Jeteshkrim Janko PALI ne Luftrat e Jetes (...Vazhdim - TopicsExpress



          

Jeteshkrim Janko PALI ne Luftrat e Jetes (...Vazhdim ) MËSUES DHE DREJTUES ARSIMI NË ZONËN E BREGUT DHE NË VLORË. (shtator 1944 – 1964 ) Vendi ynë i çliruar nga armiku qysh më 29 nëndor 1944, ndodhet i shkatërruar dhe pushteti i ri, i ngritur gjatë luftës Nac. Çlirimtare, si këshillë me atë emër, ndodhej përpara problemesh të shumta e të ngatërruara, probleme që interesojnë të gjitha sektorët e jetës shoqërore, ekonomike, kulturale etj. etj.! Një nga problemet që u kap nga të parat e përpara se të dëboheshin armiqtë nga vendi, ka qenë ai i arsimit dhe i shkollave. Për këtë, qysh në gusht të 1944 u mblodh në Korçë kongresi i Arsimit dhe aty u caktuan vijat që do të ndiqeshin paskëtaj, për të shpurë përpara edukimin dhe kulturën e popullsisë, e cila mjaft kish pasë vuar nga padituria e injoranca gjatë rregjimeve antipopullore të para. Mungonin shkolla, lokale, tekste, fletore po dhe orendi, me një fjalë, të gjitha sa duheshin që populli të mirrte arësim e dituri! Për vete jetoj i qetë (!) në fshat deri në ditët e fundit të gushtit dhe në shtator (1944) më vjen emërimi nga Vlora si mësues në Fratar të Mallakastrës… Këtë nuk e prisja dhe revoltohem kundër atij vendimi jo të drejtë. Ankohem për atë padrejtësi me atë transferim të largët dhe kërkoj të shqyrtohet çështja ime dhe të afrohem diku më pranë familjes, se ishim ende në ndeshje me armikun, i cili nuk i kishte hedhur përfundimisht armët. Mirëpo titullari i K.P. të Qarkut, me qendër në Ramicë, nuk puqet askund me mendimin tim dhe më ve para përgjegjësisë në rast mos paraqitje në krye të detyrës sa më parë! Urdhërat e lëshuara përforcoheshin edhe nga një farë të gjymtuari, që qëndronte asi kohe në Këshillin e Lokalitetit dhe detyrohem t’u bindem, po njëkohësisht kërkoj transferimin tim si arsimtar në qarkun e Gjirokastrës, me një kërkesë dorazi shokut M.L, aso kohe përgjegjës për arsimin në Kurveleshin e Poshtëm. Duke u paraqitur në Ramicë, përpara autoriteteve të Qarkut, ankohem për trajtimin që më bëhej, në veçanti nga të gjithë shokët, të cilët, dhe ata si unë, i pati karakterizuar sedentarisma dhe s’kishin hedhur ndonjë çap më tutje se unë. Ankesa ime u gjet e drejtë prej Komisarit të Këshillit, P. I, i cili dhe më lejoi të kthehem përsëri në fshat, gjersa të shoshitej çështja. Po në atë kohë e sipër, njoftohem se kërkesa u pranua dhe emërohem në katundin Piqeras të Sarandës, ku ushtroj detyrën për një tremujor me baza vullnetare e pa shpërblim! (Tetor Dhjetor 1944). Po prapë nuk isha i kënaqur dhe, përsëri kërkoj të kthehem në Vlorë, ndërkohë që Saranda më heq nga Piqerasi dhe më porosit të shkoj të çel një shkollë të re në Sasaj. Këtë detyrë nuk e përmbusha, sepse në atë kohë e sipër, pranohem si pedagog në kuadrin arsimor të Vlorës, me përgjegjës D.K. Dërgohem mëues në Selenicë të serës e shërbej aty tepricën e kohës, (Shkurt-Qershor 1945). Qëndrimi në atë fshat të lenë në prapambetje, më nxiti të punoj për përshkrimin e tij, për zakonet e vendësve dhe rreth sa shihja a dëgjoja. Kam në fletoret e mia 22, 23, 24, një përshkrim të gjatë, të gjallë dhe realist të jetës sime aty dhe gjitha ato në formë vargjesh me rimë, qeë më ka pëlqyer të bëj. Mbaroj aty vitin shkollor dhe gatitem të kthehem shtëpisë, po mbasi shkolla e katundit Vuno nuk kish funksionuar, se lokali ishte djegur bashkë me fshatin dhe fëmijët patën humbur një vit shkollor, u mendua të punohej gjatë verës