Janko LL. PALI Në luftrat e jetës... Autobiografia dhe - TopicsExpress



          

Janko LL. PALI Në luftrat e jetës... Autobiografia dhe shkrime të tjera Pregatitur për botim nga Petraq J.Pali Albin, Tiranë, 2011 Në kujtim e nderim të gjyshit tonë te ndritur,burrit të shquar të Qeparoit e Bregdetit Himarë, ”Mësuesit të Merituar” “Mirënjohje e qytetit të Vlorës” Janko LL PALI, e spronsorizojme këtë libër ne, femijet, e Petraq Janko Palit, i cili e pregatiti per botim, në Nderim dhe në kujtim të tij! Mësimet, vlerat, vepra dhe edukata që mbolli Janko Ll.Pali, na jep jetë e nder, ne, Bregut e më gjerë. Margarita, Jolanda & Skerdilajdi Virxhinia USA, Qershor 2011 Janko LL. PALI NË LUFTRAT E JETËS... Autobiografi dhe shkrime të tjera Pregatitur për botim Petraq J.Pali Art grafik: Suela Kolpepaj ISBN : 978-9928- 119-11-7 © -P.J.Pali Albin Tiranë, 2011 =========================================== PARATHENIE Në përcjellje të autobiografisë së Janko Ll. Palit (1987-1994) Nga Petraq J. P A L I ë shkruash në pak radhë, apo edhe faqe, për një njeri që jetoi afër një shekull nuk e ke të lehtë. Aq më tepër që ky burrë është babai im edhe mësuesi im i parë, personalitet me një botë e kulturë të gjerë, edukator e studjues i zellshëm e pasionant, një europian i vërtetë, në sytë e kujdesin e të cilit unë jetova, u rrita e mësova, po pa e njohur shumëdimensionalitetin që ai mbartëte. Pamja e tij, veshja, shtatlartësia, rregullsia, sjellja e kulturuar e bënin për tërë jetën të qe një burrë sa i kompletuar edhe aq më fisnik. Burrë kollos, në sjellje dhe në paraqitje, i bukur, sytë blu, i qeshur dhe serioz! Prezenca e tij të impononte respekt, atë e donin të gjithë pa përjashtim, i madh e i vogël. Ishte etaloni i të mirës, ishte futur në zemër të qeparotasve dhe krahinës së Himarës, jo vetëm pse jetoi gjatë, por fjala e tij e mençme, e urtë, domethënëse, shpresëdhënëse, e matur, hodhi rrënjë të thella tek kultura dhe sjellja e qeparotasve. Ai dha dritë e ndriçim tërë jetën, kishte vlera që ruhen në kujtesë të kujtdo që jetoi në kohën e tij. Falë vlerave e tipareve që kishte kultivuar e demostruar për dekada, falë bagazhit jetësor e kulturor, si edukator e si studjues i dorës së parë, J.Pali, në Qeparo, në Breg e më gjerë, ishte kthyer në një personalitet të admiruar e të dashur nga të gjithë.Nuk kishte në herarqinë pushtetare të kohës grada e ofiqe zyrtare, nuk jepte urdhëra e s’firmoste vendime, por fjala e mendimi i tij, dashamirës, i pjekur e i drejtë, zinte vend kudo e te të gjithë.E ka thenë drejt një nga ish nxenësit e tij: ai ishte një Njeri Institucion. Si bir i tij, domosdo, e kam të vështirë të rendis e t’u bëj elozhe meritave e vlerave të tij të shumta, qoftë edhe për faktin se qeparotasit, bregasit dhe gjithë ata që e njohën nga afër, do të më qeshnin. Do më qeshnin, jo thjesht se lëvdoj babanë, por se ai ishte e mbetet një burrë i tillë për të cilin, si kur ishte gjallë e aktiv, por sidomos pas ndarjes së tij nga “luftrat e jetës “, janë shprehur, kanë shkruar e kanë folur me konsideratat më të larta i madh e i vogël, pa na lënë kësisoj, as shkas e as vend, ta bënim ne, fëmijët, lartësimin e figurës së tij. Rujajmë në familje si një relike të vyer letrat e telegramet e pafund, mesazhet e panumurta dhe tingëllimën e telefonatave pambarim që na erdhën, na lehtësuan dhimbjen e na mbushën me mirënjohje të thellë në ditët kur ai u nda nga jeta. Ndodhi kjo më 12 Shtator 1994, kur ai mbylli sytë dhe vazhdoi në ditët e javët që pasuan. Na drejtoheshin nga të gjitha anët, jo vetëm nga Qeparoi, Bregu, Vlora e Tirana, por nga shumë shtete të botës. Ish nxenës të tij, fshati i tërë, krahina, shokë, miq e bashkëpuntorë të tij, kishin mërguar përtej detesh, në kërkim të një jete më të mirë, fill sa u çelën e u shqyen kufIjtë shtetërorë. Si për lojë të hidhur të fatit e të luftrave të jetës që e shoqëruan që nga lindja, vetë ai, i kaloi dy -tre vitet e fundit e i mbylli sytë në mërgim, në Korfuz, pranë nesh, brezit të ri të emigrantëve, ashtu si i kishte çelur e kish ardhur në jetë, 97 vjet më parë, po në mërgim, në një fshat pranë Izmirit, (Turqi). Ne e njihnim dhe ndiheshim krenarë për opinionin e mirë dhe reputacionin e lartë që gëzonte prej dekadash ati ynë në të njohur e të panjohur, por një shprehje të tillë dhimbjeje për ikjen e tij dhe një adhurim kaq njerëzor për figurën e personalitetin e tij, si ai që u shafaq ato ditë, nuk e kishim përfytyruar. Me ndjenjën e mirënjohjes së thellë për gjitha ata që na u ndodhën pranë në ato momente, për konsideratat e larta që shprehnin dhe, i nxitur nga ai opinion i paharrueshëm pozitiv e tepër vlerësues, e ndjeva për detyrim moral e qytetar të hapja para njerzve, të njohurve të panjohurve, anën