Fan Noli: Introduktë për “Jul Qesarin” e - TopicsExpress



          

Fan Noli: Introduktë për “Jul Qesarin” e Shakespeare-it “Jul Qesari” u shkrua në mes të viteve 1599 dhe 1601. Subjekti me pak fjalë është ky: “Republikanët, të udhëhequr prej Brutit dhe Kasit, vrasin Jul Qesarin, diktatorin e Romës, dhe ristortojnë Republikën; Mark Antoni me Oktavianin, të nipin e Jul Qesarit, i shtrëngojnë Republikanët të ikin prej Rome dhe e dërgojnë ushtrinë e tyre në betejën e Filipit; Kasi dhe Bruti, që të mos bien në duar të kundërshtarëve, vrasin veten njëri pas tjatrit; Republika Romane kthehet përfundimisht në diktaturë autokratike. Të gjitha ngjarjet dhe personat e dramës, me përjashtimin e Lucit, shërbëtorit të Brutit, dhe të ca hollësive dhe anakronizmave pa rëndësi, janë kopiuar besnikërisht nga “Jetët Paralele” të Plutarkut, të përkthyera nga gërqishtja n’Inglishten prej Northit më 1579. Shakespeare-i nukë bëri tjetër veç se ti dramatizonjë, po i ka lidhur aqë bukur sa ka krijuar veprën theatrale më të fortë të botës dhe e ka sinthetizuar këtë periudhë të historisë romane aqë mjeshtërisht sa “Jul Qesari” i tij i shkurtër vlen më tepër se duzina vëllimesh mi këtë themë prej historianësh të specializuar. Karakterizata e Jul Qesarit është kritikuar përgjithërisht që nuk i përshtatet historisë, po sa për këtë pikë s’kemi aspak arësye t’i biem më qafë dramaturgut inglis. Është e vërtet që diktatori i Romës s’ka qënë pafllatar e mburravec i zbrazët, po pas dëshmimit të Plutarkut, duket se ishte bërë në vjetet e tij të funtme ashtu si na e përshkruan Shakespeare-i . Një shëmbëll të një ndrrimi analog kemi dhe në fytyrën e Napoleonit të Math. Si Jul Qesari, dhe ky e nisi karierën e tij si gjeneral e konsul i një Republike dhe mbaron si tiran dhe autokrat i saj, i math në disa pika, po nga ana tjatër, si na e thotë bukur Anatol France-i, në shumë pika fare si një foshnjë, që s’duron gjysmë fjale kundrështimi. Që të dy, pas vijtoreve dhe sukseseve, fryhen nga fuqia, foshnjërohen nga lajkat dhe bëhen e kundërta e asaj qënë në krye. Muzikanti i math Bethoven kishte të drejtë ku ta dedikoj Simfoninë Heroike Napoleonit, si një kryetrimi libertator, por kishte prapë të drejtë dhe kur e prishi këtë dedikatë nga dorëshkrimi i tij, pasi Napoleoni u bë diktator dhe shtypësi i lirive. Ashtu dhe Shakespeare-i nukë humbet kurrë rasjen që të çfaqë admiratën për Jul Qesarin, gjeneralin ngadhënor të botës dhe përhapësin e qytetërisë romane, po me gjithë këtë na e paraqit në këtë dramë si një tiran grotesk me gjithë cenet e tij, si një karikatur të vetës së tij, dhe u jep të drejtë Brutit dhe Kasit, që e vranë për të çliruar atdhenë dhe për të shpëtuar Republikën. Vërejtja e një kritiku, që Shakespeare-i na e nxjerr mbi skenë Jul Qesarin vetëm e vetëm që të vritet prej Republikanëve, nuk është shum’ e drejtë, po s’do fare bisedim që Jul Qesari nukë e lot në këtë dramë veç se një roll sekondar dhe ahere vijnë menjëherë pyetjet: Përse kjo dramë ka emrin e tij për titull dhe jo emrat e Brutit e të Kasit që janë protagonistët e saj? Përse kjo dramë, që është dithyrambi penegjirik i liberatorëve revollucionarë, mban etiketën e një tirani? Për këtë janë dhënë prej kritikëve shpjegime të gjata e të holla, me të cilat nukë duhen lodhur këndonjësit, se janë pak a shumë dyshimta. Është më tepër për të besuar që Shakespeare-i si një businessman amglosakson