me fëmijët dhe të rekuperohej koha e humbur. Caktohem aty me dëshirën time, bashkë me të ndjerin I.M, nga Himara dhe N.K, nga vetë Vunoi dhe bëjmë që nxënësit, brenda asaj kohe, të marrin klasën d.m.th. qëllimi u arrit, ndonëse ne të tre nuk pamë pushim vjetor e as rrogë atë vit (1945) . Gjatë kësaj vere dhe pikërisht më 18 gusht më vdes e ndjera nënë, pas një sëmundje të shkurtër pleqërie në moshën 83 vjeçe ! Më hidhëroi fort e mjera, se iku me brengat e një jete plot rropatje, po edhe atë kisha njohur si babë dhe si nënë, nga që isha jetim …, pa babë! Me ardhjen e vjeshtës dhe me shpalljen e kuadrit, për dëshpërimin e madh timin, emërohem mësues në katundin Kudhës, po detyrohem dhe shërbej aty për një tremujor, deri në ditët e para të Dhjetorit 1945, kur u bënë zgjedhjet dhe Himara votoi kundër. Fshati ynë, përkundrazi, tepër konsekuent, nuk diti rrugë tjetër, por qysh kur i pat dhënë fjalën Dr. Ibrahim Dervishit se ishte me Frontin, nuk mund të bënte të kundërtën, që është karakteristikë e njerëzve të lodhur, që s’kanë asnjë perspektivë, dhe ndihen të mundur. Himarjotët në votimet e 2 Dhjetorit bënë një gjest që bëri shumë përshtypje, si gjest armiku dhe kur S.K. erdhi në Qeparo, u ndodh dikush dhe i kërkuan që të më bëhej trasferimi për në fshat, se fëmijët kishin nevojë për mësues të mirë. Duket se puna ime gëzonte një farë çmimi në opinionin publik dhe kërkesa u miratua lehtë. Më 6 dhjetor iki nga Kudhësi dhe kthehem në Qeparo dhe në vendin tim shkoi TH.P. që ishte arsimtar i emëruar rishtas. E mbaroj aty vitin shkollor dhe në vjeshtë, me çeljen e Komitetit të Rrethit në Vlorë, mbasi gjatë verës, bashkë me K.Dh., bëra matjen e tokave të fshatit tonë, duke bredhur 15 a 20 ditë nëpër gjithë territorin e tij! Shkoj së fundi në Komitet dhe shërbej aty si Inspektor arësimi me përgjegjës H.P., Q.Th., R.R., dhe E.Ab., për afër pesë vjet. Mora në fillim si sektor atë të Mallakastrës, pra atë të Labërisë minus Kuçin, mandej të Myzeqesë, dhe së fundi, të Himarës. Brodha tërë ato kohë fshat me fshat e shkollë më shkollë për të vënë në vijë krejt punën e arsimit e mbi baza të reja, mbasi nuk kishim vetëm mungesa të mëdha në sendet objektive, që nga lokali tek shkumësi, po edhe mungesa të theksuara në përbërjen e personelit edukator se, për nevojat e kohës, ishin emëruar dhe emëroheshin mësues edhe do të rinj, që nuk kishin as edhe një dokument që të justifikonte studimet e larmishme të tyre, gjë që i bënte ata të mos ishin në lartësinë e duhur për t’i bërë ballë sado pak mirë detyrës që kishin marrë përsipër, të edukonin fëmijët e popullit! Detyrohem pra, të kaloj shkollat një nga një, të punoj me mësuesit, të marr klasat në kontroll dhe të lë porosi me shkrim për mbarëvajtjen e shkollës me të gjitha pikëpamjet, sigurisht, në ato kushte, në të cilat ndodhej secila! Ishte për mua një punë që e pëlqeja dhe me qejf e ushtroja, duke bërë diskutim të ri me persona të ndryshëm për çdo ditë, sipas rastit dhe pritjes që më bëhej prej atyre që ua pata zënë atë drekë apo atë darkë, qoshen e shtëpisë së tyre! Mirëpo një krizë reumatizmale më gozhdoi kyçet dhe u sëmura keq, aq sa nuk kisha mundësi të ushtroja detyrën e shëtitësit nëpër krahinat e ndryshme të rrethit të Vlorës! E luftoj sëmundjen me çfardo mjeti e ilaçe dhe frekuentoj Llixhat e Elbasanit për disa vjet me radhë, duke gëlltitur njëkohësisht lloj lloj medikamente, apo duke edhe bërë vetë injeksione të shumta dhe të ndryshme nëpër vena dhe në mishërat e mia! Erdha