tjetër të Janko Palit, atë që jo të gjithë e njihnin, bile edhe ne fëmijët e tij, - trashëgiminë e tij të shkruar.Ishte ky një thesar i tërë, tepër voluminos, i shumë fushave të dijes, të kulturës, të historisë, trashëgimisë shekullore të fshatit, krahinës e më gjerë.E denim që ishte, e shihnim si rritej e shtohej nëpër muaj e vite, tak-taku i tastjerës së maqinës së tij të shkrimit na kishte shoqëruar më besnikërisht se tik- taku i sahatit të murit, që kur lindëm e gjersa u bëmë burra. Por fakt është se ne, fëmijët e tij, edhe pse jetonim bashkë me të e në të njejtat ambjente me të, nuk kishim futur as duart e as sytë në atë thesar të babait. Në familje, vetëm e ndjera nëna jonë, bashkëshortia e tij e paharruar, kishte të drejtë t’i merrte ata radhorë, fletore e dosje në duar, t’u hiqte ndonje fije pluhuri, t’u fërkonte kapakët, t’i stivoste a t’ia vinte përpara, gjithnjë nën mbikqyrjen e rreptë të tij. Ne fëmijët, tre alamet djemsh, nuk e kishim këtë të drejtë, jo vetëm se qëndronim larg asaj “bote” librash e letrash, por edhe se, në këto fusha nuk i kishim ngjarë babait!. Ishte e mbeti kjo një nga brengat e thella të tij. Me kohë unë vetë kisha nisur ta kuptoja e ta përjetoja brengën e babait që kisha mbetur larg botës së librit, thellë- thellë ndjeja se diç duhet të bëja, qoftë edhe për hatër të dhimbjes së tij, por, shpejt bëhesha esëll, më dukej e vështirë, madje guxim i marrë, të kuturisja e të trokisja në ato dyert. Vala e emigrimeve të mëdha pas 1991-shit më mori edhe mua me vehte. Provova, si mijra të tjerë, ta gjej të mirën nëpër Greqi, për një farë periudhe u ngula në Korfuz, ku doemos, Plakun e Moçëm të Palajve do ta merrnim me vehte e do ta mbanim në pëllembë të dorës.A mahnitja kur ai, tashmë drejt të 100-ave, pa u rehatuar mirë, hapi radhorët e letrat e nisi vjershërimet, a malli që më brente e që ma sillte çdo çast era e brigjeve të vendlindjes karshi, a meraku për ç’kisha lënë pas, shokë miq, mikesha, kujtime, a oh-et e ah-et, rropatjet e brengat e shokëve e miqve të mij emigrantë, - këto e të tjera si këto, nuk dij si më shtynë e si më ngjallën një eliksir që më përvëlonte e s’rrija dot pa e hedhur në letër. Një ditë ai m’i kishte gjetur vjershërimet e mia atje ku i kisha hedhur dhe e gjeta të përlotur e të lumtur.”Po, Po, tha, mundesh Kurrë nuk është von ...” Veç mbështetjes për ato që kisha nisur të shkruaja, arrita një të drejtë tjetër të madhe : më dha të lexoja dorëshkrimet e tij të fundit! Një tufë vjershash a fragmente poemi, shkruar me pathos e me nostalgji për rrugën e gjatë të jetës së tij, të parë .. nga lartësia e mbi 95 vjetëve.. Pikërisht këto dorëshkrime të tij, shkruar kohë më parë në Qeparo, pasuruar e freskuar në ditët e Korfuzit, mora të parat në duar pas vdekjes së tij. I kopjova e rendita fjalë më fjalë në kompjuter dhe ua dërgova në shënjë mirnjohjeje e malli gjithë atyre që na kishin ngushëlluar e lehtësuar dhimbjet .I shtyrë nga pritja shumë e ngrohtë e lexuesave të internetit, i shtova djersën dhe orët e punës në vendin e ri të emigrimit, në SHBA, për të mundësuar edhe financjarisht, botimin në një libër më vete të një pjese të krijimtarisë së tij. Frut i kësaj ishte botimi i librit “Afër Fundit ç’po Shikoj”, ( Tiranë, 2003). Pritja ishte më e ngrohtë, më entusiaste dhe më frymëzuese se ç’e kisha menduar. Kjo dhe kërkesa të shumta nga bashkëpatriotë, ish nxënës, njohës, miq e dashamirës të Janko Palit, më shtynë e më obliguan të vijoja me nxjerrjen nga arkivi familjar, pregatitjen dhe botimin e njëpasnjëshëm të librave “ Historia e Qeparoit” (2003), “Neço Muko-Feniksi i Himarës” (2004), “Historia e Shkollës së Qeparoit“ (2008), përveç dhjetra poezive, shënimeve historike, përkthimeve, etj të J.Palit, publikuar në sajtet e internetit. Përmenda më sipër për atë vërshim letrash, telegramesh e mesazhesh ngushëlluese që na shoqëruan e na lehtësuan në ditët kur ai mbylli sytë.Shumë herë më i madh, si tematikë, si domethënie e si gjeografi, ishte dhe është sot e kësaj dite vërshimi i mesazheve, përshëndetjeve, analizave, gjykimeve e përgjithësimeve që kanë shoqëruar daljen në qarkullim të secilit libër me krijime e studime të tij.Kanë shkruar e shkruajnë për veprën e tij e, përmes saj edhe për jetën, karakterin e portretin e tij, jo vetëm qeparotas, bregas a vlonjatë, jo vetëm ish nxënës e të njohur të tij, por lexues të thjeshtë e autorë të nderuar, kudo që ndodhen e punojnë, brenda hapsirave shqiptare, e nga të gjitha anët e rruzullit, ku i ka çuar fati e përpjekja për jetën. Gjithë kjo krijimtari e vyer dhe e sinqertë, jo vetëm i bën nder dhe e përjetëson figurën dhe veprën e Janko Palit, por dhe e analizon, e zbërthen, e bën më të kapshme e më të kuptueshme në çdo