praktik, e zgjodhi këtë titull se binte më tepër në sy për rekllamë; nga ana tjatër, me që rronte në periudhën autokratike të Elisabetës dhe James-it I, preferoj flamurin e një tirani që të mos dukej sikur merrte anën e liberatorëve republikanë; dhe nofta për këtë shkak vajti pikë për pikë pas historisë – gjë që nuk e bën fare në dramat e tij historike të tjera – që kështu, kur ti binin më qafë monarkistët dhe absollutistët t’ia hidhte fajin Plutarkut të Kheronisë. Trike të këtija kanë bërë shkrimtarë të dëgjuar përpara dhe pas Shakespeare-it, po askush nuk e ka mpleksur punën më një mënyrë dipllomatike aqë të hollë sa t’ua turbullonjë mëndjen jo vetëm këndonjësve të kohës tij po edhe atyre të kohës tonë. Ka me duzina kritikë seriozë modern, të cilët pa nënqeshur na thonë se Shakespeare-i ka dashur të na tregonjë në këtë dramë që vrasja e Jul Qesarit ishte një krimë çnjerëzorë dhe një gjakderdhje e kottë. Këta kritikë tepër modern harrojnë se Shakespeare-i është një njeri i shekullit të gjashtëmbëdhjetë, kur njerëzia nuk i gjykonin vrasjet politike pas standarteve të sotme; që karakteristika kryesore e Përlindjes është studimi dhe kullti i qytetarisë greko-romane; që subjekti i dramës është roman dhe fryma e saj duhet të jetë romane; dhe që, pas standardeve të botës republikane të Greqisë e të Romës së vjetër, vrasësit e tiranëve lavdëroheshin si kryetrima libertatorë dhe vrasja e tiranit quhej një vepër e lartë dhe një detyrë patriotike e çdo qytetari të lirë. Sa për argumentin se kjo gjakderdhje na paraqitet si e kottë, posa Qesarizma dolli fitonjëse edhe pas vrasjes së Jul Qesarit, na e jep përgjigjien vetë Shakespeare-i me gojën e Brutit dhe të Kasit, kur na thonë që vepra e tyre do të mbetet si një shëmbëll në histori dhe që emrat e tyre, si liberatorë t’atdheut, do përmenden jetë pas jete prej brezave të pastajmë në çdo gjuhë e në çdo shtet të botës. Bruti dhe Kasi përfaqsojnë dy shkolla politike, dy sisteme revolucionare krejt të ndryshme sa për methudën që duhet vazhduar për t’arrirë në liri me sukses. Janë plotërisht në një mëndje që çapi kryesor, domethënë rrëzimi i regjimit tiranik, duhet bërë me çfarëdo mjet pa mëshirë e pa skrupulla morale. Sa për këtë pikë merren vesh mënjeherë pothua pa e vënë çështjen as në bisedim. Po, pas çapit kryesor, që në këtë rasje është vrasja e Jul Qesarit, Bruti dhe Kasi ndahen. Kasi është i mëndjes që duhet vajtur drejt në qëllim nga udha që shpie më shpejt, me sa më tepër shokë e me çdo mjet, pa vënë re hollësira, pa mëshirë e pa skrupulla morale gjer në funt. Duhen qëruar të gjithë gjëmbat dhe shtypur të gjith’ ata që munt ti zënë vendin tiranit me një kundër-revollucion, se është më mirë të bëhen disa vrasje të panevojshme se sa të lihet pa bërë një vrasje e domosdoshme për të mirën e përgjithëshme, dhe përandaj shkel këmbë në këtë rasje që të eleminohet bashkë me Jul Qesarin dhe miku i tij i ngushtë Mark Antoni. Kundërshtarët duhen nxirë megjithësej në sy të popullit, ky duhet ndezur kundër syresh me çfarëdo propagandë, dhe prandaj nukë duhen lënë me asnjë mënyrë t’ia trubullojnë mëndjen Mark Antoni me një fjalë funerale lavdatore për Jul Qesarin. Duhen përdorur në çapet e para të gjithë njerezit që munt të hyjnë në punë maker për emër, si Ciceroni, duhen sa më tepër shokë, të fituar makar me interes e me rryshfet, makar për kallaballëk, se është rezik mos hidhen nga ana e