GJAKPRISHURIT Kur mendon që anembanë Europës, kombëtarizmi - TopicsExpress



          

GJAKPRISHURIT Kur mendon që anembanë Europës, kombëtarizmi ka më se dy shekuj që ngul këmbë për dobinë e pastërtisë racore dhe të disiplinës në gjak, të duket paradoksale se shumë prej individëve të shquar, që kanë ngritur themelet e kombeve dhe u kanë ushqyer krenarinë, nuk i përmbushin kriteret e rrepta të racës, të gjakut dhe të prejardhjes. Pa folur për prejardhjen frënge të kontit Cavour, që udhëhoqi përpjekjen për bashkimin e Italisë; ose atë korsikane të Napoleonit, që ia ndryshoi historinë botës mbarë në emër të Francës, dukuria është tipike mu për ato kombe, të cilat janë, si me thënë, ende në kërkim të mustaqes së dirsur. Te një libër relativisht i moshuar, Myths and Realities in Eastern Europe (nga Walter Kolarz, Lindsay Drummond LTD, London, 1946) gjej tani një thesar të vogël faktesh që, të mbledhura nën strehën e një kasolleje të vetme, të bëjnë së paku të buzëqeshësh. Kështu, duke filluar nga Hungaria, edhe Janosh Huniadi, edhe biri i tij, Matias Korvini – që të dy të kremtuar si kampionë të Krishterimit në luftë kundër Gjysmëhënës – kanë qenë gjysmë rumunë, për nga prejardhja; dhe, njëlloj në Hungari, poeti kombëtar Petöfi e kish të jatin serb, ndërsa të ëmën slovake; ndërsa kompozitori i mirënjohur Franz Liszt, që thoshte se e ndiente veten hungarez, edhe pse nuk fliste asnjë fjalë hungarisht, ishte me prejardhje gjermane dhe e kish gjermanishten gjuhë të nënës. Duke kaluar nga Hungaria në Rumani, poeti kombëtar rumun, Eminescu, ishte turk-tartar nga prejardhja, me mbiemrin Emin, të cilin më pas e sllavizoi në Eminoviç dhe më pas akoma e rumanizoi. Edhe udhëheqësi i “Gardës së hekurt” rumune në vitet 1930, ultra-nacionalisti Cornelius Codreanu, ishte fëmija e një babai gjysmë hungarez e gjysmë ukrainas nga Bukovina dhe një nëne gjermane; njëlloj si Henelin-i, i njohur edhe si “Führer-i i Sudeteve”, që ishte gjysmë çek (nga e ëma); dhe Hubay, udhëheqësi i organizatës fashiste hungareze “Kryqi me shigjeta”, që i përkiste një familjeje gjermane-shvabe, të ngulitur në Hungari. Në Kroaci, babai i kroatishtes moderne Ljudevit Gaj ishte gjerman nga të dy krahët (njëlloj si Sami Frashëri ynë, që kontribuoi aq shumë për turqishten); ndërsa në Serbi, politikani i njohur Nikolla Pashiç, ndonjëherë i mbiquajtur “Bismarku i Ballkanit”, vinte nga dy prindër bullgarë, dhe fliste në parlament një serbishte të përzier me bullgarishten. Në Greqi, pa folur për rolin e arvanitëve gjatë revolucionit dhe më pas në krijimin dhe mirëmbajtjen e shtetit, institucioneve dhe të kulturës kombëtare greke, vlen të përmendet Marko Boçari, të cilin e mbajnë, sipas rastit, për grek, arvanit, shqiptar, arumun (kucovllah) dhe bullgar. Rumunët thonë se u dhanë grekëve një udhëheqës të kryengritjes anti-osmane, Rigas Feraios (si arumun); por edhe grekët ua kthyen nderin, duke u dhënë rumunëve Apostolos Margaritis-in, krye-propagandistin e kauzës (a)rumune në Maqedoni. Dihet pastaj edhe se Aleksandrin e Madh e pretendojnë si të tyrin jo vetëm grekët dhe shqiptarët, por edhe sllavo-maqedonasit dhe bullgarët (gjendet një letër e gjeneralit Kirkov, komandantit të ushtrisë bullgare gjatë Luftës I Botërore, ku ai u bën thirrje ushtarëve të vet “të ringjallin famën e bullgarit të shquar, Aleksandrit të Madh.” Kolarz sjell edhe shembuj të tjerë, njëlloj pikantë, për popuj të tjerë të Lindjes, që kushedi na interesojnë më pak. Sa u përket shqiptarëve dhe Shqipërisë, historianët tanë dhe njerëzit e kulturës kanë vënë në dukje me të madhe kontributin e tyre në Perandorinë Osmane, Itali, Austro-Hungari dhe Greqi; më pak është folur për kontributin e të tjerëve, jo shqiptarëve, në çështjen tonë kombëtare.E gjithë kjo, pa zbritur në Mesjetë dhe pa u ndalur në çështjen aq kontroversiale të nënës së Skënderbeut, Vojsavës, e cila mund të ketë pasur edhe ajo prejardhje sllave (bullgare). Këto të dhëna biografike, kurioze në vetvete, nuk kanë ndonjë rëndësi, përveçse në sytë e atyre që e konsiderojnë gjakun si përcaktues, për rolin dhe misionin social të individit – ose kombëtaristëve. Që këtej edhe ironia e faktit që, disa prej heronjve, themeluesve dhe kontributorëve më të mëdhenj në historinë e kombeve në mos të kombëtarizmave, kanë qenë vetë me prejardhje të përzier.
Posted on: Wed, 23 Oct 2013 17:41:38 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015