Kavaja nderon Altin Rricën, Kristidhi tregon… dramën Data - TopicsExpress



          

Kavaja nderon Altin Rricën, Kristidhi tregon… dramën Data 22 korrik e vitit 2000 do të mbahet mend si kujtimi më i hidhur në jetën e ishfutbollistit Altin Rrica. Ishte dita kur mesfushorit iu prenë ëndrrat në mes në moshën 27-vjeçare, në një kohë kur vetëm pak muaj para incidentit ai ishte grumbulluar edhe me Kombëtaren shqiptare. Kavajasi Rrica, pjesë e Luftëtarit në atë vit, ndodhej me ekipin gjirokastrit në Ohër të Maqedonisë për të kryer fazën përgatitore. Teksa skuadra zhvillonte normalisht stërvitjen, portieri Kristidhi dhe mesfushori Rrica ishin të diferencuar nga grupi si pasojë e problemeve fizike. Pikërisht pasditen e 22 korrikut, Rrica i propozon Kristidhit të hidheshin në liqenin e Ohrit sa për t’u freskuar. Rrica hidhet i pari, por pas disa sekondash kavajasi del sipër ujit, sepse ishte përplasur në një shkëmb dhe kishte mbetur pa ndjenja. Kristidhi ndërhyri urgjentisht dhe nëse sot Rrica jeton, edhe pse në karrocën e invalidit, kjo i dedikohet para së gjithash ishportierit gjirokastrit. Dje, para se të niste ceremonia në nderim të Rricës, Kristidhi kujtoi për “Panorama Sport” atë moment të tmerrshëm. “Bashkë me Altinin po qëndronim veçmas ekipit, sepse ishim të dëmtuar. Altini më propozoi të futeshim në ujë për t’u freskuar. Unë hezitova, ndërsa ai u hodh. Për disa sekonda pashë Altinin sipër ujit të shtrirë në gjendje shumë të rëndë. U futa menjëherë në ujë dhe fillimisht i dhashë frymëmarrje artificiale, sepse ishte pa ndjenja. E ktheva në jetë dhe e nxora në krahë nga uji pa kuptuar se Rrica ishte paralizuar nga këmbët dhe ishte thuajse në gjendje kome. Pastaj erdhën shokët e ekipit dhe nuk e di sesi arritëm ta përjetonim atë moment. Altinin e donin dhe e respektonin të gjithë. Kjo është arsyeja që unë vazhdimisht e vizitoj në Durrës dhe jam sot (dje) në Kavajë për ta nderuar. Ai është një djalë i shkëlqyer”, – përfundon Kristidhi, ish-portieri që sot është pjesë e stafit teknik te Kombëtarja kuqezi U-17. Ceremonia - Bashkia Kavajë dhe posaçërisht kryetari i saj, Ervis Rroshi, në bashkëpunim me klubin e Besës organizuan dje një ceremoni për të nderuar Altin Rricën. Në këtë ceremoni të zhvilluar në stadiumin e Kavajës merrnin pjesë mjaft miq, bashkëlojtarë dhe shokë të Altinit. Por, krahas tyre dhe familjes së Altinit, ishin edhe ish-trajnerët e tij, Fisnik Kosova, Edmond Gëzdari e Genc Tomorri. Bukurinë dhe emocionet kësaj feste ia shtoi prezenca e ekipit të veteranëve të Luftëtarit me plejadën e yjeve që nga Kalluci, Boni e Shoni, deri te Bellai, Xhumba, Begeja, Daiu, Marini, Kapllani e të tjerë. Në ambientet e stadiumit “Besa” u çel një ekspozitë me fotot gjatë karrierës së Rricës. Pas vizitës së stendave, të pranishmit iu drejtuan fushës së stadiumit. Fillimisht ka qenë kryetari i Bashkisë Kavajë, Ervis Rroshi, ai që ka mirëpritur Altin Rricën, shoqëruar nga ish-futbollistë të Luftëtarit dhe Besës, por edhe trajnerë e specialistë kavajas nga rrethet. Në emër të klubit të Luftëtarit, sulmuesi Arlind Nora dhe gazetari Pirro Qiqi i dhuruan fanellën me numrin 37. Më pas, ish-trajneri Genc Tomorri, në shoqërinë e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Abdyl Kuriu, i dorëzuan fanellën e Kombëtares me numër 10. Presidenti Bizhdili gjithashtu i dhuroi në mënyrë simbolike fanellën e Besës. Gjatë gjithë kësaj ceremonie nuk pushuan duartrokitjet dhe thirrjet: “Rrica! Rrica!”. Emocione të mëdha, ndërsa Altin Rrica i ulur në karrocë i falënderonte të gjithë për nderimin dhe pjesëmarrjen. Një moment sa prekës, aq edhe nderues për kontributin e Rricës dhe ëndrrës që iu pre në mes. Më pas të ftuarit ndoqën miqësoren mes veteranëve të Besës e Luftëtarit, që dhuroi jo pak spektakël e nostalgji me emrat e shquar si Telaku, Hushi, Karriqi, Duro, Bajaziti, Shtini, Kalluci, Boni, Shoni, Bellai, Xhumba e të tjerë. Vlerësimi - Pas miqësores u shtrua një drekë mirëseardhje për miqtë gjirokastritë, të ftuar të tjerë dhe drejtues klubesh e trajnerë. Kryetari i bashkisë, Ervis Rroshi, i dorëzoi Altin Rricës titullin “Mirënjohja e Qytetit”, akorduar nga Këshilli Bashkiak Kavajë me motivacionin për kontribut të shquar në fushën e sportit (futbollit). Edhe pse me pak vite karrierë, Rrica la gjurmë te Besa, Tirana, Partizani dhe Luftëtari, por gjithashtu edhe si pjesë e Kombëtares së madhe dhe asaj U-21. Falënderimi – Mes emocionesh të mëdha për këto momente, Altin Rrica shpreh falënderimet e tij. “Nuk kam fjalë të them për këtë nderim. Në këto momente të vështira më kanë qëndruar pranë dhjetëra miq, shokë, ishlojtarë, por dua të veçoj ambasadorin Kujtim Xhani, kirurgun Ilir Shani, biznesmenin Avni Nuri dhe ishlojtarët e Luftëtarit. Ndihem sikur m’u hoq disi dhimbja për situatën në të cilën ndodhem. U këshilloj të rinjve që ta dashurojnë futbollin dhe të sakrifikojnë për të. Futbolli ishte jeta ime”, – përfundon Rrica me ndonjë pikë loti që i shpëton.
Posted on: Sun, 27 Oct 2013 10:58:42 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015