kundërshtarëve. Duhen ca muamelera makar të shëmtuara dhe ca dainj makar derra gjer sa të kapërcehet lumi, dhe në periudhë kritike jo vetëm nukë duhen vënë re paudhësit’ e shokëve, po përkundër duhen mbuluar, dhe përandaj shkel këmbë që të falet Luc Pella, i kallëzuar për ryshfete dhe vjedhje. Parat’ e nevojshme duhen mbledhur me çfarëdo mënyrë dhe ku të jet’ e mundur pa dobësira sentimentale makar nga populli i varfër, se ndryshe ngec e tërë puna. Shkurt, për të shtypur tiranët, duhen përdorur mënyrat që përdorin ata vetë për të shtypur popullin dhe mprojtësit e lirive të tij, siç bënë për shëmbëll Mark Antoni dhe Oktavi. Bruti është i mendjes që, për t’arrirë në liri me sukses, duhet vajtur nga udha që shpie me sigurisht, me shokë të zgjedhur dhe me mjete bujare, se populli nuk e sheh qëllimin, as u jep rëndësi etiketës dhe retorikës, po i gjykon politikanët pas shokëve, pas mjeteve dhe pas punëve. Nukë duhen bërë gjakderdhje të panevojshme, se ahera liberatorët do të duken në sy të popullit si kasapë dhe, në vënt të dashurisë, do të fitojnë antipathira të rezikshme, dhe përandaj ndalon vrasjen e Mark Antonit dhe çfarëdo vrasje tjatër. Populli duhet ndriçuar për të njohur të mirën e tij, duhet entusiazmuar për çështjen e lirisë, duhet frymësuar me besim në liberatorët e tij, dhe ky qëllim nuk arrihet me gënjeshtra a me nxirjen e padrejtë të kundërshtarëve, dhe prandaj i jep leje Mark Antonit t’i mbanjë fjalën funerale Jul Qesarit me konditën që të mos i kritikonjë revollucionarët, që e vranë vetëm për ambicien e tij. Duhen shokë të mirë, besnikë dhe të dishiplinuar, të fituar për çështjen, për interesin e përgjithëshmë, se shokët e liq, të rekrutuar me interesa të veçanta, me rogë a me ryshfete, dezertojnë shpejt a vonë, posa të shohin avanta më të mëdha gjetkë, janë gjyle nër këmbë në çdo çap për vepërim dhe diskretitojnë tërë grupin në sy të popullit. Parat’ e nevojshme duhen mbledhur pa rjepur popullin e vogël, se aherë do të duken në sy të tij plaçkitës e jo si liberatorë, dhe ata prej shokëve që e bëjnë këtë gjë, si Luc Pella, duhen punitur e larguar nga partia. Shkurt, ashtu si ndryshon qëllimi i liberatorëve nga ai i tiranëve, ashtu duhet të ndryshojnë dhe shokët, mjetet dhe punët e tyre, që kështu populli ta shohë menjëherë ndryshimin e njerësve e të sistemit, t’u japë besim liberatorëve dhe ti ndihmonjë me gjithë zemër për t’arrirë qëllimin me sukses. Shakespeare-i na i përshkruan të dy sistemet me aqë drejtësi, simpathi dhe objektivitet sa ësht’ e pamundur të thuhet se cilin prej të dyve preferon. Nofta besonte se duhet përdorur njëri a tjëtri a një sistem i mesmë, si pas rasjes, nevojës a popullit, po kjo natyrisht është vetëm një hipothezë. Sido që të jetë, munt të thuhet përgjithërisht se që të dyja shkollat janë praktike dhe shpien në sukses po, sikundër na mëson historia, suksesi i sistemit të Kasit, m’i shpejtmë dhe m’i lehtë në krye, ësht’ i pasigurtë dhe rrallë qëndron më këmbë pastaj, kur suksesi i sistemit të Brutit, m’i ngadalmë dhe m’i rëndë në krye, ka baza prej çeliku dhe rrallë tundet dhe rrëzohet pastaj. Kjo munt të nënkuptohet dhe prej kësaj drame, ku e shohim që vetë Kasi i unjet sistemit dhe udhëheqjes së Brutit. Gjithashtu mund të nënkuptohet që lajthimet e këti dhe lajthimet e sistemit tij i shpien Republikanët në katastrofë, po për të kundërballancuar këtë përshtypje, Shakespeare-i na tregon disa