dimension e element të saj. Ajo është vetvetiu pjesë e vyer e fondit krijues të Janko Palit dhe e biografisë së tij. Tani që nxorra nga fletoret e vjetra fjalë për fjalë dhe po bëj gati për botim një nga dorëshkrimet meë të vyera të Janko Palit, autobiografiinë e tij, e quaj jo vetëm gjest mirënjohjeje, por edhe element të domosdoshëm e organik, përfshirjen në këtë botim të mesazheve, përshendetjeve, analizave, recensave, kujtimeve, poezive, mbresave të shkruara nga të tjerët për veprën dhe figurën e Janko Palit.Gjithmonë këtyre njerzve, kushdo që janë e kudo që janë, u kam qënë e u mbetem mirënjohës për jetë. Tani, në rastin e pregatitjes për botim të Autobiografisë së J.Palit, u jam, përveç mirënjohës, edhe borxhli sa s’ka më: me analizat, gjykimet, zbërthimet, evidentimin e vlerave, etj., ata më çlirojnë mua nga detyrimi e sikleti i kuptueshëm për t’u futur në lartësimin e figurës e të veprës që po i paraqes lexuesit.Më mirë, më qartë, më me kompetencë, plot kuptim e hijeshi, plot dritë e vërtetësi, si i kanë thënë ata ato c’duhen thënë për raste të tilla, nuk mund ta bëja dot unë. I çliruar, pra, mrekullisht nga ky detyrim, që hera herës më dukej se do të më vinte në pozitat e “konfliktit të interesit”, e quaj me vënd që në këtë përcjellje për botim, të qartësoj e të prek edhe disa momente e aspekte të jetës e të veprës së Janko Palit, të natyrës e të sjelljeve të tij, të cilat ai vetë nuk mund t’i përfshinte në autobiografinë e tij, kurse të tjerët nuk kishte si t’i dinin në detaje. Unë, në pozicionin e pregatitësit për botim, jam përpjekur me kujdes dhe me maturi, të ekspozoj atë që është në fletoret e radhorët e tij, pa ndryshuar e pa prekur asgjë, si në përmbajtje edhe në formë. Materialet e tij të shkruara janë të një cilësië tepër rigoroze, të kontrolluara e metrike, gramatikore, drejtshkrimore etj. Ai nuk i lejonte vetes që dikush më mbrapa të hiqte nga shënimet, letrat, analizat e krijimet e tij qoftë edhe ndonjë frazë a paragraf. Kështu ndodhte dhe me përkthimet që bënte, një fjalë mund ta kërkonte e ta kthente në disa gjuhë sa t’i gjente përshtatjen në shqip, ose anasjelltas, duke shfletuar dhjetra fjalorë e manualë gjuhësorë.. Ai punoi i saktë, i kompletuar, nuk kish kufi kohor kur shkruante e punonte. Prej dekadash ai raciononte kohën dhe asnjë minutë nuk ikte pa produkt. Kështu derisa vdiq. Edhe kur ishte shumë i plakur, as ne, fëmijët e tij, por dhe asnjë qeparotas nuk e pa me tespije në dorë, veçse me laps e me letër, me libër në duar e nëpër çanta, në xhepa xhaketash, e kudo me fjalor të vegjël nëpër duar. Është ky një realitet që s’mund të mohohet.Qeparotasi në çdo kohë e dëshmon këtë të vërtetë të jetës së Janko Palit.. Ai doli në pension si arsimtar e mësimdhënës, në vitin 1964, kur qe plot 67 vjeç, dmth, 12 vjet më mbrapa moshës 55 vjeçare, që, sipas kodit të punës së asaj kohe, ishte mosha e daljes në pension. Ky privilegj ju bë me vendim të posaçëm nga seksioni i arsimit dhe drejtoria didaktike e Rrethit Vlorë. Të themi se kishin nevojë për mësuesa, kjo nuk qëndron, jo vetëm se po atë vit, ose më parë e më më pas, dolën në pension dhjetra mësues nga rrethi ynë e nga gjithë vendi, që kishin mbushur moshën kufi, por edhe për faktin se ato vite shkollat e mesme pedagogjike, Institutet dhe Fakultetet e Universitetit, nxirrnin çdo vit kontigjente të tëra me mësues të rij, të të gjitha profileve. Në një seminar të organizuar në Vlorë për arsimin, me të dërguar të ministrisë përkatëse, im atë mbajti një kumtesë, e cila u vlerësua shumë. Nga kjo gjetën rastin shumë mësues në prag të moshës për pension, të thoshin se, ishte në të mirë të edukimit, të rrinin akoma në mësimdhënie dhe për këtë merrnin si argument e si shëmbull rastin e Janko Palit, që po e mbani gjatë në arsim.Në të vërtetë ai mbahej në detyrë për aftësitë e veçanta si edukator e mësimdhënës, për përvojën e gjatë e të vyer, për prirjet organizative e drejtuese, për gjuhën e veçantë të komunikimit me nxënësit dhe me njerëzit në tërësi.Mbahej aq gjatë në detyrë sepse prej dekadash ishte kthyer në një lloj simboli të shkollës së konsoliduar shqipe, si fytyra e aftë e rigoroze e saj. Kur doli në pesion, pas 37 vjet mësimdhënie, thoshte: “tani nuk e kuptoj dot jetën pa zhurmën e nxënësve”. Për këtë jetë e për këtë zhurmë nxënësish, ai, në kulm të rinisë, preferoi të lerë Parisin drita shumë e të kthehej në Qepronë me çirak e fener, i ndërgjegjshëm e i vullnetshëm se drita e diturisë, e shkollës, e arsimimit do ta nxirrte vendin nga prapambetja e injoranca e do t’i hapte udhët e mëdha të zhvillimit e të lirisë. Këtij qëllimi të lartë i kushtoi të gjitha forcat dhe gjithë jetën e tij të gjatë. Nuk është pa interes e pa vlerë të themi këtu si e