KOMENT / Fillim i Ri, Avaz i vjetër NGA ANILA - TopicsExpress



          

KOMENT / Fillim i Ri, Avaz i vjetër NGA ANILA BASHA Asnjëherë nuk mund të flasësh e të shkruash për një Fillim të Ri, me një avaz të vjetër. Eshtë kaq e thjeshtë si aksiomë, sa ata disa mijëra demokratë që kanë shkuar pranë kutive të votimit për të hedhur votën e tyre për njërin nga kandidatët, do të duhet të ndjehen të zhgënjyer. Zgjedhjet e djeshme “një anëtar një votë” në strukturat e Partisë Demokratike treguan qartë dhe më së miri se partia që në 1996 e ngriti standardin e vjedhjes së votës në një standart antivlerash për PD dhe për vendin, nuk mund të organizojë zgjedhje që të mbeten në mendjen e çdo demokrati të ndershëm, që kërkon të shprehë vullnetin e vet për kandidatin e preferuar. Problemet e evidentuara ditën e djeshme gjatë procesit të votimit, treguan se pas tetë vitesh në pushtet, PD është kthyer në një parti shtet, ku strukturat prej vitesh kishin humbur funksionet e tyre dhe kurrkush nuk kishte database të dhënash për numrin e saktë të anëtarëve të partisë, apo atyre që paguajnë kuotizacionet e saj çdo muaj. Anëtarë të vjetër, themelues të kësaj partie, demokratë të orëve të para, po rendnin sa në një qendër, në një qendër tjetër në Tiranë, dhe sa në një qytet, në tjetrin, për të gjetur emrin në listën e votuesve dhe për të shprehur vullnetin e tyre. Të dëshpëruar, pasi kanë votuar numrin 44 në 23 qershorin e kaluar, u ndjenë të bojkotuar nga ata drejtues që tashmë u duket se u kanë privatizuar partinë. Por ndoshta për herë të parë u ndjenë të çliruar. Nuk lanë ekran televizioni pa folur, pa shprehur zhgënjimin dhe pakënaqësinë, për atë që e konsideruan çuditërisht dhe për herë të parë “manipulim të procesit të votimit”. Parë në këtë këndvështrim, duhet përgëzuar iniciativa vetëm për këtë fakt: demokratët e thjeshtë, ata që kanë punuar si militantë të kësaj partie, panë se vullneti i drejtimit të tyre në hierarkinë më të lartë, nuk varet prej votës së tyre, nuk numërohet ashtu sikurse ata duan ta hedhin në kutinë e votimit, dhe më keq akoma, nuk i lënë fare të votojnë. Por...ata fituan lirinë. Lirinë për të thënë atë që mendojnë që për parti të tjera, ka qenë standard i përhershëm i gjithë këtyre viteve. Ata folën publikisht për pakënaqësitë që kishin për procesin e votimit dhe fushatën e bërë. Pasi kanë kaluar këtë hap në mënyrë të suksesshme, kushdo që të zgjidhet kryetar “hije” i Partisë Demokratike, ndoshta duhet të mendojë me shumë gjasë të legalizojë fraksionet, si stadi më i lartë i demokracisë së një force politike. Një tjetër problem i evidentuar ditën e djeshme, që u evidentua edhe nga shqiptarja dhe A1Report, ishte pikërisht vendosja e një numri serie në çdo fletë votimi. Një procedurë e pa parë dhe e papërdorur më parë. Një mënyrë për të evidentuar votën e gjithkujt që voton, nëse një kandidat ose një tjetër do të ishte i interesuar për ta parë atë votë. A do të jetë ky një standard për të cilin do të flasin kandidatët? Kjo do të shihet në ditët në vijim, ndoshta sot, kohë në të cilën duhet të dali edhe fituesi i kësaj zgjedhjeje brenda PD. Fillimi i Ri me këtë avaz të vjetër, nuk ka asnjë kuptim në këtë moment. As koha televizive në ‘prime time’ për të gjitha edicionet e lajmeve në të gjithë televizionet, apo edhe faqet e para të të gjitha gazetave. Gjithkush u përpoq të kuptojë se pse PD po nxitonte që të bënte zgjedhje për kryetar partie kaq shpejt, vetëm një muaj pas votimit masiv të shqiptarëve për koalicionin e majtë. Personalisht, më duket se e gjeta një përgjigje: tamam koha e rinumërimit të kutive dhe deklaratave për “mosnjohje zgjedhjesh” për shkak të “manipulimeve masive”. Moment i përshtatshëm për të tërhequr vëmendjen për masakrën e votës së 1 milionë shqiptarëve. Avaz i vjetër i PD, si në pushtet, ashtu edhe në opozitë
Posted on: Tue, 23 Jul 2013 10:53:15 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015