fakte, të cilat e suallnë kryesisht katastrofën dhe për të cilat ska faj as Bruti as methuda e tij. Dhe në këtë gjë Shakespeare-i vete pikërisht pas Plutarkut, i cili vërtet e quan mos-vrasjen e Mark Antonit si lajthim të parë dhe lejen e fjalës funerale prej këti për Jul Qesarin si lajthim të dytë të Brutit, po shton më shumë të drejtë se që të gjitha, fati, rasjet dhe perënditë u kthyen kundër Republikanëve. Gjer me një pikë Bruti dhe Kasi janë dy vllezër binjakë dhe shëmbëllejnë me njërjatrin si dy pika uji: Që të dy janë frymëzuar me zjarrin e shenjtë, me idealin e lirisë, me dashurin’ e atdheut, n’alltarin e të cilit sakrifikojnë çdo interes privat e çdo gjë të dashur; që të dy e ndjejnë për detyrë supreme të lëftojnë gjer në fund për të mirën e përgjithshme të popullit; që të dy janë njerës praktikë dhe të mprehtë të punës; që të dy, si heronj të vjetërisë klasike, janë të mëndjes që trim’ i mirë duhet a të rronjë si burrë a të vdesë si burrë. Janë që të dy Romanë nga instikti, po ndryshojnë nga edukata. Bruti është dishepulli i shkollës filozofike të Stoikëve, mësimet e së cilës pothua ujdisen ploterisht me traditat romane, po largohet prej saj në çështjen e vetëvrasjes dhe, si Roman kryelartër, preferon të vrasë veten se sa të zvarrrniset i mundur pas qeres triumfale te tiranëve nëpër rrugët e Romës. Kasi përkundër është dishepull i shkollës filozofike të Epikurianëve, e cila predikonte skepticizmën dhe gëzimin e jetës, po në jeten praktike bën të kundërtën: Është fabatik militant i nji ideali politik, për të cilin sakrifikonte çdo gëzim të jetës; nuk do as muzikë, as lodra, as qefe, as darkëra; i mvrojtur e i thatë nga pamja, rrallë qesh, po studion, observon, punon, lëfton, vuan dhe vdes si një martir për një fe, për të cilën arsyeja e tij nuk është aspak e bindur. Nga kjo pikëpamje është më tragjik se Bruti. Po nga kjo pikëpamje Mark Antoni ca më tragjik se Kasi. Kur ky ësht’ Epikurian vetëm në teori, Mark Antoni ësht’ Epikurian dhe Hedonist në theori e në praktikë. Ësht’ aqë pas lodrave, pas qejfeve e pas grave sa konsiderohet prej mikut tij Jul Qesari sa dhe prej kundërshtarit tij Mark Brutit si njeri krejt i pazoti për nonjë punë serioze. Kasi vetëm s’gënjehet, se di nga vet’ e tij që instikti është m’i fortë se edukata. Çvillimet e pastajme i japin plotërisht të drejtë. Mark Antoni i kalbur nga veset, ka një dell burrërie, i cili kërkonte një rasje që të çfaqej dhe i cili shkrep si një meteor i ndriçim n’errësirën e natës e të furtunës. Vëreni re tranformatën e këti njeriu. Kur Bruti dhe Kasi gatiten t’a vrasin Jul Qesarin, një prej shokëve revollucionarë e largon Mark Antonin nga Senati dhe pa fjalë e shpie më nonjë qef. Atje, të kurorëzuar, ia shtrojnë me të ngrëna e të pira me gra me këngë e me valle. Në zjafet e sipër, Mark Antoni mëson lajmën e tmerruar të vrasjes së mikut të tij. Çdehet, zgjohet, transfigurohet. i jep shkelmin sofrës, heth me njërën dorë kurorën e luleve nga koka. largon me tjatrën hetairat e bukura që e rrëthojnë, dhe shkon në shtëpi një njeri shumë i ndryshmë, një fytyrë heroike që del si me magji nga fytyra e një pijaniku. Rri pak, mejtohet, bën pllanin dhe e vë menjëherë në vepërim; A do t’ia marrë gjakun mikut, a do të vdesë pranë kufomës së tij. Si Kasi, dhe Mark Antoni s’ka asnjë skrupull morale dhe e quan të mirë çdo mjet për t’arrirë qëllimin. U bie nër këmbë revollucionarëve, u