Fletëvotimet e pavlefshme, fajtorë KQZ-ja dhe - TopicsExpress



          

Fletëvotimet e pavlefshme, fajtorë KQZ-ja dhe partitë Publikuar: 19:56 / 11.11.2013 Për numrin e madh të fletëvotimeve të pavlefshme (mbi 100 mijë sosh në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, analistët fajësojnë KQZ-në dhe partitë politike, të cilat nuk kanë bërë informimin e duhur të qytetarëve rreth procedurës së votimit, por mund të jenë edhe rezultat i gabimeve të qëllimshme . Publicisti Astrit Gashi, ka theksuar për Telegrafin se arsyeja kryesore se pse kemi numër aq të madh fletëvotimeve të pavlefshme është se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në veçanti partitë politike nuk kanë bërë një fushatë aktive të informimit të qytetarëve për mënyrën e votimit - posaçërisht për votimin për asamble. Sipas tij, shumë qytetarë janë hutuar duke votuar disa prej kandidatëve për këshilltarë të komunës, ndërsa do të duhej të votohej vetëm një. “Gjithashtu ka qytetarë të cilët nuk kanë qenë mjaftueshëm të informuar se krahas kandidatit për këshilltarë të komunës duhet të votohet edhe partia. Së dyti, ky numër i madh i fletëvotimeve të pavlefshme, mund të jetë edhe si rezultat i dëmtimit të qëllimshëm të fletëvotimeve nga vet komisionerët e partive për të dëmtuar një kandidat për asamble në favor të një tjetri. Ka raportime të ndryshme dhe në këtë drejtim, të cilat tashmë është vështire të konfirmohen”, ka thënë Gashi për Telegrafin. Gashi ka theksuar se problemi i fletëvotimeve të pavlefshme do të zgjidhej me fushatë informuese aktive të KQZ-së dhe të partive politike. “Është e pamundur që me këto informata të saktësohet se cila parti ka mundur të dëmtohet me shumë, por nuk besoj që ndonjë nga to të jetë kursyer nga dëmtimi”, ka shtuar ai. Analisti Shpend Kursani, problemin e fletëvotimeve të pavlefshme e ka kategorizuar në tri pjesë. Kategoria e parë mund të përmbajë fletëvotimet të cilat përmbajnë një X, dhe tregohet qartë që votuesi nuk ka dashur ta votojë asnjërin kandidat - dhe kjo është në rregull, në këtë rast nuk mund të fajësohet fushata informuese e as të dyshohet në ndonjë keqpërdorim. “Kategoria e dytë mund të përmbaj fletëvotimet të cilat përmbajnë një X, por që në të njëjtën kohë ka pasur të votuar një kandidat. Atëherë, këtu nuk mund të fajësohet fushata, por mund të dyshohet në keqpërdorim gjatë numërimit të votave, ku numëruesit me qëllim kanë mundur ta bëjnë fletëvotimin e pavlefshëm. Kategoria e tretë mund të përmbajë fletëvotimet të cilat kanë dy apo më shumë kandidatë për kryetar komune të votuar. Këtu nuk mund të fajësohet fushata, por mund të dyshohet në keqpërdorim gjatë numërimit të votave, ku numëruesi i votës qëllimisht e voton vetvetiu një kandidat shtesë për ta shpallur fletëvotimin e caktuar të pavlefshëm”, ka thënë ai. Kursani mendon se kategoritë tjera mund të përbëjnë çështje tjera që nuk e lejojnë fletëvotimin e caktuar të numërohet. Mirëpo, sipas tij, pa u bë një kategorizim i tillë vështirë se mund të dihet shkaku se a është mungesa e fushatës së informimit, keqpërdorimi gjatë numërimit, apo thjeshtë mos dëshirë e dikujt për të votuar ndonjë kandidat. “Shumica apo 80 për qind e këtyre fletëvotimeve të pavlefshme janë për asambletë komunale. Shpesh thuhet se votuesi nuk ka qenë i informuar se duhet të votohet vetëm një kandidatë, me ç’rast ka votuar më shumë se një të tillë. Mirëpo, edhe nëse qytetari ka votuar më shumë se një kandidat, ai fletëvotim është i vlefshëm pasi që neni 7 pika 7.4 e ligjit për zgjedhjet lokale thekson se në rast se ‘nëse në fletëvotim janë shënuar më shumë se një (1) kandidat, vetëm vota për subjektin politik llogaritet’. Nëse KQZ-ja i ka numëruar këto fletëvotime si të pavlefshme atëherë ka bërë shkelje ligjore. Mirëpo, këtë nuk mund ta dimë nëse e ka bërë KQZ-ja pa i kategorizuar fletëvotimet e pavlefshme si më sipër”, ka shtuar ai. (B.D.) /Telegrafi/ (Edhe unë dyshoj, se shum vota te mia dhe të disa asambleisteve të LVV jan dëmtuar qellimisht nga disa komisioner që kan punuar për interesat e dikujt tjeter). (A .U)
Posted on: Mon, 11 Nov 2013 20:32:27 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015