I dashur Lulzim, Alejkum Selam. Namazi i xhumasë është farz - TopicsExpress



          

I dashur Lulzim, Alejkum Selam. Namazi i xhumasë është farz (obligativ). Kur bëhet obligim për muslimanët ky namaz, bie namazi farz i drekës. Kështu do të duhej të ishte në parim. Muhammedit s.a.v.s. derisa ishte në Mekkë nuk e kishte obligim namazin e xhumasë. Ky namaz ju bë farz menjëherë me të arritur në Medinë,ose më saktë ende pa arritur në Medinë gjatë ditëve të migrimit të tij. Kjo do të thotë se muslimanëve iu kishte ardhur koha të organizohen edhe politikisht. Medina u shndërrua qytetet shteti i parë mysliman, dhe ata i gëzoheshin ditës së xhuma se kishin mundësi të dëgjonin hytben (ligjëratën e prijësit të tyre). Që nga ajo kohë muslimanët e kanë pas falë namazin e xhumasë pa asnjë shkëputje deri me rënien e Khalifit (sulltanit osman) më 1924-të. Kur ra Khalifi, dijetarët turq vendosën që në të njëjtën kohë të falin edhe namazin farz të xhumasë edhe namazin e drekës por këtë namaz e emëruan namazi i vaktit për shkak se nuk mundej të falen dy farze në të njëjtën kohë. Shteti (turk) laik, nuk ua ndalonte ta falin namazin e xhumasë, por ama presidenti tyre nuk e falte namazin e xhumasë, dhe për këtë shkak dijetarët turq nga frika se namazi i xhumasë nuk do t’ju pranohet tek Zoti, vendosën ta falin namazin e vaktit duke shpresu tek Allahu dhe mëshira e Tij. (pra nijeti është namazi i vaktit). Pse vendosën kështu? Namazi i xhumasë është namaz në të cilën mbahet ligjërata (hytbeja) politike, dhe si e tillë sot krahasohet me mbledhjen e Këshillit të Ministrave në të cilën fjalën kryesore e ka kryeministri. Pra, ishte detyra e Khalifit (sulltanit) të përmblidhte ngjarjet e aktualitetit të asaj jave dhe të jepte udhëzime se çfarë duhej të bënte administrata dhe më pas populli. Meqenëse Khalifi më nuk ekzistonte dhe shteti laik nuk ua ndalonte namazin e xhumasë, dijetarët preferuan ta mbajnë hytben në ato kushte edhe pse të rezervuar. Gjendja ynë sot? I dashur Lulzim, Shtetet monarkiste arabe dhe jo arabe (ku muslimanët janë shumicë) asnjë mbret nuk del të mbajë ligjëratën e javës. Këtë ligjëratë e mbajnë muftinitë, por fatkeqësisht këta nuk janë të informuar me rrjedhat politike dhe ligjërata e tyre është e mangët sepse aty ligjërohet vetëm për probleme fetare...pastaj, shtetet që janë me shumicë muslimane dhe që kanë sistemin "presidencial" gjithashtu presidentët e tyre nuk dalin të ligjërojnë hytben e xhumasë me përjashtim të presidentit të Republikës Islamike të Iranit, Republikës Islamike të Mauritanisë dhe (para se të rrëzohej përfaqësuesi i Talibanëve) në Afganistan. Të paktën këtë di unë, mbase ka presidentë ose monarkë të tjerë që falin namazin e xhumasë nëpër disa mini shtete që janë në Oqeanin Paqësor dhe në Burkina Faso ku disa shtete quhen shtete Islamike. Por tani për tani nuk mund të jap këtë përgjigje, por duke qenë se emri i shteteve të tyre mban emrin si shtet ISLAMIK mendoj se presidentët e tyre i mbajnë hytbet e xhumasë. Tek ne shqiptarët, Derisa ishte gjallë Hafiz Sabri Koçi në Shqipëri, ai e mbante hytben e xhumasë rregullisht edhe pse ishte i moshuar. Pas vdekjes së tij, kryetari i komuniteteit mysliman nuk e mban hytben e xhumave. Në Kosovë edhe në Maqedoni kryetarët e Bahskësive Islame nuk i mbajnë hytbet e xhumave. Se cilat janë pengesat e këtyre kryetarëve të bashkësive myslimane që nuk i mbajnë hytbet e xhumave nuk i di, sepse nuk jam brenda këtyre institucioneve, por sikur të mbanin hytbet mua personalisht do të më flinte zemra se xhumaja do të ishte më e pranueshme edhepse me mungesën e ligjëratës (hytbes) së presidentit (shefit të shtetit).. .në kushtet tona, por jo në kushtet e shteteve ku myslimanët janë shumicë. Krejt në fund, i dashur Lulzim, e bëra këtë përmbledhje të shkurtër dhe të shpejtë sa për të të orientuar ty dhe veten time, por të them të drejtën se unë nuk jam kompetent të jap përgjigje decidive rreth kësaj pyetje. Se cila është përgjigja e drejtë mendoj se duhet t’i drejtoheni një institucionit të fetave (në Prishtinë...) Nëse është kusht që xhumaja të pranohet pasi kryetari ose shefi i vendit të mbajë hytben, atëherë tek të gjithë këta popuj ku shefi tyre nuk e mban ligjëratën, ose të paktën ku kryemuftia nuk e mban hytben, namazi i tyre nuk do të duhej të pranohej. – Allahu e di më së miri. I dashur, sikur myslimanët ta falnin namazin e xhumasë sipas këtyre konditave nuk do të ndodhte kjo që po ndodh sot me ummetin mysliman në botë. ...Me respekt Muhamed KAJOLLI
Posted on: Sat, 03 Aug 2013 02:20:43 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015