tregohet mik, merr lejen nga Bruti t’a varrosë Jul Qesarin t’i mbanjë fjalën funerale, aksepton konditat e tyre dhe i shkel pastaj që të gjitha. Me kufomën e Jul Qesarit si aliat, togën e tij të çpuar prej kamave si një flamur të përgjakur në dorë, i patrëmbur kur të gjithë i ka zënë data, ia trubullon mëndjen turmës, i ndes larot kundër Republikanëve dhe e fiton tërë luftën. Kështu Mark Antoni nga sofra e qejfit shkon në funeral, dhe nga funerali në kundër-revollucion e në triumf. Kështu instikti i tij roman, i zgjuar befas, bën çudira të papritura dh në kundërshtim të plottë me edukatën dhe zakonet e jetës së tij. Po që dhe këto më në funt ia marrin gjakun instiktit, na e tregon Shakespeare-i në një dramë më të pastajme, ku e shohim Mark Antonin të vdekur në krahët e Kleopatrës. Bruti dhe Kasi, vëllezër binjakë nga instikti dhe nga idealet, ndryshojnë jo vetëm nga edukata dhe nga sistemi i veprimit po edhe nga karakteri, nga temperamenti dhe nga zotësitë: Bruti, i lindur kumandar, është njeri me fjalë të pakta, me vullnet të hekurtë, me nerva të çelnikta, i duruar në fatkeqsi, gjakftohtë në rrezik, i shpejtë si rrufe në vepërim. i ka dishiplinuar pasionet e veta dhe di t’a kontrollonjë veten aqë plotërisht sa s’tregon më asnjë shenjë të jashtme ç’vojtjeje e ç’lufte ka në zemër të tij, si përshemmbull kur përpiqet të fshehë nga shokët vetëvrasjen e së shoqes së tij së dashur, dhe kur e mban veten dhe s’qan mi kufomën e Kasit të vetëvrarë që të mos i dëshpëronnjë ushtarët me të cilët bën sulmën e funtme kundër tiranëve. Vetëm tërhori na lë të kuptojmë që ka fortunën në kokë dhe zjarrin në kraharor, kur s’e zë gjumi e kërkon të këndonjë nonjë libër a të dëgjonjë pak muzikë, a kur ia ka zili Lucit, shërbëtorit tij, që e sheh të flerë i qetë dhe i çkujdesur. Ka besim absollut në idealin e tij, në sistemin e tij, në veten e tij dhe ësht’ aqë i kthjellët, i pastër, i painteresmë, bujar dhe i drejtë sa jo vetëm shokët dhe populli i binden me respekt, po edhe kundërshtarët e tij janë të shtrënguar t’ia njohin sinqeritetin e t’a lavdërojnë pas vdekjes si një burrë në tërë kuptimin e fjalës. Di si të fitonjë miq dhe t’i ngjitë pas vetes gjer në vdekje. Me ëmbëlsin’ e gjeneralëve të mëdhenj, di s’i ti përdhelë ushtarët e ti bënjë të sulen me zjarr nën’ udhëheqjen e tij. Sa zemërmirë është, duket nga dashuria që i ka e shoqja dhe nga tmerri që ndjejnë shokët e tij, kur pas dishfatës së Filipit u lutet t’a vrasin e t’a shpëtojnë nga një jet’ e paduruarshme.. Kasi s’ka fenë absollute, gjakftohtësinë, durimin, vetëkontrollimin, vetëbësimin, lakonizmën, bujarësinë dhe ëmbëlsin’ e Brutit, po e kapërcen nga zotësia organizatore, nga sqotësia politike, nga eksperienca e jetës praktike dhe nga njohja e thellë e njerësve. Zemërngushtë, nga frika se mos ishte zbuluar komplloti, sikur të mos ia kishte mbajtur dorën Bruti gjakftohtë, do të kishte vrarë veten në Senat përpara se të vritej Qesari, dhe fund’i fundit vret veten në fushë të Filipit nga një moskuptim tragjik pa pritur të sigurohet si kishte rrjedhur puna. Kur Bruti hesht, duron nënë një regjim tiranike dhe pret rastjen e favorshme, Kasi preferon vdekjen nga zgjedha, pëlcet nga e keqia, flet, punon, fiton shokë, vë zjarr, gatit kryengritjen e nesërme, e ka organizuar taborin revollucionarë, e ka rrethuar tiranin me pusira më të djathtë’ e më të mëngjër. i urren tiranët me tërë forcën e