ndërtonte dhe e kalonte një ditë pune ky njeri: Për çdo ditë, në muaj, vjet e dekada, çohej shumë shpejt, nga ora 5.30 e mëngjesit, në çdo kohë, në çdo mot, cingor, ftotë, shi dëborë, vapë, kudo ku ishte, - në fshat, në hotel, në Vlorë, tek ne fëmijët e tij, - do ishte para çezmës, mosllukut, llastikut, kanaçes dhe lante kokën me ujë të ftohtë me shkumë nga mezi e lart për ditë, dhe asnjë ditë nuk harronte pa larë mirë e fort dhëmbët, në mëngjes dhe në mbrëmje, (kur qe periudha e portokalleve a limonave,m çdo ditë pinte një gotë me lëngun e tyre, në mëngjes, për sa kohë qenë ato, para se të bënte xhiron e mëngjesit)…Ndërrohej çdo ditë me ndërresa të lara, të hekurosura e të pastra, qysh nga çorapet e në vazhdim, këmishë, kostum, kollaro. Këto veprime i bënte me shumë kujdes edhe shpejt, si ushtarak, dhe gjithmonë mbahej e vishej më bukur se e djeshmja, gjë që e shprehte shpesh edhe me ne, për dembelizmin tonë, në të veshur ose në veprime. Dilte nga shtëpia nga ora 6.15 dhe përshkonte një rrugë të gjatë deri gati 5 km, në kufi me Borshin karshi detit, në ajër të pastër, të përzier mal edhe det, në “Kundruall*”, (toponim karshi fshatit me një horizont pa kufi mal, det, ishujt e grekut…përballë) .Atje quhet edhe vendi “Potoni i mësuesit”, tip shpellë e vogël që të mos e zinte era, e rregulluar më së miri nga dora e tij, që ruhet edhe sot dhe asnjë nuk i ka heqë ndonjë gur, se…ishte vendi i shenjtë, i orëve të tëra të mësuesit, që lexonte në atë mrekulli panorameske. Ai që bir i vendit më të mrekullueshëm të botës, Qeparoit, dhe ai e shijonte atë! Përsa kohë ishte mësues, kthehej dhe, në orën tetë pa çerek, ishte në shkollë, përsëri pasi kish nderuar kanatjere e ndërresa, rregullohej, pinte kafen e mëngjesit dhe në orën e caktuar shkolla qe e rreshtuar dhe klasat, mësuesit, ishin gati t’i paraqisnin këtij njeriu, rregullsinë që kishte kultivuar dhe mbjellur me punën dhe sakrificat e tij, ndër vite. Kush nga mijëra nxënës, nuk kujton rrjeshtimin “ushtarak” të klasave të 7 vjeçares së Qeparoit !Mëngjeseve, të ishin të ftohta, me shi a dëborë, ose vapë, bëhej përshendetja nga komandanti i çetës, dhe çdo mësues, mbasi paraqitej në drejtori ku merrte regjistrin, shpërndahej nëpër klasa. Fillonte mësim-dhënia dhe asnjë zhurmë nuk ndihej rreth oborrit të gjelbëruar të asaj shkolle model, që, me sakrificat e mësuesave, me një disiplinë të fortë, me fondet e tyre, krijuan ambjente fiskulturore e sportive që as shkollat e qytetit nuk i kishin në atë kohë. Zilja e shkollës, me orarët fikse, ishte dhe orë për fshatarët, që s’e kishin një të tillë në shtëpitë e tyre. Nënat tona, përmes ziles së shkollës, e dinin kur qe ora e parë, e dytë ,e tretë dhe mbi bazën e saj, ndërtonin rendin e punëve të tyre të ditës. Shkolla që busulla për lindjen e të resë! Nga puna model e këtij njeriu, nga dokumentacioni i shkollës, praktika, nga AMZA e çdo viti, e shkrojtur dhe e ruajtur si dokument historik, ishte krijuar një fond i pasur dokumentar, i cili, sidomos më pas, do t’i vlente shumë shkollës dhe fshatit.Kaluan vite e dekada dhe ajo Amzë dhjetra vjeçare erdhi dita e u shërbeu njerëzve, ish nxënës, për të fiksuar datat e shkollimit, të largimit nga fshati, të punesiimit, të fitimit të pensionit, etj .Është kjo një histori më vete, të cilën J.Pali e ka lenë të shkrojtur, të mbushur me fakte, argumente e dëshmi te shumëllojshme. Çdo vit bënte fotografi sipas klasave, si në fillim dhe në përfundimin e vitit shkollor.Para një aparati fotografik në formë kubi dhe një aparati me ekran si fizarmonike, sjellë prej tij nga Franca më 1928, vit kur filloi edhe mësuesinë në fshat, pozuan me mijëra fëmijë nëpër breza dhe mësuesit e tyre, poza të cilat ruhen edhe sot nga nxënësit dhe nga ne (disa), brez pas brezi e klasë mbas klase Me këtë rregull, disiplinë e rrjedhshmëri vazhdonte mësimi. Dhe, për çudi, me vite asnjë fëmijë nuk endej rrugëve të fshatit, se kishte pasoja, me shumë forma e metoda pedagogjish…, të këshillës, të fjalës, të urtësisë, por edhe të ndëshkimit. Po të shiheshin në rrugë, fëmijët të nesërmen do të çoheshin në mësim në çdo lëndë…Kështu edhe duhej të mësoheshin me forma të tilla, por edhe të mos humbnin kohën e studimit kot. Asnjë fëmijë për vite nuk shkonte të blente qoftë dhe një shkrepëse nëpër kafenera se…të nesërmen qe në dërrasën e zezë…E kështu iknin vitet. Vinte në shtëpi, pika e parë lante duart, ndërrohej, vishte bizhamat, hante drekë, qetësohej shtrirë në krevat një orë, as më pak e as më shumë, mandej ngulej rreth një orë tjetër mbi telat e mandolinës a kitarës. Ai i zotronte këto vegla muzikore që nga koha e rinisë në Francë dhe, nëpërmjet notash e pentagramesh muzikore, ai ka sajime dhe krijime muzikore, të bëra vetë