deri diku në vete me të gjitha ato, po përsëri kisha vështirësi në punën e ngarkuar dhe nga kjo kërkova të shkarkohem detyrës. Mbas tri kërkesash çlirohem në Janar të vitit 1950 dhe emërohem të drejtoj shkollën e Skelës në Vlorë, ku ushtronin një numur i mirë arsimtarësh me një numur të madh nxënësish! Bëj vitin aty dhe në vjeshtë, me çeljen e shkollave, dërgohem, me kërkesë insistuese timen, të drejtoj shkollën 7 vjeçare në Spile të Himarës. Ishte pikërisht koha kur një rryme ndaj qytetit vëzhgohej në të gjitha anët. Unë, pa mos u vënë re mirë fjalëve që do shokë më bënin për të mos u larguar nga qyteti, këmbëngula për kthimin tim në vend dhe kjo u ngjos për atë radhë me ndihmën, thom, të ndonjë shoku. Po kjo kthesë nuk qe nga ato më të lumturat lëvizje që pata bërë, sepse duke u larguar nga Vlora vetë e me dëshirë, e humba rastin t’u vija në ndihmë fëmijëve të mi, kur u erdhi koha të ndiqnin shkollat e mesme. Për këtë shumë herë me rast jam penduar, mirëpo nuk kish ilaç dhe u duk se isha i destinuar që të plakem fshatar e në gurët ku lakmova vetë të kaloja ditët e mia të fundit. Për t’i rënë shkurt, erdha në Himarë si Drejtor i shkollës së atjeshme dhe ushtrova aty pak më shumë se dy muaj, se, në atë kohë e sipër, ishte ngritur në vetë fshatin tonë një lokal aneks për të shërbyer si klasë e parë e një shkolle 7 vjeçare, që do ngrihej këtu sipas kërkesës së banorëve dhe pranimit të saj prej Qeverisë. Mbasi, pra, çdo gjë u bë gati këtu, u urdhërova të vija në Qeparo si drejtues i shkollës së këtueshme, mbas një largimi prej më se 7 vjetësh, që kur, për arsye të turbullta të luftës, funksioni im si drejtues i një shkolleje fillore 5 klasëshe kish pushuar së ekzistuari. Vazhdoj këtu të ushtroj deri më 1956 si Drejtor i shkollës 7 vjeçare. Atë vit doli si problem i ditës çështja e kolektivizimit dhe për vetë e ndiej që nuk kam qenë fort entusiast dhe përkrahës i atij ndryshimi në pronësinë e bazës materiale e të mjeteve të punës. Shpronësimi i pasurisë, dhe sikur në favor të një kolektivi të përbashkët, sikur nuk na mbushte mendjen se do ishte e leverdishme dhe, duke pasur frikë për ndonjë bjerrje eventuale ekonomike të familjes, se do katandisej pa mall e pa plang, vija i vakët në të miratuarit e saj si reformë. Kështu, nuk u ndodha i gatshëm t’i thosha “Po” aty për aty “Thirrjes” së Partisë e të Pushtetit. Por më 15 Mars 1956 ngrihet edhe në fshatin tonë Kooperativa Bujqësore më 15 anëtarë të parë, me gjithë se unë, si shumica e njerëzisë, patëm nguruar të thoshnim “PO” që në çastin e parë të thirrjes. Atë ditë e natë kam qenë në përpjekje e luftë të madhe me veten, me udhën time të gjatë në jetë, me ç’kisha bërë mirë e ç’mund të kisha bërë më mirë, me ç’varej prej meje e me ç’isha i detyruar, nga rrethanat e kushtet, të bëja, herë me hir e me ndërgjegje, por hera herës edhe për hatër të rrymës e ideve që kërkonte koha. I dhashë karar se nuk mund të ndahesha nga ajo ide e rrymë ku kishte aderuar një pjesë e fshatit e ku, me siguri, nesër pasnesër, nuk mund të mbetej askurrë ndokush jashtë. Ditën e nesërme, pra, më 16 Mars, e miratova edhe vetë thirrjen për kolektivizim dhe pata numurin rëndor 16 në radhën e atyre që ju përgjigjën thirrjes! Më vonë u pa se ajo reformë për të cilën po të gjithë thuaj nguruam, solli ndryshime të shumta, që në ato kohë nuk i mendonim dot e, hera herës, na ngjallnin drithërima.Vetë unë, si për profesionin, ashtu edhe për moshën që kisha, nuk pata as rastin, as qejfin të angazhohesha