shpirtit, s’ka skrupulla, drejtesi a mëshirë për ta, është gati të bëhet dy herë më tiranik se ta në methudat gjer sa t’i shtypë a t’i shuanjë nga faq’ e dheut. Mjeshtëria dhe argumentat e tij për të ndezur kundër tiranit ata që kanë gjak prej burri të lirë janë të pakapërcyeshme dhe mund të shërbejnë si një katekizmë për çdo agitator dhe propagandist revollucionar të çdo kohe. Di të zgjedhë njerëzit, mjetet dhe kohën për të mbaruar punën, di cilët prej kundërshtarëve janë të rrezikshëm dhe duhen qëruar. Kur Bruti dhe Jul Qesari vetë gënjehen për Mark Antonin, Kasi me syrin e tij prej shkabe njeh në fytyrën e tij njerinë që munt t’ua hanjë kokën të gjithë Republikanëve. Di si munt t’i kapë e t’i fitonjë njerëzit: Brutin me patriotizmën, me detyrën, me traditat e shtëpisë së tij, si stërnip të Jun Brutit, që rrëzoj monarkib’ e Tarkinëve dhe themeloj Republikën e Romës; Kaskën, natën e furtunës së tmerruar, me supersticën, me zemërimin e perëndive për arrogancën e tiranit dhe poshtërimin e Romanëve; Mark Antonin, passi nuk i shkoj fjala që tq qërohet, me propozime ofiqesh dhe rryshfetesh. Duke studiuar njerëzit dhe dobësit’ e tyre, është bërë pesimist, s’i ka besim popullit, të cilin e meprizon, s’ka asnjë shpresë nga Romanët e rinjë, që u bënë dhën përpara një ujku, dhe ka arrirë në konkluzjen që duhen çliruar me pahir, që duhen shtyrë me hosten a hequr me kapistall në udhën e përparimit. Po ashtu sikundër s’u ka besim njerëzve Kasi, ashtu s’i kanë besim as ata; populli ia ka frikën, kundërshtarët ia kanë tmerrin, shokët ia kanë dyshimin. Po Kasi ashtu si njeh të tjerët njeh dhe veten e tij: di fare bukur ç’mejtim kanë të tjerët për të, di cenet e veta, di mungesat e sistemit të tij, di që ay nukë duhet ta heqë vallen për kryetar. Dhe këtu është bukuria e këti idealisti revolucionar. Për hirin e çështjes sakrifikon ambicjen e tij personale dhe, ndonëse është ushtar m’i vjetër dhe politikan m’i hollë’ ndonëse ay e ka organizuar grupin revollucionar, ndonëse ka dyshimin për sistemin e Brutit, e njeh këtë si kryetar qëkur e fitoj me anën e tij, i vihet nën’ urdhërin dhe i bindet në të gjitha me dishiplinën e një ushtari roman. Kur i duket që methudat e Brutit shpin në katastrofë, proteston, ndizet, ulërin dhe dikur jep përshtypjen sikur do t’i vërvitet shokut. Aspak. Si nonjë djalë shkolle, i unjet mësonjësit, i bindet plotërisht, pastaj qahet që mësonjësi e qërtoj tepër rëndë dhe më në funt admenton që mësonjësi duhej t’a kishte vrarë për sjelljen e tij. Sa e çmonte Bruti këtë luan, të tmerruar për tiranët po të zbutur për shokët e idealit, ia thonë pas vdekjes: “ish i funtmi i Romanëve!” Sikundër thamë më sipër, Shakespeare-i, që të mos na lërë të kuptojmë që katastrofa e revollucionarëve erdhi nga lajthimet e bga sistemi i Brutit, na tregon tërthori po fare çkoqur arësyet kryesore, nga të cilat do të kishte ardhur katastrofa doemos. Këto qenë atituda e ushtrisë, e parësisë dhe popullit: Ditën që vritej Jul Qesari, ushtëria e të nipit tij Oktavit ndodhej afër Romës dhe natyrisht veteranët e Jul Qesarit marrin anën e tij, kur anën e idealistëve republikanë e marrin djelmuria, studentët, poetët, artistët dhe intelektualët. Ç’atitudë mbajtën parësia, duket nga sjellja enigmatike e Ciceronit. Ditën që i blatohet kurora mbretërore Jul Qesarit, të gjithë prisnin të dëgjonin ç’mejtohej për këtë çështje Ciceroni, orator i dëgjuar dhe