në atë shkallë sa të kënaqte dëshirat e vetvetes. Manualë të tërë muzikorë kishte sjellë nga Franca, dhe dinte të zbërthente çdo lloj pentagrami, të çdo lloj muzike; me një fjalë, dinte gjuhën e notave dhe e lexonte atë..! Sa herë ndjente lodhje a mërzi, ishin pikërisht kitara dhe mandolina që qetësonin atë shpirt.E kishte kryer “këtë shkollë” në Paris, në miqësinë dhe shoqërinë e të madhit Neço Muko, miku më i afërt e më i dashur i tij dhe asnjëherë nuk i la mënjanë mësimet e saj.I dashuruar me muzikën, shumë nga materialet muzikore e letrare, melodi, tekste këngësh e pjesësh teatrale të shkollës ose të fshatit, kishin shpesh dhe autorësinë e tij. Shkollat e vendit, sidomos në vitet 30 e 40 të shekullit të kaluar, nuk njihnin instrumente, ndërkohë që nxënësit e Qeparoit, qysh në ato vite mësoheshin edhe me tingujt e mandolinës, të kitarës e të gramofonit të markës “PAFE”.E kush nuk e dëgjoi në ato vite të largëta mësuesin dhe tingujt e mandolinës së tij, që përhapeshin embël, bashkë me aromën e limonit e portokalleve, rrugëve e hapsirave të fshatit!. Për dekada, pleq, plaka, burra, gra, të rinj e të reja, ndalonin hapat tek rrugica e kalldrëmtë e dëgjonin tek vinin ëmbëlisisht nga ballkoni i Palajve, tingujt e mandolinës magjike, të kitarës e të gramafonit, në koleksionin e pasur të pllakave të të cilit, zinin një vend nderi thuajse të gjitha këngët e Neço Mukos, Të Tefta Tashkos e të grupit të tyre të papërsëritshëm! E shoqëroi kjo Qeparoin qysh nga viti 1928 dhe deri në vitin 1990, kur... jo vetëm heshtën tingujt e mandolinës e nuk u ndien më zëra të bukur fëmijësh, sepse.. njerëzia iku drejt dherave të huaja e, bashkë me ta, edhe bardi plak, Janko Pali. Pasi linte mandolinën, pinte një kafe, përsëri të hollë e të ëmbël, (e cila nuk i mungoi asnjëherë tërë jetën, dhe në kohën e krizës, se kushdo do ruante një pako, po ta kërkonte mësuesi, po këtë më tepër e siguronte im vëlla, i cili për vite punoi në repartet mekanike të tregëtisë në qytetin e Vlorës, ku tregëtarët ishin nxënës të tij dhe ruanin respekt.), fillonte bënte ditarin dhe pregatitej për ditën e nesërme.Peshonte e parashikonte çdo gjë: -çfarë do shpjegonte, ç’ do kërkonte nga nxënësit, me një zbatim rigoroz të programit mësimor, gjë që e kërkonte dhe tek vartësit, edhe tek kolegët më pas, (natyrisht, si më i moshuar, ata e respektuan jo si koleg, por si prind dhe mësues i një plejade të tërë të bijve e bijave mësues qeparotas).Ishte autoritar e shumë i prerë, në asnjë kohë s’lejonte të neglizhohej mësimdhënia, të cilën e quante të shenjtë, si mjekët para betimit të Hipokratit. Ai kishte rëndësi në fjalë, autoritet, jo vetëm për nxënës e kolegë, ish nxënësit e tij pa përjashtim, por edhe për bashkëfshatarët, të cilët e respektonin në masë dhe e nderonin, si edhe ai ata. Kur hynte në kafene, rrallë natyrisht, i hapej vendi menjëherë, duke u çuar në këmbë për respekt, se thuajse të gjithë ishin nxënës të tij, që me kohë ishin bërë burra, baballarë e, gjer gjysha! Pasi përfundonte detyrat për mësimdhënien, plotësonte ditarin e ditës së nesërme, -kë nxënës do pyeste, përse do ta pyeste, përgjigjen që priste, bile kjo, e parashikuar në disa variante. I shënonte, i dokumentonte dhe i arshivonte të gjitha këto për çdo vit me kujdes e merak të veçantë dhe, një pjesë e mire e tyre, është e ruajtur edhe sot. Zyra, apo kabineti i tij i punës në shtëpi, ishte një dhomë me përmasa të zakonshme, me ballkon, paisur me tavolinë e sirtarë, me makinën e shkrimit më të djathtë, që nuk i mungoi gjithë jetën, (njërën, që kishte sjellë nga Franca, ja morën “me të drejtë kthimi “ partizanët për nevojat e luftës, por, me që maqina nuk u kthye më, mësuesi, me pensionin-ndihmë- që merrte nga Franca, siguroi një të re, e shkëlqyer, portative si dhe radion e dorës “AIWA”, që punonte edhe me korent dhe me bateri.Mbi tavolinë shikoje përherë stilografa, stilolapsa, bojë e penë, letër format, blloqe (radhorë) e fletore, të sistemuara mirë e bukur.Rrotull tyre, në sergjenë e suprina, ishin mandolina, kitara, gramofoni, kurse më tej ishte poltrona me zunkth, prodhim Egjipti.Të gjitha këto i tregonin çdo vizitori se këtu punon një intelektual i saktë dhe me mend. Kushdo që e shikonte atë zyrë të një mësues fshati, habitej e impresionohej, sepse ajo impononte respekt të thellë, qoftë edhe me pamjen e arrandimin e saj në nivel të lartë. Vizitorit i dukej se po hynte në një ambasadë të vendeve mike, ose në kabinetet e niveleve të larta në Tiranë, etj.U takon kjo viteve të errësirës, nga 1928 e disa dekada pas, se, kur erdhi drita elektrike e u përhapën ngado radiua e televizori, vetvetiu mjetet e mësuesit, -mandolina, gramafoni, radiua e dorës, më tepër po merrnin vlerën e relikeve, se