të Jashtme të Italisë. Kishte lindur më 1852 dhe pati shërbyer si ministër nga viti 1910 deri në vdekjen e tij, në vitin 1914. Ka luajtur rol pozitiv për Shqipërinë. Ai ka lindur në një familje siçiliane fisnike. Giuliano shërbeu si ambasador i Italisë në Londër, para emërimit të tij si ministër i Jashtëm, mars 1910. Në detyrën e ministrit, San Giuliano veproi për të nxitur zhvillimin e marrëdhënieve me Gjermaninë, duke punuar për të kufizuar ndikimin austro – hungarez në Ballkan. Njëkohësisht, punoi për ruajtjen e marrëdhënieve të mira me vendet e Antantës. Gjatë krizës, korrik 1914, ai u përpoq për të ruajtur politikën e neutralitetit të Italisë, një qëndrim që e ndoqi deri sa u bë e qartë, se kush kishte më shumë gjasa për të fituar luftën. Pas vdekjes së San Giulianos, qeveria italiane u zhvendos gjithnjë e më pranë aleancës me Fuqitë e Antantës, deri sa hyri në luftë kundër Fuqive Qendrore, më 23 Maj 1915. Sergei Dmitrievich Sazonov, Ministër i Punëve të Jashtme të Rusisë. Ishte një nga politikanët që ka mbajtur qëndrim keqdashës ndaj Shqipërisë. Ai lindi më 10 Gusht të vitit 1860 dhe vdiq më 25 Dhjetor 1927. Sazanov ka shërbyer si ministër i jashtëm i Rusisë, nga shtatori 1910 deri në qershor 1916. Shkalla e përfshirjes së tij në ngjarjet që çuan në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, është një çështje e kthyer në debat. Disa historianë mendojnë, se luftrat ballkanike e kanë zanafillën në mobilizimin e hershëm dhe provokues të mbajtur nga Sazonovi. Të tjerë pohojnë, se preokupimi i tij kryesor ishte “për të ulur temperaturën e marrëdhënieve ndërkombëtare, veçanërisht në Ballkan”. Përveç emrave që përmendëm më lart, në Europë dhe Ballkan, kishte shumë figura politikanësh që patën ndikime të drejtpërdrejta mbi historinë e këtij kontinenti, qoftë në sensin pozitiv dhe atë negativ. Po kështu, edhe në Ballakn pati individë luftënxitës apo paqedashës, që ndikuan në disa prej zhvillimeve të mëvonshme. Eleftherios Venizelos, kryeministër i Greqisë Lindi më 23 gusht 1864 dhe vdiq më 18 mars 1936. Ishte revolucionar i shquar grek, burrë shteti i famshëm, lider karizmatik i shekullit XX. Është zgjedhur disa herë si kryeministër i Greqisë, në vitet 1910 – 1920 dhe 1928 deri 1932. Ka luajtur rol negativ, duke krijuar vështirësi për njohjen e Shqipërisë nga ndërkombëtarët. Venizellos pati ndikim aq të thellë në punët e brendshme dhe të jashtme të Greqisë, sa që është cilësuar si të qenit “krijues i Greqisë moderne”. Madje është i njohur gjerësisht si “Ethnarch”. Hyrja e tij e parë në skenën ndërkombëtare ndikoi për ruajtjen e autonomisë së shtetit të Kretës dhe më vonë, në bashkimin e tij me Greqinë. Si kryeministër i kushtoi rëndësi riorganizimit të ushtrisë dhe flotës, për të qenë i përgatitur në konfliktet e ardhshme. Para Luftërave Ballkanike të vitit 1912- 1913, roli katalitik i Venizellos ndihmoi në hyrjen e Greqisë në Ligën e Ballkanit, në një aleancë të shteteve ballkanike kundër Turqisë otomane. Nëpërmjet tij, Greqia dyfishoi sipërfaqen e saj dhe popullsinë, duke rrëmbyer në këtë mënyrë pjesë të Maqedonisë, Epirin dhe pjesën tjetër të ishujve të Egjeut. Venizellos ishte i bindur, se mënyra e vetme për të zgjidhur mosmarrëveshjet me Turqinë, ishte bashkimi i Greqisë me vendet e tjera të Ballkanit, Serbinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi. Princi i kurorës, Konstandini, u dërgua për të përfaqësuar Greqinë në një festë mbretërore në Sofje, dhe në vitin 1911, studentët bullgarë u ftuan në Athinë. Këto ngjarje patën një ndikim pozitiv dhe më 30 maj 1912, Greqia dhe Bullgaria, nënshkruan një traktat, që siguronte mbështetje reciproke në rastin e një sulmi turk në secilin vend. Negociatat me Serbinë, të cilat i kishte filluar Venizellos, për të arritur një marrëveshje të ngjashme, u finalizuan në fillim te vitit 1913, pasi më parë kishin qenë vetëm marrëveshje gojore.
Posted on: Tue, 30 Jul 2013 19:14:00 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015