direkt në punët e kooperativës, si në fillim edhe më pas, por gjithnjë kam dashur që të dilte i gabuar hezitimi e frika që pata shfaqur kur nisi kjo reformë, dhe këtu nuk është fjala për sedrën time, por për jetën e fatin e një fshati të tërë. Domosdo, si bir i këtij fshati, i lidhur me të me rrënjë e me jetë, me shtëpi e katandi, jam gëzuar e gëzohem për çdo gjë që shoh e dëgjoj se ecën mirë, ashtu si edhe ngrysem e dëshpërohem kur shoh se lodhja e strapacimi i njerëzisë, nuk sjell atë që pritet e meritohet. Mirëpo, ngurrimi im në Mars të 1956 bëri që në Shtator, me çeljen e vitit të ri shkollor, u zbrita nga drejtues i shkollës në mësues të thjeshtë të 7 vjeçares, mbasi pata qenë në drejtimin e saj qysh nga viti 1935, kur mbas provimeve në Normalen e Elbasanit, më besuan udhëheqjen e shkollës si Kryemësues. Shërbeva, pra, si mësues pedagog qysh ahere deri me një të Shtatorit 1964, kur u njoftova se kish ardhur radha (se koha kish kaluar, isha ahere plot 67 vjeç), të paraqesja kërkesën time për të dalë në pension! Mbaron kështu karjera ime si edukues, mbasi shërbeva në atë detyrë plot 36 vjet dhe pata punuar me shumë zell e qejf, me qëllim qe të nxirrja nxënës të zotë, për luftën e jetës dhe patriotë! Nuk do jetë e tepruar të them këtu se profesionin e pedagogut e kam pasë me shumë qejf dhe jam përpjekur, me sa kam mundur, gjatë gjithë kohës, që të arrij të bëhem një arsimtar i mirë, qoftë me kulturë profesionale e didaktike në shkollë, qoftë dhe si njeri me tipare morale në jetën time private a shoqeërore! Kam pasë qenë shpirtërisht i lidhur me detyrën time dhe kisha mani që nxënësit e mi të mos dalin shkolle me të meta që do t’i radhitnin më pas në një shkallë të ulët nga ata që mund të ishin pajisur me tituj studimi më të lartë se ç’pata pasur unë. Aq më tepër, u shtrëngova të arrija qëllimin tim, mbasi klasat e mesme që kisha bërë në Greqi a në Francë, nuk u përshtateshin kushteve që më kërkoheshin, tani që m’u besua një detyrë e shenjtë për të edukuar fëmijët e vendit tim! I emëruar si ndihmës mësues në 1928, studjoj dhe në vitin shkollor 1935-36 fitoj Aftësinë Pedagogjike me provime në Normalen e Elbasanit dhe emërohem Kryemësues. Më 1946 shkoj në Vlorë si Drejtor Didaktik dhe më 1950-1956 Drejtor i shkollës 7 vjeçare të Skelës në (Vlorë), në Himarë dhe në fshatin tim. Në Mars 1958 atestohem nga Ministria e Arsimit si Mësues për klasat e larta të 7 vjeçares dhe, po atë vit, Dekorohem me Urdhërin e Punës të Klasit II dhe çqitem arsimit në Shtator të vitit 1964. Në Qershor (25) të vitit 1961, martoj djalin tim Leonidha dhe më 9 Korrik 1964 na lind një vajzë, filiz i parë i progjeniturës së fisit tim, që është thirrur të mbajë ndezur pishën e vazhdimësisë për kohët që do të vijnë! (Liljana). Mbas kësaj na lindin dhe tri vajza të tjera, po nga i njëjti burim (Bela, Diana, Lindita). Ndërsa nga një degë tjetër e trungut tim, Petraqit, shtohemi me dy vajza (1968-1971) , Margarita dhe Jolanda dhe, më 31 Mars 1975, me një bimë të re, po kësaj radhe të seksit të fortë që regjistrohet me emërin historik të të vëllait të mbretit Agron të Ilirisë, Skardillajd! Sa për tharkun e djalit të tretë Stefan, jemi mjaftuar deri sot me një femër (akoma) të vogël, me emrin gjithashtu Ilirian, Enkeleda, lerë më 19 Qershor 1975. Vijon NJË PANORAMË PËRMBLEDHËSE ... Janko Pali & Gjike L A N I Janko Pali & Vangjel Llambro & Peli Todhri
Posted on: Mon, 02 Dec 2013 15:20:48 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015