funksioni i tyre tashmë kompesohej nga bumi i mediave audiovizuale. Por, siç thashë, kur nuk kish nga këto….të dëgjoje një tingull mandoline a melodi gramafoni në lartësitë e Qeparoit, të dukej se dikush po i binte lart nga hëna.. Kjo dhomë i shërbeu si kabinet pune me vite, krahas me dhomën tjetër, që ne e quanim “sallë”, se e tillë ishte. Nëpër raftet tip biblioteke me xham, dukeshin vëllimet e mirësistemur në bibliotekën madhore me mbi 4-5 mijë vëllime, të blera e të grumbulluara gjatë viteve, gjithëçka e rregjistruar me dorën e tij në një skedar sistematik, me ndihmën e të cilit, gjeje në çast një libër, një fletore që i duhej. Në një qosh të sallës vareshin reliket e familjes, -dy armë të gjata “karafil”, dy pisqolla të vjetra, dy shpata të gjata me këllëfe me dhëmbë elefanti në doreza, dy pisqolla dore të vogla, përdorur nga gjyshërit tanë në luftën e Lëkurësit, albume fotografish dhe të tematikave të tjera, koleksione kartolinash, revistash etj.Kur lejohej nga shteti ardhja e pakove dhe e dhuratave nga jashtë, Janko Palit i vinin La Rusë, fjalorë, enciklopedi, vëllime historike të kulturave botërore, pulla poste.Koleksioi i tij filatelik ishte me përmasa kombëtare, me seri të mirësistemuara, që pasurohej parreshtur me shkëmbime e huazime reciproke me të apasionuar të tjerë si nga vendi, ashtu edhe me miq nga gjithë bota, si miqtë e tij esperantistë. Korespondenca e tij ishte e madhe, gjer në kohën që e lejonte shteti se, më pas… letrat dhe miqësitë e mësuesit u ndërprenë, si për gjithë intelektualët shqiptarë. Asgjë e huaj s’duhej të hynte “në kështjellën tonë’”, bile edhe në det të gjejë një shishe bosh “coca- cole” e ta vije në bufe si send zbukurimi, më darkë thirreshe nga pushteti e operativi për sendin e gjetur nga “ideologjia” borgjeze. Të gjithë e mbajmë mend atë kohë që nuk zgjati pak vjet e la gjurmë, duke na mbyllur në kuvli, si…rrallë njerëz të tjerë në botë! Në këto ambjente pune të shtëpisë kaloi ai, për dekada me radhë, pjesën më të veçantë e më frutdhënëse të ditës së punës.Atje, siç thoshte vetë, ”edukatori edukonte veten”, atje e kanë zanafillën vargu i tërë me shkrime, studime, analiza, vëzhgime, fjalorë, të fushave më të ndryshme të dijes e kulturës. E kishte kënaqësi që, hera herës, të delte në verandën që kishim mbi oborr, nga ku hapej një peisazh maramendës, me pamjen e malit Gjivlash karshi, që reflektonte mbi të bukurin Jon .Gjethet e ullinjve, portokalleve e limonëve, të përhapur gjithandej, sillnin freski e jetë në atë vend shkëmbor. E donte shumë fshatin e lindjes e te jetës dhe shprehej se “kujt i pëlqen jeta dhe do të jetojë gjatë, të afrohet urgjent Qeparoit, atje do jetojë sa të dojë, por do t’i ketë bukuri edhe jeta, se je në erën tënde, në plehun tënd, në ujin tënd dhe në diellin tënd, dmth, je dhe jeton atje ku të është shkruar dhe atje ke fatin. Po u largove, mund të ndiesh kënaqësi momentale, kurse në vëndlindje është jeta deri në amëshim...”. Dashuria dhe lidhjet e tij me fshatin e bashkëfshatarët ishte shëmbullore.Ai i njihte të gjithë, të mëdhej e të vegjël, u dinte rrënjë e degë, i çmonte e u ndodhej pranë në gëzime e në halle.Ai nderonte trapezat e gëzimet; në dasma shpërthente, kërcente danc, vallëzonte çift si Europa, sepse ishte valltar dhe kërcimtar i rrallë. Në kohën kur analfabetizmi kish rrënjë të thella, ai në çdo muhabet të impononte ta dëgjoje me vëmendje; në vakira e vdekje të rënda, dinte se ç’duhej thënë e si duhej thënë, sa i zoti i shtëpisë, e donte për natë mësuesin të largonte sadopak ato ditë zie.Në fërkime e mërira të rastit mes njerit e tjetrit, ndërhynte me takt e urtësi, mbillte paqe e frymë komuniteti. Nuk mund të harrohen nga qeparotasit përkthimet prej tij të letrave që u vinin nga jashtë, vërtetimet, nxjerrja e pensioneve shumë fshatarëve që kishin punuar në vite minierave të Sent Etjenit. Pena e mendja e mësuesit ishin si zyrë bamirësie për këdo. Mbasditeve delte bënte një xhiro në qendër “Qafe”, ku takohej e përshëndeste bashkëfshatarët, që ktheheshin nga puna, i pyeste si kaluan, a u lodhën, a u lagën. Shumë prej tyre e ftonin të pinte ndonjë kafe, kur kish kohë edhe ulej me ta, po përherë e quante kohë të humbur kafenenë, ndaj largohej shpejt me ndonjë mësues a shok tjetër më të ri a më plak dhe bënte xhiron e mbrëmjes deri tek “Udha e re”, ( fshati përballë) .Ishte i përpiktë në këtë shëtitje, e kishte pjesëz organike të ditës së tij dhe, kur e shikonin buzë mbrëmjes, të shoqëruar që bënte xhiro, gratë e nënat tona thoshin: “...ja, vate ora 7, 30 se doli mësuesi…për xhiron e mbrëmjes...” Pasi kthehej nga shetitja e mbrëmjes, merrte stilografin ose maqinën e shkrimit dhe vijonte punën e tij krijuese e studimore, shkruante e