ish konsulli i Republikës Romane. Po ky pati frikë t’a çfaqë mejtimin e tij dhe foli gërqisht. Popuylli s’mori vesh as gjysmë fjalë dhe ata që dinin gërqisht e kuptuan, nënqeshnë dhe tuntnë kokën. Ciceroni kish qenë dikur trim në punë, përgjithësisht trim në fjalë, po këtë herë kish ngordhur nga të gjitha pikpamjet. Pas shëmbëllës tij u suallën dhe të tjerët dhe ndënjnë të paanëshmë. Po paanësia nuk i shpëtoj, se posa ra fuqia në dorë të Mark Antonit e t’Oktavit, Ciceroni e pagoj fjalën gërqishte dhe atitudën e dyshimtë me kokën e tij. Ashtu e pësuan dhe shokët që e muarnë për shëmbëll. Populli ishte pa dyshim në favor të Republikanëve dhe kundër Jul Qesarit. Kjo dukej çkoqur në skenën e parë të kësaj drame, ku të dy tribunët Flavi dhe Marulli me ca qërtime e përndajnë dhe e dërgojnë në shtëpi popullin që ish mbledhur për të sallutuar Jul Qesarin. Pas vrasjes së këti, populli e pret me enthuziasmë Brutin dhe s’do të dëgjonjë as gjysmë fjalë kundër këti nga goja e Mark Antonit. Po ky dinte ta goditte pikërisht atje ku i dhempte popullit dhe ia ftoj enthusiazmën, dykë bërë që në krye të fjalës tij një alluzion ironik për shokët e Brutit. Sikur të muntte të fliste hapur, Mark Antoni do t’u kishte thënë dëgjonjësve të tij shkurt e prerë e pa retorikë këto: ” Bruti ësht’ i nderçëm, po e kanë gënjyer shokët e liq; këta e kanë vrarë Jul Qesarin nga inati personal dhe nga ambicja që t’i zënë vëndin e jo t’a çlironjë popullin; pas Jul Qesarit zemërmirë, që e deshte popullin, do të vinjë një tiran zemërlik si Kasti, të cilin e njihni fare bukur; nukë do të vinjë dot Bruti, se ky u bë vegl’ e verbër e Kasit se ndryshe Bruti nukë do të ngrente kurrë dorën për të vrarë mikun e tij më të shtrenjtë, Jul Qesarin, i cili e deshte si ëngjëll; me vrasjen e Jul Qesarit dhe me hipjen e Kasit në fuqi, Roma u prish dhe u çkatërrua; dhe - “Ahere un’ e ju e gjithë ramë, dhe na përmbyti tradhësi’ e gjaktë!” Populli e mori vesh Mark Antonin menjëherë që nga alluzionet e para, sikundër duket nga eksklamata e një qytetari, i cili thosh që, pas Jul Qesarit, është frikë se mos vinjë nonjë m’i lik, domethënë Kasi. Nga ana tjatër, është një lajthim të besohet që populli republikan i Romës, antiqesarian sa rronte Qesari, pro-brutian enthusiastik pas vrasjes tij, u kthye prej Mark Antonin si me magji kundër liberatorëve dhe vete u djek shtëpitë. Këtë përshtypje na e jep Shakespeare-i vërtet, po është vetëm një illuzion dramatik i skenës. Mark Antoni e mbaron punën ndryshe, prapa skenës, me agjentët ë tij. Përpara se të mbanjë fjalën funerale, ka mësuar që ushtria e Oktavit sëbashku me veteranët e Qesarit ndodhen në dyer te Romës; lëshon pra ca agitator, të cilët, dyke përshpëritur në vesh më të djathtë e më të mëngjër lajmën e ardhjes së një ushtrie qesariane gjakmarrëse, nga njëra anë e trembin popullin republikan dhe nga ana tjatër ndezin larot për kundër-revollucion. Aqë populli sa dhe parësia e Romës përgjithsisht nuk janë fajtor se e tradhëtuan levizjen republikane po se ndenjnë mënjanëtë ftohur a të terrorizuar dhe i lanë vetëm e në baltë Brutin e Kasin. Këtë atitudë fatale e paguan shtrenjtë pastaj, dyke hyrë nënë një zgjedhë tiranie, të cilën e mbajtin brezat e pastajmë mi zverk shekuj me radhë gjer sa u çkatërruan e u çduk perandoria romane. Berlin, mars 1926.
Posted on: Sat, 03 Aug 2013 21:30:14 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015