rishkruante, redaktonte, sistemonte temat e materialet e ndryshme që ishin pasioni i jetës së tij. Ndërkohë, qoftë për çlodhje e shmpirje të trupit, por edhe për kënaqësi e shëndet, u kthehej punëve “të vogla” :- krasiste pemë e hardhi, bënte shartime, kujdesej për lulet që mbushnin oborrin, riparonte një mur a një gardh, suvatonte, lyente.Që nga fëmijria e hershëme, por sidomos nga vitet e emigrimit e të punës në Greqi e Francë, i ishte rrënjosur dashuria për llojlloj mjeshtërish e për veglat e punës dhe, me kohë, këto ishin kthyer në një hobi të tij.Tingëllon e çuditshme, por fakt ështëë se ky mësues, nga duart e të cilit nëpër dekada, kishin marrë dijet e spuntot e para personalitete të së ardhmes- ministra, qeveritarë, oficerë, mjekë, inxhinjerë, avokatë, pilotë, profesorë, arsimtarë, etj, ishte ndërkohë edhe një zanatçi i pasionuar, i aftë, politeknik. Ai dinte të bënte mur guri, suvatime, të sajonte saçe, të qepte opinga, të bënte dritare, bucela. Qeparotasi e ka parë atë edhe duke punuar në kudhër si kovaç, edhe duke bërë riparime mekanike me mandravidha e lloj-lloj veglash. Në shtëpinë e mësuesit, po të kërkoje, do të gjeje një mori të terë vegla pune, qysh nga zdrukthi, çekanët e llojeve të ndryshme, mistri, gërsherë, nivelatorë, pinca, turjela, kacavida, hekur këpucësh, fëndyella për qepje, lloje limash, paisje për ngjitje me kallaj e, plot vegla të tjera. Çdo gjë ishte e mirëmagazinuar sipas reparteve, në “patar” a nën të, (emër ky i ardhur ndoshta nga Franca, një lloj dollapi me rafte ku vendoseshin veglat e punës).Pasionin e tij për zanatet e veglat e punës ai përherë mundohej t’ua transmetonte e edukonte edhe fëmijve të shkollës, bile duke filluar që nga klasat e ulta. U mësonte nxënësve punë dore, si të ndërtonin, si të qepnin shollë, si të krasitnin, si të bënin gurgdhëndësin, zdrukëtarin. Shoferë, mekanikë e mjeshtra të tjerë kujtojnë edhe sot se dashurinë e hapat e para në zanate i kishin marrë që në fillore nga mësues Jankua. Qysh para elektrifikimit kishte sajuar zile te porta e madhe dhe, kur tringëllonte zilja e oborrit, thoshim se, korjeri a ndonjë nga këshilli, po sjell mysafirin e radhës për t’u bujtur e për ta sajdisur.Sepse, më mirë se tek mësuesi, ku mund të strehohej në ato vite mysafiri dhe punonjësi i shtetit, kur vinin për mbledhje a kontroll, në arsim, kulturë, a ndonjë propagandist.Në Palaj kushdo prekte qytetarinë. Atje hahej bukë në tavolinë, me servisë e pecetë, s’mungonin lugët, pirunët, thikat, pjatat e porcelanit të ardhura përtej detesh, apo çinijtë (kabashet) prej qelqi e prej bakri të kallaisura, relike dhe moderne, ku servirej vera, e cila gjithnjë shoqëronte tavolinën. Pa dashur të largohem nga tema, kujtoj se, në një ditë pune të mësuesit, ishte bërë zakon që në mbrëmje të dëgjonte për gjysëm ore radion, të cilën s’e ndau gjithë jetën. Mbyllej në një dhomë, me grilat dhe dritaret ulur dhe lëvizte nëpër tastjerën e ekranit të vogël nëpër stacionet e më se 9-10 gjuhëve të huaja.. Mundohej e ruhej të ishte sa më diskret në këtë “passion të ndaluar” prej ligjeve të kohës, ...dhe nga njëherë kryetari i këshillit, një njeri i mirë e babaxhan, që e respektonte vazhdimisht, si me shaka i thoshte “o..mësues “ule” një çike atë zërin e radios…se na shurdhove…”. Kuptohet, dikujt ndofta i kishin zënë veshët ndonjë fjalë a sinjal të radiove në gjuhë të huaja dhe kjo mund të bëhej problem, sidomos nga elementë shpirt vegjël e hafije, që detyrë kishin të përgjonin e të raportonin.Por fakt është se bashkëfshatarët, bujq apo zanatçij, nxënës, oficerë, mësuesa apo nëpunës lokalë, edhe pse e dinin “pasionin e fshehtë të barba Jankos”, e mbrojtën figurën dhe emrin e mirë të tij.. Pavarëisht vlerave e sjelljes së tij të pjekur e galante, asnjëherë, në të gjitha regjimet që kaloi, nuk ju ndanë përpalsjet, fërkimet e rreziqet, ato që ai në autobiografi i quan “luftrat e jetës”. Kishte nga ata mëndjengushtë që i tërhiqnin veshin, për sjelljen dhe paraqitjen “ perëndimore “, nga që dilte më kostum, me kapardinë e me borselinë nëpër fshat..Hezitimi më se normal e njerëzor për të mos iu përgjigjur flakë më flakë thirrjes së partisë për të hyrë në kooperativën bujqësore, ju muarr aq për keq sa e hoqën nga krye-mësues, bile pati zëra ta hiqnin fare nga arsimi, ose ta transferonin në Kuç a gjetkë. Për ironi e marri të kohës, më 1959 e zbresin nga makina në mënyrë fyese, me urdhër të sigurimsave, që të mos merrte pjesë në mitungun popullor kur Nikita Hrushovi vizitoi Vlorën…sepse, sipas trushkulurve, me kostumin, kullaron e barsolinën si qe nisur nga Qeparoi, ngjante “si perëndimor” dhe mund të na infektonte Vlorën me modën “dekadente” perëndimore!! Pak më pas, aty nga vitet 1963-1964, u organizua një diskreditim publik e i turpshëm ndaj disa pleqve në fshat.Këta burra të nderuar, ish mërgimtarë, të kthyer nga kurbeti, -Franca, Egjipti, Greqia, Anglia, - i rrjeshtoi pushteti në një gjyq shëmbullor brenda në kishën e fshatit ende të pashkatërruar, me akuzën se gjoja donin të bënin “kundër-revolucion” për të mbështetur Grekun që...të rrëzonte qeverrinë e Hoxhës.!!.Atje u aludua dhe ju hoq rëndë veshi, nën kërcënimin e sigurimsave, edhe mësuesit… po floriri nuk prodhoset, sado baltë të hedhësh mbi të. Mësuesit ju vu në dukje se ishte shprehur në mes “miqsh” për E.Hoxhën :”…po ky dreq, edhe me rusët e prishi, me kë të paudhë do rrojë tani ??…Dhe ujku që është ujk, vetëm nuk jeton”..Kjo shprehje e të tjera, të shtuara e të fryra, e rëndonin dh e tkurrnin thellë zemrën e mësuesit. Me kalimin e moshës, nën të tilla trysni, sidomos pas daljes në pension, mësuesi ndërroi rregullin dhe orarin e veprimeve. Dalja në pension i dha mundësi më të mëdha për të punuar e krijuar, por edhe xhiron karakteristike, që më parë e bënte deri në “Kundruall”, tani e zgjaste drejt Borshit, ”Lemenjërave” dhe, hera herës, ngjitej në majë të malit, ku Qeparoi ka rrënjët e tij shekullore, në kuotën 320 metra mbi det.Ishte koha kur shihte e rishihte historinë e lashtë e të re të fshatit, vëzhgonte, hapte libra e enciklopedi, gërmonte, gjykonte e pastaj, kthehej në kabinetin e punës e i derdhte në letër.Kështu me një bastun në dorë, republikën në kokë e xhaketën në dorë, me kurriz pak sa të krrusur, vazhdoi për vite të tëra odisenë për të shijuar e çuar gjer në fund jetën e tij të gjatë. Shkroi, punoi, sistemoi, ndoqi me pasionin e të riut dhe urtësinë e plakut ndryshimet e thella që përfshinë vendin dhe, në vitin 1990-94, erdhi me ne në Korfuz, ku megjithëse mbi 90 vjeçar, vazhdoi të shkruarat, - Epope, Meditime, Ikja e sforcuar nga vendi, të shprehura në vargje plot freski e mesazhe jetësore. Edhe në ishull xhiron e përditëshme me gazetë në dorë nuk e la. I binte Korfuzit vërdallë çdo ditë me 5-6 km rrugë që i përshkonte mëngjezeve dhe rregullisht. Kur kishte kohë të keqe dhe nuk mundësohej dalja nga shtëpia, për moshën që kishte, xhiron e bënte në koridorin e shtëpisë të një njeriut tone, ku rrinim në kohën e emigracionit. Përshkonte koridorin e gjatë që ishte 17 ml, pesëdhjet herë vajtje dhe pesëdhjet herë ardhje, baras këto me 1.7 km. çdo ditë, dhe, kur vinte ndonjë vizitor a i afërt, nuk e linte pa përfunduar xhiron, e përshëndeste mysafirin dhe i thosh më të ëmbël e më të qeshur: “të lutem, futi brenda të mos ngatërroj…numurimin” ..Po afronte dita që numurimi të merrte fund. ... U shtrua në spital me 4 shtator 1994 dhe gjatë ditëve atje, me gazetën greke në dorë lexonte lajmet e zgjidhte kriptograme nga greqishtja e vjetër, sa mjekët e Korfuzit çuditeshin me mendjen, dijet dhe vullnetin e tij. Më 11 shtator e nxorrëm nga spitali ku ju bënë të gjitha shërbimet nga ne të gjithë ,- nipër, mbesa, djem, miq dhe shokë. Më12 shtator 1994, në oraën 24, 00, përfundimisht mbylli sytë babai dhe mësuesi im, për të cilin, në këtë paraqitje, jam i bindur se nuk hodha dot morinë e detajeve pa fund të jetës e të veprës së tij. Vdekja e tij fizike nuk e ndau nga ne; ai jeton se ka lënë dritën e mençurinë e mendjes së tij, këtë kapital letrar e studimor që përpiqemi ne, tre djemtë e tij, me nipa e mbesa, me kursimet e familjeve tona, pa na ndihmuar kush, ta bëjmë të njohur për njerëzit tanë, për fshatin e më gjerë. Ardhja e Demokracisë, e nderoi qysh në vitin 1991 me titullin e lartë “Mësues i Merituar”, nga të rrallët në krahinën e Himarës.K/pleqësia Demokrate, Këshilli bashkiak Himarë me miratimin e Vlorës vendosi që shkollës së re në Fushë Qeparo t’i jepet emri “Shkolla 8 vjeçare JANKO LL PALI, Mësues i Merituar”, emër të cilin shkolla e mbajti deri më 1997, duke rregjistruar e ruajtur çdo dokument e dëftesë, praktikë e korespodencë. Por, me ardhjen e pushtetarëve të rij, pas rotacionit të 1997-ës , emri i kësaj shkolle… nuk përmendet më me emrin e tij! Koha dhe brezat do gjykojnë! Ishte nder e kënaqësi për ne, fëmijët e tij, qeparotasit e Bregasit, kur vitin e kaluar, organet e pushtetit në Vlorë e lartësuan emrin e veprën e tij me medaljen “ Nderi i Vlorës”. E nderuar qoftë Vlora që nderon e përkujton bijtë e saj të devotshëm të të gjitha kohëve, mes tyre, edhe bregasin e paharruar, Janko Ll.Pali. Prej vitesh ai prehet i qetë në baltën e Qeparoit, ku varri i tij ka një veçanti: mbi pllakë ka të vizatuar një libër, një fletore të hapur, një penë e bojë dhe …një A, B, C ! ..Në se ka jetë më pas... ai është duke dhënë mësim në përjetësi! Petraq J Pali Virxhinia USA, Maj 2011
Posted on: Thu, 28 Nov 2013 02:19:11 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015